"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

07.09.2015

Ti je në gjendje të mjerë sepse...Bota SOT

Ti je në gjendje të mjerë, sepse lexon, por nuk mëson ose me gazep ndryshon bindjet!
Ti je në gjendje të mjerë, sepse je i bindur se di shumë! Jo vetëm për vete, por për lagjen, vendin, kontinenti dhe botën.
Ti je në gjendje të zgjidhësh problemet e Tokës, por jo tuat!
Ti je në gjendje të mjerë, sepse urrejtjen konsideron virtyt të mirë!
Ti je në gjendje të mjerë, sepse as nusen në vitin 2015 nuk e zgjedh vet! Ta zgjedh babi sipas dëshirës së tij!
Ti je në gjendje të mjerë, sepse urren standardet e kohës tënde!
Ti je në gjendje të mjerë, sepse rrah gruan, nënën e fëmijëve tu!
Ti je në gjendje të mjerë, sepse nuk merresh me ndërtimin e së tashmes, por me kultivimin e viktimizimit!

Ti vjedh shtetin dhe adhuron atdheun, domethënë rrënon shtetin që garanton ekzistencën e atdheut! Ti duke vjedhur shtetin, paguhesh nga shteti!
Ti adhuron demokracinë, por diskriminon në shtëpi!
Ti adhuron dhe shfrytëzon demokracinë për ta rrënuar atë!
Ti çaraveshesh për liritë dhe të drejtat e njeriut jashtë, por në shtëpinë tënde pezullon Kushtetutën e fituar me gjak!

Ti je Kryeministër që lejon ligjërim në kundërshtim me Kushtetutën!
Ti je Kryeministër që në vitin 2015 i referohet zakoneve dhe traditave, jo Kushtetutës që u fitua me gjak!
Ti je Ministër i Punës, që nuk krijon asnjë vend të punës!
Ti ishe Kryeministër, kur ekonomia e Kosovës u shit në mënyrë sekrete, siç shitet droga apo aq fshehur, si kur në mes dy tyxharëve, shiten apo blihen lopët!
Ti ishe Ministër i Transportit dhe Komunikacionit, ku u tretën si shurra e pulës 300 milionë euro!
Ti je Ministër i Arsimit ku blihen dhe shiten diplomat si vezët në pazar!
Ti paguhesh për të ndryshuar gjendjen faktike, por jo të konstatuar abuzime!
Ti je Ministër i Shëndetësisë, domethënë i shtresës më të korruptuar në shoqëri!
Ti je Ministër i Shëndetësisë ku të sëmurët vdesin, nga shuma që kërkon mafia që është betuar në ligjin moral të Hipokratit!
Ti je Ministër i të Korruptuarve, që nuk deklarojnë fitimet!
Ti je kryeimam dhe në kohën e administrimit tënd ke lejuar të rekrutohen shqiptarët për të vrarë myslimanë!
Ti je Ministër i Drejtësisë, por në fakt je Ministër i Shtrembësisë, sepse nuk ke as prokurori, as gjykata, as polici, që kujdesen për zbatimin e ligjit!
Ti je Ministër i Drejtësisë që nuk kujdeset për drejtësinë!
Ti je Ministër i Drejtësisë, ku shiten vendimet gjyqësore!
Ti je Ministër i Punëve të Brendshme, që merret me agjitacion dhe propagandë, jo me reformimin e Prokurorisë Publike, të Gjykatave dhe Policisë!
Ti je rektor, domethënë rektor i doktoraturave të mbyllura nëpër sirtarë që trajtohen si sekrete shtetërore të KGB-së! Ti rektor duhet ta dish se në Gjermani pa u publikuar disertacioni si libër, ndalohet përdorimi i titullit “Dr.”
Ti je profesor universiteti, që nuk di ta shkruash gjuhën shqipe!
Ti je manipulator, sepse emancipimin konsideron çnderim, jo mosrespektimin e ligjit, jo papunësinë, jo varfërinë, jo injorancën, jo mashtrimin, jo gënjeshtrën!
Ti je në gjendje të mjerë, sepse lehtë beson, nga vështirësia e madhe për të menduar vet!
Ti je ai që plot respekt sillet ndaj kushtetutës serbe, por shpërfill atë që fitove, nën breshëri hekuri, duke derdhur gjak!

Ti je xheloz sepse je i bindur se nuk je aq burrë, sa do të kishe dëshiruar!
Ti je fanatik, sepse të mungon besimi në vetvete!
Ti beson së dhuna ndaj grave është e mirë, por nëse të rrahin, e konsideron çnderim, edhe pse është bërë për qëllime të mira, si tek gratë për shembull!
Ti shpreson të lumturohesh me dhjetëra gra pas vdekjes, por i gjallë nuk je në gjendje ta bësh të lumtur një!

Ti mendon së homoseksualizmi është sëmundje dhe ata duhet izoluar. Pritet dita kur izolimin do ta kërkosh edhe për invalidët, diabetikët dhe të atyre ata që kanë shtypje të lartë të gjakut!
Ti mendon së homoseksualët duhet vrarë, sepse qenkan të sëmurë dhe pritet dita, kur do të kërkosh vrasjen edhe të atyre që u dhemb koka, edhe ata që kanë të meta fizike edhe ata që kanë një sëmundje të pashërueshme!
Ti je në gjendje të mjerë, sepse fajtorin për mjerimin tënd e kërkon gjithmonë jashtë vetes dhe ngushëllon veten në rolin e viktimës!
Ti ke krijuar një shtet që nuk është në gjendje të pastrojë as rrugët!
Ti mëson rrenën në shtëpi, dyfytyrësi, kurse në shkollë mbijetesën e pamoralshme!
Ti nuk mëson dashurinë në shtëpi, as në shkollë, as jashtë, e as sinqeritetin dhe pranimin e fajit!
Ti nuk mëson barazinë në shtëpi Ti refuzon Kushtetutën e votuar me votën tënde!
Ti nuk kërkon falje, sepse je i bindur se rrëzohesh nga piedestali, ku ke ngulur veten!

Ti vjedh, por kërkon prej të tjerëve të mos vjedhin!
Ti vjedhjen nuk denoncon, por përpiqesh të mësosh si mund të vjedhësh edhe ti!
Ti me heshtje ndihmon shembjen e shtetit!
Ti nuk jeton si dëshiron, por ashtu si u pëlqen të tjerëve, sepse je mësuar të zbatosh dëshirat e huaja, jo tuat. Sepse të pëlqen roli i viktimës!
Ti nuk jeton si di ti, ti jeton sipas pritshmërisë së masës, sepse nuk ke integritet! As autonomi private!
Ti nuk kupton çfarë është liria, edhe pse e ke fituar i fundit!
Ti je në gjendje të mjerë, sepse  nuk je mirënjohës!
Ti me këtë mendësi je surrogat i njeriut të këtij shekulli!
Ti me këtë mendësi rrëzon shtetin duke kënduar këngë patriotike me çifteli!
Ti mburresh me veprat e huaja, jo me tuat!
Ti je në gjendje të mjerë, sepse ti duron dhe beson çdo gjë!
Ti je në gjendje të mjerë, sepse nuk jeton epokën tende!
Ti je në gjendje të mjerë, sepse pret që dikush tjetër të zgjidhë problemet tua!
Ti sillesh mu ashtu siç pret armiku prej teje!
Ti je e zeza e së tashmes dhe shkatërrues i ardhmërisë!
Ti nuk je autor i jetës, as shkaktar, por je pasojë, vajtues i saj!

Prandaj ti nuk ke alternativë, në fakt ke vetëm një: emigrimin! Është më i lehtë se sa ndryshimi i vetvetes. Sepse ti lejon të vidhet shteti yt nga politikanët tu, por kënaqesh duke folur për ato vjedhje duke pirë çaj rusi dhe duke fajësuar Perëndimin, ku do të dëshiroje të jetosh!

vizatimi Coloriage gratuit Le Penseur Du Malecon

BOTA SOT, gazeta SOT


Libra  nga Lis Bukuroca te amazon





Keine Kommentare: