"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

23.10.2012

Ditëlindja, si duhet festuar?


Ato meritojnë më shumë respekt dhe më 
shumë mirënjohje. Sado që të japim, nuk 
mund të kthejmë kurrë atë që kemi marrë, 
prandaj, për ditëlindjen tjetër, bëni një 
befasi dhe të krijoni një zakon të ri... 

 ...nëna i dhuroi djalit një shishe “Champagne” dhe një libër me një zarf ngjitur. Skena u duk e çuditshme. Ajo e shtrëngoi të birin, i shprehu urimet e saja dhe e mbërtheu me shikim. Ishte shumë prekëse. Sytë e saj ishin plot lot. A thua çka po i shfaqej asaj para syve? Ky djalë tani i rritur apo një foshnje me gojën e çaraveshur dhe qarja e parë në këtë jetë? U duk se po ngjate diçka e çuditshme, heretike, por e shndërruar në shfaqe të zakonshme. Jo pse nëna po i uronte djalit ditëlindjen, por se djali e falënderoi nënën vetëm për urimet...

...ftohen miq dhe kremtohet. I urohet ditëlindja, i jepen dhurata dhe të gjithë shprehin dëshirat e tyre për njeriun që feston. Zakonisht i dëshirojnë shëndet jetë shumë të gjatë dhe jetë shumë të lumtur. Ndonjë herë edhe aq shumë jetë, sa nuk i duhet askujt. Shkurt e shqip, i dëshirojmë atë që nuk e kemi. Dikush edhe shkruan një pusullë, kartolinë, dikush dhuron diçka. Aty mblidhen zakonisht të dashurit tanë: ftohen vetëm ata që nuk na smirojnë, jo si në dasmë, ku një pjesë bukur e mirë, ftohet për t’ i falur dëshpërim, zhgënjim duke i treguar sa mirë jemi dhe sa keq është fundosur ai. Pas dasme, nuk i njohim më... Në rini e pata festuar dy herë ditëlindjen: në moshën 15 dhe 18 vjeçare. Gjashtë djem dhe tri vajza, gjyshja dhe prindërit, bënin 12 veta. Me këtë kompozicion ishte vështirë të festohej. Dy herë brenda njëzet viteve, mund konsiderohej fat dhe luks. Mënyra e të festuarit, si atëherë, edhe sot, ishte e gabuar. Jo pse festohet, po rrjedha. Këtë kuptova pas përjetimit të asaj skene në fillim të artikullit, para një jave, jo më herët:

...sepse ai që feston ditëlindjen, nuk ka pikur prej qiellit. Para se të festohet ajo, para se të pranohen dhurata nga të tjerët, duhet blerë një dhuratë për nënën. Pikërisht atë ditë, ajo kishte vuajtur më shumë se ai që feston. Ajo e kishte bartur nëntë muaj në barkun e vet: ajo kishte ngrënë më shumë se për vete, kishte pirë më shumë se për vete, kishte ndjerë veten keq, kishte deformuar trupin e vet, dhe, në fund, kishte përjetuar dhembje aq të mëdha, për të mundësuar kremtimin e ditës së lindjes, sa kishte piskatur dhe ishte dëgjuar edhe korridoreve të spitalit. Kjo lindje ishte bërë e mundur edhe me vetësakrifikim. Ka raste kur gratë edhe vdesin duke dashur të falin ditëlindje të reja. Askush nuk duhet të ketë të drejtë të pranojë dhuratë për ditëlindjen e vet, para se t’ i ketë falur nënës diçka. Dhurata e madhe do t’ i bëhej nënës edhe nëse uruesit, para se të urojnë festuesin, t’ i drejtohen nënë së tij me falënderime dhe mirënjohje. Mirënjohja është shumë e rëndësishme për sedrën dhe njeriun, që ka falur diçka, kryesisht nënat. Ato kanë falur gjithmonë diçka dhe nuk kanë kërkuar kurrë dëmshpërblim: kanë dhënë gji dhe durimin në mes të natës; kanë falur kafshatën e fundit, kanë falur kohën, edhe gjumin edhe dashurinë, dhembshurinë, dhe vajin dhe buzëqeshjen dhe trupin, herë pas here edhe jetën, nënat tona. Ato që për herë të parë i vështruam nga gjiri në sy, nga kjo perspektivë i takuam shikimet. Ato meritojnë më shumë respekt dhe më shumë mirënjohje. Sado që të japim, nuk mund të kthejmë kurrë atë që kemi marrë, prandaj, për ditëlindjen tjetër, bëni një befasi dhe të krijoni një zakon të ri...

 ...ja edhe disa tradita: në Kolumbi ai që feston ditëlindjen goditet me dhjetëra vezë në kokë dhe pastaj i hidhet miell. Sipas tyre, kjo sjell fat. Kjo traditë mirëpo nëpër shumicën e shkollave, është e ndaluar. Në Danimarkë për ditëlindje varet në dritare flamuri nacional. Sapo të flejë fëmija, dhuratat i shpërndahen rreth krevatit të tij. Disa tradita gjermane: tek mosha e rrumbullakët si 30 vjeçare, të pamartuarit duhet t’ i fshijnë shkallët e Gjendjes Civile, në disa vende fshihet para një ure. Nga obligimi i fshirjes, mund të lirohet vetëm nëse puthet nga një virgjëreshë. Nëpër disa vende të Gjermanisë, për moshën 30 vjeçare, fshihet doreza e derës së Bashkisë/Gjendjes Civile tek të pamartuarit. Ata që mbeten deri në moshën dyzetvjeçare të pamartuar, atëherë duhet ta bëjnë një shëtitje nëpër qytet apo katund hipur mbi një gomar...

 Creative Commons - Lizenz (CC) -Ndalohet dërgimi jashtë këtij blogu pa shënuar linkun



Keine Kommentare: