"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

11.07.2017

Ngjyrat e Dashurisë, Edmon Shallvari - Gazetaexpress

Shkruan: Edmond Shallvari


Mbresat e çastit për librin e ri të shkrimtarit Lis Bukuroca

“Ngjyrat e Dashurisë” apo romani antitezë, antitabu, antimoralist, frojdist, realist deri në caqet e satirës, satirik deri në caqet e humorit. Këto e të tjera etiketime, u bënë paradë e larmishme, ndriçuese deri në verbërim, dëgjuese deri në shurdhërimë, normale deri në çmenduri, joshëse deri në ekstazë, në skenën e prapaskenës dhe prapaskenën e skenës, të librit të shkrimtarit dhe publicistit, Lis Bukuroca, që dje i mbylla faqen e fundit të leximit në urbanin për në punën e natës.

Nuk thashë thënien e njohur të lexuesve pas leximit të një libri të bukur: “Sa shpejt mbaroi, pse nuk zgjati dhe ca!”,- por thashë diçka më tepër, mbase të pathënë nga asnjë tjetër: “Kaq duhej të ishte si libër, në formën dhe përmbajtjen e tij, as një faqe më pak, asnjë faqe më tepër, për të mbetur i veçantë në plotësinë e tij dhe i plotë në veçantinë e vet”.
Tashmë gamës së personazheve tipike të romaneve shqiptarë e të huaj të lexuar jetës sime, iu shtua dhe Leu Trumcaku apo siç quhet shpesh në roman, profesor Trumcaku. Një personazh tipik e simbolik, që përmes predikimit oratorik dhe elokuent që i bën Kanunit të fisit të tij, të emëruar si Kanuni i Kurtit, fshikullon, satirizon dhe ve në lojë shoqërinë njerëzore të kornizuar brenda një sistemi ekonomik, politik e shoqëror, ku absurdi, paradoksi, degjenerimi e degradimi, mbulohen përmes fasadash propagandistike moraliste e demokratike, të lirisë, ligjit, drejtësisë, etj.

Përballë kësaj piramide të sistemit, qëndron dhe kundërvihet gati i vetëm, profesor Trumcaku, në një ndeshje që nuk ka krahasim për pabarazinë e saj në historinë njerëzore, bile as me atë mes Davidit dhe Goliatit. Pikërisht këtu qëndron dhe merita e autorit, që e bën lexuesin protagonist me personazhin, edhe në mospajtimet mes tyre si karaktere e koncepte për moralin, erotikën, dashurinë dhe seksin. Kjo ndodh sepse e keqja e piramidës, është shumë herë më e madhe se e keqja kundërvënies së Trumcakut dhe sepse në përballje mes tyre, bindesh, që e vetmja mënyrë për ta zvogëluar deri në mospërfillje efektin e piramidës, është ta luftosh atë përmes mjeteve dhe plagëve të saj më të thella. Bindesh pra në fund për triumfin e personazhit, duke e ndjerë edhe ti veten triumfator me të.

Nuk bëj aspak rolin e analistit e të kritikut profesionist, sepse nuk jam i kësaj fushe delikate të artit, prandaj po e le me kaq mendimin tim mbresor, për romanin e ri të porsalexuar.
Thessaloniki, 9 korrik 2017 Gazetaexpress

Porositja:

Keine Kommentare: