"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

23.07.2015

Sirtaki apo valsi? Gazeta SOT

Shtypi gjerman bënte të ditur se Greqia kishte pasur më shumë se 767.000 nëpunës në administratë, por pak më shumë se 250 punonjës si inspektorë të financave, që merren me mospaguesit e taksave. Gjithashtu njoftohet se iu falën Greqisë vitin e kaluar 190 milion euro për ta ndërtuar administratën e kadastrës, që Greqia nuk e poseduaka. Paratë janë vjedhur u tha në televizionin publik në një debat, por administrata nuk është krijuar.

Borxhet greke kapin shumën marramendëse prej 317 miliardave. Kjo shumë nga ekonomia greke nuk mund të kthehet kurrë. Këtë dinë edhe huadhënësit, por sigurisht qëllimi tyre nuk do të jetë të shlyhen borxhet dhe ndihmohet Cipras me aleancën e tij të çuditshme nga dy spektre ekstreme zakonisht të pappajtueshëm në mes vete.

Vendet e Europës perëndimore besojnë se ajo që firmoset, edhe zbatohet. Kështu mirëpo shpesh nuk funksionon fiqiri i Ballkanit. Dihen mirë nënshkrimet e Millosheviqit, që akoma pa u tharë boja në letër, shkelej marrëveshja. Një popull me diku njëmbëdhjetë milion banorë, ndoshta me dy milion banorë të rinj dhe të papunë dhe ndoshta diku me dy milion pensionistë, ka apo kishte gati 800.000 nëpunës në administratë. Nëse supozimi prej katër milionëve të rinj dhe pleq mund të merret si përafërsisht i vërtetë, atëherë në administratë punon diku çdo i nënti grek, pra që nuk prodhon, që nuk shet gjë, por duhet paguar nga taksapaguesi, që detyrimin ndaj shtetit nuk e merr aq seriozisht.

Populli grek i ka borxhe shtetit 76 miliardë euro. Nëse i shtohet atij numri edhe numri i pensionistëve të parakohshëm, atëherë borxhi mund të kapet me shqisa. Nëse asaj armate burokratësh i shtojmë edhe kishën greke të privilegjuar, që nuk paguan taksa dhe nuk jep asnjë kontribut material për shtetin grek, atëherë mund të merret deri diku me mend arsyeja e fundosjes, por kjo nuk është krejt, qe raportuar më herët edhe për diku 10.000 pensionistë të vdekur, por pasardhësit e tyre merrni pension e të ndjerëve. Pastaj duhet shtuar edhe privilegjin e ujdhesave dhe investimet në armatën greke me përqindje më të madhe se të Gjermanisë.

Kjo domethënë se populli grek me vite u mësua të jetojë, jo nga puna e vet, por nga borxhet. Kryesisht nga viti 2010 e këtej. Në kohën e drahmës problemi i mungesës së parasë mbulohej me shtypjen e kartëmonedhave, siç bënte edhe Italia, Spanja, Portugalia...Tani banka gjendet në Frankfurt dhe nuk mund më shtypen si dikur. Praktikisht euro ishte dëmtues për ekonomitë me administratë jo solide dhe jo efektive, ku shtetin përjetojnë si vetëshërbim. Kjo kryesisht në vendet e Europës juglindore. Mund të thuhet se në vendet veriore të Europës, shteti konsiderohet si baba i dytë, që ka për detyrë mirëqenien kolektive, ndërkaq në Ballkan shteti përjetohet si lopë apo si buallicë që duhet mjelë: aq sa më afër lopës, aq edhe më të pasur dhe aq më shumë të mbushur kavanozët.

Euro jo vetëm se ka dëmtuar ekonomitë të tilla, por edhe ka ndikuar në rritjen e çmimeve, pra ka dobësuar standardin e jetës. Gabimi tragjik ishte pranimi i euros nga ekonomitë, që nuk janë rregulluar si ato të Europës veriore. Europa juglindore nuk është mësuar si ajo veriore të zbatojë ligjin. Euro nuk ishte vendim ekonomik, por thjesht politik i parahedhur dhe imponuar nga ndërmarrjet e mëdha. Edhe në Gjermani euro ka ndikuar në rritjen e çmimeve. Sot kushton gati 11 DM një paketë cigare dhe benzina 3 DM apo më shumë. Me DM kjo do të kishte qenë e pamundur.

Greqia vështirë të shpëtohet. Do të marrë akoma kredi dhe një ditë duhet t' ia falin të gjitha dhe mjaft që të mos kërkojë më, por sigurisht kjo qeveri nuk do të jetë. Populli grek gjendet para një beteje të madhe për të mësuar shtetin modern. Dhe, kjo nuk bëhet brenda një viti apo dekade. Iu bashkëngjitën euros me manipulime, duke menduar se do të braktisin mendësinë ballkanase, por siç mund të pranohet apo vidhet monedha, nuk mund të përvetësohet dhe mendësia.

Dikur Greqia kërcënohej me daljen nga euro, kur ministri i financave gjermane kërkoi, ata u barrikaduan për mbetje. Cipras mbajti referendum për të refuzuar kërkesa më pak të ashpra, tani firmosi urdhra më të rënda dhe,  edhe pse e votuar në Kuvend, nuk do të zbatohet as kjo marrëveshje. Ai bindi popullin të mos pranoheshin kushtet, tani përjashtoi funksionarët që ishin kundër marrëveshjes së parë dhe të dytë. Mbajtja e referendumit ishte një reaksion populist majtist. Nuk është logjike të mbahet referendum për paratë e huaja. Edhe ata që garantojnë apo ndihmojnë Greqinë, edhe ata kanë popull pas vete dhe nëse do të pyeteshin, Greqia do të përjashtohej jo vetëm nga monedha e përbashkët. Marrëveshja mirëpo nuk do të zbatohet për mijëra arsye, por edhe për arsyen e thjeshtë se kanë firmosur të detyruar, jo pse kanë dëshirë vërtetë të ndryshojnë diçka. Derisa Greqia nuk kërkon fajet brenda vetes dhe akuzon të tjerët, nuk do të jetë në gjendje ta ndryshojë zakonin.

Për Ballkanin dhe veçanërisht për Shqipërinë shpëtimi i Greqisë është pjesë e interesit nacional. Falimentimi grek nëse nuk sjell një çrregullim më të madh, mund të ndikojë edhe në dobësimin e ekonomisë shqiptare dhe rritjen e papunësisë.

I vetmi shpëtim për popullin grek është drahma, meqenëse këtë herë nuk u pranua propozim i ministrit gjerman të financave, Schäuble, Greqia pas tre viteve do ta kërkojë vet. Dhe, në gjithë këtë krizë nuk ka fajë vetëm ai që ka marrë lekë, por edhe ai që ka dhënë duke njohur sistemin administrativ dhe privilegjet në Greqi. Tani është vonë të kërkohet fajtori, Greqia gjendet në komë dhe duhet shpëtimi saj, por as Zeusi nuk do të dinte si të shpëtohen helenët e lazdruar.

Gati 317 miliard euro borxhe. Për kokë banori Greqia ka 28.836,52, ose 173 % të bruto prodhimit . Të ardhurat për kokë banori janë 16.578. Italia ka më shumë se 2.000 miliarda borxhe. Borxhet e shtetit në përqindje të bruto prodhimit: 132%. Të ardhurat vjetore për banor 26.793. Franca ka gjithashtu më shumë se 2.000 miliarda borxhe. Përqindja e borxheve 95 % e bruto prodhimit. Të ardhurat vjetore për banor 32.917. Spanja më shumë se 1.000 miliarda. Borxhet e shtetit në përqindje të bruto prodhimit 98 %. Të ardhurat për kokë 23.091 euro. Austria 285 miliarda. Përqindja e borxheve sipas bruto prodhimit 85 %: Të ardhurat vjetore për kokë banori 39.076. Gjermania ka mbi 2.000 miliardë. Në përqindje të bruto prodhimit 72 %. Të ardhurat për kokë 36.695. Portugalia ka më shumë se 224 miliardë. Borxhi shtetëror në përqindje të bruto prodhimit 127 %. Të ardhurat vjetore për banor: 16.868. Borxhet e SHBA-ve: më shumë se 18.000 miliardë...

portalin e buxheteve mund të vërehet se gjitha shtetet e Europës notojnë mbi borxhe. Ekonomistët shpesh në debate përsërisin se pa kredi, ekonomia nuk ecën para. Madje një profesor gjerman, që punon në Francë, qortoi qeverinë gjerman pse nuk merr hua 200 miliarda në vit për investime. Kur shikohen ata numra, që ndryshojnë me qindra apo mijëra euro për sekondë, dhe kur shikohet se gati gjitha shtetet e botës kanë borxhe të mëdha, atëherë mund të thuhet se po jetohet duke rrezikuar ardhmërinë dhe duke luhatur stabilitetin dhe paqen.
Greqinë mund ta shpëtojë disciplina, pagimi i taksave, puna dhe respekti ndaj shtetit, por me këto cilësi, për fat të keq, patriotët e Ballkanit, nuk janë të stolisur. Qeveria greke sillet si edhe lypsi tek një anekdotë e Voltaireit. Ata nuk duan këshilla e rekomandime, por lekë, përndryshe mbajnë referendum dhe refuzojnë kushtet, por jo paratë. Mbetet të shihet në tre vitet e ardhshme a do të mësojnë vallzimin e valsin grekët, apo do të vazhdojnë me sirtakin...

Gazeta Sot
Zëri


Keine Kommentare: