25.11.2009

Lukashenko ante portas, Shekulli


“Kur ke të drejtë, mund t´ia lejosh vetes ta ruash durimin, kur nuk ke të drejtë, nuk mund t´ia lejosh vetes ta humbësh atë...” Gandi

Enveri organizoi kryengritje, ndihmoi në çlirimin e vendit, i shpalli disa heronj, disa tradhtarë dhe e zaptoi pushtetin përgjithmonë. Për të mbetur në pushtet ai prodhoi pa pra armiq. Kryeministri i sotshëm ishte anëtarë i zellshëm i asaj partie. Ai braktisi Partinë e Punës, luftoi për demokraci dhe si Enveri shpalli veten liberator deri në vdekje. Sali Berisha shpalli një numër të madh të popullit armik të demokracisë. Enveri shpallte popullin armik të komunizmit! 

Enveri nuk hapte dosjet, dosjet nuk i hap as Sali Berisha. Enveri nuk lejonte të hapen kutitë, kutitë nuk mund të hapen as në kohën e Berishës! Për të mbetur në pushtet Enverit i duheshin armiq të brendshëm dhe të jashtëm. Sali Berishës i mjaftojnë armiqtë e brendshëm. Është më modest se Enveri, por më bujar se ai me armiqtë e vërtet dhe fqinjët! Enveri kërcënohej në komunizëm, kërcënohet edhe Sali Berisha në demokraci! Kjo në fakt nuk është demokraci por: “Ejani të luajmë demokraci. Ti humb, unë fitoj! Ky është rregulli! Unë e kam rrëzuar nga pushteti partinë time të parë, prandaj kam monopol mbi shtetin deri në vdekje! “

Edhe te Enveri kishte gjykata, që gjykonin sipas dëshirë së tij. Edhe sot në Shqipëri Gjykata Kushtetuese në vend se të vendosë për drejtësi, vendosë si i pëlqen Qeverisë. Kjo domethënë se Shqipëria nuk ka gjykatë të pavarur, sepse kjo gjykatë ka mundur ta zgjidhë çështjen e jo me vendimet e saj të papërgjegjshme ta polarizojë kombin! Ajo ka mundur dhe është dashur të imagjinojë se opozita nuk pajtohet! Është detyrë e saj dhe obligim të parashikojë gjendjen!

Mirëpo, kjo dëshmon se demokracisë shqiptare i mungojnë instrumentet demokratike për ta zgjidhur një çështje si duhet! Gjykatë më të madhe se sa vullneti i popullit nuk ekziston, askund në botë! Populli ndryshon rendet shoqërore, fshin gjykatat dhe dëbon qeveritë e padrejta. Ai është i gatshëm të bashkëpunojë me opozitën me një kusht: të mos kërkojë kurrë hapjen e kutive. As tash, as në vitin 2013, as në vitin 2017. Kur flet për opozitën duket se po flet për Byronë Politike. Enveri për të mbetur në pushtet, si edhe Tito, përkujtonin çlirimin e vendit nga nazizmi. Sali Berisha njëzet vjet më vonë përkujton rrëzimin e diktaturës dhe këtë meritë e merr vetëm për vete! Madje, sipas tij, komunizmi është pas dere dhe këtë rrezik mundet me sukses ta largojë vetëm ai!

Sipas tij, monopol mbi shtetin kanë vetëm ata, që para njëzet viteve u ngritën kundër Partisë së Punës! Nuk flitet kundër atyre që e meritojnë të akuzohen, por tani sulmohen të rinjtë si pinjoll të tyre, edhe pse këta nuk kanë bërë gjë të keqe. Në të drejtën zakonore të Ballkanit faji transferohet prej brezin brez! Jo në demokraci! Në demokraci çdo njëri përgjigjet për fajin e vet! Fajtorët e djeshëm ose janë në pension ose kanë vdekur. Ata nuk akuzohen, akuzohen të pafajshmit! Kjo është demokraci e re, e llojit të vet! Demokraci autoktone! Ballkanike!

Ai edhe pse nuk është dentist, donë t´i shkulë dhëmbët opozitës, jo me një goditje, por një nga një! Ec e vizito një vend, ku kryeministri u shkulë dhëmbët atyre që duhen të jenë të barabartë me të. Kryeministrit të mundshëm të shtetit, për shembull! Ec e shko aty ku kardiologu shkulë dhëmbë! Apo ndoshta opozita duhet të falënderohet që nuk ua shkulë zemrat! Ky fjalor, këto shprehje, këto mendime, këto deklarata, nëse përkthehen në Perëndim, atëherë është e mundur se edhe politikanët perëndimorë kanë frikë të vijnë në Shqipëri, edhe pse këta i kanë dhëmbët e siguruar. Për turistët të mos flasim. Kush do të pushonte në një vend ku kryeministri me darë i shkulë dhëmbët dhe nofullat opozitës, si Idi Amini! Nëse mendohet se policët duhet t´i bëjnë këto operacione pa anestezi, atëherë policia duhet ta refuzojë urdhrin sepse nesër mund të dënohet! (Sot u kthye një mik nga Shqipëria dhe u trishtova kur e pashë se i mungonte një dhëmbë para! Ia paska nisë, thash me vete!)

Pamjet që do t´i shohim në protestat e ardhshme të organizuar nga Qeveria, do të jenë skena filmike që i kemi parë nëpër Ballkan. Edhe Milloshevici organizonte protesta kundër opozitës! Matje e tensionit dhe forcave! Zakonisht nëpër protesta ballkanike fanatikët partiak, qoftë për të mbrojtur interesat vetjake, qoftë nga devotshmëria ekstreme ndaj një lideri, dinë të përdorin edhe forcën, madje edhe të prodhojnë heronj në kohë paqeje. 

Meqenëse është gati traditë dhe gati e shndërruar në një të drejtë zakonore ballkanike, atëherë në protestat e ardhshme mund të priten edhe lëndime, edhe arrestime dhe për ta fajësuar opozitën, duhet edhe ndonjë sakrificë, në mënyrë që partitë opozitare të akuzohet në mënyrë sa më efektive. Me rëndësi është stigmatizimin i tyre dhe ndërtimi i ndonjë përmendore! “Ra për demokraci!” Në fakt bie për mbrojtjen e vjedhjes! I rëni fiton një përmendore, kryeministri përforcon pozitën! Njerëz që janë të gatshëm të vdesin për një parti në Ballkan ka shumë, mirëpo pak janë ata që luftojnë për drejtësi dhe shtet ligjor!

Një kryeministër që e din se në vitin 2013 do të fitojë zgjedhjet, se në vitin 2017 do t´i fitojë zgjedhjet, nuk ka arsye t´i organizojë ato, sepse sigurisht dinë edhe përqindjet e fitores. Në raste të tilla është më mirë të ruhen kutitë, të shpallen të shenjta dhe çdo katër vjet të rinumërohen dhe populli mund të rrijë në shtëpi! Pse të lodhet edhe të krijojë iluzione!? Në fakt edhe numërimi është i tepërt, por mund të luhet demokraci...Polarizimi është në rritje dhe nëse adhuron drejtësinë, shtetin ligjor, demokracinë e vërtetë, ka rrezik të shpallesh armik i kombit dhe i demokracisë! Pa një pa dy të shpallin stalinist, respektivisht pinjoll i tij! Ta duash Shqipërinë demokratike, transparente dhe të drejtë nuk bën, duhet ta duash një parti! Cilën? Natyrisht atë që është në pushtet! Qeveria nëse nuk këndellet, nëse nuk ndryshon tonin dhe fjalorin, mund t´i humbë të gjithë simpatizantët e vet! Edhe votuesit, edhe kuazidemokratët! Edhe demokratët!

Anëtaret e Partisë Demokratike duhet të tregojnë pjekuri qytetare dhe të kërkojnë hapjen e kutive, për shkak të drejtësisë! Anëtarët e partisë demokratike duhet t´i dërgojnë një sinjal Evropës se nuk mund të keqpërdoren për disa karrige, por se janë popull që mbrojnë vlerat demokratike, qoftë edhe kundër partisë së vet! T´i tregojnë se janë të gatshëm të bëhen pjesë e Evropës së civilizuar! Ata duhet të kenë kuptuar se diçka nuk është në rregull me votat e qytetarëve. Ata duhet të solidarizohen me opozitën dhe luftojnë për ta mbrojtur demokracinë! Me këtë mbrojnë të drejtën e vet, demokracinë e vërtetë. Sot kundër sjelljeve të PD, nesër nëse ka nevojë kundër PS!

Anëtarët e Partisë Demokratike dhe votuesit e saj duhet të kuptojnë se marrëveshja detare ka prapavijë! Pse heshtin? Ata duhet të ngrihen tok me opozitën, sepse ai që toleron vjedhjen e detit dhe të votave sot, ai përforcon dhe legjitimon padrejtësinë nesër.Tani do të festohet muri i Berlinit. Muri shqiptar i Berlinit në Tiranë! E si mund të jetë muri i Berlinit mur shqiptar?! A ka te drejtë morale dikush të kremtojë rrëzimin e një rendi të padrejtë, duke bërë vet padrejtësi në rendin tjetër ku duhet bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe transparenca!? A ka të dejtë të protestojë dikush që dhunon proceset demokratike? A ka të drejtë të protestojë hajni i bankës kundër zbulimit të gjurmëve në një bankë? Sipas analogjisë, çdo hajn mund të revoltohet dhe të kërkojë mbajtjen e plaçkës! Sot, PD dhe partitë picërr rreth saj po luftojnë për ta mbajtur prenë! Ky është shembull tragjik!

A protestohet për moshapjen e kutive apo do të protestohet për ta zhytur vendin në një kaos qytetar?!

Natyrisht se mitingu i paraparë nuk i dedikohet rrëzimit të murit të Berlinit, as rrëzimit të komunizmit, por synohet ndërtimi i ri i murit shqiptar. Rënia e murit është festuar në Gjermani dhe nuk ka asnjë arsye të festohet rrëzimi tij në Shqipëri. Këtë duhet ta festojnë ish vendet e Paktit të Varshavës. Muri i Berlinit nuk e kishte ngulfatur lirinë në Shqipëri. Natyrisht se qëllimi është të maten forcat me opozitën: të manipulohet populli. Do të bëjnë gjithçka që numri të jetë sa më impozant dhe për qeveritarët do t´ishte e preferueshme atë ditë të ketë edhe ndonjë viktimë! Ndoshta e dinë edhe emrin e ndonjë kamikazi, që do të flijohet për karriget e qeverisë. Protestat e ardhshme të qeverisë tregojnë për politikën paranoike, infantile dhe politikën e inatit. Ato flasin edhe për ethet dhe dezorientimin e qeverisë. Kjo mund të dëshmohet me deklaratat e tyre!

Kryeministri sipas përvojës që ka, duhet të tregojë se sa ithtarë naiv do t´i sakrifikojë për të mbetur në pushtet me vota të paverifikuara. Sa njerëz do të dalin në protesta për të brohoritur se vjedhja në Shqipëri është normale, zakon, traditë dhe i lejohet edhe organeve qeveritare, administratës dhe atyre ekzekutive. Ata që dalin do të mbrojnë vjedhjen! Ata që dalin në mitingun e ardhshëm për ta festuar “murin shqiptar të Berlinit”, ata do të keqpërdoren për ekskomunikimin e opozitës. Aty ku nuk ka opozitë, ka diktaturë: klane dhe grupe të interesave!

Me murin e Berlinit nuk fitohet simpatia e Gjermanisë dhe Perëndimit. Simpatia e tyre fitohet me demokraci dhe nuk mund askujt t´i mbushet mendja se luftohet korrupsioni, mafia dhe abuzimet tjera në shoqëri, kur me këmbëngulje mbrohet vjedhja vetjake: pa analizuar dëmin dhe pasojat që mund të sjellë ky qëndrim. Ata e quajnë opozitën mafi. Nëse opozita qenka mafioze, ju jeni shteti, atëherë si keni toleruar qe mafia të rritet aq shumë. Nëse opozita qenka mafioze, pse atëherë pranohet bashkëpunimi me mafinë, nëse ajo nuk kërkon hapjen e kutive? Pse shteti shqiptar kërkon të bashkëpunojë ma mafinë?

Natyrisht pas këtyre deklaratave: mbi ringjalljen e Enverit, shkuljen e dhëmbëve, nofullat, edhe skeptikët me të mëdhenj nuk besojnë se votat janë numëruar drejt. Nuk fitohet simpatia e shqiptareve nëse vazhdimisht u përkujtohet komunizmin barbar i djeshëm, për të fshehur krimin mizor të sotëm! Nuk fitohet simpatia pas njëzete vjetëve duke rikujtuar gogolin komunist, ku kryeministri ishte anëtar kompatibël i partisë shtypëse. Zakonisht në vendet perëndimor politikan kur arrin t´i zbatojë idealet e veta, atëherë tërhiqet nga politika pa shkaktuar një dramë nacionale. Shpesh politikani ballkanik nuk largohet nga pozita ku është ngulur një herë, nëse nuk e shkul populli! Duket se nervoza kryeministrit është e papërmbajtshme sepse Edi Rama nuk ka qenë anëtar i Partisë së Punës, si ai. Sigurisht si udhëheqës të opozitës do ta kishte parapëlqyer Fatos Nanon, sepse ai është më i lëndueshëm!

Si t´i besohet këtij kryeministri kur ndaj kundërshtarit politik shqiptar, sillet me më pak mirëkuptim, se sa për nevojat e armatës serbe, apo për nevojat e shteti grek? Si t´i besohet kur sillet aq ulët, aq vrazhdë kundër më shumë se gjysmës së popullit?
Çdo shqiptar i sinqertë në këto çaste ka vetëm një lutje: Mos iu shkultë Shqipërisë asnjë dhëmbë, e as Sali Berishës. Kjo është urata e vetme që mund të bëjë njeriu me mendje të shëndoshë sot!


22.11.2009

Qeveria ilegale

Naser Aliu
Sali Berisha: “ Edhe nëse ngrihet Enveri, kutitë nuk hapen!”Çka mund të ndodhë nëse ngrihet Enveri? Sali Berisha kthehet në Partinë e vet të Punës dhe natyrisht kutitë nuk hapen, por digjen. Gjurmët duhet të zhduken dhe Enveri bëhet kryetar i Partisë Demokratike, Sali Berisha zëvendës! Ndoshta Enveri i hap edhe dosjet dhe pendohet!

Kur një hajn dyshohet për vjedhje, bën çdo gjë që është e mundur të mos paraqitet në polici për t´i dhënë shenjat e gishtave. Kur një politikan vjedh votën dhe mashtron popullin duke iu imponuar si Kryeministër në bazë të vjedhjeve, nuk hap kutitë edhe nëse ndodhin fenomene të çuditshme; ringjallja e njerëzve!Unë do t´i kisha hapur kutitë edhe nëse ringjallet një bujk! Njeriu që ringjallet pas disa vjetëve ka shumë informacione të vlefshme, qoftë edhe lustrues i këpucëve!

Ilir Meta: “ Greqia humb nga nënshkrimi i marrëveshjes, Shqipëria fiton!” Çdo shqiptar mund të krenohet me kombin e vet: ka disa muaj që po çirret të mos e mashtrojmë Greqinë, e kemi fqinj! Pse nuk duhet ta mashtrojmë? Nesër mund të këndellet dhe na pengon të hyjmë në Evropë!

Revista gjermane “Focus” shkruan se në Shqipëri gjenden 60 makina të vjedhura nga Gjermania. Nuk është çudi! Për t´u futur brenda 60 makina të vjedhura, duhet ta posedosh një Qeveri që vjedh 600.000 vota, e cila ka një rrejt prej me së paku 600 vetave, që mbron hajninë në mënyrë legale!

Nuk i ka fajet vetëm kryeministri për instalimin e demokraturës në Shqipëri, por edhe partitë xhuxhe me transvestizmin e tyre!

Kryeministri është i vendosur ta rrënojë shtetin edhe një herë, por jo t´i hapë kutitë! Ka të drejtë. Ndoshta nuk ka rrugëdalje. Strehimi politik nuk fitohet askund në bazë të vjedhjes.

Unë nuk kisha besuar kurrë se votat janë vjedhur. Kur tha se nuk hapet kutitë edhe nëse na viziton Enveri, atëherë kuptova kush është kryeministri.

Charles de Gaulle thoshte: “ Nuk është lehtë të qeverisësh një popull, që ka mbi treqind lloje të djathërave! Sali Berisha: “ Nuk është lehtë të qeverisesh një popull, që lufton kundër vjedhjes!” Nuk e ka thënë akoma, por një ditë do ta thotë!

Ndoshta kutitë nuk mund të hapen, sepse rrejti i kryeministrit është zhytur aq thellë, sa largimi nga politika mund ta bëjë të arrestueshëm! Do të bënte mirë opozita t´i premtoj imunitet të përjetshëm, si Putini Jecinit! Për të mirën e vendit. Partia demokratike do të çlirohej nga Berisha, Shqipëria nga një parti e vetëquajtur demokratike!
Botoi gazeta. Shekulli
https://www.shekulli.com.al/2009/11/23/qeveria-ilegale.html
gazetakritika.net
zemrashqiptare.net
alb-shkenca
tribunashqiptare.com
fjalaelire.com

16.11.2009

Dëgjo Kosovë! Shekulli, gazeta Shqip

Ti ke 37 parti politike, që mendojnë se duhet të ekzistojnë dhe 19 iniciativa qytetare, që mendojnë se nuk janë të kënaqura me ekzistencën e partive dhe paraqiten si mendim alternativ. Ti ke edhe 16 kandidatë të pavarur, që nuk janë të kënaqur as me partitë politike, as me iniciativat qytetare. Kandidatët e pavarur dhe iniciativat qytetare flasin për zhgënjimin me punën e partive. Ata shpresojnë t´i zëvendësojnë klanet partiake!
Kosovë, Ti ke 36 komuna dhe 37 parti politike, domethënë pak më shumë se një parti ke për çdo komunë.
Nëse llogariten partitë politike dhe iniciativat qytetare, atëherë së bashku janë 56 grupime që luftojnë për votuesin, aq sa nuk ke komuna, shkurt e shqip këta luftojnë për veten! Po nëse numrit 56 i shtohen edhe 16 kandidatë të pavarur, atëherë Kosovë ti ke politikan edhe për Maqedoninë, edhe për Shqipërinë dhe lirisht mund të thuhet se ke potencial politik për ta mbuluar dhe qeverisur Ballkanin, ndoshta edhe më gjerë, pse jo, dëshira e madhe, pasioni për politikë dhe entuziazmi nuk mungojnë.
Kosovë, Ti ke ftuar në zgjedhje 1.563.741 qytetarë.
Rreth gjysmë milioni mund të supozohet, ndoshta më shumë, jeton jashtë shtetit dhe nuk e kanë ndërmend të votojë asnjë bukurosh partiak atje. Për të votuar mbeten një milion banorë.
Nëse këtë milion e shpërndajmë në 56 qendra politike ambicioze, atëherë rezulton se në Kosovë për togë politik apo qytetarë mund të votojnë 17.857 qytetarë, natyrisht nëse dalin në votime. Nëse dalin vetëm gjysma, atëherë për parti politike dhe për iniciativë qytetare mbeten 8.928 qytetarë. Nëse këtyre grupimeve u shtohen edhe 16 kandidatë të pavarur, atëherë për parti, iniciative qytetare dhe kandidat të pavarur nga një milion e gjysmë votues u mbeten 6.944 votues.
Kosovë, Gjermania ka rreth 323 rrethe administrative ( qytetit me fshatra përreth ) dhe 12.234 komuna. Sipas filozofisë së bajraktarëve tu, Gjermania duhet t´i ketë nja 323 parti apo sipas numrit të komunave 12.234 parti politike dhe nja 6117 iniciativa qytetare dhe diku 5000 kandidat të pavarur. Kina ka vetëm një parti për përafërsisht një miliard e 300 milion qytetarë. Ti ke 37 parti!
Vetëm koha mund të tregojë, edhe sa parti do të formohen. Kur një populli të vogël i prezantohet 37 të vërteta nga partitë politike, 19 të vërteta nga iniciativat qytetare dhe 16 të vërteta nga kandidatët e pavarur, atëherë ai popull për t´i ikur presionit politik, trysnisë, propagandës, agjitacionit dhe sugjestionit të llaskuçëve, atëherë ai popull nuk ka rrugëdalje tjetër, pos të rrijë në shtëpi dhe t´i shikojë në televizor fituesit me keqardhje e mëri, humbësit me rezignacion e habi.
Humbësi atje nuk do ta pranojë dështimin si sinjal për të bërë ndonjë punë më të mirë në dobi të vendit, por do t´i akuzojnë fituesit dhe do të ankohen se populli nuk i kuptoi, nuk patën lekë për publicitet, se edhe këtë herë u mashtrua populli nga matrapazët! Ata do të premtojnë se herën tjetër do t´i afrohen më shumë popullit, do të ushtrojnë propagandë më agresive dhe do t´i shpjegojnë më thjeshtë qëllimet e tyre, sepse populli nuk i ka kuptuar...

Kështu ata do të gjykojnë dhe kështu ata do të përligjin ekzistencën e tufave politike dezorientuese! Fajet nuk i kanë bajraktarët, por media që shpesh interviston apo merr mendime edhe nga ata që kanë aq anëtarë, sa mund të futen në një odë të burrave!
Si duket papunësia detyron njeriun të formojë parti politike!

https://www.shekulli.com.al/2009/11/17/degjo-kosove.html
https://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=75752

gazetakritika.net
zemrashqiptare.net
alb-shkenca
tribunashqiptare.com
art-cafe
fjalaelire.com


14.11.2009

Zgjedhjet ne Kosove

1. Kur dëgjon premtimet e politikanëve në Kosovë dhe kandidatëve, mund lirisht të thuhet se Kosova menjëherë pas zgjedhjeve, menjëherë të nesërmen, sapo të zbardhet, do të bëhet më e pasur se Kuvajti, do të ketë papunësi më të vogël se Zvicra, do të bëhet më stabile se Lihtenshtajni dhe, më e fortë se SHBA-ja... Natyrisht që populli po pret me ethe përfundimin zgjedhjeve: Parajsa ante portas! Hape derën Kosovë: pasurinë nuk ua solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj...


2. Nëse iu thonë se do të investojnë 150 € milion në një qytet, pyetni pse nuk i investuan deri tani dhe nga vjen ky kapital... Origjina e kapitalit është shumë me rëndësi...

3. Ata që iu thonë se do t´i krijojnë dhjetë mijë vende të punës, mos i merrni seriozisht, dhjetë mijë nuk i krijon një politikan as në Gjermani. Dhjetëra mijëra vende te punës sot nuk janë në gjendje t´i krijojnë as koncernet...Të vërtetën mund ta zbuloni nëse nga 10.000 hiqni katër zero. Ky vend, me votën tuaj është i sigurt, zerot tjera janë zero, si gjithmonë, hiç, asgjë...

4. Kutitë, mos i mbyllni kurrë me ngjitës nga Shqipëria: hapja e tyre eventuale kërkon ekspert që i mungojnë Ballkanit dhe Evropës...

5. Nëse qeveritarët e sotëm, ju thonë se dhjetëra shtete do ta njohin Kosovën, atëherë mos harroni premtime dhe lobimet në New York, ku kapardiseshin me dhjetëra njohje të reja. Njohje nuk pati nga diplomacia kosovare, por nga presioni perëndimor; dëmi në ekonominë kosovare: biletat e avioneve dhe hotelet...

6. Gazetarëve: kujdes gjatë raportimit. Në Ballkan, mund të të dërgojnë në pushime dimërore, në spital, nëse nxjerrë të palarat e biznesmenëve dhe politikanëve. Mos i beso shumë vertikalitetit tënd, ata me prova të tregojnë se sa ora mund të bëhesh horizontal...

7. Votoni, ju lutem, qeveritaret dhe deputetet e njëjte, jini pragmatik si në Shqipëri, me kryeministër të përjetshëm, mund të supozohet se kanë vjedhur mjaft dhe nuk kane nevoje më. Nëse vijnë të rinjtë, mund të supozohet se janë të varfër dhe, ndoshta duhet të ndërtojnë shtëpi e të punësojnë dikë...Sepse pasurinë nuk ua sjellin ata, pasurinë e gjejnë ne mesin tuaj dhe prej aty e marrin dhe e zhvendosin prej xhepi në xhep.

8. Se, a punon për popullin politikani ? Shikoni makinën e tij zyrtare. Nëse posedon një makinë si kancelarja gjermane, atëherë nuk është diçka në rregull. Ekonomia jonë mund të financojë politikan si Gandi, por jo si Obama...

u publikua.
albshkenca
Shekulli
https://www.shekulli.com.al/2009/11/14/tete-keshilla-dhe-sugjerime-per-zgjedhjet-tona-ne-kosove.html
https://tribunashqiptare.com/news/118/ARTICLE/2925/2009-11-14.html
https://www.fjalaelire.com/index.php/opinione/3755.html
https://www.zemrashqiptare.net/article/Komente/11288/
www.gazetakritika.net

01.11.2009

Patrioti ballkanik, gazeta Shqip dhe Illyria SHBA

Ky patriot ka dy fytyra: një për përdorim të brendshëm, privat dhe një për përdorim të jashtëm, publik. Nëse punon në administratë, shumë herë pas tij qëndron ndonjë politikan dhe është e mundur se është punësuar ose duke paguar ose me intervenime. Tregu ballkanik është i hapur dhe mund të blihet çdo gjë: që nga fletëlindja, diploma e fakultetit, deri te doktoratura apo pozita. Nëse patrioti ballkanik është kryetar komune, me të do të ketë probleme qyteti. Nëse bëhet ministër, Kryeministër apo kryetar shteti, atëherë kokëçarje mund të ketë kombi dhe fqinjët. Njeriu me veti tipike ballkanike profilohet lehtë. I moralshmi, idealisti, i sinqerti e ka vështirë apo të pamundur depërtimin dhe karrierën politike.


Kur ballkanasi i vërtetë futet mirë në politikë, nuk e nxjerr as dreqi jashtë. Ai fiton edhe kur humb. Ai e deklaron veten fitues pa përfunduar numërimi i votave, sepse ai qysh në fillim të fushatës e di përqindjen e fitores. Nëse nuk rivotohet është e mundur të mbetet i papunë, prandaj mandatin e shfrytëzon të përforcojë rrethin e vet ose të pasurohet: zakonisht i pasuron fëmijët. Nëse humb është e mundur të shkaktojë një dramë nacionale. Patrioti ballkanik në teori dhe me fjalë të mëdha adhuron kombin, praktikisht pasuron veten dhe varfëron ekonominë kombëtare.


Nëse është afarist, ballkanasi tipik grumbullon aq shumë pasuri për 1-3 vite, sa një afarist gjerman për pesë breza. Politikanët me pozita, mjekët dhe gjyqtarët në Ballkan janë më të pasur se kolegët e tyre në Perëndim.


Patriotët ballkanikë kanë rrjetin e tyre si merimanga dhe po të preket njëri prej tyre, mund të dridhet krejt rrjeti dhe alarmohen kolektivisht, prandaj këta janë të paprekshëm, sepse edhe ai që duhet të vendosë për drejtësi, të zbatojë ligjin, edhe ai dridhet nga një arrestim dhe tronditje periferike. Telefonatat dhe trysnia nuk pushojnë.


Si kundërshtar i patriotit ballkanik mbetet media e lirë, e pa korruptuar dhe ata që nuk varen drejtpërdrejt nga rrogat e tyre, si dhe politikani i sinqertë, që nuk ecën para nga pengesat që krijon rrjeti me imazh dhe qëndrim gati mafioz.


Vetëm në Ballkan "popi" stërpik tanket me ujë të shenjtë për të vrarë sa më shumë njerëz. Vetëm në Ballkan imami përgatitet për t‘i vrarë shpëtimtarët e vet! Vetëm në Ballkan kryetari i ushtrisë kriminale ka fytyrë të kërkojë nga viktima: "Na kërkoni ndjesë edhe ju, ekzistenca juaj na nervozoi, prandaj ju masakruam!" Vetëm ballkanasi i ngriti përmendore deri në neveri politikanit të gjallë. Vetëm në Ballkan mund t‘i humbësh luftërat njërën pas tjetrës dhe prapë të zgjidhesh. Vetëm në Ballkan është e mundur ta tolerosh shitjen e naftës armikut, ta shkatërrosh shtetin deri në themel dhe përsëri të zgjidhesh. Vetëm në Ballkan mund ta shesësh edhe detin prapa shpinës së popullit pa u dhënë llogari votuesve. Në Ballkan mund të jesh edhe kontrabandist i cigareve dhe përsëri të bëhesh kryetar shteti! Në Ballkan politikani me pozitë të lartë bëhet më i pasur se kolegu i tij në Perëndim. Në Ballkan diskriminimi i pakicave konsiderohet barazi!


Patriotin ballkanik nuk e gëzon suksesi i fqinjit, kjo e dëshpëron. E quan negative dhe të padrejtë! Ai mendon se ballkanasit janë të njëjtë dhe nuk duhet asnjëri të shquhet dhe të punojë më shumë se tjetri. Ai nuk do të mësojë nga suksesi i fqinjit, por e përfol atë.


Patrioti ballkanik e njeh aq mirë historinë e kombit të vet, sa edhe të fqinjit. Ai ka urrejtjen si vlerë, krenarinë dhe kokëfortësinë e tepruar si tipar dhe përbuzjen e kombit, që ka afër si moto të jetës. Çdo akademi ballkanike i prezanton kombit të vet një version të veçantë të historisë së vet dhe të fqinjit.


Në Ballkan urrejtja e së paku një kombi fqinj është traditë dhe detyrë patriotike. Patrioti ballkanik nuk lufton krimin e vet pa e detyruar nga jashtë. Sa herë arrestohet një kriminel, kombi nga vjen krimineli nuk gëzohet që është një më pak në qarkullim, por apriori e konsideron kriminelin e vet të pafajshëm; e përjeton si luftë kundër kombit të vet dhe, në anën tjetër, edhe nga gjykata ku duhet gjykuar krimineli nuk mund të pritet trajtim objektiv, sepse është gjykatë ballkanike dhe anëtar i një rrjeti tjetër. Edhe ai nuk vepron sipas ligjit, por sipas paragjykimeve dhe obligimit tjetër patriotik. Sipas urdhrave të rrjetit të vet.


Gjyqtari ballkanik me fytyrë private dhe publike ka për detyrë ta shpallë fajtor, edhe nëse nuk është. Nëse i burgosuri është i pasur, në Ballkan del jashtë, edhe me faj, nëse është i varfër, qelbet në burg, edhe pa faj!


Ballkanasit e kanë kuzhinën gati të njëjtë, gjuhë gati të ndryshme apo të ndryshme, fetë gati të ndryshme dhe të ndryshme dhe paragjykimet e njëjta dhe reciproke, deri në theqafje. Kryesisht paragjykimet. Nëse një ligj është i papranueshëm apo i pazbatueshëm për Ankaranë, kjo përthyhet edhe në Sofje, Bukuresht, Zagreb, Beograd, Prishtinë, Shkup, Podgoricë, Athinë dhe Tiranë. Kokëfortësia, këmbëngulja, mashtrimi, dyfytyrësia, keqpërdorimi, bakshish mentaliteti dhe mosndryshimi janë ide drejtuese dhe parim burrnie për patriotin ballkanik!


Ballkanasi që dëshiron pajtimin me fqinjin, nga patrioti ballkanik në kombin e vet konsiderohet tradhtar, nga kombi me të cilin dëshirohet pajtimi, njeri i sinqertë, i mirë! Në Ballkan viktima dhe krimineli peshojnë njëlloj. Çdonjëri është viktimë, çdonjëri është kriminel, varet se nga cila kodër dhe në ç‘drejtim ballkanik dëshiron të hidhet vështrimi. Vetëm në Ballkan krimi mbetet pa autor!


Ballkanasit tipik, nëse i heq urrejtjen, mbetet lakuriq dhe i pamotivuar, bie në depresion dhe letargji. E ndien veten të topitur. Ai nuk prodhon asgjë me vlerë, me të cilën mund të krenohet. I mungon revolucioni industrial, revolucioni kulturor, revolucioni seksual; të gjitha rrymat e reja të artit dhe kulturës i kopjoi dhe kërcyen nga feudalizmi osman nëpër monarki, kur zhbëheshin monarkitë në Europë. Nga rendi i parafundit shumica kërcyen në diktaturë komuniste nga dolën me plot trauma dhe u detyruan të përplasen në demokraci, kur panë se mbetën me gishta në gojë.


Në një demokraci patologjike! Dhe tani kemi situata tragjikomike, ku kryetari i Partisë Demokratike mund të jetë komunist i djeshëm, ndërkaq, kryetari i Partisë Socialiste të jetë demokrat i vërtetë, i sotshëm! Patrioti ballkanik është i vetëdijshëm se i mungon çdo gjë që shërben për të ndërtuar një imazh pozitiv sot, një krenari pozitive për veten, prandaj mburret me të djeshmen, me histori, me personalitete historike dhe ata i rregullon, i kreh dhe i përshtat kohës. Madje festojnë edhe humbjet! Nëse i mungojnë personalitetet e veta, patrioti ballkanik pa kokërr turpi ia merr fqinjit dhe e konsideron të vetin.


Në vend se ta mësojë historinë, e jeton për ditë atë dhe historia është e tashmja e tij. E tashmja reale është boshe, me plot brenga ekzistenciale dhe kështu, në vend se të shikojë para, kthen kokën pas dhe, natyrisht rrëzohet. Patrioti ballkanik jeton në të kaluarën duke injoruar të tashmen dhe duke humbur ardhmërinë. Ai me mish e shpirt përpiqet ta paraqesë të kaluarën si të madhërishme, në vend se të punojë dhe ta ndreqë të sotmen.


Krenaria dhe mburrja ekstreme, rrena, mungesa e kompromisit janë karakteristikat e tij. Kompromisin e konsideron dorëzim, frikë dhe humbje; patrioti ballkanik qetësohet vetëm nëse fuqitë e mëdha e detyrojnë ose e nënshtrojnë. Në shikim të parë duket se janë të ndryshëm, por në mendësi janë aq shumë të ngjashëm, sa edhe sasia e urrejtjes, paragjykimeve dhe mosdurimit është e barabartë, e njëjtë, reciproke, madje edhe sasia e groshës që konsumojnë është e barabartë! Edhe e qofteve.


Patrioti ballkanik nuk është kompetent vetëm për historinë e vet: shqiptari është ekspert për historinë e grekëve dhe sllavëve të jugut. Grekët janë profesionalistë për historinë helene, shqiptare, maqedonase dhe turke. Maqedonasit janë dijetarë të historisë maqedonase, të historisë greke dhe me specializim të posaçëm në historinë shqiptare dhe helene. Serbët janë doktorë të historisë serbe, profesorë të historisë shqiptare, maqedonase dhe kroate e boshnjake. Boshnjaket janë specialistë të historisë serbe e kroate. Kroatët janë shkencëtarë të historisë serbe, boshnjake dhe asnjëri nga kombet e lartpërmendura nuk ka aq banorë sa ka Londra me rrethinë. Madje, disa shtete kanë aq banorë sa ka një qytet në Perëndim. Italia shpëtoi nga ballkanizmi falë detit Adriatik.


Patrioti ballkanik, guximin dhe trimërinë i konsideron si veti burrërore dhe është në gjendje të ngrihet kundër botës. Ai mendon se vetëm kombi i tij është i fortë! Ai mendon se kombi i tij në seks është më i forti në botë. Kjo i nevojitet për ta theksuar virilitetin primitiv dhe për të rritur vetëbesimin. Gratë e tyre janë shumë të dëshpëruara dhe të zhgënjyera!


Shikuar nga Perëndimi, Ballkani duket si një fëmijë trazovaç, hiperaktiv, që nuk lë dy gurë bashkë dhe vuan nga komplekse vogëlsie dhe vazhdimisht përpiqet të shquhet: ai dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes. Nëse nuk mundet me të mirë, atëherë provon me qarje të bëhet i imponueshëm, nëse nuk dëgjohet, atëherë mbush xhepat me gurë dhe gjuan fqinjët! Në Ballkan ambasadorët e shteteve të huaja nuk janë ambasadorë, por organe qortuese dhe këshilluese! Shpesh i kapin edhe për veshi kryeministrat tanë ballkanikë.


Si fitohet simpatia e ballkanasit? Thuaj patriotit ballkanik me origjinë shqiptare: ti je pellazg, ilir dhe kombi shqiptar është po aq i vjetër sa edhe dheu i Ballkanit, se pranove krishterimin para romakeve, se je trim i pashoq. Se një numër i madh i perandorëve romakë ishin ilirë, se ndonjë papë ishte ilir. Thuaj se dje ishe qendër e botës, ai të beson! Thuaj se ti ishe, ai të beson se ishte! Nëse e pyet kush je sot, atëherë të tregon kush ishte dje!


Thuaj patriotit ballkanik me origjinë greke: gjithë personalitetet e kohës së lashtë janë grekë, pa Greqinë, Europa akoma do të hante me grushte, dje ishe prodhues i civilizimit dhe të tjerët ose nuk ishin këtu ose ishin barbarë. Thuaj se Maqedonia të ka marrë troje, thuaj se Shqipëria të ka marrë troje, atëherë greku me profesion patriotizmin ballkanik, të përqafon. Thuaj Leka i madh ishte grek, edhe pse nuk fliste greqisht! Thuaj se je vendi më i rëndësishëm në Ballkan, atëherë të beson. Thuaj se ti ishe, ai të beson se ishte! Nëse e pyet kush je sot, atëherë të tregon kush ishte dje!


Patriotit ballkanik me origjinë serbe: ti je vendi më i fuqishëm në Ballkan, je superfuqi, je komb hyjnor, fqinjët të kanë pushtuar territoret me ndihmën e huaj, Serbi është aty ku ka një varr serb, edhe nëse ka vdekur nga tuberkulozi. Je qendër e botës dhe e krishterimit, thuaj se dje ishe kombi më i ditur në Ballkan dhe se mbreti yt dinte të shkruante, kur mbretërit e Perëndimit nënshkruanin me gisht. Thuaj se je vendi më i rëndësishëm në Ballkan, në botë dhe viktima më e madhe, ai të përqafon! Thuaj se ti ishe, ai të beson se ishte! Nëse e pyet kush je sot, atëherë të tregon kush ishte dje!


Maqedonasit thuaj se je viktimë e fqinjëve, se Leka i madh ishte maqedonas si ti; thuaj se grekët, shqiptarët, bullgarët, serbët po ta vjedhin historinë, thuaj se dje ishe i famshëm, atëherë të përqafon. Thuaj se je viktima më e madhe në Ballkan, menjëherë të beson! Thuaj se ti ishe, ai të beson se ishte! Nëse e pyet kush je sot, atëherë të tregon kush ishte dje!


Patrioti ballkanik me origjinë turke: thuaj ti ke moral dhe të tjerët janë të degjeneruar. Thuaj se Perandoria Osmane ishte emancipuese dhe Amerika e djeshme. Thuaj se ju jeni shembullorë dhe trima, se keni fenë më të mirë në botë. Ai të përqafon. Thuaj se ti ishe, ai të beson se ishte! Nëse e pyet kush je sot, atëherë të tregon kush ishte dje!


Patrioti ballkanik i vërtetë me veti të theksuara ballkanike është aziatik në mendësi edhe njëqind vjet pa çlirimit. Ai është çliruar fizikisht, por jo në mendësi. Patriotizmin e vet e dëshmon me peshën dhe sasinë e urrejtjes ndaj fqinjit të vet. Ai edhe kur bën marrëveshje me fqinjin, e bën sa për sy e faqe ose i detyruar nga Perëndimi, mirëpo pret një çast ideal për ta prishur atë marrëveshje.


Ata jetuan pesëqind vite nën një kulm, ruajnë me xhelozi një mendësi joeuropiane dhe, edhe pse kanë fe të ndryshme, ngjashmëritë janë trishtuese. Ballkanasi krijon nga politikani i gjallë idhull, edhe pse ai politikan nuk është në gjendje të krijojë as njëqind vende të punës! Nëse janë pak të këndellur dhe nuk kapardisen me personalitete historike, këtë vakum e plotësojnë me politikanin e gjallë dhe për të flasin si për Zotin. Ballkanasit kanë edhe një ngjashmëri të tmerrshme: miqtë i kanë sa më larg vetes, armiqtë sa më afër.


Patriotit ballkanik i nevojitet së paku një pakicë kombëtare. Kjo i nevojitet për ta shtypur dhe për ta rritur vlerën e kombit të vet. Për të pasur mundësi krahasimi e kapardisje. Nëse nuk shtyp dhe nuk cenon, atëherë i mungon diçka për ta përforcuar patriotizmin provincial dhe lokal. Një pakicë, së paku një, i nevojitet për ta kultivuar sedrën e vet. "E kemi shtypur pakicën aq mirë, varfëruar aq shumë, sa ne dallohemi prej tyre dhe dukemi si aristokratë!"

Këta patriotë ballkanikë, me këto tipare të njëjta mund të internohen në një ishull dhe pas dhjetë minutave e kuptojnë aq mirë njëri-tjetrin, sa do të ulen të hanë së bashku: groshë, byrek, qofte e do të pinë kafe turke dhe do t‘ia hedhin fajin botës.


Nëse këta patriotë ballkanikë futen në një thes së bashku dhe hidhen në det, atëherë Ballkani shndërrohet në Europë. Nëse vërtet këta hidhen në det, atëherë do bëjnë çdo gjë që është e mundur ta shpëtojnë njëri-tjetrin, jo nga dashuria, por për të pasur edhe një motiv mburrjeje: "Unë ia shpëtova jetën!“


Popujt e këtyre patriotëve ballkanikë në gara të Eurovizionit votojnë për njëri-tjetrin dhe këtu shihet një xixë shprese se këta një ditë do të ulen vërtet së bashku për t‘u bërë subjekt të ardhmërisë e jo për ta zbukuruar të kaluarën apo për ta shkruar historinë e njëri-tjetrit!


Çfarë pret patrioti ballkanik? Shqiptari shpreson ta zbulojë një armë të madhe dhe ta çlirojë atdheun deri në mes të Serbisë, diku deri në mes të Greqisë, një pjesë të Malit të Zi, Iliridën dhe Kosovën lindore. Patrioti grek shpreson të arrijë deri në Durrës, në Stamboll, një pjesë të Maqedonisë dhe një pjesë e Italisë jugore nuk do të ishte keq.


Maqedonasi do t‘i nervozojë të gjithë: ai pret ta çlirojë një pjesë të Bullgarisë dhe Greqisë, një copë Shqipërie dhe Serbie edhe pak Kosovë. Serbi pret ta zbulojë armën e madhe ose ta kuptojë bota këtë viktimë permanente dhe ta çlirojë Kosovën, ta çlirojë Maqedoninë, ta çlirojë gati tërë Bosnjën, pjesë të Kroacisë dhe Malin e Zi dhe të arrijë në Durrës për t‘u takuar me Greqinë. Kroacia do ta çlironte Bosnjën, një pjesë të Vojvodinës dhe ndonjë copë të Sllovenisë dhe Malit të Zi. Mali i Zi do ta kishte çliruar një pjesë të Kosovës, të Shqipërisë dhe pak Kroaci do ishte e pëlqyeshme. Bullgaria do ta çlironte Maqedoninë, pak Serbi dhe pak Turqi. Bosnja do ta çlironte Sanxhakun dhe një pjesë të Malit të Zi.


Patrioti ballkanik me origjinë turke ëndërron nëpërmjet BE-së të kthehet aty ku ishte pesë shekuj dhe të çlirojë: Bullgarinë, Greqinë, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Kroacinë, Serbinë, Bosnjën dhe Rumaninë. Edhe Vjenën. Ky patriot ballkanik ka dëshirë të flakët ta çlirojë edhe Spanjën. Edhe Romën.

Sigurisht edhe indianët e Amerikës kanë plane të tilla për ta çliruar atdheun e tyre nga SHBA-ja.


E vërteta: patrioti ballkanik nuk mund të çlirojë asgjë pa ndihmë nga jashtë, as bythën e vet, në vend se të ndërtojë marrëdhënie me fqinjin ku ka popull të vet, ta shfrytëzojë si urë ndërtuese në dobi të kombit të mbetur jashtë kufirit, ai manipulon pakicën e vet jashtë territorit të tij dhe përpiqet t‘i rrisë tensionet me shumicën ku jetojnë bashkëkombësit, natyrisht duke dëmtuar pakicën e vet, por me një qëllim madhor: ta destabilizojë fqinjin. Ky është patrioti ballkanik me banim në Ballkan. Me dy fytyra: një për përdorim privat dhe të brendshëm, tjetrën për bashkëbisedime me politikanët perëndimorë.


Ekonomia e vendeve ballkanike: Greqia shet në Perëndim ullinj, vaj ulliri, verë dhe gjethe rrushi të mbushura. Shqipëria romane të Kadaresë. Bullgaria shet djathë të deleve. Rumania histori të kontit të Transilvanisë. Maqedonia verë të lirë. Kosova verë të lirë dhe nëpër shitore turke suxhuk Kosove që prodhohet në Gjermani. Serbia shet havjar (specat të bluar e të fërguar). Bosnja nëpër shitore turke shet "bosanski suxhuk". Kroacia shet vegetë dhe verë. Turqia shet speca, domate, fara të kungullit, të lulediellit dhe byrek... Kjo është industria dixhitale e vendeve ballanike dhe burim i krenarisë ekstreme!


Natyrisht se shqiptari si popull vendas u dogj në këtë çorbë të shkrumbuar ballkanike, por me fajin e vet. Na pushtoi Roma dhe gati u romanizuam, na pushtoi turku dhe gati u bëmë turq, erdhi komunizmi dhe gati u bëmë rusë! Kur nuk u lidhëm për një kunj dhe si pasojë, kërcimet i paguam me troje. Sot kemi një mik të madh, por edhe këtë duam ta vrasim! Njeriu që ndryshon miqtë çdo ditë, nuk ka miq të vërtetë. Popujt që ndryshojnë aq shpesh aleatët, nuk kanë ardhmëri! Vetëm integrimi në BE mund ta ftohë këtë çorbë të prishur ballkanike, që deri diku e përmirësoi SHBA-ja...


U botua tek: 

Gazeta Shqip dhe Ilyria (SHBA)

zemrashqiptare.net

tribunashqiptare.com

fjalaelire.com

alb-shkenca

Libra nga Lis Bukuroca:


Kuptimi i jetës  te amazon *

Kuptimi  jetës te lulu **


Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu


Letër burrave (II) te amazon

Letër burrave (II) te lulu


Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore

Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore


Shtatë parimet e dashurisë

Hijedritat e jetës

Die Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.