"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

09.04.2016

Zoti Rama, gazeta SOT

Heshtja jote do të kishte dëshmuar urtësi. Ti mund të dëmtosh me politikën tënde një komb të tërë. Unë mund ta shajë Donald Trumpin si të dua, sepse përfaqësoj vetveten. Ti përfaqëson interesa kombëtare, unë vetëm mendimin e lirë.

Donald Trump do të jetë problem amerikan, nëse votohet, në rend të parë. Në të dytin, mund të shkaktojë një defragmentim të aleancave dhe rendi botëror, mund të pësojë metamorfoza të tmerrshme. Kjo mund të thuhet nëse bazohemi në racizmin e tij, ksenofobinë dhe në ndarjen e popujve në religjion. Për ne është shqetësuese dhe nuk dihet si do të përfundonte çështja e Kosovës. Gjatë fushatave, mirëpo, dëgjohen shumë herë premtime, që pas zgjedhjeve, nuk janë të zbatueshme. Ti si politikan, din më mirë se unë këtë. Prandaj, heshtja ishte urdhër. Frika nuk është këshilltare e mirë në politikë.
Duke pasur parasysh mospajtimin e tij me intervenimin amerikan, simpatinë me Putinin, qëndrimin e tij ndaj demokracisë, qëndrimin e tij ndaj islamit, atëherë politikani shqiptar, duhet të mendojë një javë, para se të artikulojë një fjalë.

Si kryeministër i vendit, jo drejtor i një Kopshti Zoologjik, ke mundur të deklarosh: “Populli im, është ndër popujt më amerikandashës në botë dhe shpresoj se Trump, nuk na vështron vetëm nga prizmi armiqësor fetar.” Ky mendim do të prodhonte një mundësi të re, një shpresë të re, për të mënjanuar rrënimin e raporteve. Qëndrimi i dytë dhe akoma më i mirë se i pari, është heshtja. Siç heshtin edhe liderët e vendeve perëndimore. Ti zgjodhe dërdëllitjen sipas stilit të Enverit. Për fat të keq, u citove edhe nga gazetat amerikane. Amerika mundet pa ne, por ne pa Amerikën, ose me Amerikën e drejtuar fetarisht, mund të humbim dy shtete. Pyetjes që duhet t'i përgjigjet politika shqiptare urgjentisht, jashtë dhe brenda, është kjo: si është e mundur që gjendja aktuale shqiptare, i konvenon pikërisht Serbisë dhe Greqisë?

Liderët perëndimor natyrisht se përcjellin fushatën me druajtje, por parapëlqejnë heshtjen, për të mos ndikuar në rritjen e përkrahjes. Është tepër herët, është tepër vështirë të besohet se një popull aq i ngritur, të votojë një rrënues të vlerave perëndimore. Fitorja tij, do të kthente Perëndimin në epokën e para Revolucionit Francez, në kohën e kryqëzatave. Fitorja tij, do të ndryshonte edhe BE-në dhe NATO-n. Natyrisht, nëse i besojmë premtimeve parazgjedhore.

Shqiptarët janë në Europë dhe fati jonë varet krejt nga kjo Europë. Mendimet tua për Trumpin, duhet të jenë biseda kafenesh, por jo publike. E para, mendimet tua, nuk mund të ndryshojnë gjë në SHBA, e dyta, nuk është e moralshme ndërhyrja në fushatë parazgjedhore, e treta, liderët kryesor po heshtin. E katërta, në Europë nacionalizmi dhe radikalizmi janë në rritje, si reaksion ndaj ekstremizmit islamik. Një ekstremizëm prodhon tjetrin. Sot edhe në Europë fitohen votat me qëndrim antiislamik. Dëshmi kemi në Francë, Poloni, Hungari edhe shumë vende tjera të BE-së, por para një muaji, edhe në Gjermani, sa AFD (Alternativa për Gjermani, e Frauke Petrit), në Saksoni Anhalt, fitoi 25 për qind të votave.

Fundi i fundit, askush nuk merr si gjykim të rëndësishme për politikën globale, një mendim të një kryeministri të Ballkanit. Ti ke punë tjera. Dhe nuk mund të zgjedhësh asnjë problem të politikës botërore, edhe sikur të ishe bir i Einsteinit. Mençuria jote më e madhe do të jetë, ruajtja e aleancës me SHBA-të. Çdo dëmtim i atyre marrëdhënieve, është i mirëseardhur për sllavët në Ballkan dhe Greqinë.

Prej teje pret populli edhe një vizion, një mundësi, si të dëmtohet më pak kombi shqiptar, edhe nëse fiton Donald Trump, por nuk është detyrë e një kryeministri të parashikojë rrënimin e raporteve. Këtë mund ta bëjë çdo çoban, që përfaqëson vetveten, por kurrë jo një kryeministër me dy palë mend në kokë. Pra, kur e liga troket në derë, duhet të përgatitemi si të parandalojmë, si të zvogëlojë dëmin, jo t'i hapim dyert e dritaret, siç je duke bërë me një arrogancë, që ne na brengosë si popull. Me kërcënimin për prishje të marrëdhënieve, mund të impresionosh vetëm Kalifatin.

Se Trump është i çoroditur dhe i obsesionuar si Erdoani, shihet qartë, por gjithmonë nacionalisti ndërsehet nga nacionalisti, sociopati provokohet nga sociopati, psikopati tundohet nga psikopati, kurse i urti, ngacmohet vetëm nga i urti. Po ti ç'pate që krekosesh duke pasur popullin ndër më proamerikan në botë? Pse nuk i dha një shansë këtij fakti? Kjo e vërtetë, nderon shqiptarët dhe është tepër herë të trishtohemi nga zgjedhje e tij, por nga Trump, do të duhej të trishtoheshin konkurrenti i tij Erdogani me ekstremizmin e tij osman dhe familja mbretërore saudite, që shërben si inkubator i terrorizmit.

Me Erdoanin dhe marshin e tij fetar nëpër botë, dhe me Trumpin në anën tjetër, si rival i denjë i tij për nga idetë fikse dhe paragjykuese, me Putinin e armiqësuar me Erdoanin, me miqësinë e Trumpit me Putinin, do ta kemi një botë të ndarë në krishterim dhe islam dhe do të rrumbullakohen premisat për një përplasje të madhe në mes të religjioneve. Jo në mes të qytetërimeve, sepse dihet mirë, religjionet, nuk prodhojnë kurrë qytetërime, por shkërbime shekullore dhe ngrirje të kulturave. Kombit shqiptar më së paku në botë, i konvenojnë luftërat fetare. Këtë kanë kuptuar rilindësit dhe qysh atëherë, u përpoqën ta reduktojnë në jetën e shqiptarit.

Në çaste të tilla, nuk hidhet ujë në benzinën e ndezur, por shqyrtohet mundësi më pak dëmtuese. Ti ke obligim mbrojtjen e kombit, edhe nëse fiton Trump. Sot për sot, aktin më të urtë, që mund ta bësh, është, të kërkosh ndjesë, se je marrë me atë që nuk të takon për nga detyra. Taravolët kanë frikë nga pendimi, po jo burrat e vërtetë. Askush nuk kërkon prej teje të jesh i përkryer, por çdonjëri kërkon, të mos dëmtosh kombin me hapareshje dhe me turr si një çapkëne sedërfyer, e brishtë.

Prandaj, cum grano salis!


Keine Kommentare: