e hënë, 27 shkurt 2012

Ç’ është dashuria?

Dashuria është si tullumbace e fryrë shumë. Ajo rritet dhe mbushet si një aerostat në të cilën mbyllen dhe fluturojnë dy veta. Aty ka: shumë dëshira, shumë ëndrra, plot plane, shumë iluzione, plot kënaqësi dhe madje edhe zhgënjime.


Një maje gjilpëre mund ta shfryjë dhe ta përplas për tokë. Shpresat do të mbeten brenda, të mbledhura kruspull tok me tullumbacen e pavlerë, por, kujtimi, kujtimi se qe fryrë një tullumbace së bashku, nuk do të zhduket kurrë!

Ky kujtim e rikujtim i herë pas hershëm, është i ligjshëm: Për qenien njerëzore.


Çdo dashuri rikujtohet. Është pjesë e jetës së njeriut dhe askush nuk ka të drejtë ta akuzojë, qortojë, sulmojë apo gjykojë jetën e tjetrit/tjetrës, kur tjetri/tjetra nuk ishte pjesë e asaj jete, e asaj shprese, e asaj tullumbace.


Dashuria është perceptim i partnerit dhe shtresim i përjetimeve të përbashkëta, por edhe rëniet emocionale ndikojnë në ndërtimin e qëndrimeve njerëzore dhe të drejta. Nëse humbet dashuria, atëherë ajo shërben si udhëzuese në ato që pasojnë.


Asnjë dashuri nuk është e gabueshme. Pa marrë parasysh a zgjatë një javë apo me vite. Çdo dashuri është kronikë vetjake dhe ka arsyet e veta të mëdha për hyrje dhe dalje nga tullumbacja.


Xhelozia e tepruar është armiku më i madh i dashurisë, sepse mëton mbikëqyrjen permanente të tjetrit: depersonalizimin e tjetrit/tjetrës. Zakonisht nga xhelozia e madhe pushtohen dhe kontrollohen, ata që nuk kanë besim në vetveten, që dominohen nga komplekset, neurozat dhe edukata e gabuar. Aty ku ka xhelozi të madhe, nuk ka dashuri, por përvetësim dhe prangosje e të dashurit/dashurës. Kjo dëmton sedrën, dinjitetin e tjetri/tjetrës, vetëbesimin, vetvlerën. Në dashuri nuk ka sundim dhe imponim, por vetëm bashkëveprim dhe liri individuale, sepse arresti nuk është dashuri. Vetëm njeriu i lirë mund të njihet përnjëmend, i burgosuri luan një rol, shndërrohet në aktor/e, edhe atë, të detyruar.


Dashuria është kompromis në mes dy vetave, që dashurojnë njëri tjetrit. Ndryshe shndërrohet në skllav/e dhe pronar/e. Pronësia është atentat ndaj një personaliteti. Njeriu nuk mund të posedohet. Lidhja në mes dy vetave nuk guxon të jetë trupore, por vetëm shpirtërore, edhe atë, me lirinë reciproke të daljes, nëse njëri dominon tjetrin apo në mënyra tjera, prish lumturinë e tjetrit/ tjetrës. Detyrë e partnerit/partneres është për ta bërë të lumtur njeriun me të cilin bashkëjetohet. Njeriu jeton një herë dhe ka të drejtë ta kërkojë lumturinë e vet.


Për të jetuar dhe notuar në një ekstazë dyshe, për tullumbacen duhet kujdesur dy veta dhe ta fryjnë sa herë të shfaqen rrudhat e para, nga shfryrja eventuale. Dashuria lindet në mes dy vetave dhe kujdesi duhet të jetë mundësisht i barasvlershëm dhe i përbashkët. Aty ku mbizotron dashuria, ajo përthyhet edhe në edukatën e fëmijëve dhe ekuilibrin e tyre të drejtë. Aty ku dominon njëri, dëmton drejtpeshimin dhe fëmija bëhet aleat me të keqtrajtuarin/keqtrajtuarën, në të shumtën e rasteve.


Aty ku ka dashuri, respekt, mirënjohje dhe liri, nuk ka tradhti. Askush nuk tradhton nga lumturia dhe dashuria e madhe, në mungesë të tyre, ndonjë herë, po.


Dashuria mund të mësohet dhe kultivohet, ashtu si mësohet: xhelozia, krenaria, inati, smira dhe shtypja. Këto veti dëmtojnë poseduesin e tyre dhe njeriun me të cilin bashkëjetojnë...

e shtunë, 25 shkurt 2012

Ç’është jeta? Erich Fried

Erich Fried
1921 – 1988


Ç’është jeta?

Jetë
është ngrohtësia
e ujit në banjën time


Jetë
është goja ime
në prehrin tënd të hapur

Jetë
është zemërimi
kundër padrejtësive në vendet tona

Ngrohtësia e ujit
nuk mjafton
unë duhet edhe të pllaquritem brenda

Goja ime në prehrin tënd
nuk mjafton
unë duhet edhe ta puthi atë

Zemërimi kundër padrejtësisë
nuk mjafton
Ne duhet edhe ta ftillojmë atë

dhe
të bëjmë diçka kundër saj
Kjo është jeta


Mbi lirinë e brendshme

U përkula
për t’i puthur çizmet
e shndritshme
të zeza
Zotit tonë
aty tha ai:
Më poshtë!

Kur u përkula dhe më thellë
ndjeva në vete
madhërishëm
kundërshtimin
e kurrizit
që nuk donte të kërrusej

I gëzuar u zvarrita tutje
falënderues ndaj Zotit tonë
për këtë përjetim
dinjitetit
dhe forcës
time të brendshme


Në kryeqytet

»Kush sundon këtu?«
pyeta unë
Ata thanë:
»Populli, natyrisht»

Unë thash:
»Natyrisht populli
mirëpo kush
sundon përnjëmend?«






Nga gjermanishtja
Lis Bukuroca

e hënë, 13 shkurt 2012

Një pyetje nga Ilir Dardani, Zemra Shqiptare

"Gjergj Kastrioti, i vlerësuar si ''një ndër më të mëdhenjtë e të mëdhenjëve'', është Heroi Kombëtar i Shqiptarëve. Asnjë shqiptar tjetër nuk arriti t’i afrohet veprës madhore Kastriotane, megjithatë nuk është heroi i të gjithë shqiptarëve. Kleri mysliman dhe besimtarët seriozë - viktima të ideologjisë antishqiptare - kanë probleme të pafundme me KryeHeroin Tonë. Kthimi i Gjergjit në vëndlindje dhe refuzimi i islamit si fe dhe si pushtim ka ngritur male pakënaqësie tek hoxhallarët dhe besimtarët e sotëm saqë arrijnë ta krahasojnë edhe me kryearmiqtë tanë.

Ndërkohë, një ndër shqiptarët që ka sakrifkuar më shumë në shekujt e fundit është Adem Jashari, i cili nderohet dhe do të nderohet nga të gjithë shqiptarët pa përjashtim, sepse fjalë të parë dhe të fundit kishte Atdheun dhe Lirinë e tij, si Gjergj Kastrioti. A mund të urrehet një njeri që Lufton Pushtimin dhe Mbron Lirinë?

Në lidhje me këtë temë kam marrë mendimin e disa intelektualëve dhe bashkëpunëtorëve të Zemra Shqiptare, të cilët i falenderoj nga Zemra Shqiptare.A është Gjergj Kastrioti Hero i të gjithë Shqiptarëve? I. Dardani, kryeredaktor i Zemrës Shqiptare


A është Gjergj Kastrioti Hero i të gjithë Shqiptarëve?


Lis Bukuroca, Analist dhe Poet. I kërkoj falje Lisit por dua të përmend një fakt: Lis Bukuroca jo për fajin e tij quhej Naser Aliu. Vërtetë që është njeriu dhe vepra e tij para emrit, por Lisi Vigan i Bukurocës së Pranverës Arbërore nuk mund të dorëzohej përballë të kaluarës së dhimbshme, njëkohësisht edhe të turpshme. Shqiptari ynë për Gjergjin tonë shton:

Çka të shkruhet për Skënderbeun? Ai nuk ishte si Leka i Madh, që marshonte në tre kontinent për të zaptuar toka të reja, e as nuk ishte si Julius Gaius Caesar, që po shtrinte dhe zmadhonte Perandorinë Romake.
Gjergj Kastrioti është shëmbëlltyra par exellence e popujve të vegjël. Jeta dhe vepra e tij dëshmon se popujt e vegjël, sado të vegjël të jenë, të bashkuar mund t’ i arrijnë qëllimet e tyre, rrjedhimisht t’ i bëjnë ballë edhe superfuqive, edhe atë me sukses. Ai nuk ishte pushtues, por liberator dhe bënte luftë të drejtë. Ai nuk u fali krenari vetëm atyre që jetonin në kohën e tij, por edhe neve sot dhe të tjerëve nesër.
Skënderbeun nuk e bëri të madh vetëm malli për liri dhe lufta kundër tjetërsimit, por e bëri të madh gjenialiteti tij në udhëheqjen ushtarake. Edhe atë, në një pjesë të Europës, ku popujt binin njëri pas tjetrit. Ai është tribun. Ai mbronte lirinë e popullit të vet: gjuhën, kulturën dhe zakonet e vendit. Ai është personalitet, që rrallë herë përsëriten në historinë e njerëzimit. Ai mundet pa ne, por ne nuk mundemi pa Gjergj Kastriotin.
Ai është shtylla e kombit shqiptar, boshti kurrizor i tij, krenaria dhe forca motivuese para çdo rreziku. Sot shqiptarët nuk njohin emrat e ministrave në Qeveritë e tyre, por edhe fëmijët, në çdo familje, dinë diçka për veprën e madhe të Skënderbeut. Prania e tij në shpirtin shqiptar nuk mund të shlyhet, ashtu si nuk mund të shlyhet qielli mbi kokat tona. Lekës së Madh dhe Qesarit, nuk u ndërtohen përmendore nëpër botë, Skënderbeut, po: Ata ishin pushtues, Skënderbeu ishte Çlirimtar dhe mbronte popullin e vet dhe kulturën europiane, ku sot dëshirojmë me aq mall e dashuri të integrohemi.
Skënderbeu do të mbetet gjithmonë si njësi matëse dhe krahasuese për patriotizmin e drejt, për rezistencën burrërore: për integritetin e vendit, për dinjitetin e kombit dhe për sovranitetin e shtetit. Ai inkorporon vlerat sublime dhe absolute të dashurisë ndaj kombit dhe atdheut.

e enjte, 02 shkurt 2012

Citate të zgjedhura 4

»Rrallë herë kupton njeriu se ç‘ është lumturia, mirëpo shumë herë kupton, çka ishte lumturia!« Françoise Sagan

»Kurrë nuk përsëritet historia, ajo gjithmonë është e re dhe e freskët , mirëpo pa pra rilindet legjenda.« Jacob Grimm

"Çdo burrë ka qëllime serioze, nëse përpiqemi t‘ ia mësojmë ato.« Jane Fonda

»Kur diku lidhet një marrëveshje në mes dy fuqive, që duket e padëmshme, atëherë njeriu menjëherë duhet pyetur veten: Kush do të vritet këtu?« Otto von Bismarck

» Gruaja të falë gjitha gabimet – mirëpo gjithmonë na rikujtojnë se na ka falur!« Karlheinz Böhm

»Premtimet që bëhen në gjendje të dehur dhe hiperbolat në gjendje dashurie, nuk duhet marrë gjithmonë seriozisht. As shkarjet e para, as lajthitjet e dyta, në gjyq nuk trajtohen si prova, por vetëm si pohime të shprehura në gjendje dalldie: Dehja mund të ndikojë në zvogëlimin e dënimit, shkurorëzimi, në zhdehjen e hiperbolave.« Lis Bukuroca

»Dashuria e parë nuk harrohet kurrë!« As e dyta, as e treta...Dashuritë e mëdha janë shpërblime dhe përshtypje hyjnore!« Lis Bukuroca

e martë, 31 janar 2012

Ç’ është KARMA? – Kuptimi i jetës 6 - sa për reflektim

Çdo shkak ka një pasojë çdo pasojë ka një shkak. Çdo veprim krijon një energji të caktuar, i cila kthehet me të njëjtin intensitet tek pikënisja / tek prodhuesi. Pasoja kthehet në cilësi dhe sasi të njëjtë. E njëjta prodhon të njëjtën: Aksion-Reaksion. Diku në kozmos gjendet një memorizues personal, ku memorizohen veprat. Një ditë kthehen të gjitha, në mos në këtë jetë, në tjetrën...

Motivi i Shkakut mund të qëndrojë në shumë shtresa. Çdo gjë bëhet në përputhje me ligjin. Çdonjëri është krijuesi, bartës dhe përcaktues i fatit të tij. Çdo mendim, çdo ndjenjë, çdo veprim është një shkak, që ka edhe një pasojë. Nuk ka mëkat, nuk ka faj dhe nuk ka rastësi, por vetëm shkak dhe pasojë, që qëndrojnë shumë shekuj dhe shumë jetëra larg njëra tjetrës. "Fati" dhe "Rastësia" janë vetëm nocione, që tregojnë për mosnjohjen e ligjit.

„Karma " është fjalë sanskrite dhe do të thotë"rrotë" (rreth). Karma na detyron neve të lindemi e rilindemi. Për një arsye: Të çlirohem nga padrejtësitë që i kemi shkaktuar dhe t’ i përmirësojmë gabimet. Çdo reinkarnim, është një mundësi e re e mësimit, sepse çdo herë do të konfrontohemi me problemet e pa zgjidhura, me veprat e këqija. Kapërcimi i tyre, nuk është anashkalimi, por konfrontimi me to dhe zgjidhja. Shpesh ato zgjidhen me pranimin e tyre. Aq sa më shumë u ikin njerëzit zgjidhjeve të problemeve, aq më shumë rikrijojnë karmë, dmth. rilindje. Karma i nënshtrohet ligjeve të kauzalitetit. Kjo domethënë se veprat e mira, sjellin vepra të mira, të këqijat, sjellin të këqija. Njeriu lindet e rilindet deri sa të përkryhet, pastaj kalon në Nirvanë, gjendje të pagjendje, në mosekzistencë, sepse sipas Budës, çdo ekzistencë është vuajtje. Kjo është e vërteta e parë fisnike tek Budizmi dhe e vërteta e dytë është: shkaku i vuajtjes është dëshira e madhe, lakmia..."

Kjo është lindja ime e fundit, këtu e tujte, nuk dot ketë mëlindje tjera për mua", thotë Buda.

përgaditi për lexuesit, nga gjermanishtja Lis Bukuroca

e shtunë, 28 janar 2012

Lëçitja- Gazeta Shekulli

Lëçitja bëhet dhe do të zbatohet pikë për pikë duke respektuar ligjin. Nuk do të ketë asnjë lëshim. Për shmangien nga rruga e drejtë, neni 475 parasheh se si duhet lëçitur prokuroja, hanëmja, Ina Rama dhe kryetari i shteti shqiptar, shkëlqesia e tij, sulltani, Bamir Topi. Lëçitja nuk bëhet vetëm pse kanë thyer rregullat e pleqnisë, por edhe pse zonja ka një mbiemër që ngjall neveri dhe është irritues në katund. I dyti mban një mbiemër, që duhet ndaluar me ligj. Ai mbiemër paraqet rrezik për paqen publike dhe e tmerron katundin. Lëçitja bëhet edhe për të faktuar se ligji funksion dhe se askush nuk do të kursehet, pa marrë parasysh se a janë ata jeniçerë, spahi, agallarë, pashallarë apo kadi. Neni 475 është konsumuar tërësisht dhe do të zbatohet me përpikëri dhe me seriozitetin më të madh të insanit.

Dënimet që jep Kanuja simbas mbrapshtinash:

1) e hekmja e armës prej të zot t’shpisë a bajraktarit me vojvodë e djelmni
2) gjoba me gja’ e pare
3) pashtraku
4) lëçitja prej kushrijve, katundit, fisit a bajrakut
5) djegia e shpisë dhe e premja e pemëve
6) e nxjerrmja prej bajraku me gjindët e shpisë, lanja e tokës djerr’ tri vjet
7) vrasa katundisht prej fisit a bajrakut

Mirëpo, shqyrtimi kryesor nuk do të bëhet tani për shkak të besës së madhe dhe do të shtyhet deri në zgjedhjen e sulltanit dhe kadiut të ri. Kadiu i ri do të shqyrtojë të gjitha pikat nga neni 475 në mënyrë më serioze dhe do të sjellë dënimin më të merituar. Për këtë keni garanci të plotë. Pika 1 dhe 4 janë në zbatim e sipër, si masa parandaluese. Pika 5 do të nisë të zbatohet në pjesën e dytë, sepse ata kanë ngrënë shumë molla, molla që i ka ndaluar Zoti personalisht. Kjo nuk mund të tolerohet, kjo nuk mund të anashkalohet dhe nuk mund të injorohet ashtu lehtë. Nga mollët ata kanë përfituar njohuri të reja, njohuri që do të dëmtojnë lirinë e tyre. Kjo nuk mund do mbetet e pa ndëshkuar, sepse Zoti mund të dënojë krejt katundin për mollët që kanë ngrënë këta dy heretikë. Së shpejti, mirëpo, do të shqyrtohet shumë seriozisht edhe pika 6. Me pikën 2 dhe 7 do të merret kadiu me përgjegjësinë më të plotë që ia imponon detyra e tij madhore.
Ndërkohë, do të përballet me lëçitjen Kreshtë Spahiu. Për fat të keq, edhe ky ka braktisur rrugën e drejtë dhe po punon në bashkimin e katundeve shqiptare. Ky fakt do të pezmatonte vëllezërit tanë grek dhe serb; kjo nuk do të lejohet as edhe në ëndërr. Të njëjta ligje, do të zbatohen edhe kundër “faqeziut” të pa identitet. Pleqnija do të mblidhet së shpejti.
Përveç kësaj, do të merret në shqyrtim edhe neni 600 për çnderim, kur ndera i merret burrit dhe kjo është përkufizuar mirë dhe qartë nën pikën 1 dhe ajo është konsumuar e tejkonsumuar: “Me i thanë kush se rren faqe burrave të mbledhun në kuvend…” Ata e kanë bërë këtë, nuk e mohojnë, prandaj as këtu nuk do të ketë dyshime se kadiu i ri do ta pranojë si vepër të kryer.
Nëse nenet 475 dhe 600 nuk janë të mjaftueshëm, atëherë në ndihmë do të merret edhe paragrafi 25 nga dekreti “Ad Extirpanda“ i Papës Inonçenti nga viti 1252 dhe aty thuhet qartë: “… errores suos expresse fateri, et accusare alios haereticos quos sciunt …“, pra “ t‘ i pranojnë shprehimisht gabimet e tyre dhe të akuzojnë heretik tjerë që njohin ata”. Sipas këtij paragrafi, ata nuk do të kenë të drejtë të mos pranojnë fajin. Ky paragraf është shumë interesant dhe shumë i rëndësishëm për t’i diktuar dhe ndjekur edhe heretikët e tjerë apo ndriçuar mbrapshtinat e tjera. Mos keni asnjë dyshim, çështja do të jetë tej për tej transparente, do të jetë maksimalisht e faktuar dhe do të përfundoj me nder të madh. Mirëpo, nëse edhe ky paragraf nuk kënaq drejtësinë, atëherë shumë seriozisht do të shqyrtohen edhe veprimtaria e tyre armiqësore në favor të agjenturave të jashtme, si: UDB, KGB dhe FBI. Ka shumë prova se ata janë agjentë të huaj dhe bashkëpunojnë me reaksionin e jashtëm; me revizionistët dhe me borgjezinë dekadente perëndimore. Për këto ekzistojnë edhe dokumente dhe incizime. Çdo gjë është e faktuar dhe do t’i dorëzohen kadiut të ri. Nuk ka asnjë dyshim se do të dënohen për blasfemi, sakrilegj dhe magji. Këta do të jenë heretikë e fundit në fisin tonë të mirë dhe të butë…

E viva el comandante Fidel !!!

Gazeta Shekulli

e martë, 24 janar 2012

Citate të zgjedhura 3

»Ti mund të ndalësh një elefant, kur ai dëshiron të ikën, mirëpo jo edhe flokun më të vogël në kokën tënde, kur dëshiron të bjerë.«
Gerhard Hauptmann (1862-1946, dramaturg dhe shkrimtar, Çmimin Nobel për letërsi në vitin 1912

»Rrena është si topi i borës, aq sa më shumë rrotullohet, aq më shumë rritet.« Martin Luther, teolog gjerman, reformator, 1483-1546

»Nuk mund të luftohet, kur pantallonat janë më të mbushura se sa zemra!« Carl von Ossietzky, shkrimtar gjerman, nobelist 1889 - 1938

»Guximtar është ai që ka frikë, por megjithatë ecën para pa lejuar t’ i imponojnë shantazhin.« Paulo Coleho, shkrimtar brazilian 1947 lindur, libri tij “Alkimist” është përkthyer në 50 gjuhë

»Gjithmonë janë të dobëtit ata që kërkojnë drejtësi dhe barazi, por të fortit nuk brengosen për këtë» Aristoteli 384-322 para Krishtit

»Ne jemi moralist të përbetuar, kur është fjala për të tjerët.« Orson Welles, shkrimtar, regjisor dhe aktor amerikan 1915 - 1985

»Liria është si deti: dallgët e vetmuara nuk mund të bëjnë shumë, por forca e përplasjeve të tyre së bashku, është e papërballueshme. Vaceslav Havel 1936 – 2011, shkrimtar dhe politikan çek

shqipëroi Lis Bukuroca

e mërkurë, 18 janar 2012

Eva dhe Adami - Gazeta Shekulli

Zoti krijoi ujërat dhe urdhëroi: »Le të mbushen me peshq.« Ato u mbushën sa ora. Ndau tokën nga uji dhe urdhëroi:» Le të mbushet toka me kafshë dhe qielli me shpezë.« Edhe toka u mbush me kafshë dhe bisha. Qielli u vërshua nga shpezët e të gjitha llojeve, madje në Eden ecnin edhe shpezë, që nuk dinin të fluturonin. Majmunët kërcyen nga dega në degë nga hareja; elefantët, luanët, leopardët, kaprojtë, tigrat, lepujt, qengjat i shtrinë shputat e tyre nën hijet e pemëve dhe dremisnin duke shikuar njëri tjetrin me kërshëri. Dhelprat luanin me pulat. Ujku me qengjat. Tigri me drenushat dhe macja me miun... Pak para se të binte muzgu, kafshët dhe shpezët kaploi uria. Ato vështruan Zotin me dhembshuri dhe të molisura. Ai bëri disa hapa drejt detit dhe tha me vete: »Kanë uri, duhet siguruar mbijetesa. Po, si?! Pas pak u kthye nga peshqit, që kërcenin mbi sipërfaqe të ujit dhe urdhëroi prerazi: “Hani njëri tjetrin! I madhi të voglin.«

Peshqit e vegjël u zhytën nën ujë nga frika, të mëdhenjtë u krodhën pas tyre. Doli pak gjak në sipërfaqe, por pas pak, peshqit u qetësuan. Zoti pa se kështu sigurohej mirë mbijetesa dhe, iu drejtua kafshëve: »Ju hani bar e gjethe.»E ju«, u kthye pak në anën tjetër» hani këto, që po kullosin. Kush kë të mundet.« Kafshët e egra u shpërndanë në të gjitha drejtimet: Luanët pas drenushave, ujku pas qengjave, dhelpra pas pulave, macja pas miut dhe disa ia nisën kullosave. Derisa po përtypeshin këto, i mbërthyen bishat në fyt dhe shumë prej tyre, u plandosën përtokë. Disa tjera ikën të tmerruara. Kur ujku kafshoi lepurin në kofsh, ai foli vet me vete: » O Zot, pse më krijove për të qenë ushqim...?!« Akoma pa përfunduar mirë mendimin zhgënjyes, ujku i nguli dhëmbët në qafë dhe lepuri rrotulloi sytë. Ai braktisi atë dhe nxitoi për të vrarë dhe kafshë tjera. Në Parajsë u shkaktua një rrëmujë e madhe. Edhe bishat tjera u ngritën përsëri për të vrarë.
»Pushoni!«, bërtiti Zoti me një zë të rreptë. Ato u ndalën duke ngritur turinjtë e përgjakur dhe vështruan në drejtimin nga vinte zëri.
»Juve ju ndalohet kërdia! Mund të mbysni vetëm një kafshë për të shuar urinë.« Bishat u shtrinë përsëri dhe kafshët tjera ia nisën kullotjes, duke shikuar pa pra anash. Gjak, shumë gjak dhe shumë cofëtina mbetën të shtrira në Parajsë. Më vonë zbritën poshtë sorrat dhe çakejtë. Kur u larguan ata, zbritën mizat. Rreshti i buburrecave, krimbave, kandrrave të ndryshme dhe në fund mbetën vetëm kockat, që nuk i hante askush.

Zoti vështroi majmunin dhe tha me vete: »Duhet krijuar një qenie më të bukur se ky, më të mençur. Një krijesë që mund edhe të gjykojë, të flasë vet me vete dhe me të tjerët, të vetëmësohet, të vetëzhvillohet dhe ta ruajë tokën: Një qenie të pavarur, që nuk ka nevojë për kujdestarinë time.
Mori deltinë nga Marsi, pak ujë nga Deti Jonë (Mare Nostrum), e ngjeshi bukur mirë, pastaj i dha formën dhe bërtiti: »Ngjallu Adam!» Ai shkundi pluhurin nga trupi dhe qëndroi si i shtangur. Pak më vonë, u fut nën një shkurre i frikësuar dhe vështronte i hutuar rreth vetes. Mori disa gjethe, pastaj disa buburreca dhe i pështyu përsëri. Pas pak, iu afruan majmunët dhe u shtrinë pranë tij. Qëndroi gjatë ashtu i mërzitur. U përpoq të flasë me majmunët, por ata vetëm vështronin me sy të picërruar dhe kruheshin. Gati po qante vet me vete. Zoti përfundoi disa punë dhe një copë herë më vonë, u kthye për t’ i bërë edhe ca llafe me Adamin.
»Ç’ dreqin ke tani? Ti je më i miri nga të gjitha kafshët! Pse kaq i mërzitur?«
»S’ po m’ rrihet vet«, tha ai. » Po mërzitna shumë. Xhatë janë t’ bukra, natyra, edhe majmunat, po nuk po m’ marrin vesh, me kan me fol? Po foli vet me veti, po keshna vet me veti, po kaj vet me veti! Çdo xha ka edhe ni shoçe, viç une jo...Ky majmuni ktu po lun me shoçen e vet, me ka me lujt une?«, pyeti ai me lot në sy duke parë ata gjersa po popullonin tokën.

» Si të shumohet Adami?«, mendoi Zoti, »me ndarje nuk bën, i duhet një shoqe, si edhe kafshëve tjera.» E shikoi atë bukur gjatë, pastaj bëri një shëtitje bukur të madhe nëpër Eden dhe zgjati dorën drejt Venerës. Atje mori deltinë, me tjetrën ujë nga Deti Jonë dhe e ngjeshi atë ngadalë dhe me shumë kujdes. Herë shikonte Adamin, herë mbrunte. Krijoi një masë elastike dhe të qëndrueshme dhe i hodhi një shikim Adamit. Gatoi një brumë mjaft delikat, të lëmuar dhe vështroi përsëri Adamin. Pastaj ia rregulloi flokët, ai shkuli disa qime tek vetullat, ia skuqi buzët, ia latoi qafën, ia fryu gjoksin, ia ngushtoi belin, ia zgjati këmbët dhe bërtiti: »Ngjallu Evë!« Eva hodhi flokët e gjata në një anë dhe u buzëqesh. Me bisht të syrit pa Adamin dhe uli kokën. Adami u trullos. Gati i ra të fikët.

»O Zot, e bane ma të heshme se mu!, pëshpëriti ai.
»Kur të krijova ty Adam, po korrigjoja majmunin«, tha Ai. »Gjersa krijoja shoqen tënde, po ndreqja gabimet që bëra tek ti, por kjo hijeshi, do të kalojë tek pasardhësit tu. Mos smiro kurrë Adam!« Ai heshti dhe hodhi shikimin anash.
Zoti vendosi të kryejë aktin e shenjtë të bashkëshortësisë dhe tha:
»Adam, a donë ta marrësh për grua këtë zonjushë, që gjendet në hijen e mollës?
Ai shikoi rreth vetes sikur kërkonte diçka dhe tha duke tundur kokën:»Po!«
»Eva, a pajtohesh edhe ti ta marrësh për bashkëshort Adamin, që gjendet përballë teje, në hijen e fikut?« Eva mblodhi buzët, u mendua ca dhe tha: »Po!«
»Sot e tutje jeni një çift bashkëshortor. Popullojeni Tokën. Evë, ti je bartëse e jetës. Ky, këtu pranë, me shumë lesh në trup, është burri yt. Ky do të ketë forcë gati sa bisha apo më shumë, por do të jetë më i mençur se ato. Kockat e kafshëve që kanë mbetur këtu, mund t’ i përdorë si armë.«
Adami ktheu kokën dhe shikoi brinjat e kafshëve me të cilat tani po luanin majmunët.
»Mos harroni këto dy gjëra«, vazhdoi Zoti: » Kjo frutë të bën të vetëdijshme, të kënaq, të mbush me kërshëri, por edhe të vdekshëm. Kujdes nga ajo tjetra pranë, ka bishtin prapa. Kjo pemë një ditë do të krijojë një popull, të lirë, që ditën do të ndërtojë, natën do të rrënojë. Adam, detyrë jotja është ta mbrosh dhe të kujdesesh për lumturinë e Evës.«
Adami nuk kuptoi akoma se ku gjendje dhe nuk foli fare. Për popullin e lirë, që do të lindej, nuk u lodh shumë. Madje, as nuk kuptoi pse duhej të kujdesej për Evën dhe në çfarë mënyre. Pohoi vetëm me kokë, por nuk tha asnjë fjalë.
»Ti je Zot i kësaj toke Adam! Unë do të largohem tani për ta vazhduar punën...«
»A nuk ma ban edhe për mu ni shoçe, që kujdeset për mu?« pyeti Adami me nxitim.
Zoti u ndalë, e vështroi atë dhe mallkoi: » Mos u kënaqsh kurrë me atë që ke!«

Eva dhe Adamin duke parë kafshët, ecnin edhe ata në të katra. Iu afruan njëri tjetrit, i morën erë dhe u nisën për të bërë një shëtitje nëpër Eden. Në ecje e sipër, Evës i hyri një gjemb dhe bërtiti e tmerruar. Adami e vështroi i habitur dhe bëri sikur nuk dëgjoi gjë, por iu kujtua urdhri i Zotit. I hoqi atë me dhëmbë, lëpiu gjakun dhe i vuri një gjeth fiku mbi plagë. Eva nuk mund të ecte më si duhet dhe u shtrinë para hyrjes së një shpelle. Pak para se t’ i zinte gjumi, Adami pyeti: »Eva, Eva, e ku flena kur t’ bahet ftoft«?
»Ktu përmas, te kjo shpella, a nuk e pa a?«, pyeti ajo duke i kthyer shpinën. Aty kaluan natën dhe në mëngjes, ishin mbledhur kruspull nga freskia. Sapo u shfaq dielli në horizont, cicërima e zogjve i zgjoi. Pas tyre, u dëgjua edhe një gjel.
»Eva, Eva, ç’ ka po hajna për kafjall?«, pyeti ai.
»Për kafjall!?«, përsëriti ajo e hutuar. »Molla!«, shtoi duke parë Adamin me habi.
»Po Zoti tha mos i hani mollat!«
»Po Adam, po, po ti nuk paske ngu mirë. Ai tha se ti je Zot i ksaj toke, apo do me jetue si budallë? Mu kan ashtu, nuk e kish mjell aty mollën, o njeri.!«, tha Eva me plot bindje.
»Po me dek?«, pyeti Adami.
»Me dek! Po majmuni pse des? Pse ka hangër banane a?«, pyeti Eva.
Ajo iu afrua pemës, por nuk i arrinte dot frutat. U përpoq disa herë të ngjitet, por rrëshqiti përsëri poshtë. Pas shumë mundimeve, pa një degë që ishte varur gati deri mbi bar dhe mori dy molla me vete.
Adami i shtrirë kafshoi mollën, por i mbeti në fyt dhe zgurdulloi sytë: » Eva, ti koke cullak! Kuku Eva, po edhe unë mëri!«, bërtiti duke shikuar veten poshtë.
»Nuk besoj!«
»Kaçe mollën!«
»Jo, nuk e kaçi! «
»E pse ma prune mue?!«
»Ti je Zot i tokës, jo une!«
»Kaçe mëri, të marrtë dhevi, se t’ i shkula flokt!«, bërtiti Adami dhe e zuri Evën për krahu. Eva e trishtuar mori mollën në dorë.
»Hahaa« u qesh ajo, »ti koke pak ndryshe...«
Ata biseduan aty gjatë, qesheshin duke vështruar njëri tjetrin dhe u shtrinë pranë shkurreve për të fjetur. Kur dielli arriti mbi kokën e tyre, Adami u zgjua.
»Çu mëri, çu, oj kaçirubë«, i piskati Evës. »Koka ba dreka. Çu se jam untu«, bërtiti përsëri. Ajo eci pakëz nëpër kopsht, frutat tjera nuk ishin të pjekura dhe u ndalë përsëri tek molla. U përpoq përsëri të ngjitej në pemë, por prapë rrëshqiti poshtë. Adami e vështronte nga larg ndërmjet pemëve dhe priste i shtrirë. Eva u mendua ca dhe tha me vete: »Ma mirë po drejtona, se tu hec si majmuni, nuk po mirrkan mollat», dhe cak u drejtua. Adami hapi sytë dhe e përcolli me shikim i habitur. Eva eci krenare me plot molla në duar dhe u ndalë para tij.
»Mos hec mëri ashtu se asht marre, mund m’ u ërxu.»
»Nuk po muj, po m’ dhem dora», tha ajo.
»Prapë molla!«, bërtiti Adami krejt i dëshpëruar. Eva nuk foli gjë. Ata hëngrën disa dhe Adami hodhi me një drejt një majmuni, që ishte varur në një degë. Ai iku duke u hedhur në pemën tjetër pranë. Pas dreke dolën nëpër kopsht të shëtisnin dhe panë shumë pemë në lulim e sipër, shumë me fruta, por akoma të vogla dhe të pa arrira.
Adamit nuk i pëlqeu se Eva dukej më e madhe dhe u drejtua edhe ai. Pasi u lodhën, ai u shtri ndërmjet shkurreve dhe fjeti një copë herë. Eva hulumtonte kopshtin. Pak para se të perëndonte dielli, ai u zgjua dhe kishte prapë uri.
»Evë? Evë, oj Evë, toka t’ lishoftë, po ku mete?« Ajo vrapoi dhe u ndalë para tij.
»Çka po hajna sonte?«
»O njeri, zbulova ni gja«, tha Eva e ngazëllyer: »Me dridh pemën, mollat po bishin n’tokë!«
»Jo be! Çysh mëri? E pse po bikan n’ tokë?«
»Nuk e di. Veç ni Zoti e di, Adam!«
» Pa e dridh, a po bishin?«
»Jo«, tha Eva. » Po deshke me dridh...»
»Sa keç! Çysh me jetue mëri viç me molla?«, e ndërpreu Adami. » M’ u kan mpi dhamtë!«
“O Njeri, po shko mare zine ni lepër, pemtë tjera nuk janë pjekë hala...»
»Ni lepër, a nuk e pa sa shpejt po ngajke? E tone, çysh me hangër me gjithë atë lesh?» pyeti Adami. Derisa ai po hante gërdhajën, u shfaq Zoti para tyre.
»Pse po ha mollë Adam?« pyeti duke parë gjethet e fikut tek Adami dhe Eva.
Adami u mblodh kruspull nga frika.
»Eva m’ i dha! Une kundërshtova, piskata, bërtita, e luta, po nuk nimojke kurxha. Ajo m’ tha ose haje mollën, ose po dana pi tye!« Zoti vështroi Evën.
»Çy, çy, pse mare po ma nxhet? Pasha Zotin une t’ thash viç ni herë!«
»Mirë ke bërë Eva! Çiltëria jote, mençuria, do të fisnikëroj pasardhësit tu«, ndërhyri Zoti. »Me ngrënien e mollës, keni kuptuar të mirën dhe të keqen. Mbusheni tokën me popuj. Tanimë nuk do të keni më nevojë për mua! Ky ishte qëllimi im«
»A pe shef çysh t’ bana njeri«, i pëshpëriti Eva Adamit në vesh. N’ jetë nuk duhet viç forcë, por duhet me pasë edhe dije dhe guxim...«
»Mshele mëri, po une t’ lypa i pari dishka me hangër!«
»Mirë «, ngriti zërin Zoti, »kjo tregon se jeni të lirë dhe vetëmësoheni. Të krijova sipas imazhit tim, por për të bëmat tua, llogarinë do ta marrësh vetëm prej Meje. Ruaje tokën për pasardhësit tu. Tash unë do të largohem për të vazhduar me punën time dhe ju pres lart«, tha Ai dh u nis drejt qiellit.
» Eva, eja ta mushmi parajsën me popull!«
» Jo, sot, jo, po m’ dhem kryt.«
»Eja mëri se Zoti tha mushne tokën me xhin« dhe tërhoqi Evën me forcë. Pas këmbënguljes së tij, ajo u dorëzua. Disa ditë më vonë, Eva nuk dëshironte më vetëm molla, por edhe kumbulla e kajsi të papjekura. Fiq, portokaj, banane, hurma, arra, dardha... Adami kalonte tërë ditën duke kërkuar pemë të reja.
Më vonë, Eva lindi Kainin. Adami ndërtoi një kolibe me degë dhe kashtë dhe u vendosën aty. Pastaj lindi Abeli. Një ditë prej ditësh, u ulën pasdarke dhe po bisedonin.
» O njeri, me kan mare i martojmë djemt?«
»Nuk e di!«
«Ti duhesh me dit Adam!«, nguli këmbë Eva. » Ti je Zot i ksaj toke!« Aty u grindën dhe gjuajtën me molla njëri tjetrin... Për herë të parë nuk fjetën së bashku...

Pas disa viteve, bijtë e tyre u rritën dhe Kaini u bë bujk, kurse Abeli bari. Por, nga smira, Kaini vrau Abelin.
Eva qau aq shumë, sa Zoti ndjeu dëshprimi e saj dhe u shfaq përsëri.
»Kain, ku është vëllai yt?«, pyeti.
Ai heshti dhe uli shikimin duke dënesur. Eva mbante djalin e vdekur në prehër dhe e vajtonte. Me të dëgjuar zërin e Zotit, Adami u ngrit me lot në sy dhe herë shihte njërin djalë, herë tjetrin.
»Kain, i mallkuar qofsh, të mallkuar do të jenë edhe pasardhësit tu! Pasardhësit tu, si tek peshqit dhe kafshët, do të hanë njëri tjetrin, brez pas brezi: i madhi të voglin, i forti të dobëtin, i shëndoshi të sëmurin, i pasuri të varfrin, hajduti të sinqertin, mashtruesi të drejtin, i keqi të mirin, finoku të urtin... Stërnipi jot do të njihet në të bëmat e tija, Kain. Për dallim nga bishat, ai do të bëjë edhe kërdi dhe nuk do të vrasë nga uria si kafshët, por nga makutëria, Kain. Nga makutëria!

Më është përvjedhur një gabim, Eva. Ndihmoje njeriun të bëhet i mirë, të bëhet njeri. Ky mund të bëhet bisha më e rrezikshme. Kujdes!«, tha Zoti. Eva tundi kokën gjersa fshinte lotët. Pastaj urdhëroi Kainin të shkojë në Nod dhe ai atje u martua, krijoi familje dhe ndërtoi qytetin Henoh. Kur Adami mbushi 130 vjet, Eva lindi Setin. Ai jetoi edhe 800 vite tjera dhe ajo lindi shumë vajza dhe shumë djem, djem që më shpesh i ngjasonin Abelit, por herë pas here edhe Kainit...

Gazeta Shekulli, 22 komente

e enjte, 12 janar 2012

Citate të zgjedhura 2

»Njeriu është i mplakur, kur qirinjtë kushtojnë më shumë se sa torta e ditëlindjes« Bob Hope

»Dikush për suksesin e vet falënderon mosndjekjen e këshillave!« Bertrand Russell

»Kush beson se bëhet i krishterë vetëm pse shkon në kishë, ai gabon. Njeriu nuk bëhet makinë kur shkon në një garazh!» Albert Schweizer

»Mos quaj veten të varfër vetëm pse ëndrrat tua nuk janë realizuar; vërtetë i varfër është vetëm ai, që nuk ka ëndërruar kurrë!» Marie von Ebner-Eschenbach

»Ne besojmë se po bëjmë përvojë, por përvoja na bën ne.«Eugene Ionesco

»Kur njeriu kërkon prej të tjerëve detyra, por nuk u jep të drejta, atëherë duhet paguar mirë ata.« Johann Wolfgang von Goethe

»Është më lehtë të jesh dashnor, se sa bashkëshort, sepse është më vështirë të ndjehesh mirë çdo ditë se sa herë pas here dhe të bësh një kompliment të bukur!» Honore de Balzac

»Në moshën 20 vjeçare çdo njeri ka fytyrën që i ka dhënë Zoti, në moshën 40 vjeçare fytyrën, që i ka dhënë jeta dhe në moshën 60 vjeçare ka fytyrën që meriton!» Albert Schweizer

shqipëroi Lis Bukuroca

e martë, 10 janar 2012

Himni shqiptar duhet ndryshuar - Gazeta Shekulli

Më shtatë dhjetor të vitit të që lamë pas, Austria vendosi të ndërroj himnin. Përveç bijve në himn, do të hyjnë edhe bijat. Qëllimi i këtij ndryshimi është barazia gjinore në Austri. Krist-demokratët (ÖVP – PPA, Partia Popullore e Austrisë) ishte kundër ndryshmit, por në kuvend u aprovua versioni i ri. Në poezinë e Paula Preradovic, në vargun ku thuhej: Vendi (atdheu) i bijve më të mëdhenj...“ u ndryshua në : “...i bijave, bijve më të mëdhenj.” Për këtë ndryshim qe diskutuar gjatë dhe tani u arrit ndryshimi. Nga një janari i këtij viti është në përdorim versioni i ri i cili nuk përjashton gratë nga mëmëdheu.
Strofa e dytë e himnit shqiptar duhet ndryshuar patjetër. Dhe aty ku thuhet kush është burrë nuk frikohet, duhet të jetë, kush është grua, burrë nuk frikohet dhe ajo strofë do të tingëllonte kështu:

Origjinali

Prej lufte vec ay largohet
Që është lindur tradhëtor
Kush është burrë nuk frikohet
po vdes,po vdes si një dëshmor!

Propozimi për ndryshim

Prej lufte veç ata largohen
Që janë lindur tradhëtorë
Grua e burrë nuk frikohen
po vdesin, vdesin si dëshmorë!

Dhe natyrisht duhet intervenuar edhe tek strofa e gjashtë. Ajo strofë do të duhej rishkruar në këtë mënyrë:

Origjinali

Trim burrë quhet dhe nderohet
Atdheut kush i-u bë therror:
Për jet ay do të kujtohet
Mi dhet, mi dhet si një shenjtor

Propozimi për ndryshim

Gra dhe burra do nderohen
Mëmëdheut kush i-u bë therror:
Për jet ata do të kujtohen
Mi dhet, mi dhet si një shenjtor

Substantivi atdhe të zëvendësohet me Mëmëdhe. Me atdhe punët nuk na kanë ecur aq mirë dhe shpesh e kemi braktisur. Ndoshta ndaj Mëmëdheut sillemi me më shumë dashuri, dhembshuri, me më pak tradhti dhe nuk lejojmë të na e tradhtojnë mëmën ashtu si atin.
Po të jetonte Asdreni sot, nuk do ta kishte shkruar atë poezi, ku u jep rëndësi vetëm akteve të burrave, por edhe sakrificës së gruas shqiptare. Fëmija lindet nga nëna, edukohet nga ajo dhe trimat, që shenjtërohen në himn nuk janë vetëm rezultat i burrave, por edhe i grave, madje, përkushtimi dhe sakrifikimi për edukimin e tyre, mban vulën e nënës.
A mund të bëhet kjo tani tek ne? Ne kemi një Kryeministër i cili gjatë fjalimeve të tija dominohet nga testosteroni. Ja çka deklaroi ai për lindjet e para në vitin 2012 :“ Fjalët që më erdhën ndërmend kur dëgjova për lindjet e para që sollën në jetë djem, thashë me vete lindën Ismail Qemali e Isa Boletini. I lindën Shqipërisë edhe njëherë burrat më të mëdhenj të saj.”
Për ata fëmijë nuk dihet se çfarë orientimi do të kenë, çfarë preferenca seksuale, mirëpo mendimi i Kryeministrit flet për bindjet e tija fikse, se kur lindet djalë, atëherë linden Ismail Qemala e Isa Boletina. Linden burra, që luftojnë dhe janë të gatshëm të vdesin.
Mendimi i shqiptuar, në lexim të parë duket naiv, jo djallëzor, por nëse e rilexojmë, atëherë kuptojmë arsyen se pse ky pas konsultimeve të ngjeshura, paska zgjedhur pikërisht këtë gjykim sugjestionues.
Me Ismail Qemalin i drejtohet Shqipërisë, me Isa Boletinin i drejtohet Kosovës. Pse e bën ai këtë? Ai din se për të mbetur në pushtet dhe për të fituar simpatinë greke, italiane dhe serbe, ka bërë tradhti disa herë. Përmendjen e Ismail Qemalit i urdhëron nëndija ta bëjë, për të treguar se është atdhetar, se është penduar. Flet ndërgjegjja e ndotur! Nëndija detyron ta përmend edhe Isa Boletinin në mënyrë që të tregojë se është penduar se ndihmoi makinerinë ushtarake të Millosheviçit gjersa Kosova gjendej e shtypur si kurrë më parë dhe me këtë akt, ky po dëmtonte dhe pengonte ndihmën e Perëndimit. Edhe me Isa Boletinin, flet ndërgjegjja e ndotur dhe tërthorazi pranon gabimin.
I duhen vërtetë Shqipërisë burra në shekullin njëzetenjë, që shpallin pavarësi, që mbajnë kobure apo i duhen shkencëtarë të mëdhenj: shkrimtarë, filozof, poet, kompozitorë, pilot, astronaut, industrialist?
Jo, sipas bindjeve fikse të marra në shekullin njëzet, si dhuratë e shekullit pesëmbëdhjetë, shqiptarëve nuk u duhen shkencëtarë në Europë, por njerëz me kobure, edhe atë nën nënkresë...Sepse natën e parë të vitit të ri, nuk lindi ndonjë Kadare apo ndonjë shkencëtar i nivelit të Ferid Murat, por u rilindën Ismail Qemali dhe Isa Boletini.

Himni shqiptar duhet ndryshuar nga politikanët e rinj, që janë në gjendje ta vlerësojnë drejt dhe siç e meriton gruaja shqiptare. Ajo gjatë historisë ka bartur peshën Atdheut mbi supet e veta, edhe atë gati-gati pa mirënjohje. Është koha, në këtë shekull të nderohet edhe ajo në himnin shqiptar. Gjuha shqipe nuk njeh vetëm atdhe, por edhe MËMËDHE! Gjuha shqipe nuk diskriminon gruan shqiptare, por patriarkalizmi i trashë shekullor.
Kryeministri ka sharë gruan me “putanë bulevardi”, ka sharë gratë e kundërshtarëve politik, ka sharë nënat e tyre dhe mendimi i cituar më lart, tregon se ai është mizogjin (urrejtës dhe përbuzës i grave) i papërmirësueshëm. Ndryshimi i himnit nuk mund të kërkohet prej tij, sepse kjo do të ishte e barabartë me zhburrnim, prandaj kjo detyrë e madhe, u mbetet brezit të ri, që nuk ka paragjykime ndaj nënave dhe motrave të veta. Ndryshimi i himnit do të tregonte se jemi një komb i formuar, bashkëkohor. Jo i ndarë në gjini dhe në dy shoqëri, që nuk njohin njëra tjetrën, por në një: Me të drejta të plota dhe detyra të barabarta, siç e dëshiron Mëmëdheu.

Versioni i ri pa diskriminim e gruas shqiptare:

Aleksandër Stavri Drenova (ASDREN 1872 - 1947)

Himni i Flamurit

Rreth flamurit të përbashkuar
me një dëshirë dhe një qëllim
Të gjithë atje duke u betuar
Të lidhim besën për shpëtim


Prej lufte veç ata largohen
Që janë lindur tradhëtorë
Grua e burrë nuk frikohen
po vdesin, vdesin si dëshmorë!


Në dorë armët t'i mbajmë
Mbrojmë Mëmëdhenë në çdo kënd,
Të drejtat tona ne s'i ndajmë;
Këtu armiqtë s’ kanë vënd

Se zoti vetë e tha me gojë
Që kombet shuhen përmbi dhe
Po Shqipëria do të rojë:
për të, për të luftojmë ne!

O flamur, flamur shënj' e shënjtë
Tek ti betohemi këtu,
Për Shqipërinë' Mëmëdhenë e shtrenjtë
Për nder edhe lavdimn' e tu.

Gra dhe burra nderohen
Mëmëdheut kush i-u bë therror:
Për jet ata do të kujtohen
Mi dhet, mi dhet si një shenjtor

Barazia që shkruhet në kushtetutë, u lexohet grave në fytyrë, edhe në rrugë...

Shekulli 98 komente



e diel, 08 janar 2012

Intervistë, gazeta Shekulli

Në Forumin e “Shekulli”-t mbi hartën e re elektorale sot kemi ftuar bashkëpunëtorin e “Shekulli”-t nga Kosova, Naser Aliu. Më poshtë, përgjigjet e tij mbi pyetjet që këto dy ditë ia drejtuam edhe Mero Bazes, Eduard Zaloshnjës, Lutfi Dervishit dhe Bledar Priftit

2012 do jetë viti i zgjedhjes së presidentit të ri, por edhe pragu i nisjes së vitit të rëndësishëm elektoral 2013. Të dyja ngjarjet nuk janë pa lidhje njëra me tjetrën, sepse presidenti aktual ka deklaruar tashmë projektin e tij politik dhe paralelisht kemi edhe një lëvizje që duket në ekspansion të gjerë si aleanca kuqezi, e cila gjithashtu mund të shndërrohet në parti politike. Duke pasur parasysh këto dy zhvillime, por edhe të tjera që mund të kondicionohen nga një reformë e pritshme zgjedhore, por edhe nga rrethanat politike shumë specifike të këtij mandati të dytë qeverisës së Partisë Demokratike dhe aleatëve, mendoni se harta elektorale e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë e njëjta?

Naser Aliu: Jo. Harta elektorale do të ndryshojë në drejtim pozitiv, por edhe në atë negativ. Koalicionet do të jenë më të vështira në një anë, në anën tjetër Partia Demokratike do të dobësohet. Dobësimi i saj do të sjellë tollovi brenda partisë dhe mund të ndodhë “puç” i brendshëm në Partinë Demokratike. Aty ka shumë njerëz të zhgënjyer. Aty ka demokrat të vërtetë, por janë përjashtuar nga neostalinistët e Berishës. Politika kilienteliste e PD-së, ekonomia fisnore, tribale do të pësojë një goditje. Por Berisha nuk do të largohet vullnetarisht.

- Bamir Topi dhe Aleanca Kuqezi, mendoni se do të jenë një parti apo dy parti të reja?

Naser Aliu: Sikur të shfaqeshin së bashku, do të ndërtohej një alternativë e vërtetë. Se a mund të bëhet kjo, varet nga programet dhe synimet e tyre. Sidoqoftë, edhe nëse themelojnë parti më vete, për Shqipërinë do të jetë më mirë, sepse krijohen dy parti mes një zemërimi dhe zhgënjimi kolektiv. Këto do të korrigjojnë shumë dhe mund të ndërtojnë shtetin ligjor. Këto dy së bashku apo të ndara, duhet ta luftojnë korrupsionin, kriminalitetin dhe të nxirren para gjyqit shumë çështje të pezulluara. Shqipërisë i duhen politikan që flasin dhe mendojnë shqip. Politika pakurrizore duhet të marrë fund. Shqiptarët duhet të votojnë njerëz që luftojnë për interesat e vendit, po jo për ata që copëtojnë vendin dhe shndërrojnë në kontenier bërlogu të Italisë.

- Një parti e mundshme e Topit, do të merrte vota të majta apo të djathta?

Naser Aliu: Do të merrte nga të gjithë, por më shumë do të merrte nga e djathta.

- Ka një përshtypje të përhapur në publik se militantët e dy partive kryesore nuk ndikohen nga mirëqeverisja apo nga keqqeverisja dhe as nga fushatat elektorale respektive, por votojnë verbërisht liderin ose kundërvotojnë liderin e palës tjetër… Ndërkohë që pjesa tjetër e elektoratit, ajo që quhet gri, po bëhet përherë e më mosbesuese te dy forcat kryesore politike… E ndani dhe ju këtë perceptim?

Naser Aliu: Militantët votojnë symbyllur. Ata kanë motive tjera, yshten ndryshe, mirëpo demokracia e shëndoshë ndërtohet nga njerëzit që nuk tolerojnë krijimin e kulteve të reja. Në Ballkan, jo vetëm nga mungesë e kulturës demokratike, por edhe për shkak të kaluarës, janë të predestinuar të ndërtojnë dhe kultivojnë despotizmin. Kjo tek ne është më e theksuar se tek fqinjët tanë, prandaj është urgjente kufizimi i mandatit. Sjelljet e Berishës na imponojnë edhe një ligj tjetër: Në moshën që pensionohet një nëpunës shteti, duhet caktuar si kufi deri kur mund të merret me politikë aktive një politikan. Ne jemi qenie njerëzore dhe sa më shumë mplakemi, aq më shumë humbim ndjenjën e realitetit dhe çoroditemi. Berishës i janë shtuar tani edhe pësimet e metabolizmit të trupit të tij në prishje e sipër…

- PD-së i duhet më LSI-ja?

Naser Aliu: PD-ja do ta përdorë LSI-në, aq sa i nevojitet.

- PS duhet të bashkëpunojë me LSI-në?

Naser Aliu: Vetëm nëse një gjykatë e pavarur vlerëson se Meta nuk ka kryer vepër penale, atëherë duhet bashkëpunuar për ta rrëzuar qeverinë neostaliniste të tranzicionit, që udhëheq Berisha. Por, nëse harta elektorale ofron mundësi tjera, atëherë jo.

Gazeta Shekulli

e martë, 03 janar 2012

Si mund të arrihet tek Kulla e Berishajve? Gazeta Shekulli

Thjesht nisuni nga rruga “Hamza Kastrioti” dhe pas nja 700 metrave lakoni djathtas. Aty do të shihni semaforin e parë. Nëse është i kuq dhe nuk ka makina tjera, vazhdoni; se a respektoni këmbësorët, është në pushtetin Tuaj zoti Hans. Pasi ta keni lënë pas vete semaforin, atëherë lakoni përsëri djathtas dhe do të gjendeni në një udhëkryq të madh. Vazhdoni me kokëfortësi drejt, pa shikuar shumë, vazhdoni i ngrysur dhe serioz dhe pas disa minutave do të gjendeni në sheshin “Mojsi Golemi.” Ngisni tutje me ballin plot rrudha, kështu u transmetoni policëve shqiptarë se jeni i djathtë dhe mund të keni më pak kokëçarje. Tek semafori i dytë, respektoni edhe të kuqen, përndryshe rrezikoni një përplasje të keqe, nga makinat që mund të vijnë nga e djathta dhe urrejnë ata që futen nga e majta. E djathta është në pushtet zoti Hans dhe nuk është e detyruar t’ i respektojë Ligjet e Komunikacionit, e as Kodin Penal.

Mos vështroni gjatë përmendoren me kalë të Hamza Kastriotit, por vazhdoni me kryeneçësi të madhe drejt. Majtas mos lakoni kurrë, sepse të gjitha rrugët e djathta të shpijnë drejtë e në kryeqendër të pushtetit: Tek “Kulla e Berishajve. “ Duke qenë i bindur se keni kuptuar përshkrimin, pas dy kilometrave, atëherë, ju lutem, lakoni përsëri djathtas dhe mu tek busti i Esat Pashë Toptanit, gjendet një çezme. Aty lani sytë mirë sepse pas katër kilometrave, do të gjendeni para përmendoreve madhështore: “Tre Heronjtë e Shekullit XX”: Ceno Cërnoglaviçi (në kllapa shkruan, Kryeziu) Nikolla Pashiqi dhe Ahmet bej Zogollit. Ky i fundit është pinjoll i pashait, nip i Esat Pashës, që shpalli nënën e mjerë Sadije, analfabete: “Mbretëreshë të Shqiptarëve.”

Nëse keni dëshirë, parkoni makinën në mes të rrugës dhe fotografohuni pranë tre heronjve shqiptarë. Nuk do të keni pengesa nga populli. Ai do ta çmojë këtë akt. Në fotografi do ta shihni ngjyrën e fytyrës që ka pllakosur lëkurën Tuaj apo gojën e çaraveshur. Ju do t’ i bëni shumë pyetje vetes, por ka vetëm një përgjigje dhe atë mund ta merrni pranë grilave të pushtetit, ku u eliminuan disa puçistë, që i qenë sulur Kullës me LA (lapsa atomik) dhe me ÇDZ (çadra të zeza nukleare.)
Pse pashallarët heronj? Arsyeja është e thjeshtë zoti Hans, duhet krijuar një ekuilibër kombëtar: Erdoani, vëllai i Hashimit dhe Saliut, ka kërkuar që edhe pashallarët të shpallen heronj të shqiptarëve. Madje, edhe sulltanët. Ai dëshiron të futemi më shpejt në Europë. Sali Pasha dhe Hashim Pasha, kanë nënshkruar këtë obligim...

Po e vërtetë, kanë rrëzuar përmendoren e Enverit dhe ngritur të Ahmet Zogut...Po, ashtu është në modë tani në Shqipëri: Enveri ishte tradhtar, Zogu patriot...Pra tani kemi heronj të Partisë Demokratike dhe heronj të historisë shqiptare...
Nejse, pranë “Tre Heronj të Shekullit XX”, do ta gjeni rrugën “Leka i Parë”, mbret i ndjerë tanimë, që në një hotel të Parisit, shpalli veten mbret i shqiptarëve. Këtë hotel, zoti Hans, Qeveria shqiptare ka vendosur ta shkulë nga Franca dhe ta ngulë diku në Shqipëri. Bisedimet po vazhdojnë mes Carla Brunit dhe Jozefina Berishës. Është monument historik shqiptar dhe nuk mund të mbetet më në Paris, zoti Hans. Është ofendim për kombin tonë dhe “Oborrin Shqiptar.” Këtu nëse dëshironi mund të ndaleni ca, t’i bëni disa pyetje vetes... Po, e vërtetë, Saliu e pat përzënë mbretin, por tani është penduar: Jemi njerëz dhe gabojmë në jetë. Po, e di, e di, se ai tani pohoi se ka mësuar të numërojë vota dhe këtë ia tha edhe mbretit të vdekur. Nëse ngrihesh, i tha ai, atëherë, do t’ i rinumëroj votat si duhet dhe do të të shpall mbret...Ishte korrekt, apo jo?! Qëndrim madhështor i Berishës, apo jo?! Mirëpo, mbreti gaboi dhe nuk u ngrit...Sa keq! Në vend të tij, u ngrit vampir Nano. Ec e merreni vesh ju këtë botë!

Është e mundur Zoti Hans, është e mundur se ai tani Lekën tjetër po e përgatit. Kjo mirëpo akoma nuk dihet. Dihet vetëm se ai është numëruesi më i rafinuar në Europë.
Tani zoti Hans, ju jeni fare pranë Kullës, por meqë nuk bën të lakoni majtas, ju ngelen edhe pesë kilometra për të arritur aty. Tani vazhdoni përsëri djathtas dhe do të gjendeni në Bulevardin “ Rrahman Morina.” Pas dy kilometrave, lakoni djathtas në bulevardin “ Hirësia autoqefale, Anastas Janullatos.” Nëse keni dëshirë, fotografoni edhe përmendoren e tij në kalë të zi. Tani fikeni navigacionin, fikeni, është e mundur se ju sugjerohet të ktheheni majtas, por mos e bëni këtë në Shqipëri ju lutem. Mund të ju dërgojnë në parajsë.

Jo, jo, në Shqipëri nuk ndiqet politikani që vret njerëz dhe miza. Ai posedon imunitet ndaj këtyre gjallesave. Po, natyrisht se ka një prokurori, por jo për qeveritarët...Pastaj, prokurores i ka falur një titull të ri: “PuBul” dhe kështu e ka zhgraduar! Imuniteti Zoti Hans, imuniteti...po, ashtu, siç posedonte imunitet Stalini, Hoxha, Tito, James Bondi apo kaubojt...Pasi të parkoni makinën, hiqni nga xhepi lapsin. Çadër mos merrni me vete edhe nëse bie breshër. Nga bodrumet e Kryeministrisë, mund të ju përshëndesin dhe japin lamtumirën, dmth. fitoni vizën për transferim. Në këtë Kullë, gjendet stalinisti i vetëm në sistemin tonë diellor, që drejton një parti demokratike.

Pse tradhtarët me përmendore dhe rrugë? Edhe kjo shumë e thjeshtë zoti Hans. Ndjenjat humanitare shtyjnë Kryeministrin t’ i pajtojë patriotët me tradhtarët. Pastaj, është provuar se tradhtarët kishin bërë kurvëri, nga dashuria e tepërt ndaj atdheut dhe kjo duhet të shpërblehet... Ju ndoshta dini se politikanët zgjedhin shëmbëlltyra për t’ i arsyetuar veprat e veta, u nevojiten personalitete historike që kanë bërë vepra të njëjta apo gati të njëjta. Për shembull, duke rehabilituar Ahmet Zogun- që sipas statutit të vet Art. 65, nuk mund të konsiderohet mbret, kur qëndron më shumë se 3 muaj jashtë vendit - përligjet falja e detit Greqisë. Përligjet falja e tokës, përligjet falja e detit me Zogun zoti Hans.
Jo, tani për tani jo, e pengoi “tradhtari” i shekullit XXI, profesori Myslim Pasha. Ndërkaq, dezertimi zoti Hans, nuk quhet dezertim në Kullë, por largim. Edhe pse sipas artikullit 71 të statutit të vet “Ai është komandanti më i lartë i forcave tokësore, detare dhe ajrore të Shteti...” Kaq, zoti Hans. Një politikan shpall si shëmbëlltyrë Skënderbeun, tjetri Zogun. Pse? Sepse vota e Einsteinit, vlen po aq sa vlen edhe vota e një bariu që gjendet ”brinjave, çukave, gërxheve, kodrave dhe lumenjve të kulluar...”

Edhe një gjë mos harroni: Asnjë fjalë apo mendim pozitiv për Edi Ramën apo Kreshnik Spahiun. Apo më mirë, shani këta dy dhe do t’ ju përqafojë Kulla.
Edhe atë pyetje mos ia bëni. E di. Në Gjermani Krishtlindjet i urohen popullit nga qendra e pushtetit. Kancelarja dhe Kryetari i Gjermanisë nuk zhvesh pushtetin e fituar nga populli dhe nuk gjunjëzohet para një prifti apo hoxhe, që përfaqëson vetëm lutësit e rregullt, por jo popullin. Në Ballkan, për dy apo tri vota, politikani degradon veten dhe me tërë pushtetin veshur nga populli, shkon tek krye-eminenca, tek ambasadori i Zotit: Janullatos apo tek Naim Tërnava dhe i urojnë popullit që e ka “zgjedhur” Krishtlindjet apo Bajramin. E bëjnë këtë nga zyra e njeriut, që nuk e ka votuar askush. Kaq Zoti Hans. Kur të hyni në zyrën e Kryeministrit merrni me vete: një psikiatër, një psikolog dhe një mentolog. Njëri të vështrojë gjuhën e trupit, tjetri grimasat dhe i treti t’ i analizojë. Po, zoti Hans, po, gënjen dhe rrenë sapo ta hap gojën. Edhe kur thotë mirëdita, shikojeni orën, ju lutem, mund të jetë mesnatë.

Edhe një gjë harrova: fotografoni piramidën. Më vonë nuk do ta gjeni aty. Jo... Arsyeja është e thjeshtë edhe këtu. Saliu është traumatizuar nga piramidat që kishte ndërtuar më herët dhe tani urren çdo piramidë. Piramidat e veta e rrëzuan nga pushteti, zoti Hans. Madje, u ka ofruar ndihmë edhe vendeve arabe, e sheh, sillet e mbështillet se si t’ i rrënojë edhe piramidat e Egjiptit.
Jo, jo, mos bëni këtë gabim ju lutem. Jo për dhëmbët. Dhëmbët ngjyrë kafeje janë arma e tij. Po e di, e di se në Gjermani qortohet prindi nëse në “Kopshtin e Fëmijëve “ nuk i lanë njëri dhëmbët, po, por Saliut i kanë vdekur prindërit. Është jetim tani. Prandaj është e kotë! Pastaj, ai me ata dhëmbë dhe me kollare në qafë, trishton kundërshtarët, sepse kur sheh njeriu dhëmbët e tij, për një çast, mendon se ka para vete një neandertal, por kur i vëren kollaren, atëherë kthehet me shpejtësi drite në shekullin tonë: ky kolizion i mendimeve, ngjallë tmerr dhe dezorientim zoti Hans. Shkakton huti, zgurdullim, blackout, panik dhe ja pse ai ruan ata dhëmbë dhe nuk i ka larë qysh nga ndërrimi i rendit politik. Nuk i ka larë, sepse Enveri ishte diktator dhe deri sa ishte sekretar i Partisë së Punës, Saliu ishte i detyruar t’ i lajë rregullisht dhe këta dhëmbë, sot, këta dhëmbë, shërbejnë për të dëshmuar demokracinë dhe shkëputjen nga stalinizmi. Dhe, nuk i lanë për inat të Enverit. Kjo është një lloj proteste zoti Hans, është bërë disident... E di, e di, mos e përsëritni ju lutem. E di se pastaj njerëzit në Perëndim mendojnë se nuk kemi zbuluar akoma furçën, por nuk mund ta ndryshojmë. Këta dhëmbë kanë funksion politik të brendshëm...
Pse nuk e ka shkruar në biografinë e tij tek faqja “Këshilli i Ministrave” se ishte komunist, nuk e di. Mendoj se ka harruar. Eh, dosjet, dosjet zoti Hans, nuk mund t’ i hapë dosjet ai që ka ndihmuar në prodhimin e tyre. Kur të vijë në krye një qeveri demokratike, atëherë dosjet do të hapen. Tani jemi në tranzicion, domethënë kokën e kemi në Partinë e Punës, këmbët në demokraci...

Jo, jo, për kartolinën cullak të Edi Ramës, mos thoni gjë. Ata janë konservativ dhe nuk duan ta shohin gruan kështu të zhveshur, janë shumë të moralshëm. Ata edhe kur i bëjnë detyrat e shtëpisë, nuk zhvishen, thjesht nxjerrin gjysmën e lapsit jashtë, nga një plasë poshtë dhe fët e fët i kryejnë detyrat ashtu në këmbë duke u parë në sy me gruan. Ky vështrim reciprok, ndikon që foshnja të lindet me identitet kombëtar dhe të djathtë, zoti Hans...Edhe një: Kur të dilni nga Kulla e Berishajve, vizitoni ju lutem profesorin Pëllumb Xhufi dhe prej tij do të fitoni njohuri të reja...Rrugë të mbarë, zoti Hans!


Gazeta Shekulli, 45 komente

Pas Shekullit publikuar edhe tek: zemra shqiptare, revista drini, tribuna shqiptare, gazetashqiptare, gazetac, reporteri, albaspot, 24ore, fjala shkoder, zeri i kosovës, krushku, qendra, top.al, vetem lajme, shqiperia tv, gazeta shqiptare online, gazeta levizja për drejtesi me titull : Argumentoni të kundërtën, po mundët

Më ka bërë dashuria - Jacques Prévert - C'est l'amour qui m'a faite

U linda krejtësisht cullak
Jetova ashtu si edhe u linda
U linda shumë e vogël
Por u rrita shumë shpejt
Dhe, kurrë nuk ndryshova
Dhe, jetova krejtësisht cullak
Gati gjithmonë
Në kohën që jetoja cullak
Ajo kohë ishte kohë e lekëve

Dashuria më bëri
Dashuria që më bëri festë
Dashuria që më bëri zanë
E për ku është nisur ai tani
I dashuri që pata
Që më bënte të lumtur
Që më bënte të ëndërroj
Që më bënte të kërcej
Të kërcej sipas ritmit të shkopit të tij
Ky ishte dirigjenti im i orkestrës
E unë trupa tij e baletit

Më ka bërë dashuria
Dashuria që më bëri festë
Dashuria që më bëri zanë
E unë ju shndërroj në shtazë
Sa herë të më teket mua
Dashuria juaj më bën të qeshem
Dashuria juaj s’ është e njëmendtë
Marshoni sipas ritmit të shkopit tim
Dhe hidhni lekët

Më ka bërë dashuria
Dashuria që më zhbëri
Dashuria që më braktisi
I dashuri që pata
Ku iku ai tani
Ku iku ai tani
Ku iku ai tani.

Nga frëngjishtja Lis Bukuroca

C'est l'amour qui m'a faite

Je suis née toute nue
Je vis comme je suis née
Je suis née toute petite
Si j'ai grandi trop vite
Jamais je n'ai changé
Et je vis toute nue
Pour la plupart du temps
Ce temps où je vis nue
Ce temps c'est de l'argent

C'est l'amour qui m'a faite
l'amour qui m'a fait fête
L'amour qui m'a fait fée
Où est il donc parti
L'amoureux que j'avais
Qui me faisait plaisir
Qui me faisait rêver
Qui me faisait danser
Danser a sa baguette
C'était mon chef d'orchestre
Moi son corps de ballet

C'est l'amour qui m'a faite
L'amour qui m'a fait fête
L'amour qui m'a fait fée
Et je vous change en bête
Chaque fois que ça me palit
Votre amour me fait rire
Votre amour n'est pas vrai
Marchez a ma baguette
Et passez la monnaie

C'est l'amour qui m'a faite
L'amour qui m'a défaite
Et m'a abandonnée
L'amoureux que j'avais
Où s'en est il allé
Où s'en est il allé
Où s'en est il allé.