Kemi edhe Universitet
Planetar, ku studentët bëhen mësues, jurist,
sociolog, psikologë e inxhinier të informatikës, jo astronom. Në
Kosovë mund të studiohet edhe në
universitetin, që quhet "Rezonanca.” Dhe pastaj për inat
të Universitetit Planetar, Kosova
ka Universitetin Universum dhe Universitetin Victory... Çfarë ka bërë për Kosovën Hasan Prishtina, çfarë Bill Clinton?
Universiteti i Prishtinës ripagëzon veten
dhe tani e tutje do të quhet Universiteti
Hasan Prishtina. Hasan bej Prishtina pat studiuar në Stamboll drejtësinë
dhe shkencat politike dhe me profesion ishte politikan. Tri herë ka qenë
deputet në Parlamentin turk. Në Shqipëri ka pasur edhe funksione politike. Ka
qenë edhe Kryeministër, nga ky post e dëboi Zogu duke u kërcënuar me luftë
qytetare...Qe vrarë në Selanik në shtëpinë e tij të madhe, ku ishte strehuar
pasi e pat dëbuar Zogu sipas dëshirës serbe. Nuk ka asnjë dyshim se Hasan
Prishtina ishte një atdhetar i madh, por pyetja shtrohet kështu: A nuk kishte
kombi shqiptar një njeri më të ditur, më universal dhe me një peshë më të madhe
shkencore, letrare, humaniste sesa Hasan Prishtina?
Universiteti me emrin e një njeriu, që
nuk ka shkruar asnjë libër, nuk ka bërë asgjë për shkencën, mund të bëhet vetëm
tek ne. “Hasan Prishtina” mund të quhej fakulteti i juridik, ai i shkencave
politike apo i historisë, por kurrë jo Universiteti
i Prishtinës. Ideja paska ardhur nga Kryeministri Thaçi. Nuk dihet pse
Thaçi ka kohë të merret me punë që nuk i takojnë. Kjo është simptomë e keqe dhe
tregon se ai ka humbur lidhjen me realitetin dhe merret me pagëzime. Ndoshta
kjo është njëra nga parashenjat, që tregojnë se ai duhet të largohet nga skena
politike. Ka arritur të gjitha qëllimet; nuk ka ambicie dhe mundësi për të
shkuar më larg. Pas majës, nuk ka majë tjetër, por sipas ligjeve të natyrës,
ndihet efekti i gravitacionit. Nëse
vazhdon kështu, nuk është çudi nëse
shihet i fotografuar me pionierë, siç bën Berisha në Shqipëri dhe nuk është
çudi, nëse recitohet poezia: “Shoku Thaçi ne të betohemi...”
Profesorët e Universitetit të Prishtinë
kanë aprovuar apo duhet ta aprovojnë mendimin sepse vjen nga lart. Edhe Berisha
shkon nëpër shkolla si Enveri dhe merret me agjitacion dhe propagandë. Thaçi i
imponon universitetit një emër, që i pëlqen atij. Kontributi i Hasan Prishtinës
është modest, kemi edhe më të merituar se ai. Pse Thaçi detyroi alamet
profesorët të pranojnë ta quajnë universitetin jo me një emër dijetari, siç
bëhet në botën qytetëruar, por me një emër politikani, siç bëhet tek shtetet
primitive?
Ndoshta për ta kënaqur Berishën, sepse Hasan
Prishtina quhej Berisha në fillim? Ndoshta për t’ i pëlqyer Erdoanit, sepse ai
ishte deputet i parlamentit turk? Për t’ i pëlqyer Greqisë pse atje kishte
blerë shtëpi të madhe beu dhe qe vrarë atje? Ndoshta njëra prej arsyeve të
lartpërmendura, ndoshta të gjitha së bashku, por një gjë mund të thuhet me
siguri: Hasan Prishtina vështirë se do të kishte pranuar të quhej universiteti
me emrin e tij. Patriot i madh që ishte, do t’ i kishte numëruar dhjetëra shqiptarë
tjerë më të merituar se vetja. Madje, ndoshta do të kishte propozuar Bill
Clinton-in, sikur t’ a kishte pasur këtë mundësi. Apo Madlein Albright. Është
tallje me Hasan Prishtinën, është tallje me universitetin, siç është tallje një
shkollë fillore të pagëzohet me emrin e një njeriu analfabet. (Në Gjermani nuk
shihen emra të luftëtarëve, as si emra të rrugëve, por të poetëve,
shkrimtarëve, shkencëtarëve, industrialistëve, të njerëzve nga arti dhe kultura
në përgjithësi...)
Më mirë te kishte mbetur Universiteti i Prishtinës apo i Kosovës, se sa të quhej i Hasan Prishtinës.
Nëse është dashur të zgjidhet një
personalitet me kontribut kombëtar, ka pasur shumë të tjerë që rreshtohen para tij.
Të studiosh në Universitetin e Kosovës të jep një ndjenjë të një vlere më të
madhe se sa në Universitetin “Hasan Prishtina”. Pastaj, para se të zgjidhej ky
emër, është dashur të shqyrtohej seriozisht a duhej të pagëzohej universiteti i
Prishtinës me Universiteti Bill Clinton.
Pa këtë hero, sot nuk do të kishim as universitet, e as mundësi për ta quajtur “Hasan
Prishtina.” Të studiosh në “Universitetin
Hasan Prishtina” apo në “Universitetin
Bill Clinton” krijon përshtypje dhe krenari të diferencuar. Çfarë ka bërë
për Kosovën Hasan Prishtina, çfarë Bill Clinton?
Sharlatanizmi shqiptar nuk përfundon këtu. As debiliteti, jo! Studenti Shqiptar mund ta mbarojë fakultetin tek patrioti, politikani, Hasan Prishtina, por edhe tek “Haxhi Zeka” në universitetin e Pejës. Pastaj flitet se ka ikur truri. Emrat e universiteteve tregojnë se vërtet Kosova dhe Shqipëria vuajnë për tru dhe kanë mbetur pa të, mu aty ku truri është i domosdoshëm.
Duket se profesorët e vërtetë, ata që dikur dominonin skenën universitare, kanë ikur në pension ose në Perëndim dhe tani kemi profesorë me doktoratura të blera dhe përveç “aminit”, nuk dinë të bëjnë gjë tjetër. Në fakt, ata emra është dashur të pengohen nga profesorët e universitetit, por siç duket, edhe ata kanë probleme, sepse shumë tituj të doktoraturave janë thjesht plagjiate dhe sikur të kishim një ministër të arsimit si duhet, të gjithë që kanë doktoruar pas vitit 1990, do të detyroheshin t’ i publikojnë punimet e doktoraturës në internet dhe kështu të shihet, kush janë ata prof dr., që nuk dinë t’ i ndërtojnë dy fjali si duhet, por janë profesorë!
Fantazia kreative vazhdon: Një student i
ri shqiptar mund të studiojë në “Universitetin UFO.” Nëse ai shfaqet në Perëndim me një diplomë të
këtij universiteti, njerëzit do të mendonin se po tallet apo se paska mbaruar
një fakultet, që merret me studimin e objekteve të paidentifikuar, që mund të vijnë nga galaktikat tjera. Ata nuk
mund ta marrin me mend se një Universitet quhet “UFO”, qoftë edhe si shkurtesë
nga tre fjalë latine.
Në gazep intelektual do të zhytet njeriu
në Perëndim edhe nëse prezanton një diplomë nga Universiteti Vitrina. Një bashkëbisedues mund të mendojë se jeni ekspert për vitrinat e dyqaneve, ku
prezantohen disa mallra, apo se jeni specialist për ndërtimin e dollapëve të
xhamit për muze apo për ekspozita, por askush nuk beson se tek “Universiteti Vitrina”,
ke mbaruar shkencat politike, fakultetin juridik etj. Këtu nuk përfundon
injoranca: Injoranca jonë është dinamike, ajo vlon dhe derdhet në të gjitha
anët. Ajo ecën para si rrëke dhe nuk ndalet: Studenti tek ne mund të studiojë
dhe tek “Universiteti Kristal”. “Kristali” është “kokrrizë e disa lëndëve të ngurta natyrore, që është shumëfaqëshe dhe
zakonisht e tejdukshme”. “Kristali” është edhe “lloj qelqi i përpunuar me plumb dhe me silikat potasi, që është më i
tejdukshëm...”, por në shqip ka edhe këtë kuptim ”shumë i pastër, shumë i kthjellët, fare i kulluar; shumë i
shndritshëm...” Nëse tregohet jashtë ajo diplomë, ku shkruan “Universiteti Kristal”, sigurisht nuk do
të mendojnë se ky universitet është i ndershëm dhe i kulluar si kristali (edhe pse u mor vesh se i ka shitur diplomë djalit të Umberto Bossit), por do
të mendojnë se studentët kanë mësuar të presin xhama apo të prodhojnë kristale
shumëfaqëshe për t’ i shitur. Tallje do t’ ishte, mirëpo, të thuhet se në këtë
universitet me emrin “Kristal” u bëra
ekonomistë apo mjek etj.
Kemi edhe Universitet Planetar, ku studentët bëhen mësues, jurist, sociolog,
psikologë e inxhinier të informatikës. Në Kosovë mund të studiohet edhe në universitetin,
që quhet “Rezonanca.” Dhe pastaj për
inat të Universitetit Planetar,
Kosova ka Universitetin Universum dhe Universitetin Victory. Këta emra të këtyre universiteteve, nuk
flasin vetëm për fantazinë shqiptare, por për derexhen, sëmundjen kronike të sharlatanizmit,
në të cilën gjenden fakultetet shqiptare sot. Emrat kanë prapavijë dhe
kanë pasur qëllim të joshin dhe tubojnë sa më shumë studentë, të godasin qysh
me emër, të shitojnë, por ai që ka propozuar të quhen universitete ashtu dhe
ata që kanë pranuar, nuk mund të jenë profesorë, as intelektual të mirëfilltë,
por batakçinj, sepse qëllimi tyre ka qenë të mashtrohen njerëzit me emër të
universitetit. Madje, për t’u kompletuar bota tragji-komike shqiptare, disa
prej këtyre Universiteteve, kanë vetëm nga një fakultet dhe quhen universitet!
Nuk dihet si ndihen ata profesorë që punojnë në këto universitete me emra fantazie, metafora dhe emra që krijojnë asociacione dhe sugjestionojnë. Zakonisht devijime të tilla kritikonte Rexhep Qosja, por qyshkur Thaçi investoi 200.000 Euro për ta botuar kompletin e librave të tij, Qosja qepi gojën. Bakshish-mentaliteti ka rrezatim magjik tek ne dhe ai nuk do të kritikojë kurrë qeveritë e Thaçit, i cili nuk e meriton të votohet më. Për të mirën e tij dhe për të mirën e Kosovës; me këtë propozim ai ka treguar se vuan nga mania e mendjemadhësisë dhe po tregon simptomat e para të despotizmit. Nëse rivotohet Thaçi, atëherë do të bëhet despot dhe i pakundërshtueshëm, i pashkulshëm dhe i paevitueshëm si Berisha.
Ndoshta edhe nuk ka faj, sepse njeriu mund të prishet edhe nga shumë lavdëresa dhe vështirë të mbetet në tokë...Sidoqoftë, nëse aprovohet propozimi i tij, Qeveria e ardhshme duhet ta ndryshojë emrin. Kosovës i duhet një Qeveri dhe Kryeministër, që dinë të krijojë vende të punës. Të marrë kontakt me investitorë dhe nisë kthimin e shqiptarëve në atdhe, jo një Qeveri si e Berishës, që eksitohet kur plotëson kushtet për ta lehtësuar emigrimin...
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen