"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

15.06.2015

Krimineli, terroristët, pushtuesi dhe nostalgjiku i periferisë, gazeta SOT


Kur një njeri merr një armë në dorë dhe vret një tjetër, quhet vrasës ose kriminel. Dënimi mund të jetë i përjetshëm, me ekzekutim apo më shumë se 15 vite. Varet se në cilin vend të botës ndodh krimi. Kur disa veta marrin armët në dorë dhe vrasin disa civilistë, ushtarë apo policë, quhen grup i organizuar terrorist. Ata mund edhe të vriten në vendngjarje ose të vendosë gjykata për ta. Grupi terrorist zakonisht ka edhe një emërtim, formulojnë kërkesa, kanë ideale, që u besojnë dhe përpiqen të rrëzojnë një qeveri dhe krijojnë të veten. 
Nëse ky grup ka sukses, atëherë qeverinë e rrëzuar e arreston, e likuidon apo e dëbon nga vendi. Nëse nuk mundet, atëherë ndodh e njëjta me ta, çfarë kishin paraparë për kundërshtarin.

Në të kaluarën, kur një fis i madh me shumë banorë kishte një njeri më të zgjuar, më të fortë, më finok, që mendonte se duhej të nënshtronin fisin tjetër, atëherë nisnin prodhimin e shpatave, shtizave, thikave dhe armatosnin pjesën vitale të popullsisë dhe sulmonin. Nuk e bënin ata nënshtrimin e fisit tjetër, nga dashuria ndaj tyre, por nga lakmia. Populli nënshtruar rendimentet nga bujqësia dhe pasuritë tjera që kishte, duhej t' i ndante me pushtuesin. Pushtuesit nuk janë shoqata bamirëse. Fisi që kishte nënshtruar fisin tjetër, për të shpërblyer ushtarët e vet, urdhëronte dhunimin e grave dhe masakrimin në masë të të rriturve dhe kështu ishin të sigurt, se për një periudhë, dobësohet rezistenca. Për ta bërë këtë nuk nevojitej mençuri e jashtëzakonshme, por një ide, një udhëheqës, shumë njerëz të nënshtruar të aftë për të vrarë dhe për të vdekur; shumë farkëtarë dhe natyrisht, prania e metaleve në atë vend apo në vendin e pushtuar.

Me kalimin e kohës fisi i nënshtruar pranon pushtetin e kriminelit, që kishte vrarë, prerë koka në masë dhe dhunuar gra në masë, dhe ky nuk kënaqet me tokat dhe njerëzit në pushtetin e tij, por vazhdon me pushtime tjera dhe quan veten Perandori. Ashtu si edhe hajni, që nuk ngopet me një vjedhje,  lakmia nuk lejon edhe sunduesin të ndalet, sepse ai në fakt flijon jetën e të tjerëve në emër të një ideje. Nëse krimineli i parë që vret një njeri, quhej vrasës, kur merr formën shtetërore, atëherë quhet pushtim, sepse legjitimohet me një strukturë horizontale dhe vertikale, ushtarake dhe administrative taksambledhëse. Me pushtimin zakonisht nuk përparon i pushtuari, përndryshe ai do të quhej humanist, por përparon pushtuesi duke asimiluar, duke marrë çdo gjë që gjen të përdorshme në vendet e pushtuara. Pallatet ndërtohen në qendër të pushtuesit, armët prodhohen aty, por nga populli i robëruar merret çdo gjë me vlerë, madje edhe fëmijët dhe njerëzit e dijshëm.

Nga vrasja e të parit hidhet në pikëllim një familje, kur sulmon fisi që dëshiron të shndërrohet në mbretëri, atëherë vuan një popull kolektivisht. Për të fortin, me një përjashtim në këtë botë, nuk ka ekzistuar dënim kolektiv. Dënimin kolektiv ka marrë vetëm Gjermania dhe është më kritike ndaj të kaluarës së vet, se sa kritikojnë ata që e kanë pësuar. Vrasje barbare janë bërë që nga koha e perandorive të para në lashtësi dhe do të bëhen edhe në të ardhmen, por shpirtligësinë e vet nuk kanë paguar shumë prijës ushtarak dhe kanë vdekur me merita pse kanë vrarë, pse kanë sakatuar, pse kanë dhunuar shumë gra dhe pse kanë prerë shumë fëmijë. Tek popujt me ndërgjegje të ulët, ata sundimtarë konsiderohen shëmbëlltyra nacionale dhe për plojat e tyre përkujtohen me emër nëpër kazerma, universitete, shkolla dhe rrugë.

Aq sa më shumë që zgjat pushtimi, aq më shumë i robëruari kthehet me kulturë dhe emancipim prapa, (sa edhe diskriminimin brenda shtëpisë, konsideron burrëri) sepse ai nuk ka njerëz që mendojnë për veten, që shkruajnë për veten, por janë në shërbim të shtypësit dhe ai tregohet zemërgjerë, kur i shtypuri bëhet më patriot se zaptuesi. Kjo është mënyra më e sigurt për të depërtuar në majat e shtetit pushtues. Ata edhe kur depërtojnë, punën e parë që bëjnë, është mohimi i origjinës dhe sjellja me të vetët më keq, se sa ishte sjellë pushtuesi. Ai nuk toleron rebelim në vendin e vet, por e nënshtron, e zbut më keq se i huaji në fillim. Ai njeh popullin e vet më mirë, njeh dobësitë e tij më mirë dhe ashpërsia e tij është tmerrshme.

Tek popujt që kanë kaluar një kohë të gjatë nën pushtim hedhja në prehër të huaj, vazhdon edhe pasi të jenë çliruar. Në psikologjinë e tyre u mungon tutori, babai nga i cili do të kishin frikë, nga i cili do të dridheshin dhe ata nuk janë në gjendje ta përjetojnë lirinë edhe pasi ta kenë fituar atë. Ata me lirinë e fituar sillen më keq se kur u mungonte. Ata vazhdojnë me vjedhjen e kombit të vet, ashtu si i kishte zhvatur pushtuesi. Ata sillen me shtetin e vet, ashtu si ishte sjellë pushtuesi me synimet e tyre për shtet. Në fakt aty simbolikisht mungon pushtuesi, por me ide dhe praktikë është i pranishëm në të gjitha shtresat, në të gjitha fushat. Ata edhe në paqe nuk kanë dinjitet, në fakt më shumë sedër, ndërgjegje dhe virtyte tregojnë në kohën e nënshtrimit, se në epokën e lirisë. Ata sillen si një vogëlush, që ka humbur t'atin dhe me lot në sy kapet për këmbën e çdo burri, që gjen pranë vetes duke piskatur:”babiiiii.”

Pra nëse një njeri quhet vrasës pse vret një njeri, pushtim quhet kur nga një grup shumë i madh i kriminelëve, duhet mbrojtur njeriu shtëpinë e vet: lirinë e vet. Asnjë popull nuk ka nevojë të pushtohet nga një popull i huaj. Pushtim domethënë prania e një njeriu të armatosur në shtëpinë tonë, që me shantazh dhe kërcënime, na detyron të sillemi, ashtu si i konvenon atij. Pra ai futet në tokat e huaja, ndërton kazerma, rekruton polici apo ushtarë dhe nisë zhdukjen e kulturës, që gjen aty dhe proklamon të veten si mbikulturë, si qytetërim që për perspektivë, duhet ndjekur. Zvarranikët janë të parët që i përshtaten dhe konsiderohen skllevër të ndershëm. Vendasit e parë që depërtojnë në atë pushtet, janë tradhtarët e parë që mburren me pushtuesin. Në të vërtetë të gjitha ata që fitojnë poste tek pushtuesi janë tradhtarë, sepse ata edhe pse kanë pozita, nuk bëjnë asgjë të mirë për popullin e origjinës. Përjashtim mund të bëjmë vetëm ata që kanë dhënë kontribut për popullin e vet. Enver Hoxha na jep një shembull të madh se çfarë domethënë, kur sundohesh nga vetvetja. Ishte diktator, ishte i ashpër, ka vrarë shumë veta pa faj, por emancipoi Shqipërinë dhe arsimoi më shumë se Perandoria Romake, më shumë se Bizanti dhe më shumë se Perandoria Osmane, shkurt e shqip, më shumë se tre perandoritë e huaja marrë së bashku. Ato e kishin lënë Shqipërinë edhe pa shkolla fillore, Enveri la edhe Akademi, Universitete dhe një sovranitet të sigurt.

Ka njerëz që adhurojnë edhe një kriminel. Ka njerëz nostalgjik të pushtimit romak, ka njerëz nostalgjik të pushtimit bizantin, ka njerëz nostalgjik të pushtimin osman, ka njerëz nostalgjik të pushtimit serb dhe ka njerëz nostalgjik të diktaturës, por për fat të mirë, ka më shumë qytetarë, që jetojnë kohën e tashme dhe nuk janë varur në ndonjë varëse të shekujve të kaluar, ku përtypen idetë e periudhës së tretur duke shpresuar se do të rikthehet ajo epokë, siç bën periferia sot. E kaluara nuk ka pasur kurrë forcë në histori të kthehet dhe rrënojnë të tashmen, ajo është përpjekur, siç bëri diktatura, por ka dështuar siç dështon çdo sundim, që bazohet në pezullimin e lirisë, dinjitetit të njeriut dhe barazisë në mes njerëzve dhe gjinive. Perandoritë e shpërbëra në një parregullsi rastësore, nuk rindërtohen kurrë, por zëvendësohen nga tjerat, prandaj patrioti romak, patrioti bizantin, patrioti osman, patrioti jugosllav dhe patrioti komunist, do të shohin ëndrra, do të analizojnë makthe, do do të shqyrtojnë komplote, do të sjellin konkluzione, do të adhurojnë dhe përkulen para pushtuesit të vet, por dëshirat e tyre nuk do të përmbushen kurrë, sepse kalendari nuk zbythet. Sidoqoftë, demokracia është rend human, që toleron periferinë e traumatizuar të shpresojë se një ditë gërmadhat do të bëhen kështjella dhe pallate.
E kaluara nuk duhet të shërbejë pët ta rrënuar të tashmen, por duhet të jetë mësim si jetohet me dinjitet.






Keine Kommentare: