"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

01.08.2015

As dreqit nuk ia kap rradakja, Gazeta ZËRI

Rusia akuzon Ukrainën për shembjen e avionit të pasagjerëve, por me veto pengon hetimet dhe formimin e gjykatës, që eventualisht do të dënonte kriminelët. Meqenëse e paska bërë Ukraina, atërë Rusia që pengoi formimin e gjykatës, mbron atë. Fakt është se ajo ka pushtuar një pjesë të saj. Me kundërshtimin e gjykatës pranoi fajin.

Kalifati vret kurdët duke menduar se po vret armiq të Turqisë. Erdogani u kthen përgjigje me F17, jo vetëm atyre, por bombardon edhe kurdët, që luftojnë IS-in. SHBA mbështet reagimin turk, që prishi armëpushimin me kurdët, Gjermania brengoset, sepse ka 100 ekspertë ushtarakë, që stërvisin kurdët si aleat të Perëndimit në tokën e Sirisë. Sikur PKK të kishte mençurinë e Rugovës, nuk do t' i përgjigjej Turqisë me dhunë.

Opozita nuk e do Hashim Thaçin, por nuk ia mundëson themelimin e gjykatës. Nga ky qëndrim rezulton, se ata adhurojnë Thaçin, por nuk është e vërtetë, është vetëm kalkulim politik. Ata për inat të Hashimit, duan ta mbajnë Thaçin në krye të Kosovës, ku Isa Mustafa ka aq shumë pushtet, sa edhe Basha si zëvendës praktik dhe prijës teorik i Berishës.

Sipas medias IS financohet nga pompa e benzinës së Perëndimit, Arabia Saudite, por Arabia Saudite bombardon IS-in, që ka ndërmend ta çlirojë Arabinë. Kjo është politikë: Arabia Saudite dhe Kalifati respektojnë ligje të njëjta, por kanë trajtime të ndryshme.

Serbia për hyrje në BE dëshiron të përmirësojë raportet me Kosovën, por duke shantazhuar dhe penguar aty ku mundet dhe ku i dëgjohet zëri. Kosova shpreson të përmirësojë marrëdhëniet me Serbinë duke humbur suverenitetin në një të tretën e vendit.

Cipras përpiqet të bind Komitetin Qendror të partisë së vet se klasa punëtore mund të shfrytëzojë kapitalizmin.

Skender Hyseni bën apel në Gjilan që populli ta luftojë ekstremizmin fetar. Hyseni si Ministër i Punëve të Brendshme paguhet dhe ka policinë me të cilën luftohet ekstremizmi, por meqë është verë dhe policët shkojnë në pushime, atëherë populli duhet ta zëvendësojë. Populli mund të denoncojë, mirëpo nevojë nuk ka, ministri njeh të gjithë rekrutuesit, por nuk ka fuqi ekzekutive si Ministër. Në Kosovën e madhe Ministri nuk ka idenë se kush merret me indoktrinim dhe thërret në luftë popullin, siç thërriste Tito dhe Enveri për vigjilencë. Edhe ky është ministër. Ministër i Punëve të Brendshme.

Njëri nga klasikët e kombit kosovar, publicist Halit Matoshi kërkon reciprocitet me Turqinë, dmth. nëse Davutoglu shpërndan fjalor, ne duhet të shpërndajmë abetare dhe fjalorë. Si i pari, si i dyti merren me iluzione. Në kohën e internetit, njerëzit nuk kanë kohë të shfletojnë libra. Ata duan punë.

Nëse u falin lekë, këta do ta mësojnë turqishten dhe ata do ta lexojnë abetaren. Pa lekë, mësojnë një gjuhë, ku kanë ndërmend të arratisen apo që u nevojitet në jetën e përditshme. Pastaj Davutoglu është patriot osman. Ai nuk lejon gjuhën kurde të mësohet nëpër shkolla publike edhe pse janë vendas, e sa për shqiptarët, këta të Ballkanit i konsideron mbetje turke.

Gjykata Speciale si sapun dhe lëndë dezinfektuese: Ilir Meta: „Gjykata Speciale pastron Kosovën!“

Gjykatat nuk janë as hamame publike, as pishina, as dush, por institucione judikative para së cilës me një shpurë policësh sillen ata njerz, për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara. Pa marrë parasysh a del Hashim Thaçi i dezinfektuar dhe i pastër nga gjykata, politika tij qysh nga vendimi i Parlamentit Europian, ka dëmtuar Kosovën dhe është sjellë keq me shtetin, duke u treguar i epshëm, madje duke u sjellë me një indiferencë të çuditshme edhe ndaj rekrutuesve radikal. E imazhi? Imazhi do të dëmtohen aq shumë, sa vështirë të merret me mend.

Në kohën komuniste mund të kritikohej religjioni, por jo diktatura. Diktatori idealizohej dhe hyjnizohej. Në disa vende dhe në pampers-demokracitë, mund të kritikohet demokracia, por jo religjioni. Religjioni idealizohet dhe hyjnizohet. Diktaturat i imponohet popujve nëpërmjet diktatorëve të shenjtëruar, ose nëpërmjet teokracive të shenjtëruar, megjithatë, kanë një qëllim dhe zbatojnë një metodë: depersonalizimin, nënshtrimin e njeriut, komandimin dhe shndërrimin e tij një kafshë të butë, që adhuron dhe që mburret me dizgjinët psikik. Po ndëshkimet? Diktatura religjioze zezon jetën për së gjalli dhe garanton dalldinë ose fërgimin pas vdekjes. Diktatura me një njeri të hyjnyzuar, zezon të tashmen, të premton të ardhme dhe ta anulon frikën nga fërgimi i së parës, si dhe iluzionin e dalldisë.

Gabimi jonë i madh është shpresa tek Njëshi. Me këtë imagjinojmë patriarkalizmin dhe rendin. Nuk mundet Edi Rama, nuk mund të bëjë gjë Isa Mustafa, kur nuk kanë të zënë ministritë me njerëz poaq të aftë sa janë edhe vet. Ka Ministra në Kosovë, që nuk meritojnë as të jenë drejtor të një Kopshti të Fëmijëve, e as të një Kooperative Lopësh. Qeveritë në Perëndim udhëhiqen nga një skuadër e aftë, jo nga një kryeministër dhe dhjetëra karrieristë e duduk.

Murat Basha: “Po ta kisha djalin gay, do i fusja një plumb ballit!”

Nuk është i vetmi, ka edhe shqiptarë që mësojnë djalin si të hakmerret për gjakmarrje dhe të kalojë dhjetëra vite në burg. Ai që nuk do fëmijën e vet, natyrisht se mund edhe ta vrasë, apo ta shkollojë si duhet për të vrarë dikë. Mjerë ai fëmijë që ka një baba, që ka fuqi të vrasë djalin e vet, pse jeton jetën e vet ashtu si ndihet.

Nëse zoti ekziston, atëherë është kryedemokrati më i madh në univers. Jo vetëm pse ka shkruar, ose pse ka lejuar të shkruhen mijëra religjione në planetin tonë Tokë, por edhe pse ka lejuar apo pse toleron që çdonjëri të besojë se vetëm besimi tij, është i vërtetë. 

Pra,nëse ekziston ai, atëherë adhuron demokracinë. Arsyetim i mendimit: sipas profesorit David Barred (Universiteti i Regentit) në botë ekzistojnë më shumë se 10.000 religjione, 270 kanë më shumë se 50.000 besimtarë, më pak se dhjetë janë më të shpërndara nëpër botë. Më të përhapura sipas studiuesit të religjioneve Barred, janë pikërisht ato besime, që u imponuan me luftë: krishterimi dhe islami. Aq sa më paqësor një religjion, aq më pak është përhapur.

Lulzim Berisha mendon se është kryetar i Partisë Demokratike. Edhe Isa Hashimi mendon se është Kryeministër i Kosovës.

Zëri
Gazeta SOT

Keine Kommentare: