18.09.2016

Kisha serbe dhe revolta, Bota Sot

Në vitin 2004 ka nisur rënia e simpatisë ndaj Kosovës. Ishte hera e parë kur u shfaqen skena në ekran, gjersa turma shqiptare përpiqej të shkatërronte kisha. Asaj turme që merrej me atë rrënim, ekzistencën i garantonin ushtarët kryesisht të krishterë. Këtu nisi rehabilitimi i Serbisë dhe ndryshimi i roleve: shqiptarët nuk vështroheshin më vetëm si viktima, por edhe si kriminel!
Nuk nxorëm mësime nga ajo vepër pro serbe, por vazhduam kultivimin e tjerave. Serbisë i nevojiteshin për ta rikthyer dinjitetin e humbur.

Pasoi vrasja e pilotëve amerikan në Frankfurt dhe afroi Serbinë akoma më shumë me Perëndimin. Thua se këto ishin pak, Qeveria e Thaçit toleroi një klimë rekrutimi për Siri dhe dëmtoi akoma më shumë imazhin e vendit të çliruar nga jashtë. Tani të çliruarit nga SHBA, kërcënonin SHBA-të. Ishte çasti kur nuk flitej më për ne si viktima: u harruan të varrosurit shqiptarë nëpër Serbi. U harruan shtëpitë e djegura. U harruan gratë e dhunuara dhe Serbia po rikthehej me hov si viktimë në platformën politike botërore. Edhe atë, me ndihmën shqiptare!

Gjuha shqipe në Maqedoni është ilegale, kurse për pesë për qind serb në Kosovë, është zyrtare. Tek devijimet tona duhet kërkuar edhe arsyen e diskriminimit në Luginë. Në Kosovë katundet serbe shndërrohen në komuna, kurse komunat shqiptare në Serbi, shndërrohen në katunde. E tani? Tani Serbisë i duhet edhe një shtytje, edhe një ndihmë dhe turma ngrihet kundër kishës. Ajo turmë ka mijëra arsye të rrëzojë kryetarin dhe Qeverinë, por me emocione merret me kishën, kështu zhduk përfundimisht at pak simpati, që ka ngelur në Perëndim. Ajo turmë ka mijëra arsye të ngrihet kundër profesorëve që kanë doktoruar me plagjiate, por nuk e bën. Ajo quan veten “
Lëvizja Studim Kritikë Veprim`” dhe nuk merret me studime, as me kritikë letrare, as nuk din të lëvizet, e as të veprojë. Ajo turmë din të veprojë kundër interesit të shtetit dhe t'i dhurojë Serbisë edhe një argument kundër Kosovës.

Serbia me politikanë shovinistë dhe qëndrime fashiste, nuk do t'ishte rehabilituar kurrë, sikur të mos i ofrohej ndihma e vazhdueshme nga njerëzit e vet që ka brenda Kosovës. Serbia nuk duhej të kishte politikanë të aftë, ajo bën politikë të Millosheviqit në raport me shqiptarët, por argumentet esenciale kundër Kosovës, ia ofron Kosova. Janë më autentikë dhe më të besueshëm jashtë. Lukunia ka mbështetje të fortë materiale dhe vazhdon me ndihmën Serbisë.

Udbashët e djeshëm, që ishin në shërbim të Serbisë, nuk janë shfarosur nga ndonjë epidemi. Ata janë të detyruar të prodhojnë vepra në favor të saj, si në të kaluarën edhe tani duhet të veprojnë. Nëse janë tre qind veta të gatshëm të vdesin për Shamin siç e quanin rekrutuesit, sa janë në gjendje të punojnë për Serbinë pa rrezikuar jetën, duke u paguar nga Serbia, por ndoshta edhe nga tatimpaguesi kosovar? Nuk mund të besohet se gjithë ata studentë janë vegël serbe, por nga aksione të tilla, përfiton vetëm Serbia. Është e mundur se janë shtyrë edhe nga mosdurimi fetar, ose nga patriotizmi rustik, por me atë vepër nuk mudn të mburret askush në Europë. Ata nacionalistë shqiptarë, që rrahin gjoks dhe shtrojnë dhjetëra pyetje retorike, duhet të kuptojnë se dashuria ndaj atdheut tregohen, vetëm duke mos dëmtuar shtetin dhe imazhin e tij.

Nuk ka asnjë dyshim se kisha ishte projekt nacionalist, shovinist dhe politik, siç është edhe kleri serb. Nuk ka asnjë dyshim se ishte për provokim. Nuk ka asnjë dyshim se kishë nuk duhej ndërtuar në kampusin e universitetit, por ata student që ngrihen kundër një objekti fetar, nuk meritojnë te quhen studentë. Ata nuk kuptojnë politikën, nuk kuptojnë interesat nacionale dhe nuk kuptojnë kontinentin, ku jetojnë. Ata për krenarinë e tyre rurale, janë në gjendje të dëmtojnë atdheun. Siç bëjnë zakonisht nacionalistët e tërbuar kudo! Ata po bien përsëri në kurthin e Millosheviqit!

Ndërtimi i kishës ishte projekt fashist serb, rrënimi saj në paqe, është rënie në fashizëm dhe i dirigjuar prej tij. Si ai që ndërtoi, si ai që bën apel për rrënim, nuk kanë asnjë dallim: as në botëkuptim, as në qëndrim! Pra, nëse ka ardhur urdhri nga Beogradi, nëse ka ardhur koha për ta rehabilituar përfundimisht Serbinë, merruni me kishën, jo me profesorët matrapaz, telashe tjera nuk keni!

Ata që janë për rrënimin e saj, le të gjejnë një vend europian, ku rrënohen objektet fetare, pastaj le të veprojnë!

Kisha mund të bëhet muze, ose Institut Religjionesh të Kosovës me një bibliotekë brenda, ku mund të takohen besimtarët. Ai objekt një ditë edhe nga serbet do të quhet ngrehinë turpi dhe dështimi serb. Ai objekt i papërfunduar simbolizon kapitullimin e Serbisë pushtuese dhe lindjen e Republikës shqiptare, prandaj, nëse nuk mundet të shndërrohet në muze ose institut, le ta përdorin edhe si kishë, ku mund dhe ku duhet të luten për faljen e mëkateve të shkaktuara bashkëqytetarëve të vet në Kosovë. Krishti i biblës urdhëronte dashurinë: duaje njeriun që ke pranë, thoshte ai, kurse Krishti serb merrej me bekimin e tankeve dhe topave!

Nëse rrënohet, ose dëmtohet siç kërkohet nga disa individ, atëherë duhet të mendojnë mirë se ne çfarë mund të ndodhë nëse fiton pro rusi Trump. Me marrjen në shënjestër të objekteve fetare, zhgënjejmë edhe ata pak mbështetës që na kanë mbetur jashtë. Dhe, kur studentët merren me objekte fetare, ajo shoqëri ka probleme dramatike sociale dhe shtetformuese. Bota na ndihmoi pse treguam qytetërim më të lartë dhe nuk vepruam si ata. Qëndrimi i atyre studentëve tregon se nuk kemi dallim nga serbet, por se na mungon vetëm forca për të rënë në barbari të njëjta!

Nuk janë tradhtarë ata që jemi mësuar t'i lexojmë në media, por tradhtarë janë vetëm ata që prodhojnë vepra në dobi të Serbisë!

Libra nga Lis Bukuroca:


Kuptimi i jetës  te amazon *

Kuptimi  jetës te lulu **


Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu


Letër burrave (II) te amazon

Letër burrave (II) te lulu


Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore

Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore


Shtatë parimet e dashurisë

Hijedritat e jetës

Die Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.




Keine Kommentare: