"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

06.12.2015

Mos më shqetëso se i vras dhjetëra sirianë

Edhe Arabia Saudite u rreshtua në bombardimin e Shtetit Islamik. Në fillim nuk e shihte me aq neveri, sepse ata ishin stërpikët e saj. Inkubatori qendror për prodhimin e radikalëve gjendet atje dhe është mik i Perëndimit sepse vret vetëm brenda. Aq sa po dobësohet Kalifati, aq më shumë po braktisin tenorin ambasadorët e saj teorik dhe ideologjik. Ndoshta më në fund kanë kuptuar se dëshira është e madhe, por mundësia tepër e vogël. Të pushtohen shtete me bomba atomike, sot për sot është e pamundur. Sidoqoftë, krejt atë iluzion të mbështetur teorikisht dhe praktikisht nëpër shumë vende të botës, po e paguan populli i Sirisë. Atje kanë shkuar të vrasin edhe shqiptarët, sepse edhe ata besojnë, se sirianët, nuk janë myslimanë të mirë sa duhet dhe duke i vrarë, u bëjnë një favor dhe i çlirojnë nga mëkatet e besimit të gabuar.

Obama dhe Putini
Dhe, një ditë prej ditësh takohen së bashku apo ndaras fuqitë botërore dhe shtetet që dëshirojnë të bëhen të tilla. Obama thotë: Dëgjo Putin, nëse Ti m'i vret disa kurdë, disa peshmerga, ti më shqetëson shumë dhe unë t'i vrasë dhjetëra sirianë, ushtarë të Asadit. Putini tund kokën dhe i mërdhezur dhe i përndezur ia kthen aty për aty: Zoti Obama, nëse Ti bën atë, atëherë unë do t'i vrasë dhjetëra ushtarë, ose gjashtëqind sirianë, edhe të Armatës së Lirë Siriane. Mua nuk më plas fare, as nuk më bëhet vonë. T'i vrasë edhe kurdët, edhe terroristët. Edhe pse Asadit i duhen terroristët për t'u rehabilituar, prandaj edhe i kishte liruar nga burgu shumë prej tyre.
Dakord thotë Obama, nëse vret terroristë, atëherë jemi miq, por të lutem mos vrit aq shumë peshmerga. Kjo është pak e komplikuar thotë Putini. Peshmerga lufton Asadin dhe do të përpiqem që bombat të hidhen disa metra larg tyre dhe kështu, nuk vriten edhe aq shumë, por ndoshta vetëm ndonjë plagoset. Dëmet kolataren mund të prekin edhe fëmijë, por ashtu është e shkruar, nuk mund ta ndryshojë. Ata braktisin takimin dhe të nesërmen urdhërojnë sulmet.

Obama dhe Erdogani
Disa ditë më vonë, takohet Obama me Erdoganin. Erdogani përligj vrasjen e kurdëve, sepse e kishin prekur pak si shumë në sedrën osmane. Obama ngul këmbë që ai të jetë më luajal. Unë jam kundër Kalifatit, thotë Erdogani, por çështja është pak e komplikuar. Shteti Islamik po lufton armikun tim Asadin, Ti nuk e do Asadin, unë nuk e dua, pra kemi një projekt të përbashkët...
Po, thotë Obama, e vërtetë. Mirëpo ne në Perëndim kemi dy armiq: Asadin dhe Kalifatin. Ti je miku jonë, si edhe Arabia Saudite që mendërisht kanë stërvitur ata. Nëse ne kemi armik Kalifatin dhe Asadin, duhet t'i kesh edhe Ti. Kjo është mirëpo pak e ndërlikuar, thotë Erdogani. Gati një e katërta e votuesve të mi, kanë mendim pohues për ta. Sidoqoftë ata në fund i premtuan njëri tjetrin se se nuk do të vrasin miq të njëri tjetrit. Ata bisedojnë gati dy orë shumë rrastë dhe Erdogani premton se do t'i hedhë bombat e tij disa metra larg kurdëve dhe kështu, nuk do të vriten shumë sirianë, por do të plagoset ndonjë kurd dhe ky dëm kolateral, nuk mund të mënjanohet në luftë. Kështu është e shkruar, unë nuk mund ta ndryshojë. Unë kam një mision dhe dua të bëhem fuqi kryesore në Lindjen e Afërt!

Tragjedia siriane vazhdon
Pas disa ditëve takohet Hassan Rohani dhe thotë: nëse ju m'i vrisni sirianët shiit, unë do t'i vrasë ata sunitë pa i pyetur se në cilin repart bëjnë pjesë. Edhe Franca si SHBA ka armikun e njëjtë dhe Kalifati, përveç besimtarëve të vet radikal që ka, nëpërmjet Turqisë mike si për Perëndimin, ashtu edhe për Kalifatin, ka përfituar mijëra besimtarë radikal nga Europa, që tani paskan ndërmend ta sulmojnë Turqinë. Në luftë kundër Kalifatit rreshtohet edhe Anglia, edhe Gjermania dhe sot ky koalicion botëror, numëron më shumë se gjashtëdhjetë shtete. Gjashtëdhjetë shtete dhe Kalifati sulmon gati çdo ditë në vendet tjera. Jo nga ajri, por nga toka. Jo ushtarë, por qytetarë.

Siria si gropë
Çdo ditë lexohet nëpër gazeta se ky shtet sot bombardoi pozicionet e kalifatit. Dhe Ti si njeri normal që je pyet veten: a është e mundur se ushtria e Kalifatit po qëndron në istikamet e veta dhe po mbron kokën me duar nga gjashtëdhjetë shtete që po sulmojnë çdo ditë? Avionët rusë kthehen në vendet e tyre apo nëpër flota detare dhe pastaj shfaqet Putini dhe thotë: i vramë 600 armiq. Dhe ti si njeri normal që je dhe ke një kokë njerëzore mbi supe, pyet veten: i paskan vrarë 600, po si i numëruan nga avionët? Me bomba aq të mëdha, duhet disa ditë për t'i grumbulluar gjymtyrët dhe për ta thënë përafërsisht numrin e saktë, mirëpo Putini, din se ka vrarë 600 dhe pikë. Një lajm i tillë i duhet opinionit botëror dhe Rusia përpiqet të pozicionohet si fuqi botërore. Nuk ka shkuar aty nga miqësia e madhe për Asadin, por për ta ngritur Rusinë.

Nuk ka interes për të përfunduar luftën
Ti duke qenë normal thua vet me vete: po nëse besimtarët e Kalifatit braktisin pozicionet e veta dhe strehohen brenda qyteteve, atëherë ata edhe nuk mund të sulmohen. E vërtetë se nuk mundet, por mund të sulmohen pozicionet e tyre. Dhe, ato pozicione tanimë duhet të jenë vetëm gropa, ku 60 shtete hedhin bomba njëri pas tjetrit. Duket se askush nuk ka interes të përfundojë lufta. Pasojat e asaj lufte mirëpo, po i paguan populli sirianë në shpërbërje e sipër dhe aty dhjetëra shtete po shkarkojnë armatimin e vjetër për ta zëvendësuar pastaj me armatim të ri.

Rehabilitimi i Erdoganit
Kjo luftë rehabilitoi edhe Erdoganin të cilin Perëndimi e pat izoluar për shkak të qëndrimit të tij prorus dhe radikalizmit fetar. Ai tani do të marrë disa miliard nga BE dhe është faktorizuar. Përndryshe hap kufirin dhe lejon ardhjen e disa milionëve sirianë në Gjermani. Merkel e gjendur në këtë gazep dhe presion nga brenda, madje shkon tek Erdogani para zgjedhjeve dhe ndihmon atë të sulltanizohet. Njëra dorën lan tjetrën. Nuk është koha e parimeve, por e interesave shumëpalëshe. E pozicionimit të vendeve dhe fuqive. E faktorizimit të Rusisë, të Turqisë, të Iranit dhe ruajtjes së vendeve të punës në industrinë e armatimit.

Shumë armiq, shumë nder
Kështu vazhdojnë bombardimet nga 60 shtete dhe tashmë mund të mendohet se Siria është një rrënojë e madhe. Luftëtarët e parajsës kanë arsye të mburren. Po luftojnë kundër 60 vendeve të botës dhe po rezistojnë. Sirianët braktisin vendi çdo ditë dhe Erdogani i nervozuar pse rusët ndihmojnë Asadin dhe për disa sekonda vizitojnë Turqinë, i rrëzon një avion. Dy despotët janë në konflikt verbal tani për tani. Dy sedra despotike, që përdorin demokracinë për t'u shndërruar në car dhe në sulltan, janë prekur rëndë. Se a do të futet Perëndimi në luftë për Turqinë kundër Rusisë, nuk mund të besohet, edhe pse është në NATO, por nuk mund as të besohet, se Erdogani e ka bërë pa pajtimin amerikan. Ndryshe nuk do të kishte rrezikuar kurrë.

Kalifati nga vdekja nuk tmerrohet. Vdekjen e pranon vetëm si mundësi transferimi në parajsë, duke qenë i bindur se është flijuar për ta ndihmuar zotin. Zotin që ka fuqi të vrasë vet, por nuk e bën sepse parapëlqen shumëllojshmërinë, çfarë urren Kalifati. Në anën tjetër, kurdët janë e vetmja shpresë e Perëndimit, që nevrikosin Turqinë, por që kanë kuptuar çastin, se Kalifati, do t'i ndihmojë përfundimisht ata në krijimin e shtetit të tyre të ëndërruar aq shekuj.

Nëse dëshironi të lexoni më shumë nga Lis Bukuroca, atëherë këtu mund të porosisni:Letër burrave, tregime dhe sprova,  romanin, Ngjyrat e dashurisë  me Kanunin Erotik, ose përmbledhjen me poezi: Hijedritat e jetës.

Keine Kommentare: