"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

10.06.2016

Do t'i kemi punët pisk në Francë, Bota Sot


Do të luajë Shqipëria kundër skuadrës helvetike, të cilën gati gjysmën apo gjysmën përbëjnë zviceranë me origjinë shqiptare. Edhe ky është sukses i madh. Nëse fiton Shqipëria, tifozët zviceranë dhe shtypi ekstremistë, do të fajësojë shqiptarët e Zvicrës për dështimin. Nëse humb Shqipëria, tifozët shqiptarë, do t'i vulosin si tradhtarë, zviceranët shqiptarët. Ata mirëpo nuk janë betuar kurrë para himnit dhe flamurit shqiptarë, se do të shënojnë gola vetëm për Shqipërinë. Ata kanë firmosur kontrata, që i obligojnë të shënojnë vetëm për Zvicrën. Detyrë dhe nder i tyre është për të ngritur sa më lartë futbollin zviceran, jo nacionalizmin dhe irracionalizmin shqiptar.

Në sport nuk tregohet patriotizmi, as nuk dëshmohet tradhtia. Sporti nuk është front lufte. Në lojë shihet vetëm aftësia për të shënuar gola, ose paaftësia për të përpunuar humbjen. Ata që do të rebelohen në rast të dështimit, do t'i kishin shënuar 100 gola kundër Shqipërisë, sikur t'i kishin obligimet dhe kontratat e atyre lojtarëve. 

Shikuar nga perspektiva ekstremiste shqiptare dhe zvicerane, nuk na konvenon as të humbim, as të fitojmë. Me fitoren eventuale, lëndojmë sedrën zvicerane dhe dëshpërojmë një numër bukur të madh të tifozëve dhe, fajtorë do të jenë përsëri shqiptarët. Shqiptarët që arritën si renegatë, ta dëmtojnë Zvicrën në arenën Europiane, edhe pse ushqehen nga ajo!
Nëse shqiptarët shënojnë gola për Zvicrën, do të duartrokiten dhe konsiderohen zviceranë të vërtetë. Se çfarë do të shkruhet nga masa e tmerruar dhe e zhgënjyer shqiptare, nuk dihet, sepse sharjet, kërcënimet dhe denigrimet, do të jenë emocionale, shpërthime të çastit, por mund të merren me mend.
Është një lojë mirëpo dhe do të fitojë ai, që luan më mirë. Në sport nuk fitojnë kurrë kombet, e as nuk humbin; aty luajnë disa pjesëtarë të zgjedhur, të cilët përfaqësojnë një vend. Të përfaqësuar ndjehen vetëm ata, që kanë për pasion futbollin. Në sport nuk fitojnë kurrë as besimet fetare, as patriotizmi, por vetëm skuadra më e aftë. Lutjet aty nuk ndihmojnë njeri dhe nuk kanë ndihmuar kurrë. Nuk do ta bëjnë as këtë herë.

Nëse Napoloni thoshte se zoti është gjithmonë në anën armatës që ka artilerinë më të fuqishme, mund të thuhet se qysh nga zbulimi i futbollit, zoti është gjithmonë në anën e atyre që luajnë më mirë, ose kanë fat me arbitrin, që i ndihmon ca. Sipas asaj logjike ushtarake, mund të shqyrtohet edhe vlera e lojtarëve për një transferë në një skuadër tjetër: sipas faqes transfermarkt skuadra shqiptare ka një çmim prej 46,15 milion euro, ndërkaq vlera e skuadrës helvetike është, 174,85 milion euro.
Sipas gjykimit militarist të Napolonit, Zvicra ka 128, 7 topa më shumë se Shqipëria. Nëse i heqim Zvicrës 28,7 duke shpresuar se Shqipëria ka një ngarkesë dhe motivacion emocional më të madh për t'u treguar në skenën europiane si dhe për të ngritur çmimin e lojtarëve, përsëri na mbeten ajo me një artileri të tmerrshme. Tek ata 174, 85 topa zviceran, 65 janë prodhim shqiptarë, mirëpo kultivim dhe profesionalizëm zviceran. Edhe pa këta, përsëri artileria zvicerane na mbetet më e fuqishme. Fati i madh mirëpo është se as nuk duhet të mbrohemi nga Zvicra, as nuk duhet ta sulmojmë, por të luajmë top së bashku dhe kjo është një ngjarje e madhe për sportin europian.

Në futboll mirëpo ka rëndësi edhe fati: për shembull kur kundërshtari huq portën. Nëse e bëjnë zviceranët me origjinë shqiptare, atëherë do të shkruhet se e kanë bërë qëllimisht. Zvicrën mirëpo kemi mike. Mund të dëshpërohemi në rast humbjeje, por jo të çoroditemi. Me rëndësi të shohim një lojë të bukur pa lëndime, pa incidente dhe kryesisht, pa viktima dhe pa bomba. Në sport nuk fiton vetëm fituesi, por edhe ai i cili humb me dinjitet dhe lojë të bukur. 


Keine Kommentare: