Nëse fillimi është i gabuar, a mund të jetë rezultati i saktë?
Ose: nëse dëshiron të shkosh në Tiranë, por hipën në avion për Jerusalem apo Mekë, ku do të zbresësh?
Nëse premisa është e gabuar, a mund të jetë i saktë konkluzioni?
Konkluzioni: Një premisë e gabuar nuk mund të prodhojë siguri logjike.
Arsyeja?
Prandaj, nëse premisa është biologjikisht ose logjikisht e gabuar, edhe rezultati bëhet i dyshimtë.
Konkluzioni: Avioni i gabuar nuk të çon kurrë në destinacionin e dëshiruar.
Nëse ti thua se zoti mund të bëjë çfarë të dojë, atëherë rrëfimi i krijimit nuk qenka biologji, por metaforë. Nëse është metaforë, atëherë nuk mund të jetë fakt shkencor apo argument logjik. Nëse qenka biologji, atëherë është në kundërshtim me biologjinë.
Paradoksi i parë?
Zoti i gjithëdijshëm, që paska krijuar miliarda galaktika (makrokozmosin) dhe një numër të panumërt bakteresh (mikrokozmosin), me gabime ndërton dhe pret rezultat të mirë.
Diçka tjetër?
Zoti që di më shumë se IA-ja sot dhe i gjithë njerëzimi së bashku, që ka krijuar atë që shohim dhe nuk shohim, atë që dimë dhe nuk dimë, paska krijuar njerëzimin nga incesti: fëmijët e Adamit dhe Evës ka detyruar të martohen mes vete: vëllai me motrën. Zoti.
A është kjo shembull i inteligjencës absolute? Jo.
Shumë kafshë e shmangin incestin, ndërsa në monoteizëm ai paraqitet si themel i njerëzimit. Megjithëse ai ekziston te disa specie, si insektet, minjtë apo shimpanzetë, evolucioni ka zhvilluar mekanizma biologjikë për ta kufizuar atë.
Paradoksi i dytë: Po çfarë nuk di zoti? Zoti nuk di vetëm një gjë: shkrimin. Prandaj ka ngarkuar njerëz analfabetë me shkrimin e librave me qindra faqe! Asnjë religjion nuk e ka shkruar ai, por i ka shkruar të gjitha kodet gjenetike.
Po atëherë a është zoti i gjithëdijshëm apo i gjithëgabueshëm? Që të dyja. Sipas besimtarit, ato janë vendime dhe dëshira hyjnore që nuk guxojnë të vihen në dyshim, por vetëm të besohen. Sipas logjikës dhe mendjes së shëndoshë, janë përralla të krijuara nga njeriu diku para 3000 - 3500 vitesh dhe për ata njerëz. Si më herët totemizmi dhe pastaj politeizmi. Ky. i fundit edhe sot në Indi.
Po atëherë pse u besojmë?
Sepse disa burra ua kanë mbushur mendjen njerëzve se, nëse nuk përdorin mendjen dhe trurin e shndërrojnë vetëm në një USB memorizimi, atëherë do të shpërblehen në botën tjetër me një jetë të përjetshme dhe plot kënaqësi.
Domethënë, zoti i gjithëdijshëm urdhëron lindjen, jetën, vdekjen, por kënaqësitë e pafundme vetëm pas varrimit, si shpirt, si software. Pa trup.
Po a mund të mbijetojë software-i nëse shkatërrohet hardware-i? Sipas mendjes së lirë, kurrë. Sipas besimtarit, po.
Domethënë, metalet ku gjendet software-i shkrihen, por shpirti nuk fshihet; ai del dhe vazhdon të jetojë jashtë tyre. I lirë. Autonom.
Po pse u krijuan religjionet nga legjendat? Sepse njeriu përpiqej ta shpjegonte fillimin dhe fundin, si dhe ta arsyetonte ekzistencën e vet. Religjioni i shërbente si psikoterapi për të mbijetuar një jetë të vështirë. Vetëm kjo? Jo. Burrat e mençur me religjion kontrollonin popullin dhe e përdornin atë për qëllimet e veta.
Vetëm kjo? Jo. Burrat i krijuan religjionet edhe për të dominuar dhe për ta legjitimuar dominimin e pakontestueshëm mbi gratë. Për të përligjur të drejtën e pronës. Prandaj në religjion lejohej shitja e njeriut si sot e kafshës.
Një zot i vërtetë nuk do të gabonte kurrë me krijimin e Evës nga Adami; nuk do të lejonte kurrë vrasjen e vëllait nga vëllai, kur njerëzimi kishte vetëm katër banorë; dhe do të kishte shkruar vetë, ashtu siç ka “shkruar” gjithçka në kodet gjenetike të gjallesave, dhe ashtu siç ka ditur të krijojë atomet, protonet, neuronet, dhe fotonet që, edhe pa shpirt, lëvizin. Sipas ligjeve të fizikës.
Po atëherë, pse mbijetojnë me shekuj religjionet? Sepse premtojnë jetë pas vdekjes. Kënaqësinë absolute. Natyrisht, vetëm pas varrimit.
Çdo popull ka përrallat e veta, por me pushtime disa prej tyre u shndërruan në religjione globale me miliarda besimtarë.
Paradoksi i tretë: njerëzit i luten një zoti që nuk e shpëtoi Abelin nga Kaini, madje as Krishtin, të cilit, edhe pse i gozhduar vetë, njerëzit i luten dhe presin ndihmë prej tij.
Sidoqoftë, botës si religjion do t’i mjaftonte kjo fjali:
“Nuk lejohet cenimi i dinjitetit të njeriut.” Kaq.
Ose mund të shtohet edhe: “dhe të kafshëve, përveç në rast urie për mbijetesë.”
Në këtë univers, njeriu nuk ka më shumë rëndësi objektive, reale se buburreci. Ideja se jemi mbi gjallesat e tjera është besim njerëzor, jo ligj i fizikës, biologjisë apo astronomisë
Konkluzion: fetari zbret diku tjetër, por beson se, me avionin e gabuar, ka mbërritur pikërisht në vendin e dëshiruar. Kjo është feja: krijon grupe, ndan popuj, përligj paragjykime dhe prodhon konflikte. Tragjedi. Njërën pas tjetrës.
Përfundim logjik: nëse religjioni pretendon kategorikisht se zoti ka krijuar gjithçka dhe di gjithçka, atëherë ai do t’i kishte shkruar vetë librat e tij, në çdo gjuhë, për çdo popull dhe për çdo kohë. Dhe do ta kishim të gjithë një fe dhe qindra arsye më pak për të urryer njëri-tjetrin.
Atëherë nuk kishte fakultete gjuhësh. Këtë do të duhej ta dinte edhe ai zot, ashtu siç e dimë ne sot.
Sidoqoftë, mik i dashur, ti ke të drejtë të besosh në të gjitha ato gabime dhe paradokse, sepse sot, deri diku, pushtetin ende e ka mendja e shëndoshë. Iluminizmi. Jo kudo.
Por nëse pushtetin e merr ti, atëherë, në emër të atyre paradokseve, do të na e ndalosh përdorimin e mendjes. Pse? Sepse ti je i bindur se shpërblehesh, ndërsa neve na e nxin jetën: kryesisht grave. Nënave.
Pasoja kategorike: pas tre shekujsh iluminizëm dhe, kryesisht, pas arsimimit të grave, njeriu zbriti nga gomari dhe hipi në avion. Madje krijoi edhe IA-në, që sot di të mendojë.
Prandaj, vetëm liria jote për të besuar dhe liria ime për të menduar sigurojnë më shumë paqe, më pak urrejtje dhe më pak konflikte.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen