23.02.2009

Rugovizmi në politikën serbe; Gazeta Shekulli


Bashkimi i shqiptarëve në kuadër të Union Evropian është mashtrim

Rugovizmi në politikën serbe

Rugova ndërtonte administratë paralele, këtë po e bëjnë sot edhe serbet. Rugova ndërtoi universitetin paralel, këtë e bëjnë edhe serbet sot. Rugova kërkonte njohjen formale të shtetin të shpallur, serbet insistojnë në njohjen formale të copëtimit të Kosovës. Mirëpo, në krejt këtë filozofi politike rugoviste të kopjuar nga serbet ka një diference esenciale: Rugova bënte rezistencë me represionin ushtarak e policor serb mbi kokë. Serbët në anën tjetër nuk kanë terror nga administrata shqiptare e Kosovës. Dhe kjo është pozitive.

Serbët në Kosovë nuk paguajnë as taksa, as rrymë e as telefon. Tani për tani është një komunitet jashtëligjor. Kur Rugova bënte rezistence, serbët terrorizonin kombin shqiptar. Ne nuk sillemi si Milosheviçi dhe kjo është pozitive.

Filozofia rugoviste u përvetësua në mënyrën serbe dhe prandaj është më agresive se sa që ishte e Ibrahim Rugovës. Kjo ndodh për shkak të mendësisë serbe dhe perceptimi të botës për rreth, kryesisht bindja e tyre se kanë më shumë vlerë se sa kombet tjera në Ballkan.

Shteti i Kosovës

Duke u ndjerë më mirë pa Serbinë, në ekzaltim dhe dalldi pranuam një sovranitet tepër të kufizuar, si asnjë shtet në botë, pranuam kompromisin tepër denigrues. Rezultati është se u prek thellë në ndjenjat shqiptare dhe ka nisur krijimi i kombit të ri. Dikur ishim të ndarë në aspektin territorial, por jo emocional. Tani po ndahemi edhe në atë emocional, se po krijohet kombi i ri: kombi kosovar!

Kombi kosovar ka një flamur. Ka një himn memec, pas asnjë fjalë. Dhe, kemi kuazi shtetin e Kosovës, i cili është shtet vetëm ku jetojnë shqiptarët; aty ku jetojnë serbët, është Serbi, si në aspektin institucional, po ashtu edhe në atë legjislativ. Atje lulëzon kontrabanda dhe kriminaliteti. Kosova është ndarë. Serbët po luftojnë për legalizimin e ndarjes, si Rugova për njohjen formale të shtetit. Rugova dëshironte shtet të hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë, por jo të hapur ndaj Shqipërisë dhe të shqyer ndaj Serbisë

Tadiçi pohon:" Nuk mund një komb të humb gjithçka, tjetri të fitojë çdo gjë". Ai me qëndrim pro evropian drejt botës dhe millosheviçian drejt Serbisë, shpreson se politika e tij do të shpërblehet me copëtimin e Kosovës. Ata janë duke punuar pa pra për të fituar, ne për të ndërtuar gjysmështet...

Bashkimi i shqiptarëve qetëson Ballkanin

Serbët nuk do ta pranojnë shtetin e Kosovës, por do të obligohen ta pranojnë Shqipërinë e cila i ka të gjitha atributet shtetërore. Rezistenca e tyre do t´i detyrojë shqiptarët dhe perëndimin të veprojë në këtë drejtim.

Pse nuk është bashkim bashkimi brenda Unionit Evropian? Sepse është demagogji. Mashtrim. Gjermania dhe Austria janë në Bashkësinë Evropiane, por nuk ndjehen të bashkuara. Nëse Shqipëria dhe Kosova po u bashkuakan në Unionin Evropian, në të njëjtën mënyrë, në UE bashkohemi edhe Serbinë. Për çfarë bashkimi është atëherë fjala? Shkurt e shqip, nëse bashkimi i dy shteteve shqiptare po ndodhka në Unionin Evropian, atëherë në këtë bashkësi bashkohemi edhe me Serbinë dhe, ky nuk është bashkim, sepse identitetet ruhen, kultivohen dhe zhvillohen, si zhvillohen identiteti austriak dhe gjerman, mirëpo jo ajo gjermanolindor, sepse ky i fundit ishte bashkim i vërtetë!

Pra do të kemi dy identitete: shqiptar dhe kosovar dhe, ndoshta edhe dy gjuhë! Kufiri i hapur me Shqipërinë sot, do të kishte qenë atraktiv para 20 viteve. Sot ai kufi brendashqiptar është anakronik dhe provokues, sepse na imponon ndjenja inferioriteti! Të tjerët kanë të drejtë të bashkohen, ne jo! Pse?

Plani i Ahtisarit duhet të abrogohet nga Kuvendi i Kosovës

Meqenëse ky plan nuk është i zbatueshëm dhe duke ditur se Këshilli i Sigurimit përkrah planin 6 pikësh, Kuvendi i Kosovës duhet ta marrë fatin e kombit të ndarë në duar të veta. Miqëve duhet bëre të ditur se nuk mund të bëhen eksperimente, ku Këshilli i Sigurimit voton zhbërjen e shtetësisë së Kosovës, në anën tjetër krijohet ushtria xhuxhe multietnike e Kosovës me më pak ushtarë e armatim se sa ndonjë grupim terrorist!

Hekuri lakohet deri sa është i nxehtë. Politika shqiptare duke konstatuar se planet e parapara nga perëndimi nuk po pranohen dhe po refuzohen nga serbet, duke parë se po votohen pika të reja, duhet të dalë me kërkesa konkrete për BASHKIM, para se në arenën ndërkombëtare të ndryshoje opinioni.

Propaganda serbe ka arritur në shumë vende ta praqesë Serbinë si viktimë.

Serbia e din se shtetet që kanë pranuar Kosovën nuk tërheqin njohjen, mirëpo ajo e din se me Rusinë, ndikimin rus, Iranin dhe shtetet arabe kanë arritur një sukses dhe kështu kemi ardhur në një pozitë jo të lakmueshme politike. Me këto pak njohje u tregua mirë edhe sfera e ndikimit e vendeve perëndimore dhe e SHBA-ve. Mosnjohjet nuk janë vetëm dështim i politikës kosovare dhe të diplomacisë së Shqipërsisë, por këto tregojnë edhe për dështimin e shteteve perëndimore, në përgjithësi. Sfera e ndikimit perëndimor ishte 50, e ndikimit rus 150, për fat të keq. Ndoshta nuk është vetën sferë ndikimi rus, por po lundrojnë me vendet muslimane dhe të painkuarduarit në të njëjtën barkë! Prandaj ka dështuar politika kosovare, shqiptare dhe perëndimore! Meqenëse dështimi mund të preket, atëherë duhet të ndryshojë drejtimi i barkës! Edhe atë sa më shpejt!

23.02.09
U publikua në:

Revista Zemra Shqiptare, Alb-shkenca, Art-cafe, Shekulli

20.02.2009

Të jetosh dhe të shkruash para syve te diktatorit


Ismail Kadaré shkrimtar shqiptar i rangut botëror lexon të martën në Cyrih



Ismail Kadare është 72 vjeçar. Më shumë se gjysmën e jetës së vetë e kaloi nën diktaturë, e cila llogaritet ndër më të këqijat në historinë njerëzore: në stalinizmin shqiptar. Stalini i shqiptarëve quhej Enver Hoxha ( lexo Hodscha) dhe sundoi më shumë se mësuesi i tij sovjetik: nga viti 1945 deri në vitin 1985. Socializmi shqiptar dallohej nga mënyra e sundimit në krahasim me vendet tjera të bllokut lindor. Ai shquhej me një primitivizëm të madh, humbje realiteti në rritje dhe rrëshqitje të befasueshme në linjën politike. Vendi i vogël, edhe sot ka 3,1 milion banorë, i lejoi vetes t´i prishë mardhëniet me fqinjin e madh Jugosllavinë (1948), pastaj me superfuqinë Bashkimin Sovjetik(1961) dhe më në fund me Kinën (1978), aleatin e fundit.
Prishjet e mardhënieve u bën gjithmonë për shkaqe ideologjike ( ishin tunduar nga mëkati i „reformave“) dhe kishin pasoja katastrofale ekonomike. Në fund mbeti Shqipëria e vetmuar kundër krejt botës, një strehë vorfënore, ku kishat dhe xhamitë u rrënuan, por u ndërtuan 600,000 bunker kundër armiqve eventual.
Vetëm një gjë funksiononte më së miri: sundimi terrorizues nga brenda, i ndërtuar nga thashethënat, denoncimet dhe arbitrariteti. Çdo shqiptarë, nga bariu i vogël deri te zëvendësi i Hoxhës çdo ditë zgjoheshin duke e pasur të qartë se të njëjtën ditë mund edhe të akuzoheshin dhe gjykoheshin për një delikt të shpikur. Çdo dy vite përshkonin vendin valë të spastrimeve.
Për këtë frikë konstante dhe deformime që ndikonin në raportet në mes njerëzve flasin shumë romane të Kadaresë, pjesërisht të veshur me rrobe historike të transportuar në një mbretëri prallore osmane ( që kishte sunduar Shqipërinë katër shekuj), pjesërisht direkt dhe pa dorëza.
Nga viti 1963 që kur doli romani i tij i parë „ Gjenerali i ushtrisë së vdekur“ deri në vitin 1990, kur braktisi Shqipërinë, shkroi Kadare me censorin pas koke.

Sukseset e hershme jashtë vendit
Se Kadare pati një liri për rrethanat shqiptare, pa dyshim ka të bëjë me suksesin e tij të hershëm jashtë vendit. „Gjenerali i ushtrisë së vdekur“ u përkthye menjëherë dhe pastaj u bë filmi me Marçello Mastroianin dhe Mishel Pikoli. Enver Hoxha ishte një tiranë paranoid dhe një vrasës i paskrupullt, mirëpo ishte edhe vanitoz. Shkrimtarin që kishte sjellë Shqipërinë në radarin perëndimor, nuk dëshironte ta prekë.
Ndoshta një gurë të madh kishte lëshuar Kadare në dërrasën e diktatorit qysh nga romani „Dimri i madh“, ku trajton prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe ku Hoxha luan një rol të rëndësishëm si figurë historike. Aty pa diktatori një copë pavdekshmërie – së paku kështu deklaron Kadare dhe prandaj mbeti i pa prekur.
Se kjo situatë delikate nuk mund të mbahej pa kompromis, është e qartë: pikërisht për këtë e akuzojnë sot kritikët perëndimor dhe shqiptarë; nuk mund të përjashtohet mundësia se Kadare nuk do të marrë kurrë Çmimin Nobël, për të cilin tani e një kohë të gjatë përmendet, sepse Akademie Suedeze druan se shkrimtari mund të ketë ndonjë „ kufomë në bodrum“. Mirëpo deri tani nuk ka dalë asgjë në dritë që do ta ngarkonte me faj.
Nuk ka dyshim se Kadare ishte në parlamenin shqiptar që ishte parlament sa për sy e faqe. Mirëpo aty e kishin deleguar ata: të refuzosh ishte e pamundur, mendon ai. Në vitin 1975 humbi hirin, iu ndaluan botimet dhe u syrgjynos në fshat. Privilegjet që pati më parë dhe më vonë i përdori për t´i dhënë lexuesve shqiptarë diçka tjetër, e jo pionier të qeshur e ushtarë fytyrëngrysur.
Para së gjithash Kadare ishte i aftë ta reflektojë aktin delikat të ekuilibrit në mënyrë letrare.
Të martën më 24.02.09 lexon Kadare nga libri i tij në „Kaufleuten“ me ftesën e „Tagesanzeiger“ dhe Orell Füssli. Leximi në gjermanisht: Joachim Röhm. Bisedën në gjuhën frënge do ta bëjë Martin Ebel.
Posaçërisht për lexim rekomandohen: «Gjenerali i ushtrisë së vdekur», «Kronikë në gurë», «Pallati i lotëve», ( ndoshta duhet të jetë i ëndrrave) «Pasardhësi» (të gjitha romanet të përkthyer nga Joachim Röhm dhe të botuar në Ammann-Verlag).
Vepra e tij është përkthyer në 40 gjuhë dhe në vitin 2005 fitoi çmimin «International Man Booker Prize», pas Çmimit Nobel njëri nga çmimet më të rëndësishme.
19.02.2009

Artikulli i plotë - Basler-Zeitung, marrë nga Tages Anzeiger
Nga gjermanishtja

U botua në:
Bota Sot, Revista Zemra Shqiptare, Fjala e lirë; Albshkenca;

18.02.2009

Letër presidentit Obama/ Bota sot


Zoti president,
sot firmosni rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane dhe botërore. Sot ne festojmë pavarësinë. Në SHBA gjendet sot minstri i Punëve të Jashtme të Sërbisë për ta zhbërë atë që u ndërtua me ndihmën e botës së civilizuar.



Zoti president,
presidenti Clinton pa terrorin dhe në vitin 99 pengoi dhe ndaloi gjenocidin njëshekullor të planifikuar nga shumë intelektual serb.Presidenti Bush rrumbullakosi nismën e Presidentit Clinton dhe ndihmoi fuqishëm në realizimin e pavarësisë. Sot po festojmë njëvjetorin e pavarësisë dhe përkulemi me falënderim para vendit Tuaj.Juve Zoti President Obama ju pret një detyrë përfundimtare në raport me shqiptarët dhe Ballkanin: gjatë mandatit Tuaj duhet përfunduar problemi shqiptar. Zoti president, ju dini se kur kombet kanë para vete projekte madhore, i realizojnë ato. Të gjithë e dimë se në pyetje është vetëm koha, por jo edhe arritja e qëllimit.
Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të qetësonte për gjithmonë Ballkanin, do t´shfrynte planet gllabëruese kundër Kosovës dhe do të bashkohej edhe politikisht ajo që emocionalisht nuk është ndarë kurrë. Rrjedhimisht Serbia nuk do të mund më ta destabilizojë Kosovën.
Kur Kosova ka të drejtë të bashkohet me vendet evropiane, ajo duhet të posedojë të drejtën legjitime, të bashkohet pikësëpari me vetveten: me Shqipërinë. Dy Gjermanitë të ndara si pasojë e nazizmit u bashkuan dhe sollën stabilitet Evropës. Trojet shqiptare nuk u copëtuan pse patëm nazist apo pse ushtruan gjenocid, por se fqinjët tanë kishin para një komb pa mbrojtje dhe faktori kryesor që po përziente çorbën ballkanike, ishte Rusia. Siç po e përzien edhe sot, duke kapërdirë industrinë serbe si dëmshpërblim! Me bashkimin e dy shteteve shqiptare problemi kosovar do të zhduket: nuk nevojiten njohje të reja, nuk nevojiten ambasada dyfishe, nuk nevojitet anëtarësim i ri në Kombet e Bashkuara e organizata tjera ndërkombëtare dhe parë realisht, askujt nuk i nevojiten dy shtete shqiptare. Një ditë do të bashkohen edhe dy Koret. Ndarjet e kombeve janë prova të dhunës dhe imponimeve të jashtme.
Serbia edhe pas Millosheviçit vazhdon me qëllimet e njëjta. Se ajo tani po lufton me mjete paqësore, mund të kuptohet: NATO është në Kosovë dhe nuk është çudi që Serbia është bërë paqësore. Arkivat e vjedhura nga diktatori Millosheviç, nuk i kthehen demokrati Tadiç. Kufomat nëpër gropa të përbashkëta të transferuara nga diktatori Milloshevic, nuk i kthehen demokrati Tadiç. Ndjesë nuk kërkon demokrati Tadiç për veprat e paraardhësit të tij, sepse sipas tij Serbia është viktimë dhe se NATO ka shkaktuar gjenocid mbi Serbinë. Toni dhe gjykimi nuk ndryshon, kanë ndryshuar vetëm protagonistët. Pas shpine kanë Rusinë, si gjithmonë. Me bashkimin shqiptar do të ndihmohej edhe Serbia të këndellet dhe përfundimisht do të vihej drejtësia në vendin e vetë dhe do të pajtoheshin dy kombet. Ne mund t´u falim atyre me fjalët e Niçes: mund t´u falim ç´na kanë bërë neve, por kurrë jo për ato çka i kanë bërë vetes.Po ju drejtohem Juve Zoti presdient Obama se krejt bota pret ndryshime pozitive nga Ju. Po ju drejtohem Juve se Ju jeni shndërruar në simbol të shpresës dhe drejtësisë në tërë planetin. Dhe, këto rrezatime të shpresës po na ngrohin edhe neve. Dhe, do ta përfundonit cilësisht procesin e nisur nga paradhësitë e mëdhenj të kombit Tuaj: presidentit Clinton dhe presidentit Bush.
Zoti President,
po ju drejtohet një bashkatdhetar i Nën Terezës dhe i Ibrahim Rugovës, i cili edhe në çaste më tragjike për kombin e vetë, nuk urdhëroi vrasjen e njeriut dhe nga kombi jonë, po e cek me krenari, u shpëtuan hebrenjtë, atëherë kur askush nuk e bënte në Evropë.


Zoti bekoftë Amerikën
Me shumë respekt
Gjermani, më 17.02.09
U publikua në: Bota Sot, Albshkenca, Art-cafe