"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

27.08.2015

Ligjërimi gomaroz dhe i lopërt , gazeta Zëri

Edhe pse babë e bir, shohin Albin Kurtin deri diku ndryshe, megjithatë që të dy e hedhin në botën e kafshëve të buta, shtëpiake, që njihen për sakrifica (gomari) dhe për nga dobia dhe përqendrimi i përhershëm (lopa). Si gomari, si lopa janë gjithmonë të zymtë dhe nuk qeshen kurrë. Lopën në Indi e konsiderojnë të shenjtë. Për vlerën e saj pat shkruar edhe Migjeni. Në Zvicër i këndojnë edhe këngë. Në Kosovë shumë lopë shiten për të financuar arratisjen.

Zëvendësi praktik i Hashim Thaçit, Isa Mustafa, përjeton Kurtin si gomar. Në gjuhën shqipe gomari ka për detyrë, përveç punës, të përshkruajë njerëzit, që durojnë shumë, që mund të ngarkohen shumë, njerëzit kokëfortë, njerëzit veshgjatë, të trashë nga mendja dhe për njerëzit që punojnë kot.

Gomari mirëpo nuk dinë se ne kemi paragjykime të tilla ndaj asaj kafshe aq të dëgjueshme dhe aq vetëflijuese. Edhe pse gomari jeton dhe mbijeton nga bari, ne themi: "S' di gomari çfarë është bari!" A din Isa Mustafa, ç' është ligjërimi publik?

Kur dikush nervozohet me shoqen, por nga frika u bërtet fëmijëve, atëherë themi: "S'ka ç'i bën gomarit, i bie samarit". Kush ka shqetësuar aq shumë Kryeministrin në thonjëza?
Me një fjalët të urtë mirëpo nënvizojmë edhe sensibilitetin e gomarit:" E di gomari ku vret samari!" Isa Mustafa tregoi ndjeshmëri puberteti. Ku e vrau samari?

I biri, e përjeton Albinin si lopë. Lopa ka për detyrë të përshkruajë apo përkufizojë një njeri hajvan, të trullosur që hedhë fjalët si bagla, që kur bën muuuu,  kërkon të ethet, ose gati cofë nga uria se populli ia ka ngrënë krundet e Serbisë. I biri ka numëruar edhe simptomat e lopës së sëmurë. Një lopar, që njeh lopët aq mirë, që din t'i numërojë edhe simptoma e lopës, është shumë shpresëdhënës për ardhmërinë e Kosovës.

Një gjë mirëpo ishte mbresëlënëse: babë e bir u hodhën në sulm, mu siç parashikon kanuni. Babai madje ka titullin edhe akademik.

Babë dhe pinjoll, që shprehen ashtu publikisht dhe që dëmtojnë edukatën e fëmijëve, meritojnë një kontroll Special tek veterinari, edhe atë, të paguar nga buxheti i Kosovës. Madje duhet trajtuar edhe tek psikologu i kafshëve shtëpiake për shkak të depresionin kronik dhe buzëqeshjes së dhunshme.

Kur dikush është i trashë nga mendja, thuhet :"S'di t'i japë ujë as gomarit." A dinë babë e birë t'i japin ujë gomarit? Nëse po, pse pse u shndërruan atëherë në çoban?

Keine Kommentare: