"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

14.06.2015

Miratimi mazohist i gjykatës, gazeta DITA

Administrata e Kosovës nuk përforcohet me gjykata jashtë saj, por me gjykata brenda saj. Gjykata speciale nuk është vetëm rezultat i gjyqtarëve zvarranikë në gjyqësinë kosovare, por flet edhe për dështimin e Perëndimit për të ndihmuar në ndërtimin e shtetit dhe tolerimin e kleptokracisë. 

Për këtë nuk kanë faj vetëm politikanët e Kosovës, që duhej gjykuar brenda, jo pse dëshiron Serbia, por pse kanë shkelur ligjet e shtetit të vet, pse kanë vjedhur ekonominë e vet, pse kanë dëmtuar sovranitetin e shtetit të vet, pse kanë lejuar bashkëpunimin ekonomik dhe siguruar vendet e punës vendit, që nuk pushon me poshtërimin e shqiptarëve, pxase kanë falur funksione mediokriteteve dhe krijuar një shoqëri të pamoralshme, ku askush askujt nuk i beson dhe pse mësuan politikën duke u paguar si politikanë, çfarë nuk ishin dhe nuk do të bëhen kurrë. 

Kosovës i duhen politikanë që mbrojnë interesat e qytetarëve, por jo politikanë që me injorancën e tyre ndihmojnë revanshizmin serb, sepse kryetari serb që ofron autonomi, flet seriozisht për deficite mendore në politikën serbe.

Thaçi meriton që Mustafa t’ ia themelojë gjykatën duke e përligjur si fytyrëlarje. Kjo quhet në budizëm karmë. E meriton Thaçi edhe për krijimin e simboleve poçavër dhe denacionalizimin e shtetit me popullsi gati homogjene. E meriton për atë se si ndërtoi shtetin, si toleroi rekrutimin e rinisë në luftën vëllavrasëse tek arabët dhe meriton, pse shefi i rekrutuesve Naim Tërnava, gjendet akoma në krye të BIK, e jo para gjykate. E meriton Thaçi sepse toleroi shumë eksperimente në Kosovë dhe në kurriz të popullit.

Pra Thaçi e meriton edhe për tolerimin e haraçit në Kosovë, edhe për pazar- fakultetet, por jo për rezistencën ndaj një pushtuesi, që dëboi 800.000 veta, dhunoi 20.000 gra, që vrau 13.000 fëmijë, gra, pleq, plaka e të rinj dhe që demoloi Kosovën. Nga një popull i terrorizuar gati jë shekull, nuk mund të priten gjithmonë reagime racionale, si nuk mund të evitonte edhe NATO vrasjen e civilistëve serb. 

Thaçi duhej hedhur para një gjykate kosovare për autonominë serbe në veri, gjersa Kosova nuk llogaritet si republikë shqiptare, por republikë e qytetarëve. Thaçi duhej hedhur në gjykatë kosovare për krimin në ekonominë e Kosovës. Thaçi dhe krejt prijësit e partive duhej akuzuar për ndihmën pasive Serbisë: për mosarkivimin e krimeve, për mosgrumbullimin e provave, për mosllogaritjen e dëmit njerëzor dhe industrial. Prijësit e partive shqiptare meritojnë së paku nga tre vjet heqje lirie vetëm për mbështetjen në heshtje të regjimit serb dhe për vazalizmin zvarranik. Të gjithë, pa asnjë përjashtim.

Gjykata Speciale do ta dëmtojë imazhin e Kosovës. E para sepse nuk shqyrtohet krimi i supozuar nga një gjykatë kosovare, e dyta sepse akuzat në një pjesë bukur të madhe të botës, do të pranohen pa asnjë rezervë, e treta sepse Dick Marti është mbështetur në nacionalizmin serb dhe në shovinizmin e tyre. Kjo Gjykatë do të nivelojë krimet serbe me ato shqiptare dhe do të ketë për detyrë të dëshmojë se intervenimi i NATO-së, ishte gabim i madh. 

Nëse fiton Serbia, pas kësaj, mund të akuzohet edhe NATO për vrasje të civilëve. Krejt popujt e Ballkanit dinë për sajesa serbe, sapo i përjetuam edhe ato maqedonasve në Kumanovë. Kosova nëse miraton Gjykatën, atëherë duhej ta bëjë me një kusht: nëse vërtetohet se shitje të organeve nuk ka pasur, atëherë t’ i mundësohet pa shqyrtim gjyqësor Kosovës, një dëmshpërblim nga Serbia prej disa miliarda eurove për dëmin e shkaktuar në opinionin publik botëror. Arsyeja? E thjeshtë, sepse akuza serbe nuk është e sinqertë, por vetëm hakmarrjeje për humbjen e luftës.

Nuk ka asnjë dyshim se për Serbinë kjo do të jetë një fitore e madhe dhe nuk ka asnjë dyshimi se ajo e frikësuar nga prezenca amerikane, vazhdon luftën e Millosheviqit me metoda tjera, por me synime të njëjta. Dokumentacioni që i është dorëzuar Dick Martit dhe cili ka pasion të madh dëmtimin e shqiptarëve, është prodhimi i shërbimeve sekrete serbe. Dick Marti ka shërbyer vetëm si zëzmadhues i nacionalizmit dhe hakmarrjes serbe.

Është në përputhje me gjakimet idealiste të njerëzve përpjekja për të ndërtuar institucione shtetërore, është gjithashtu normale të ngulet këmbë në zbatimin e ligjit, por nuk është as normale, as politikisht e drejtë dhe nuk është as logjike të aprovohet ndërtimi i gjykatës jashtë sovranitetit të vendit. As shantazhi nuk është i drejtë. Në praktikat ekstravagante seksuale, ajo dukuri njihet si mazohizëm, kur njeriu përgatit kamxhikun për vete, ose pse përjeton kënaqësi gjatë denigrimit duke u tërhequr si qen. 

Të tilla janë edhe reagimet në Kosovë. Kosovës i duhet Gjykatë Speciale për krimin pas luftës, jo gjatë luftës. Dënimet ndaj shtetit serb kanë qenë simbolike. Perëndimi kështu shpreson të largojë ndikimin rus në Serbi, por kjo nuk do të bëhet kurrë, por vetëm do të premtohet. Ashtu siç premton Putini për Ukrainën.

Përligjja e Gjykatës flet për zhgënjim të madh në popull, për hakmarrje, për pajtim me prapavijë, si dhe përfitimet që disa presin nga imazhi i rrënuar i kundërshtarit, eventualisht nga burgimi. Perëndimi duhej të ndihmonte veprat e hamendur të shqyrtohen në Kosovë, qoftë edhe me prokuror amerikan dhe Kosovës i duhet shtet real brenda, jo hije shteti jashtë. Ata që mendojnë se Gjykata do të shfajësojë pjesëtarë të UÇK- së, gabojnë qëllimisht, ose nga qëndrimi prej duduku apo nga ndjenja e hakmarrjes. 

Nuk është detyrë e Gjykatës të shpallë njerëz të pafajshëm, por Gjykata ka për detyrë të shqyrtojë burgosjen. Në mungesë të provave, ata edhe mund të lirohen, por nuk domethënë se janë të pafajshëm. Pra, lirimi eventual nga akuza, nuk flet për pafajësi, por edhe për pamundësi për t’ u burgosur bazuar në provat, që çuan tek shqyrtimi kryesor. Prej atij çasti kur gjykata aprovon hapjen e procedurës, bëhet fjalë për dyshime të bazuara. I pafajshëm në fakt është vetëm ai që nuk detyrohet të shfaqet në Gjykatë. Gjykatat nuk merren kurrë me shqyrtimin e të vërtetave, por me akuza që duhet të dëshmohen. 

Një gjë mirëpo mund të konstatohet në popull: sjellja e liderëve të UÇK-së ka ndikuar që pas luftës, të zhduket në masë të madhe respekti ndaj tyre. Shumë njerëz mezi presin arrestimin e tyre, thjeshtë sepse ata nuk kanë bërë politikë nacionale, por janë pasuruar vet dhe kanë krijuar një kaos në mendimin shqiptar, në psikologjinë kolektive shqiptare. Kosova nuk funksionon si shtet, Kosova është bërë ankedotë. Besimi tepër i madh ndaj të huajve, përkulja e tepërt, ka prodhuar këtë gjendje, ku të nënshtruarit qeverisin.

Dihet se Kosova nuk mund të akuzojë në një gjykatë ndërkombëtare, por ka mundur të dorëzojë aktpadinë në Gjykatën për Krime të Rënda në Beograd, me avokat nga bota. Meqenëse Kosova qenka e tyre, atëherë ata duhet të dëmshpërblejnë qytetarët e vet për më shumë se 100.000 shtëpi të rrënuara, për 20.000 gra të dhunuara dhe mijëra të vrarë dhe jo t' i lejohet hapësirë nga krimineli, të shndërrohet në akuzues. Tani ajo Serbi, që nuk shpreh keqardhje për vrasje dhe masakra të qytetarëve, që edhe sot i konsideron të vet dhe u lëshon pasaporta, ajo Serbi fal lobit serb si nga Kosova, ashtu dhe nga jashtë dhe e ndihmuar tepër shumë nga shteti fisnor i Thaçit, ka ndikuar në rënien e empatisë në Perëndim dhe ka bërë poçavër imazhin e Kosovës. 

Si është sjellë Kosova pas lufte, po t' ishte sjellë ashtu para lufte, Perëndimi nuk do të kishte intervenuar kurrë. I gabueshëm është edhe mendimi i Qosjes se kultura mund të përmirësojë imazhin e Kosovës jashtë. Kultura ka një ndikim krejt të kufizuar në krijimin e opinionit, në krahasim me lajmet që vijnë nga Kosova publikuar në faqen e parë të gazetave. Edhe zhgënjimi tij me lexuesin dhe se po lexohet pak është i gabueshëm. Për të lexuar dhe për të pasur lekë për të blerë një libër, nevojitet një standard jetësor, një pagë stabile dhe hyrje të rregullta. Nuk mund të akuzohet për moslexim një popull, që telashe përditshmërie ka mbijetesën.

Arsyetimet e Isa Mustafës se “Gjykata do ta pastronte luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, janë mendime demagogjike. Gjykata nuk ka kompetencë për të pastruar njerëz, por për të burgosur. Dhe nuk është i bindshëm mendimi tij se “do ta kthente Kosovën 16 vjet pas pasi që këtë të drejtë do ta marrë Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).” Kosova nuk ka vendosur as për ushtrinë e vet, , as për flamurin, as për himnin dhe nuk vendosë për asgjë, pse vendimi për të gjykuar vetveten qenka shprehje e sovranitetit, por jo paliria për t' u bashkuar me Shqipërinë apo për të themeluar armatën? 

Edhe Kadri veseli dhe Xhavit Haliti janë të bindur se Gjykata Speciale do të merret me pastrimin e UÇK-së, ose siç shprehet Rrustem Mustafa-Remi, do të dalin faqebardh. Këto mendime naive mund të rrëfehen në kopshtin e fëmijëve.

Mirëpo në fund dhe një pyetje: cili shtet do të sulmonte Shqipërinë dhe Kosovën nëse Kuvendet tona aprovojnë bashkimin? Si do ta pengonte këtë akt Perëndimi? Me bashkimin i hiqet Kosovës lufta për pranime, për sovranitet, çfarë në fakt nuk e ka dhe futja në përdorim të lekut, do të ndikonte në ngritjen e ekonomike, sepse një euro i fortë, është shkatërrues për ekonomitë në zhvillim. 

NATO është në Kosovë dhe Serbia nuk do të guxonte të sulmojë, nëse Erdogani është mik i vërtetë, do të pengonte Greqinë dhe bashkimi përfundon brenda javës dhe anulohen dhjetëra probleme dhe telashe. Sepse para se të bashkohemi me BE, duhet bashkuar me vetveten. Kjo do të ndikonte në zhvillimin ekonomik dhe qetësonte përgjithmonë Serbinë dhe Greqinë. Do t' i shërbente paqes në Ballkan. 

Bashimi shqiptar është edhe në interes të SHBA-ve, NATO-së dhe BE-së. Nëse bashkimi i dy Gjermanive ishte i drejtë dhe i mirë për Europën, atëherë nuk mund të jetë i gabueshëm bashkimi i dy shteteve shqiptare. Tani është çasti historik dhe ky çast duhet shfrytëzuar duke kërkuar pajtimin amerikan dhe një pyetje Gjermanisë: pse bashkimi i dy shteteve gjermane është i drejtë dhe pse mosbashkimi i shqiptarëve është i drejtë?

Gjykatën le ta themelojë Këshilli i Sigurimit, por të kërkohet pajtimi nga ai që mund të dënohet, është metodë e Kalifatit, ku njerëzit para se të ekzekutohen, detyrohen të groposin varret e veta.

gazeta DITA







Keine Kommentare: