Krejt ngjarja kryesore zhvillohet në Berlin, aty ku ka filluar edhe një proces gjyqësor kundër Leu Trumcakut, i cili ngarkohej për vrasjen e një kolegu, që kishte qëlluar të jetë burri i dashnores së tij, Liza, por me prova ta pamjaftueshme për ta shpallur fajtorin kryesor. Me stil dhe atmosferë që lëviz në mes të Kafkës e Bukovskit, Lis Bukuroca arrin të sintetizojë, përmes narracionit letrar, trajektoren e dy përvojave e traditave sociale e kulturore në metropolin gjerman. të cilat i bashkon kryeprotagonisti, Leu Trumcaku.
Ky i fundit portretizohet me linja të theksuara psikologjike, duke nxjerrë në pah aftësinë e tij për të tallur një aparaturë të tërë të burokracisë gjyqësore që ishte ngritur kundër tij. Ky gjykim absurd në thelb ka moralin e dyfishtë të një shoqërie e cila nuk është imune ndaj ministrave e gjykatësve të cilët korrupsionin e tyre shpirtëror e paketojnë me lustrën e tejdukshme të hipokrizisë kapitaliste.
Autori Lis Bukuroca me veprën e tij të fundit ka vendosur një standard bukur të lartë në prozës moderne shqipe për faktin se ndërton parodinë e tij autentike ala Don Kishoti përmes gjetjeve antropologjike siç është Kanuni i Kurtit, një Kushtetutë kjo Fisnore që vë në lëvizje gjithë mekanizmin e ndërveprimit kohor e hapësinor, duke risjellë rrëfime nga e kaluara përmes gojës së gjyshit plak që ia transmeton pjesë- pjesë normat e shkëputur të këtij dokumenti të lashtë nipit të tij, Leu Trumcakut, i cili pastaj ‘’ka të drejtë të ndjehet i shtrënguar ta zbatojë atë në jetë’’.
Ndonëse i menduar si ‘’institucion që kujdeset për ruajtjen e paqes shpirtërore’’ përmes ‘’lumturimit’’ të grave që ishin të pakënaqura seksualisht me burrat e tyre, Kodi i Kurtit në planin letrar del të jetë edhe si kundërvënie tallëse ndaj një sistemi të dirigjuar gjyqësor, ku në fund paraqitet pikërisht ministri i Drejtësisë ai që mban gjithë penjtë e komplotit juridik kundër një emigranti intelektual.
‘’Ngjyra e dashurisë’’ duhet lexuar edhe si një manifest letrar që parodizon realitetin e shpifur të një shoqërie që po projektohej mbi norma të gabuara paragjykuese kundrejt të huajve. Viktimë e këtij paragjykimi është edhe Leu Trumcaku, i cili e paguan me privim lirie disa muajshe ‘’vetëdënimin’’ që ia cakton vetes duke bërë punën e një vëzhgimi psikanalitik nga brendia e burgut.
Ky eksperiment fabulativ i autorit është mënyra më e mirë për të ndërtuar relievin e shkallëshkallshëm narrativ në të cilin ndërthuret koha e tanishme dhe kohët e kaluara, personazhet aktualë dhe ata më të hershëm, për të ardhur në pikën kulmore të sfidimit të një pseudoakuze e ndërtuar mbi të vërteta gjysmake dhe krejtësisht paragjykuese.
Ironia e realitetit në këtë vepër vështrohet përmes dioptrisë së absurdit që prodhon banalitet. Aftësia e narratorit – Leu Trumcakut – për ta ngritur në normë morale këtë banalitet shoqëror e bën fabulën narrative të projektohet si filozofi rezistence ndaj lustrave shoqërore që vuajnë nga boshllëku human.
Lis Bukuroca me romanin e tij ‘’Ngjyrat e dashurisë’’ ka ironizuar me mjete të fuqishme të figurshmërisë letrare sistemin e vlerave të diskutueshme të një sistemi, ndërkaq ajo që e bën intrigën narrative të ketë bazë të konsoliduar besueshmërie janë stili dhe gjuha e kësaj proze , pa të cilat nuk do të funksiononte gjithë sistemi parodik i ngjarjeve e personazheve. I parë në shikim të parë si roman erotik, kjo vepër zhvesh kuptimin parësor që mund të ketë seksi në jetën e njeriut, për të ndërtuar një mekanizëm mbrojtës nga absurditet që sjell sistemi i intrigave e komploteve juridike e shtetërore.
Prandaj të gjithë ata që do të mundohen të kërkojnë në këtë vepër gjurmët e largëta të Bukovskit do të hasin në rigjetjen e reminshencave të një Kafke shqiptar./dritare.net, E MARTË 7 NËNTOR 2017
Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman erotik, vetëm për lexues të moshës madhore...