"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

24.03.2015

Një tokë, një politikë antipopullore dhe një zhgjëndërr, gazeta SOT

Sloganin plakarec “një tokë, një popull, një ëndërr” e shpjeguan edhe si nismë të bashkimit. Nëse nuk lexohet si duhet, atëherë mund t' i jepen edhe konotacione ambivalente. Ja mirëpo domethënia e atij mendimi: një “Tokë” nuk mund ta kundërshtojë njeri. Nuk është një fjalë e zgjedhur me naivitet. Nuk është mënjanuar pa arsye fjala „komb”, por nuk është shtuar pa motiv fjala ”popull.“ Në sistemin tonë diellor kemi vetëm një tokë të banueshme. Me atë postulat sugjerohet se kemi vendosur të mbetemi këtu: nuk do të mërgojmë në një planet tjetër. Ky është lajm i mirë. Për ndonjë politikan nacionalist të Ballkanit edhe i keq. Mirëpo me fjalën “një tokë”, shkrepësit e idesë, kanë dashur qëllimisht të krijojnë asociacion me truallin dhe trojet. Një “atdhe” nuk kanë futur në krye të sloganit sepse do të perceptohej si nacionalizëm. “Toka” mirëpo mund të krijojë një shoqërim semantik edhe me truall dhe troje në gjuhën shqipe. Këtu kemi një manipulim të logjikës me paramendim. Si në kohën komuniste. Pra me ato pak fjalë synohej një shigjetë e Kupidit qytetarëve brenda, por duke pasur shpjegimin tjetër të gatshëm, nëse alarmohet dikush jashtë. “La terre”, “die Erde” apo “earth”, nuk ka ngarkesë semantike për të shqetësuar francezët, gjermanët, italianët apo popujt që flasin anglishten. Kjo fjalë nuk u krijon kokëçarje. Mu ashtu siç i linte mospërfillës parulla ndërsyese dhe nxitëse: „Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni!“

Zgjedhja e fjalës “popull” është menduar mirë dhe ka dy qëllime. E para të shërbejë si sedativ ndaj Serbisë, pak edhe t' i provokojë, e dyta të mos prodhojë mundësi edhe keqinterpretimi në Bruksel. Ata mirëpo që kanë urrejtjen ndaj shqiptarëve, do ta shpërfillin nocionin popull dhe ngatërrojnë qëllimisht me kombin dhe do të apelojnë për të penguar procesin e bashkëpunimit. Madje serbishtja nuk posedon fjalë të veten për nocionin komb, por si sinonim përdoret edhe fjala popull, kur evitohet përdorimi i neologjizmit “nacija.” Pengesa bashkëpunimit shqiptar nuk do t' i bëhen vetëm nga jashtë me zell, por me shumë pasion edhe nga brenda. Ata që jetojnë në iluzione dhe dëshirojnë bashkimin me çdo kusht, edhe ata fjalën “popull” do ta zëvendësojnë me fjalën „komb” dhe uji do të rrjedhë në drejtimin që ata dëshirojnë.

Një Ëndërr” nuk ka nevojë për shpjegime. Europianët e zhvilluar kanë ëndrra tjera, si psh.: si ta ruajnë dominimin industrial në botë, si ta eksportojnë civilizimin dhe demokracinë, si ta ruajnë nivelin e universiteteve, si t' i përforcojnë tutje mekanizmat të shtetit ligjor, si ta ruajnë apo ta rrisin punësimin, si ta ruajnë apo rrisin lumturinë dhe, si ta ruajnë apo rrisin ndikimin dhe varësinë e të tjerëve në botë.

Ne nuk kemi shpallur “Ëndërr“ zhvillimin, arsimimin, emancipimin, barazinë gjinore, iluminizmin, shtetin ligjor, gjykata të pavarura, zhdukjen e korrupsionit, zhdukjen e kriminalitetit, krijimin e vendeve të punës, pagimin e tatimeve, fakultete me moral, jo të përdala siç i kemi, akademi të moralshme, jo si shtëpi publike, siç janë. Ne kemi vetëm një ëndërr të madhe shpalosur gjatë një tubimi të dy qeverive, e kjo është: si të integrohemi në BEE, si të rrisim emigrimin dhe zvogëlojmë kështu papunësinë.
Në fakt shumë politikanë shqiptarë kanë vetëm dy ëndërra: si të ruajnë pozitën dhe si të bëhen milionerë. Në Europë nuk mund të integrohen shtete me administratë fisnore. Me gjykata e gjykatës kukulla. Me fakultete dyqane dhe akademi, që i ngjajnë pijetoreve.

Në këtë Tokë pra, në BEE bashkohemi si një popull europian dhe bashkimi bëhet aq sa me Shqipërinë, po aq edhe me Serbinë. Kjo është rruga europiane: shndërrimi i armiqve në miq. Europa nuk financon nacionalizmin. Këtë e kanë kuptuar dy qeveritë tona, por me slogane përpiqen të krijojnë iluzione. Vendet e Ballkanit nuk kanë as kaçik intelektual, as kaçik ekonomik, as industrial, as ushtarak pët të caktuar rregulla, por duhet të respektojnë rregullore, që u imponohen. Atë fuqi që ëndërrojnë disa vende të Ballkanit, sot në BEE, nuk e ka asnjë shtet. As shtetet e mëdha. Europa është kompromis i popullit europian.

Ai takim ishte thjeshtë një tentativë bashkëpunimi në kornizat që lejon BEE. Lajtmotivi kishte parasysh vetëm hedhjen e pluhurit syve. Kosova ka më shumë shkëmbime tregtare me Serbinë se sa me Shqipërinë. Aty synohej një baraspeshë. Asgjë më shumë. Dhe, prej 11 marrëveshjeve, së paku gjysma pas një jave do të shpërfillen, do të harrohen, do të zhduken nëpër sirtarë. Ashtu si zhduken disertacionet e doktoraturave. Ndoshta nuk duhet dyshuar shumë tek vullneti i Shqipërisë, por tek aftësia e administratës kosovare. Kosova nuk ka administratë funksionale shtetërore. Ajo për fat të keq ka një administratë që shtiret të jetë administratë, që ka dëshirë, por jo njohuri përkatëse, e as vullnet për t' u përmirësuar, as dashuri ndaj shtetit. Atje trajtohet shteti i Kosovës më keq se sa shteti jugosllav dikur. Apo më qartë: më shumë respekt është treguar ndaj shtetit jugosllav se sa ndaj shtetit të Kosovës. Nëse imagjinojmë Kosovën si një pulë, atëherë na shfaqet një imazh i një pule të ndukur dhe çndukur: pa asnjë pupël duke u dridhur nga të ftohti.

Parulla “Një tokë, një popull, një ëndërr” i ngjanë edhe fletërrufeve komuniste: “Marxi, Engelsi, Lenini.”Edhe ata që urdhëronin shkrimin e atij slogani, nuk kishin pasur kurrë kapacitet intelektual për t' i kuptuar dy të parët. Prandaj mund të pohohet se edhe ata bonzë ulur rreth asaj tryeze me dymbëdhjetë yje europiane, nuk kanë kuptuar mesazhin, që u përmend më lartë.

Nëse bazohemi në realitetin shqiptar, një tokë, një popull, një ëndërr, mund të thuhet se sugjeron edhe këtë: përpiqemi të krijojmë kushte për t' u mundësuar daljen jashtë. Theni qafën ku të doni në këtë tokë. Vende të punës nuk mund të krijojmë. Është vjedhur shumë viteve të fundit. Investitorë, nuk mund të sjellim. Kemi administratë bashibozuke. Toka është e madhe, e rrumbullakët dhe po përpiqemi të krijojmë mundësi legale për të krijuar lehtësi transferimi. Prej Letonie, deri Qipro. Prej Europe deri në Australi.
Nga gjendja e mjerë ekonomike mund të na gjeni kudo në botë, prandaj e zgjodhëm “një tokë” në dispozicion të këtij popull, sepse ka një ëndërr të madhe t' ia mbath sa më shpejtë nga politikat antipopullore në vendet tona: një tokë, një politikë antipopullore dhe një zhgjëndërr.

Pra ai mendim nuk është postulat bashkimi, por një slogan për ta ushqyer me ëndrra nacionalizmin. Ne nuk kemi qeveri që mund të bashkojë vende. Madje as qeveri që mund të mbajnë rregull në vend. Ne praktikisht nuk e dëshirojmë bashkimin, por kemi vështirësi ta pranojmë realitetin. Nuk e kemi ndërmend të bashkohemi, sepse me më shumë afsh punojmë kundër shteteve që kemi, se sa për ruajtjen e tyre. E fundi i fundit, si të bashkohemi? Kemi dy shtete, ku edhe në Universitetet dhe Akademitë nuk ka pikë morali dhe shiten tituj si në pazarin e kafshëve. Kur në ato institucione nuk kanë njerëzi, shoqëria është në krimbje e sipër. Ata që nuk vërejnë këtë, ata kanë nevojë për rehabilitim dhe terapi...

Gazeta SOT


Keine Kommentare: