"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

09.08.2014

Prej një ekstremizmi, tek tjetri...

Edward Snowden tha se kalifi i vetëshpallur është stërvitur nga Mosadi, shërbimi sekret i Izraelit dhe se kanë pasur një qëllim: grumbullimin e terroristëve nga gjithë bota në një vend për të bërë shuarjen e tyre më të lehtë. Strategji të tilla janë përdorur shumë herë edhe kundër mafies. Ka vrarë vet policia një mafioz dhe klani i prekur ka akuzuar klanin kundërshtar dhe kështu ka nisur lufta në mes tyre deri në zhdukje.

Shtypi gjerman bën të ditur se nga veprat e tyre barbare, madje distancohet edhe Al Kaida. SHBA për shkaqe humanitare vendosi tani të reagojë për të marrë në mbrojtje pakicën fetare jezide. Jezidët janë kurd dhe në tërë botën janë diku 500 mijë besimtarë. Në Gjermani 60.000. Islamistët i akuzojnë ata si nderues dhe lutës të djallit. Në fakt ata nuk pranojnë ekzistencën e djallit dhe nuk përmendin këtë emër sepse sipas tyre, me këtë ofendohet zoti. Jezidizmi është religjion monoteist dhe diku 4.000 vjet i lashtë.

Intervenimi nuk do të zgjasë shumë sipas kryetarit amerikan. Kjo tregon se ata do të lihen të vriten në mes vete. Nuk thuhet hapur, por bazuar në qëndrimet perëndimore, shpresa është e madhe që ata të shfarosen në mes vete. Shtypi gjerman informon se grupi terrorist “Shteti Islam në Siri dhe Irak” lufton për shtet fetar sunit, “Gottesstaat”, shtet të zotit e quajnë në gjermanisht. Ai financohet nga dhurues të Katarit dhe Arabisë Saudite. Aty luftojnë brigada internacionale nga tërë bota... “Hisbollah” domethënë shqip: Partia e Allahut.

Gabimin më të madh që bën Perëndimi është këmbëngulja për të përhapur demokracinë. Kryesisht liritë dhe të drejtat e njeriut. Shumë popuj nuk duan këtë rend, as barazinë gjinore, jo, por e konsiderojnë degjenerim. Vështirësi trishtuese kemi edhe ne me liritë dhe të drejtat e njeriut. Një është aprovimi, diçka tjetër është zbatimi i tyre. Shumë popuj janë mësuar me despotizmin dhe demokracinë nuk e përjetojnë ndryshe, pos si mundësi për ta rrëzuar këtë rend dhe rikrijuar shtet fetar. Opozita në Turqi akuzon Erdoganin për iranizimin e vendit. Claudia Roth e të gjelbërve në Gjermani, që po përcjell zgjedhjet e kryetarit atje, kritikoi Erdoganin se po manipulon me ndjenja fetare të njerëzve dhe se Turqia e Erdoganit, çdo ditë e më tepër, largohet nga standardet europiane. Ai në fjalimet e tij mburret se është sunit dhe krytarin gjerman, e pat quajtur pastor, prift.

Fanatik të tillë fetare ka edhe në Izrael. Atje janë diku 700 mijë hebrenj ortodoks, që në sjelljet e tyre nuk ndalojnë nga mullat e Iranit. Gratë e tyre nuk u flasin të huajve për dore, nuk punojnë bashkë me burra, nuk kanë kompjuter apo televizor në shtëpi dhe kanë deri në 15 fëmijë. Kështu qe raportuar në një program dokumentar gjerman. Ekstremistët e tillë i bashkon urrjetja deri në një pasion marramendës për ta zhdukur njëri tjetrin, për një mit dhe legjend hyjnore, që besojnë ata. Edhe pse në fakt populli arab dhe populli hebre, kanë mijëra arsye më shumë për ta respektuar njërin tjetrin se sa për të vrarë.

Në Egjypt pat fituar vëllazëria muslimane dhe u rrëzua me puç. Puçin e pranoi populli. Perëndimi duhet të kuptojë se demokracia nuk është lëndë, që mund të eksportohet si kompjuterët, makinat, e avionët. Demokracia që njeh sot perëndimi nuk është rezultat i politikanëve, por urdhër i dijetarëve, i arsimimit, emancipimit dhe i iluminizmit, që nga renesanca italiane, iluminizmi francez e këndej. Dijetarët e mëdhenj në Europë janë djegur në stivë drush, janë qelbur nëpër bodrume kështjellash mesjetare, kanë rrezikuar jetën dhe kanë arritur të dëbojnë religjionin nga shteti. Në histori ka hyrë si luftë kundër obskurantizmit. Në Kosovë kërkohet ministri dhe depërtim në shtet.

Procesi i ndarjes nga religjioni në Europë, ka zgjatur gati dy shekuj. Këtë ndarje shumë popuj nuk e duan, sepse ata përjetojnë despotin si instancë më të sigurt që mbikëqyrë moralin kolektiv. Derisa në Europë ndarje e shtetit nga religjioni është e përkryer, vendet e Ballkanit përjetojnë të kundërtën: simbiozën. Kryesisht ne që kemi pasur një ndarje natyrore. Një defragmentim i tillë në bindje dhe qëndrime ka përjetuar Kosova dhe Shqipëria falë politikanëve, që për një votë, do të ndryshonin bindjet fetare tri herë në ditë. Dhe pa dyshim, kjo do të ketë pasoja për shoqërinë.

Bota do të jetojë në paqe prej atij çasti kur pranojmë divesitetet, kur nuk përpiqemi të ndryshojmë tjetrin sipas bindjeve tona, sepse palumturia dhe fatkeqësia nisë aty ku përpiqemi të ndryshojmë sipas pikëpamjeve vetjake, botën dhe jo veten. Dëbimi i religjionit nga shteti, ka mundësuar këtë paqe në Perëndim dhe mirëqenie. Sepse religjioni për mijëra vjet nuk ka ndikuar në lumturinë e njeriut, por në rritjen e mjerimit dhe luftërave. Të gjitha zbulimet që janë bërë në këtë botë, që kanë ndikuar në lumturinë e njeriut, janë bërë nga dijetarë, e nuk janë zbuluar e nuk do të zbulohen kurrë aty ku falen besimtarët. Një libër ka mjaftuar në kohën e shpatës, sot mijëra janë pak.

Deutschlandfunk njofton se Madagaskar ka vetëm 13 psikiatër. Për 22 milion banorë. Atje nuk i besojnë sëmundjeve shpirtërore, por besojnë siç i mësojnë priftërinjtë se janë poseduar nga djalli. Me kurimin e skizofrenisë dhe paranojës merren njerzit që kanë mësuar vetëm një libër. Priftërinjtë merren me shërimin e tyre duke mbajtur biblën në dorë dhe dhe duke u marrë me ekzorcizëm. E kush përfiton ga kjo? Priftërinjtë. Aq sa më injorant populli, aq më mirë për ta. Aq sa më injorant populli, aq më të pasur teologët. Nuk mund të gjendet një prift apo një imam, që ndan mjerimin me të mjerët, që falë gjysmën e rrogës së vet të varfërve, sepse dëshiron të shkojë në parajsë. Pra, në këtë botë, nga shumë ideologji këmbëngulet që njeriu të mbetet i padijshëm, sepse padituria është burim i mirëqenies së klerikëve.

Ekstremizmi fetar domethënë vdekje. Pranimi i diversiteteve domethënë paqe në mes popujve.





Keine Kommentare: