"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

06.05.2016

Urime vilajetet Davutoglu, Zëri, gazeta SOT

Pas 88 viteve ndarje të dhunshme, u çliruam me gazep dhe më në fund, lezeti jonë është i papërmbajtur, i pakufishëm, i pafund që ju u kthyet përsëri për të ndërtuar bashkëjetesën vëllazërore të shkëputur me kuvet dhe takat qafiresk. Pa ju jemi si pa babë, jetim dhe dushmanët e Perandorisë, mosmirënjohësit, përhapin llafe se NATO ka çliruar Kosovën, e jo avionët turq. Madje, disa ahmak, mendojnë se Bondsteel, do të mbronte Kosovën pa urdhrin e sulltanit, Erdoganit të Parë.
Efendi Davutoglu, bir i Davidit, urime vilajetet arnaute! Xhumhurjetet tona, e Arnavitlukut dhe Kosovistanit, na ka ardhur majë turinjve. Jo vetëm se duhej falënderuar populli turk sovran në Prizeren, siç u shpreh zëvendësi juaj, por ai minoritet, ka dhënë kontribut tepër të madh për rehatinë e sotshme, siç u shpreh pashai i vilajetit të Kosovës, Hashim Tacoglu.

Davutoglu, është për keqardhje, që pashai i vilajetit të Kosovës, deri më sot, nuk ka ndërtuar qindra përmendore të askerve turq sovran, që ishin pjesëtarë të UÇK-ës. Këtë duhet ta kërkoni sepse është mosmirënjohje, e jo të kujtohen vetëm sulltanët. Popullit turk sovran në Kosovë, nuk i duhet vetëm sulltanët tanë të përbashkët, por edhe mijëra trima, që kanë qenë në radhët e UÇK-ës. Duhen disa përmendore, ku mund fotografohen tucat dhe që do t'u shërbenin për mburrje.

Efendi Davutoglu, Rugova ndërtoi një kishë mu në mes të vilajetit. Për çdo kishë, ndërtoni ju lutem njëqind xhamija, kështu bëhemi popull sevap dhe dorë për dore, të lumtur, shkojmë nesër së bashku në xhenet, siç kemi ecur plot lezet disa shekuj.

Davutoglu, jeni jo vetëm i madh dhe i pasur, por edhe i sinqertë, kur shpërfillni identitetin dhe kulturën e arnautëve dhe i trajtoni, si në librin tuaj, si mbeturina osmane. Do të na e kthenit krenarinë osmane të tretur, sikur të investoni edhe më shumë: jo vetëm nëpër parti politike, por edhe nëpër redaksi të mediave. Ju keni lënë mijëra askerë në Kosovë, keni tapi historike dhe natyrisht, ne jemi ju, ju jeni ne. Kosova është Turqi, Turqia është Kosovë. Ne jemi vëllezër. Vëllezërit kanë të njëjtit prindër, prandaj jemi vetëm një milet. Aq sa më shumë të bëni për Kosovën, aq më shumë ju rritet e drejta e pronësisë.

Nuk kuptoj zoti Davutoglu pse lejoni akoma Gjergj Kastriotin, gjaurin, në mes të Prishtinës. Pikërisht atë princ arnaut, që ua ka bërë jetën xehër dhe xhenaze. Me një dekret, lëshuar nga një odë e pallatit me 1.000 të tilla, mund ta hiqni. Hiqeni se gazuam! Hiqeni sa më shpejtë dhe vini mbi atë kalë sulltan Muratin. Nuk duam ta lexojmë emrin e tij vetëm nëpër faltore, por edhe ta shohim trupin madhështor të tij. Madje, të emërtohen edhe rrugët, ose të hiqet gjauri tjetër Gjergj Fishta, pastaj Naimi, Samiu, Abdyli, sepse nuk ishin sunitë, por bektashinj. Keni lexuar Davutoglu si shprehet Çajupi për Perandorinë? Çfarë kërkon ai racist në letërsinë tonë të përbashkët, që i ka mbushur mendjen Fahri Xharrës, se ne jemi arnaut? E pastaj, po flitet se Fahri Xharra, ka ambicie politike dhe dëshiron të bëhet ambasador i vilajetit në Turqi. Mos pranoni kurrë këtë! Zoti Xharra, refuzon me këmbëngulje osmanizmin iluminist dhe shpërndan lajme, se gjoja, Perandoria, paska vrarë arnaut.

Zoti Davuotgoli, pastroni letërsinë arnaute. Jini i bindur se asnjë rospi shqiptar, nuk do të merrte guximin të ju sekëlldis qejfin apo të ju godasl hakikatin. Ju dini se sa kanë kushtuar ata. Ju dini çmimin e tyre dhe sa i kushtojnë tatimpaguesve turq, politikanët aranut në Ballkan. Meqenëse jemi vëllezër, kardash-milet, këtë e keni thënë nëpërmjet shumë habereve, atëherë na duhet një histori, një kulturë, një identitet, edhe pse akoma rrugët tona dhe sheshet, duken dushmanoze. Dhe, meqenëse keni shpërndarë shumë bakshish, keni të drejtë të kërkoni një qëndrim më saglam, më tamam, për më shumë bereqet në mes miletit të përbashkët dhe të kërkoni nga pashallarët tanë, sikterosin gjaurët arnaut.

Keni harruar efendi Davutoglu dy gjëra, e para: Kërkoni nga Tacoglu, të hiqet nga shkolla gjuha alla franga dhe e inglizit dhe të mësohet gjuha hallal e dovletit. Nuk ka asnjë logjik të konsiderohemi vëllezër, por të flasim gjuhë të ndryshme, me përkthyes e të mos kuptohemi si duhet. Jini i sigurt se asnjë politikan arnaut, nuk do të marrë guximin të kundërshtojë dekretin, në rastin më të keq, do të kërkojnë më shumë lira. Edhe ne duam gjyzelin e kurdëve në Turqi, ku në shkolla, u mësohet vetëm gjuha turke, kurse ne arnautët, mësojmë akoma gjuhë haram. Pse keni më shumë respekt ndaj kurdëve, se sa ndaj mbetjeve osmane në Ballkan? Pse ky diskriminim? Efendi Davutoglu, jini i sigurt se asnjë politikanë arnaut, nuk do ta kundërshtonte osmanizimin më të shpejtë dhe më efektiv, që gati e fundosën, qafirët e rilindjes arnaute. Emrat i kemi hazër dhe në botë, askush nuk mendon se nuk jemi turq. Shumë prej nesh, edhe mbiemrat dhe, nuk mund të kuptohet se si insani, me emrin dhe mbiemrin has turk, të konsideroj veten haram arnaut, e jo hallall turk? Edhe pse me shekuj na bëtë tërbije, prapë rradakja u thodisave, se janë arnaut, e jo turk elhamdyrilah, çfarë me emër e mbiemër, dëshmojnë krenarisht.

E dyta: Kur të shkoni në Arnavutlluk, kërkoni që vëllai tjetër, të bëhet synet. Nuk është mirë për bashkëjetesën Rama të mbetet me lucin varë. Ai edhe pajtohet. Pasi bëri të qajë me xhihadin sulltanin Erdogain, të cilit ju u shërbeni si software, ka dhënë shenja se nuk do të kundërshtonte. Edhe ky ka mbiemrin hazër dhe nuk duhet shumë ndikim.

Davuotoglu, lexoni pak ju lutem, se si një far bejetxhiu me emrin turk fatsjellës”, Esat, mashtron miletin se nuk është turk. Kjo është çrodjon hasmëri në miletin tonë të përbashkët. Vëllezërit mund të kenë shtëpi të ndryshme, por kurrë jo baba, ose nënë të ndryshme efendi.

Kërkoni ju lutem të shkruhet në historinë arnaute, se ju, pas zvogëlimit të Perandorisë, morët me vete si mysafir miliona shqiptarë dhe i trajtoni ashtu siç meriton vëllai. Kërkoni ju lutem të ndalohet edhe bajraku i gjaurëve, që me shpendkeqin me dy kreshta, ka shkaktuar bajagi xhenaze askerisë famëmadhe osmane dhe miletit hallall osman. E pastaj, duhet shkruar në histori, si morët arnautët me qerre dhe i ngulitët në tokën e Serbistanit dhe akoma nuk kemi thënë, ejvallah.

Na vjen keq
efendi Davutoglu, se nuk patëm nafakën e kurdëve, të ishim në një perandori dhe ta flisnim të gjithë gjuhën e lezetshme turke. Mos u inatosni, nëse ndonjë publicist zbythë kërkesat tuaja tatli, politika nuk do ta bë kurrë. Kërkoni vetëm nga pashallarët shqiptarë, t'i çojnë ata në hapsane, si në Turqi, ata që denoncuan me fotografi blerjen e naftës nga Kalifati. Publicistët efendi, nuk mund ta pengojnë shkrirjen e xhumhirieve tona në një sulltanat. Tek ne, arnautët, ka shumë hyxhym-patriotë virtual, prandaj, financoni Shërbimin Osman Online, i cili me metoda të ndryshme, do të bënte topall rrezikun nga marifeti arnaut.

Vazhdoni financoni kryetarët e partive arnaute dhe ata kryejnë punën, siç pret me lezet sulltan Erdogani i Parë. Duke financuar të gjithë, ata do të hanë njëri tjetrin duke luftuar në mes vete, por asnjëri nuk do ta vinte në dyshim sevdanë vëllazërore për osmanizmin. Me pak lira, u qepet goja, si Vetëvendosjes, LDK-ës, PDK-ës dhe AAK-ës. Qafirët që refuzojnë Erdoganin, janë islamofob. Kjo duhet përsëritur vazhdimisht. Ata qafirë, janë të bindur se është më mirë të jesh arnaut, se sa turk. Suphanallah! Madje edhe shpesh shkruajnë, oh sa mirë me qenë arnaut-insan.

Sirbistani i vogël thoshte dikur, ku gjendet një serb, është Serbi, ju keni 20.000 turq në Kosovë si milet sovran. Si mund të mos jetë Kosova Turqi, kur banorët kanë hazër edhe emrat, edhe mbiemrat? Mos angazhoni mirëpo ata për ta marrë pushtetin, sepse arnauti laper, kryen më shumë punë se sa, turku saf, budala. Këtë kemi dëshmuar në të kaluarën.

Kujdes mirëpo Davutoglu: Hashimi, Isa, Albini, Limaj e Haradinaj, Basha e Berisha, ndryshojnë si moti. Madje Jahjaga dhe Rama, i janë ankuar mbretit të Jordanisë, se nëse nuk pranohemi më shpejtë në BE, do të na kapërdijë Erdogani. Ky është mangupllëk. Çfarë ibretizmi!
Erdogani nuk pushton, ai vetëm vjen. Mos u habitni zoti Davutoglu, nëse dikush ofron më shumë lekë dhe ata arratisen. Ata nesër edhe do të mohojmë se ju kanë njohur, se keni biseduar së bashku, apo akoma më keq, se keni pasur plane të përbashkëta për ta rianimuar Perandori xhenaze, që shpirti saj, dalëngadalë, po zbret në tokën e shenjtë turke, në Ballkan. Prandaj nxitoni me projektin.
Bir i Davidit, më pëlqeu shumë hapja taktike e kufirit dhe lejimi i papenguar i refugjatëve. Pas gjashtë miliardëve euro dhe pas anulimit të vizave, kufiri po funksionon përsëri. Keni futur në dorë edhe Europën dhe kjo Europë, ka disa ligje jonjerëzore, që duron sharjen e njeriut të shenjtë si Erdogani i Parë. Mund të përdorni përsëri sirianët si kamxhik dhe të kërkoni anulimin e ligjit për mendim të lirë. Kërkoni nga Miletet e Bashkuara, të futet tek të Drejtat dhe Liritë e Njeriut një dispozitë, një kanun sevap, për shembull, tek ai akt që ka origjinën nga frëngu, shtohet një nen:
Ndalohet denigrimi privat dhe publik i Erdoganit të Parë: të ndalohet pickimi publik i tij, xigëlimi, ngacmimi, sepse Erdogani i Parë, nuk përsëritet kurrë më në histori. Nëse nuk ndërfusni atë nen, atëherë ju lutem urdhëroni të anulohen Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, sepse ato po krijojnë iluzione, se Erdogani mund të shahet, mund të vizatohet si majmun, mund të shkruhen poezi apo këngë satirike e pornografike për të. Një gjë të tillë Enver Hoxha dhe Stalini, nuk kanë lejuar kurrë. Cila gazetë, cili televizion do të kishte marrë guximin të shkruajë apo recitojë poezi se Enveri ose Stalini masturbojnë, se bëjnë seks me dele e dhi, se kanë luce të vegjël, si televizioni publik gjerman, ose si gazetat angleze?

Kundërshtarët e Perandorisë, qafirët, efendi Davuotgolu, janë të bindur se Bondsteeli mbron Kosovën. Kjo është një gënjeshtër bajagi e madhe. Pa urdhrin e Erdoganit, NATO, nuk lëvizë të pasmet, por ndoshta vetëm të përparmet. Madje, ka idiotë që mendoj se Shqipëria në NATO, është vend i sigurt. Ky është mashtrimi më i madh, që propagandojnë dushmanët e osmanizmit. Pa Turqinë, Shqipërinë e NATO-s, do ta pushtonte menjëherë Junanistani i NATO-s, çfarë dybydyz arnautët, nuk kanë fiqir për ta kuptuar.

Zoti Davutoglu, kur të vizitoni herën tjetër vilajetet, kërkoni ju lutem largimin e gjuhës hedepsuz haram, dhe futjen e gjuhës hallall turke nëpër shkolla shqipe, siç ishte deri në senenë 1912. Ata nuk do ta largojnë menjëherë, por kështu parapërgatitet terreni dhe kuadrot. Vet fakti se kjo gjuhë mësohet akoma në shkolla, mund të bëjë tebdil projektin e madh, ku mileti turk, po investohen shumë lira. Madje, kjo na bën dhe xheloz. Ju me kanun bëni idare kurdët të mësojnë vetëm gjuhën hallall në shkolla, kurse ne, edhe pse vëllezër, duhet të mësojmë gjuhën haram. Tybestikfar!
------------------------------------------------------------

Libra nga Lis Bukuroca
Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de  ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.  

Gjenden edhe te libraria më e madhe në SHBA  Barnes and nobles dhe mund të porositet, përveç online, në 630 libraritë e tyre.  Shikoni ju lutem se ku ju konvenon çmimi më tepër. Unë mund të vendos vetëm për çmimin te lulu, jo te botuesit tjerë.

Kuptimi i jetës  te amazon *

Kuptimi  jetës te lulu **


Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu


Letër burrave (II) te amazon

Letër burrave (II) te lulu


Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore

Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore


Shtatë parimet e dashurisë

Hijedritat e jetës

Die Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.



Keine Kommentare: