"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

27.03.2019

Hijedritat e jetës - Gazetaexpress, Gazeta Dita, Dritare, fjalaelire

Shkruan:  Thanas Jorgji

Vështirë të meret me mend që një autor të jetë në të njëjtën lartësi në dy zhanre letrare. Zakonisht tek një autor ka përparësi njëri nga zhanret, ndërsa tjetri mbetet plotësues dhe kompletues: ose proza plotëson krijimtarinë e Poetit, ose poezia plotëson krijimtarinë e Prozatorit. 
Por tek Lis Bukuroca me sa shihet, ky rregull thyhet.
Kur mora në dorë librin “Hijedritat e Jetës”, kujtova se ai do ishte një përmbledhje me poezi dashurie, por pasi e lexova pashë se ai përbëhej nga dy korpuse:


Poezia lirike-erotike
Poezia politike

Nëse ciklin e poezive për Dashurinë do ta krahasoja me një partiturë muzikore, do të thosha se ky cikël i përmban të gjithë regjistrat e Simfonisë së Dashurisë. Nga ndjenjat më të larta e fisnike e deri tek ato më të ulëtat deri në brutalitet. Nga flladet e puhizat e këndshme fërgëlluese e deri tek plagët e dhimbshme të dashurisë. 
E thënë pak më ndryshe, në këtë korpus Lis Bukuroca na jep Universin e Dashurisë në dritë-hijet e tij. Si një Dante Poeti na udhëheq dhe na shoqëron në tre realitetet në të cilët jeton dhe ekziston Dashuria: në Parajsë, në Purgator dhe në Ferr.
Në Parajsën e ciklit gjejmë akuarele poezish me bukuri mahnitëse, ndër të cilët veçoj poemin “Më thuaj e dashura ime” dhe “Më fal, Teuta!” të cilët do t'i bënin nder çdo antologjie me temën e Dashurisë.

Je ti që më do?
Apo jam unë që të pushtoj çdo ditë?
Jam unë që të dua?
Apo je ti që më magjeps çdo ditë?
("Më thuaj, e dashura ime”)

Ja edhe një etyd tjetër dashurie:

Faleminderit që në jetën time hyre e dole krenare
Qafëgjatë e ëmbëlake plot hir si sorkadhe
Dashuritë nuk fshihen, vonë këtë e kam nxënë
Mijëra fjalë që janë dhe kanë ngelur pa u thënë
("Më fal Teuta")

Nga poezia në poezi, nga këngëtar etydesh lirikë dhe piktor akuarelesh poetike për Dashurinë, Poeti shndërrohet në Kirurg gjakftohtë i cili i bën anatominë Dashurisë.

Kur të pendohemi për aktin e humbur
Keqardhja nuk do të jetë tronditëse
Pezmatuese do të jetë vetëm të kuptuarit e
Vonuar
Dhe çasti i tretur nuk do të kthehet më
Ti pate ulur shikimin
(“Në tren”)

Aty kuptova se nuk kisha ditur  të të dua si duhet
As të të çmoj ty
As të të puth
As të bëj dashuri
....
Kur kuptova dashurinë 
dhe mënyrën si ruhet ajo
ti ike e tmerruar
siç dinë të ikin vetëm gratë e trishtuara
(“Nuk kisha ditur të të dua”)

Poezi pas poezie, shkallë pas shkalle, Poeti na zbret nga “qielli i shtatë” i Parajsës në qiej më të ulët, në Purgatorin e Dashurisë ku tashmë nuk shohim dashuritë ideale me përjetime fine për të zgjedhurën e zemrës, por shohim një realitet të ashpër, remineshencat e të cilit ekzistojnë ende, herë të fshehura, herë haptas, midis nesh dhe para syve tanë.
Poeti me vrazhdësi ia heq Dashurisë një nga një petalet e bukura dhe e lë cullak, duke e reduktuar Dashurinë në thelbin e saj: në aktin seksual të njëjtë me atë të kafshës. 
Por nuk është i vrazhdë Poeti. 
I vrazhdë është Realiteti.

Në kohën kur u linda unë
Martesa e tyre nuk ishte dashuri
Takimi i parë në krevat, ora njëzet e një
Në orën njëzet e një e pesë: seks
Ndërzimi i detyrueshëm

Dhe pak më poshtë:

Në kohën kur u linda unë
Gratë nuk lindnin
Ato pillnin

Për të ardhur tek finalja e ashpër dhe e pamëshirshme:

Në kohën kur u linda unë
Dashurinë nuk e mësonim
Ajo ishte turp dhe kurvëri
Ajo ishte krim!
Urrejtja dhe vrasja në lule të ballit
Burrëri dhe nder!

Por gjithçka nuk mbaron te Purgatori. Hijedritat e Dashurisë vijnë e bëhen edhe më të errëta, edhe më rrëqethëse. Poeti Lis Bukuroca na zbret edhe një qiell më poshtë (më saktë me thënë: një bodrum më poshtë) në Ferrin e Dashurisë. 

Për ta ilustruar po sjell poezinë “Thirrje telefonike”
Është kaq e ashpër, kaq brutale dhe kaq e dhimbshme sa nuk mund ta citoj dot të ndarë, veçse duke e sjellë të plotë:

Thirrja telefonike.

“Po më rreh burri,
ejani, ju lutem!”

"Po si moj zonjë, 
moj shpirtligë
thërret policinë për burrin?
Si nuk ke turp moj?
Ai është burri yt,
Pronari yt
Zoti yt
Moj grua e pafytyrë!”
- bërtiti i çartur.

“Edhe ne i rrahim gratë tona,
kë të thërrasë shoqja ime?”
Dhe polici shqiptar përplasi receptorin

Këtu Dashuria ka rënë në koma.
Dhe përpara se të nxitojmë të dalim të shokuar nga kjo sallë reanimacioni, (Intensivstation) ja edhe një strofë tjetër që të shtang deri në frymëmbetje:

Dhe
Nesër
Mund t'i themi:
“Merre, ja ku e ke!
E ruajtëm për ty
Stërvitur me nënshtrim
Plot trysni e mbikqyrje,
KËNAQU
burrë i dheut!
("Honoris Causa")

Këtu Dashuria është në morg dhe Poetit-Mjek Ligjor, pasi ia bën autopsinë Dashurisë, nuk i mbetet tjetër veçse të nënshkruajë vdekjen e saj. 



*****
Nëse Migjeni ka një poezi me parantezë nën titull: (motiv Niçean) Lis Bukuroca ka një të tillë me “motiv Migjenian”.
Poeti i gjallë i drejtohet Poetit të vdekur:

Kafshatë që s'kapërdihet nuk është më varfëria
Nuk ngordh më kafshë, nuk vdes njeri nga uria

E megjithatë është i njëjti mjerim, ndonëse i niveleve të ndryshëm. Poeti i gjallë Lis Bukuroca i raporton Poetit të vdekur Migjenit për realitetin e ri dhe për dukuritë e reja që përjeton shoqëria shqiptare.

Dhe po kështu bën Poeti tek poezia “ Marshi i tarafit”, të shkruar në ritmin e “Marshit të Barabajt” të Fan Nolit.

Allalla, o arrivist, o mashtrues allalla
.....
Hajdut, ti na vodhe, na zhvate këtë atdhe
Ti na molise, na degdise, mohon me be

Me sa duket, poeti Lis Bukuroca gjen tek krijimtaria e Nolit, “regjistrin” e shprehjes së indinjatës së tij kundrejt realitetit të shoqërisë dhe politikës shqiptare, posaçërisht asaj kosovare. Dhe këtë e bën edhe tek poema “Noli për Kosovën” në të cilën ai luan mbi partiturën e poezisë “Anës lumenjve”.

Të çliruar dhe mashtruar
Grabitur dhe dërmuar
Me biletë dhe shumë shpresë
Askush atje nuk do të mbesë

Kështu e hap siparin e realitetit të trishtë kosovar Poeti në këtë poem. Për të shpërthyer më pas plot indinjatë:

Po bërtas i trishtuar
Nga mëmëdheu i dëbuar
Herë mërzitur, herë tronditur
Herë i shtrirë, herë i ngritur

Dhe si të ishte një magjistar ringjallës dhe transformues i poezisë klasike shqipe, poeti Lis Bukuroca nuk lë pa “rivitalizuar” edhe “Bagëtinë e Bujqësinë” e Naim Frashërit në poezinë e vet me titull “Bagëti e mafi”.

Oh sa vrer ka tufa! Pikëllim nga politika e mafia
Na damkosën në botë, i mallkoftë Perëndia!
Nëpër ministri, në dogana punësuar plot derra
Matrapazit me përkulje, menjëherë i hapet dera

Veçori shquese e këtij cikli janë edhe ironia e satira me të cilat poeti stigmatizon dhe fshikullon ashpër figurat politike tashmë të diskredituara jo vetëm vendase, por edhe përtej arealit shqiptar si tek poemi “Kush e vizatoi flamurin”, ironi dhe satirë të cilat arrijnë deri në sarkazmë tek poemi “Sikur Erdogani”.

Mu si paraardhësit e tij para disa shekujve,
Që na gjetën
Me kulla e shtëpi ndërtuara prej guri
Dhe na lanë me shtëpi qerpiçësh
Që na gjetën me banjë në shtëpi
Dhe na lanë me qenef në oborr

Me bukuri befasuese dhe përcjellëse e një mesazhi të fortë është poezia “Koncerti shqiptar” në fokusin e së cilës janë politikanët shqiptarë të cilët e shohin atdheun si një “domen” të tyrin të cilin mund ta ndryshojnë dhe transformojnë sipas shijeve dhe interesave të veta, deri në shfytyrim.

Unë njoh një shqiptar, atë e njeh edhe Ti...
Unë njoh një shqiptar që don ta ndryshojë alfabetin
....
Gjuhën...
Flamurin...
Himnin...
Historinë...
Kombin

Dhe ta ndërtojë një komb për vete
Sipas dëshirës:
Komb privat
Histori private
Hero privat
Gjuhë private
Alfabet privat.

Dhe pasi ia rreshton të gjitha monstruozitetet këtij farë shqiptari, Poeti në fund ia vë edhe notën:

Bota rreth tij po ndryshon
E ai mbeti plug.

Dhe nëse do më pyesni: cila poezi është më “Lis Bukurocë” në këtë korpus, do të thosha pa mëdyshje: “Zot edhe një libër”.

Shkruaje edhe një libër të lutem se na hangër 
dreqi
....
Shkruaje o burrë i qiellit
Se do ta hajë dreqi burrin e dheut që e bëre nga 
balta 
e po bëhet llum
....
Sepse balta po han baltën këtu o Zot
Në emrin tënd
E ti hesht tash e mijëra vite

Mbyll librin me poezi “Hijedritat e Jetës” i mbushur plot përshtypje dhe me kënaqësi poetike. 
Thashë disa gjëra. 
I sigurt se nuk i thashë të tëra.

Thanas Jorgji
Mynih, 27.3.2019

Shkrimtari Thanas Pilafas njihet ndryshe edhe si Thanas Jorgji. Ai ishte dy herë fitues i çmimit letrar kombëtar në Shqipëri “Penda e argjendtë”.

Thanas Pilafas – Jorgji ka botuar 36 libra  në Shqipëri, por edhe në Greqi, Austri, Gjermani dhe Itali. U lind në Bilisht më 31 janar 1955. Ka kryer studimet e larta për Gjuhë-Letërsi në Fakultetin Histori – Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Pas diplomimit u emërua me punë në redaksinë e Revistës letrare-artistike „NËNTORI“ – organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ku punoi si redaktor për prozën deri në vitin 1992. Prej këtij viti ai jeton në Mynih të Gjermanisë. Ai është dy herë fitues i çmimit letrar kombëtar „Penda e argjendtë“ për vitet 2005 dhe 2012. Përveçse në Shqipëri, libra të tij janë botuar edhe në Greqi, Austri, Gjermani dhe Itali.




Keine Kommentare: