12.03.2012

Zhbirime me vështrime/ Shekulli


Narcizmi grek
Greqia me vite u dha pensione jo vetëm qytetarëve të gjallë, por si shtet zemërgjerë që ishte, u dërgoi para edhe grekëve në botën tjetër. Tash të gjallët duhet t’ i paguajnë dëmet që shkaktuan të “vdekurit” dhe, jo vetëm këtë, por grekët e gjallë, duhet edhe t’ i kthejnë pas paratë që konsuamuan banorët e varrezave.

Narcizmi shqiptar

Qeveria shqiptare nuk u dërgon para sa duhet as të gjallëve, por ka diçka të përbashkët me shtetin fqinj me të cilin bashkëjetuam me shekuj nën mendësinë osmane: tek ne të vdekurit nuk kanë të drejtë të marrin rroga, por askush nuk mund tua mohojë të drejtën për të votuar. Edhe këta nëntokësorë janë pjesë e sovranit. Emrat e tyre futen në kuti nga të gjallët dhe numërohet nga klasa sunduese në agoni, që nesër duhet të vdesë.

Kleptomania

Aty ku vidhen votat e qytetarëve, të të ashtuquajturit sovran, kush beson se nuk vidhen edhe parat, ka probleme me perceptimin e botës reale dhe jeton me iluzione ose në halucinacione. Ai që vjedh vota, ka edhe synime tjera. Pushteti i shërben hajdutit vetëm si urë për t’ i realizuar qëllimet e veta.

Denoncimi i nënës

Berisha grave për tetë marsin: „Bashkë me qumështin, ato u kanë mëkuar fëmijëve dashurinë e pakufishme për kombin dhe vendin”. Mund të besohet se nënat shqiptare kanë edukuar fëmijët ta duan vendin, por siç shihet, një nënë, paska harruar t‘ i thotë djalit të vet: “ Biro, edhe deti është vendi jonë! Edhe kundërshtarët tu janë shqiptarë!”

Agjitacion dhe propagandë

Sali Berisha ua uroi grave tetë marsin, pastaj u tha se kjo ditë është e tyre, por 365 ditët tjera, ato duhet t’i pushtojnë dhe shtoi: “Mos e prisni dhuratë rrëzimin e murit të patriarkalizmit, por luftoni vetë.” Ky ishte një apel grave shqiptare të armatosen dhe luftojnë burrat e tyre. Gratë askund në botë nuk kanë luftuar për barazi të veten, por qeveritë me ligje kanë detyruar burrat, t’ i respektojnë të drejtat e grave. Pastaj, nuk është mirë gratë të luftojnë, sepse në natyrën e nënave, nuk është vrasja dhe veç kësaj, mund të shpallen puçiste dhe nesër të vriten nga Qeveria, që do të bërtiste: “Fustanet janë ngritur në këmbë!”

Pendimi

Sali Berisha u rekomandoi grave shqiptare shëmbëlltyrën kryesore: „Nënë Tereza e mbarë njerëzimit. Le të shërbejë ajo si figura e frymëzimit për ju.” Në përkthim të lirë kjo domethënë.: “ Mos luftoni, ulni kokën, bënit punët e shtëpisë, mos kundërshtoni, mos flisni shumë, shërbeni sa të mundeni dhe prisni. Një ditë mund të fitoni Çmimin Nobel. Prandaj, frymëzohuni nga Nënë Tereza!


Monizmi

Qeveria shqiptare ka defaktorizuar kryetarin e shtetit dhe kryeprokuroren e përgjithshme. Kryeministri urren opozitën, kryetarin dhe prokuroren. Çdo njeri që nuk pajtohet me mendimin e tij, shpallet revizionist. Edhe Enveri nuk duronte devijime brenda partisë dhe shtetit. E tillë është edhe demokratura e Saliotit. Nuk i ka fajet ai, por fajet i ka Politbyroja e Partisë Demokratike.

Pushteti i klasës punëtore

Nga viti 1945 e deri më sot Partia e Punës sundon popullin shqiptar. Plot 67 vite. Nëse fiton edhe një herë Berisha, atëherë pas tre viteve, do të festohet 70 vjetori i despotizmit lindor në Shqipëri. Pas tre viteve, më të pasur, edhe me skeletin e Zogut.

Amatorët dhe ekspertët

Qeveria italiane u detyrua të tërhiqet dhe tani qeveriset nga ekspertë. Ç ‘ ka domethënë kjo? Kjo domethënë se popujt kanë ekspertë brenda dhe ata detyrohen ta shpëtojnë vendin, sa herë ta katandisin politikanët amatorë, batakçinj. Personazhi i Carlo Collodit, nga “ Storia di un Burattino“, është duke pritur galuc të hidhet përsëri në garë! Ka shumë akoma për t’ u prishur. Komikët italian thanë në San Remo se pa Berluskonin, do të mbeten të pa punë. Edhe nga njerëzit e paskrupullt dhe intrigantët, dikush fiton! Si edhe nga plehu, fundi i fundit!

Agjitropi

Kreshnik Spahiu është shpresa e Shqipërisë europiane, e demokracisë, dinjitetit dhe dashurisë ndaj vendit. Për ta denigruar atë dhe për ta bërë politikisht të papërdorshëm, do të kujdeset Qeveria shqiptare dhe greke. Salioti sa herë del jashtë vendit, bën agjitacion dhe propagandë kundër opozitës, si asnjë politikan në Europë. Ai sillet si një fëmijë i keq, që merr në gojë familjen e vet tek fqinjët. Ndoshta i japin një sheqerkë. Ai gjithmonë u bën me dije atyre, se vetëm ky është politikanë i përdorshëm dhe i gatshëm të zvarritet. Kjo është arsyeja pse ai urren njerëzit me integritet të vetin.

Shekulli


Keine Kommentare: