"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

09.11.2017

Kryqëzimi i kohëve në romanin “Ngjyrat e dashurisë” është një diskurs më vete

Dr. Fatmir Terziu

Kryqëzimi i kohëve në romanin “Ngjyrat e dashurisë” të shkrimtarit Lis Bukuroca (Alias: Naser Aliu) është pareti me të cilin koloriti depërton brenda gjuhës. Gjuha nga vetë brendësia e saj, ngaresht shkitazi të dukshmen dhe të padukshmen e një suite aristokratike me stilin e barokut me të murtën e materializuar brenda vetë koloritit të zvarritshëm të një pikture të madhe të perëndeshës së Hënës, Luna. Të dyja qasjet, përmes gjuhës, kalojnë dhe qartësojnë përvijimet e tyre, derisa konfigurojnë vështrimin e skicave njerëzore. Në këtë vështrim turbullimi dhe përzierja sakrilegj dhe dikton për syrin shkëputje hijesh, krijesash, që sillen e mbështillen, duke kërrusur tavanin e gjërave në sytë që dallojnë një njeri të gjatë si skërfyell, lavrak dhe të shkordhur, me një letër në dorë. E gjitha
në këtë vështrim tejkalon perceptimin e gjërave, dhe sidomos të njeriut që pikëtakon përshkrimet e Tacitit

Bazuar në këto përshkrime, kryqëzimi i kohëve fton një shikim të ftohtë, të pjerrët dhe urdhëron detajet për të ftuar lexuesin menjëherë në aksion. Në skenën e tillë koha dhe kryqëzimi i saj kërkojnë më thellë, deri tek uniforma. Dhe uniforma natyrisht duke marë formën e ligjit, i takon policit, nëpunësit të policisë, që kërkon me një frymë të thellë e të ngucur nga ligji: “Gjeni armët!”

Tjetra në kohë, hapësirë dhe vend i përket zbatimit, lëvizjes, nënshkrimit të vështrimit me përbuzje dhe keqardhje, moralit dhe sigurisht numerologjisë së uniformave, ku koloriti dallon mes pamores dy personat me tesha civile dhe tjetrin, atë që ndodh gjithnjë të jetë me një letër në dorë. Ai me letër në dorë me një buzëqeshje në vendin e krimit, sigurisht me një buzëqeshje tepër të lehtë, aq e lehtë sa qëndronte pikërisht në kufirin në mes buzës në gaz, disi ironike dhe kënaqësisë shfryn: “Ngrihuni, me urdhër të Gjykatës për Krime të Rënda arrestojeni si i dyshuar…”. Natyrisht pas zërit dhe buzëqeshjes së letërmbajtësit, pas arrestimit si të dyshuar për vrasjen e shkrimtarit Noah Rosentreter, burrin e dashnores së narratorit”, kryqëzimi i kohës kërkon medoemos tej ironisë kohën e saktë, gjë që nxjerr në pah dhe një profesor, dhe kohën “gjashtë pa 20-të”. Pra, është bërë në fakt dhe kallëzimi: “Doktor profesor Leu Trumcaku ka vrarë nga xhelozia…”. 

Vrasja, buzqëqeshja, koha, letra dhe leximi i saj janë në një dorë. Në atë dorë kryqëzimi i kohëve ka bekuar me dashje dhe me padashje edhe fatin e njeriut të ikur, edhe të atij që është gjallë, por që mbetet nën akuzë. Dhe akuza bën fatin, por jo faktin, me të cilin dhe prezantimi është shaka më vete, pas të vjelave, ku fill pas të gjithave, diktohet se njeriu me letër ishte kryekomisar, Gerhard Thiutisk. Ndërsa i akuzuari është vërtet profesor, por punon si i tillë dy herë në javë, por ai është shkrimtar.

Këtu koha kryqëzon madje dhe profesionet, të cilat me gjuhën e vetë Bukurocës, sillen në këtë kënd, për të përforcuar kooritin brenda vetë gjuhës, si dhe atë që shkon të pikënisë zanafillën e ngjyrave të dashurisë njerëzore, përtej murit të profesioneve: “Për nga natyra e profesionit, nuk mund të hesht. Unë edhe kur nuk flas, edhe atëherë çirrem. Kryesisht atëherë dëgjohem larg dhe njerëzit pyesin për arsyen. Kemi profesione krejtësisht të ndryshme, kur ju nuk flisni, ka paqe jashtë, kur hesht unë, murmurojnë me pyetje, shtrëngojnë nofullat dhe pyesin për kokëvarjen. Kjo dëgjohet shumë larg. Heshtja juaj gëzon njerëz, heshtja ime dëshpëron…” Këtu autori na shpie tek Konfuci, me të cilin ndihmojmë të kuptojmë se “Lavdia jonë më e madhe nuk është kurrë në rënie, por në rritje çdo herë që bie.” (Konfuci)

Me Konfucin koha e kryqëzuar rrëshket qashtër në faqet e romanit derisa qasja kartezianizëm na dikton thellësinë e zotit Rosentreter, jetën e tij në Zvicër, famën e tij si shkrimtar, posedues të miliona frangave, me një baba bankier të madh, gjyshi gjithashtu bankier i famshëm, me një gjyshe që kishte shtrirë në krevat krejt burrat e katundit Meilen, dhe kjo ishte arsyea, pse nga katër fëmijë, asnjeri nuk i ngjante tjetrit. Dhe koha na shpie deri tek stërgjyshi i tij, që kishte qenë avokat i madh. Rosentreter na bën kohën të flasë me emra të tjera në një roman me titull “Klani i rikolës”. Dhe gazetat kanë bërë punë të paqme me atë roman. Dhe përtej romanit kryqëzimi i kohës depërton kolorit tek kumtesa e narratorit, ku del në pah dhe dashuria e Ali Pashë Tepelenës me Lord Bajronin, aq sa dhe Liza të shfaqet si një perde ndarëse mes dy dashurive. Njëra me një njeri si Rosentreter, që zbatonte dritën e semaforit dhe në tre të mëngjesit, kur nuk kishte asnjë makinë, dhe një tjetër, me narratorin, që mbytej me një shishe konjak dhe tymoste cigare, varte surratin pa u lodhur për botën. Dhe bota e tillë, po aq sa koha kryqëzohen me njëra-tjetrën tek sindroma e traktorit, gërhitja, dhe personazhet e shkrimtarit, që nuk kanë falur kurrë një puthje ose seks një gruaje që vuante. Dhe seksi më tej është kryqëzimi i radhës. Ai pason me dhjetëra personazhe, ku ata janë në shërbim të popullit dhe dashurisë, kanë vepër humane dhe detyrë, që përndryshe shkrimtari i bën të çmenden.

Kryqëzimi i kohërave natyrisht stacionohet tek vrasja. Vrasja zbulon perversitetin e vetë njerëzve të kohës. Dhe ky perversitet tregon se si perversët, me kënaqësi rrëgjohen, bëhen shuk,mblidhen, revoltohen, pendohen, flasin për mirësjelljen, jerm për artin, për humanizmin, misnin e shenjtë, janë rebel nga natyra, rrënojnë çdo normë sociale, shpërfillin gati çdo normë juridike, mendojnë se janë mbi ligjin, flasin kundër hashashit, por shumica e konsumojnë ose e kanë konsumuar si studentë, flasin e bërtasin për parime, për burrëri, sapo t’u falen para, bëhen kurva dhe ndryshojnë parime dhe qëndrime. Nga seksi kanë krijuar seanca përleshjeje. Dhe kjo vlen në faqet e romanit si për diktaturën dhe rendin demokratik. Kryqëzimi i kohës u jep kolorit, dhe mes tij ne i dallojmë në faqet e romanit. E vetmja gjë që na bën të rithellohemi është se “Frika e vdekjes vjen nga frika e jetës. Një burrë që jeton plotësisht është i përgatitur të vdesë në çdo kohë.” (Mark Tuin)

Kjo udhëheq deri tek labirinthi më i detajuar të tetëmbëdhjetë kapitujt e romanit “Ngjyrat e dashurisë” të shkrimtarit Lis Bukuroca. Të gjitha seancat e gjyqeve, akuza, përjetimet erotike, dëshira e tij publike që në sallën e gjyqit të shkërdhente prokuroren publike, dalja e sitës krahasuese me kohën e Envër Hoxhës, dhe fakti i fundit i tërheqjes së aktakuzës, si dhe shpallja e pafajësisë së profesor Trumcakut, lirimin  e tij, na shpien tek vetë erërat e kryqëzuara në kohë, hapësirë dhe vend. 

Era e alkoolit, era e gjërave dhe era e mjaft të tjerave, deri tek ajo e dashurisë, janë jo vetëm kryqëzim në kohë, hapësirë dhe vend, por dhe një kryqëzim për koloritin e ndjesive, moralit, jetës dhe vetë sjelljes njerëzore. Shkrimtarja Margaret Mitchell, tek romani i saj “Shkuar me erën” (Gone with the Wind) na jep një ndihmesë me këtë paragraf, jo thjesht si paralelizëm midis jetës dhe vdekjes, por si një arsye për të kuptuar stilin me të cilin shkruan Lis Bukuroca: “Papritmas ajo ndihej e fortë dhe e lumtur. Ajo nuk kishte frikë nga errësira apo mjegulla dhe ajo e dinte me një këngë në zemrën e saj që ajo kurrë nuk do t’i kishte frikë përsëri. Pa marrë parasysh se çfarë mund të zbukurojnë rreth saj në të ardhmen mjegullat, ajo e njihte strehën e saj. Ajo filloi me gjallëri rrugën drejt shtëpisë dhe blloqet dukeshin shumë të gjata. 

Rruga e largët, por edhe shumë e gjatë. Ajo ra në gjunjë dhe filloi të frymojë lehtë. Por këtë herë ajo nuk po vraponte nga frika. Ajo po vraponte, sepse krahët e Rhett ishin në fund të rrugës”. Kështu ishte dhe rrugëtimi me dashurinë e Lizës, tek 30 vjetori i premtimeve për martesë… në romanin “Ngjyrat e dashurisë” të shkrimtarit Lis Bukuroca. Kryedashuria ishte Liza, të tjerat ishin nunasa, vetëm ngjyra të kryqëzuara nga koha.  Sakaq kryqëzimi i kohëve në romanin “Ngjyrat e dashurisë” është një diskurs më vete.

Publikuar te fjalaelire më 03.10.17

Nëse dëshironi të lexoni më shumë nga LB, atëherë këtu mund të porosisni romanin: Ngjyrat e dashurisë ose përmbledhjen me poeziHiedritat e jetës.

Keine Kommentare: