14.09.2019

Jean-Jacques Rousseau, gjeniu në revoltë të përhershme

"Ne nuk kemi nevojë për politikanë të mirë, por për qytetarë të mirë." 
“Liri e njeriut nuk është ajo ku njeriu mund të bëjë çfarë të dëshirojë, por ku ai nuk është i detyruar të bëjë atë që nuk e dëshiron.”
"Demokracia ekziston aty ku askush nuk është aq i pasur sa të blejë një tjetër dhe askush aq i varfër, sa të jetë i detyruar të shesë veten.“
 „S’do mend se është kundër ligjit të natyrës,- pa marrë parasysh se si përkufizohet-, që një fëmijë të urdhërojë një plak, një duduk të drejtojë një të urtë dhe një grusht burrash të notojnë në tepricë, gjersa masës së uritur i mungon e nevojshmja.” 
“Njeriu lindet i lirë, por kudo gjendet në zinxhir.”

“Pse të kërkohet ferri në botën tjetër? Ai është tashmë i pranishëm në këtë botë, në zemrat e njerëzve të ligë.” 
 "Gjersa një popull është i detyruar të bindet dhe bindet, është mirë, sapo të mund të hedhë zgjedhën dhe e hedh, bën edhe më mirë, pasi që, duke e rifituar lirinë e tij me të njëjtën të drejtë me të cilën iu mor, ai ose është i autorizuar për të rimarrë atë, ose askush kurrë nuk ka qenë i autorizuar për t‘ ia hequr.“ 
 "Të parit që, - pasi kishte rrethuar një truall - i shkoi mendja të thoshte se ky është i imi dhe gjeti njerëz mjaftë të thjeshtë sa ta besonin, ishte themeluesi i vërtetë i shoqërisë civile. Sa krime, sa luftëra, sa vrasje, sa mjerime dhe tmerre do t’i ishin kursyer gjinisë njerëzore, sikur dikush do të kishte shkulur kunjat ose mbushur gropën dhe t’u kishte bërtitur njerëzve të ngjashëm si vetja: „Ruajuni, mos dëgjoni këtë mashtrues! Nëse harroni që frutat i përkasin të gjithëve dhe toka askujt, jeni të humbur!" 
"Lumturia e vërtetë nuk përshkruhet, ajo ndihet." 
"Meqenëse Sparta dhe Roma u shembën, cili shtet mund të shpresojë të zgjasë përgjithmonë?“ 

"Sikur unë të isha princ ose ligjvënës, nuk do të kisha humbur kohën për të treguar se çfarë duhet bërë: unë do ta bëja atë, ose do të heshtja.“ 
 "Për të ditur me pyet atë që nuk dimë, pikë së pari duhet mësuar shumë gjëra.“ 
 "Më i forti nuk është kurrë aq i fortë, sa të jetë gjithnjë zot, por nëse ai nuk e kthen forcën e tij në ligj dhe të bindurit në detyrë.“ 

 "Dhuna e gruas gjendet në bukuritë magjepsëse të saja.“ 
 "Më i ngadalti në premtime është gjithmonë më besniku për të mbajtur ato.“ „Intelekti bën burrin, por është ndjenja që e drejton atë." 
"Zemra më rrihte nga padurimi për të shfletuar librin e ri, që kisha në xhep.“ 

 "Nëse gjaku im i ndezur kërkon gra, zemra ime e prekur më kërkon akoma më shumë dashuri.“ 
 "Të gjitha pasionet e mëdha formohen në vetmi.“ 
 „Njerëzit nuk kishin asgjë, pos ndjenjën fizike të dashurisë dhe ata ishin të lumtur, sepse nuk njihnin dallime.“ 
 „Njeriu nuk guxon të tregohet ashtu si është dhe nën këtë detyrim të përhershëm veprojnë të gjithë njerëzit. Njeriu nuk dinë kurrë se me kë ka të bëjë.“ 
 „Heqja dorë nga liria vetjake, domethënë heqje dorë nga tiparet njerëzore, nga të drejtat njerëzore.“ 

Jean-Jacques Rousseau 1712 – 1778 Padyshim ishte një dijetar gjenial, i cili çdo normë të traditës e vuri në dyshim. Krejt jeta e tij ishte një rebelim! Ai ishte kundër monarkisë, kundër kishës, kundër shtetit, kundër pabarazisë, kundër edukatës tradicionale, kundër bashkëshortësisë, kundër zhvillimit teknik dhe kundër shkatërrimit të natyrës. Tipar i tij ishte intelekti kundërshtues. Kohën më të madhe e kaloi në bredhje e sipër, ose në arrati. Libri ndër më më të famshmit për shkencat sociale dhe politike është „Mbi marrëveshjen shoqërore“ "Du Contrat social.“ 

Me kërkesat e tija radikale për demokraci, përgatiti rrugën e Revolucionit Francez, kurse me ligjërimet e tij kundër shkatërrimit të natyrës, u bë pionier i ekologjisë. Kjo nuk ishte e tëra: në fund ai revolucionoi edhe pedagogjinë, që sot njohim si antiautoritare. 

Impulsi vendimtar i shkrepi gjersa po shkonte në burg për ta vizituar Dideron, që ishte burgosur për shkak të Enciklopedisë së famshme. Në ecje e sipër ai lexonte gazetën „Mercure de France.“ Aty nga lexuesit kërkohej të përgjigjeshin në pyetjen: „Rilindja e shkencave dhe arteve, a kishin ndikuar në përmirësimin e zakoneve.“ Të gjithë qenë përgjigjur me „Po“, me përjashtim të Rousseaus. 

Kjo ishte sprova tij e parë e rëndësishme filozofike me titull, " "Discours sur les sciences et les arts" (Ligjëratë mbi shkencat dhe artet), ku shkruan se si shkenca dhe artet, kishin shkaktuar korruptimin e virtytit dhe moralit. Me atë fitoi çmimin Akademisë së Dizhonit në vitin 1750, që ú botua pa emër. Ai shkruan se njeriu për nga natyra është i mirë; i ligë u bë ai nëpërmjet shoqërisë dhe qytetërimit. 

Me këtë tezë provokuese, ai u bë i famshëm në krejt Europën, sepse ai ishte filozof i parë, që kishte vënë re problemin e krejt botës moderne. „Fisniku i egër“, siç quan njeriun primitiv, është i lirë nëpër male, kurse ne kalojmë kohën nëpër zyra katrore dhe gjithmonë e më shumë humbim lirinë dhe instinktet tona. Dhe para së gjithash, vazhdon Rousseau, „njeriu sot jeton vetëm për sytë e tjetrit!“ 

Sprova i solli Rousseua një famë të menjëhershme, por shkaktoi një ftohje të marrëdhënieve të tij me grupin e filozofëve të mbledhur rreth projektit të Enciklopedisë, e cila në temën e përparimit kishin një qëndrim tjetër. Ai ishte i mendimit se artet dhe shkencat korruptojnë zakonet dhe janë një instrumente me të cilin tiranët ushtrojnë pushtetin. Rousseau ishte kritiku i parë radikal i shoqërisë. 

Tërë jetën e vet eci kundër rrymës. Edhe pse ai fitonte jetën e vet si filozof, artist dhe dramaturg, kritikonte pa u shqetësuar filozofinë, artet dhe teatrin thjesht si verbërim. Me kritikën e tij kundër çdo forme të nënshtrimit dhe kërkesat për demokraci dhe barazi, përgatiti terrenin Revolucionit Francez, madje edhe frymëzoi socializmin fillestar, marksizmin si dhe teorinë kritike. Edhe Niçe (Nietzsche) u ndikua prej tij. Me pak fjalë, rebeli në revoltë të përhershme tundi krejt Europën intelektuale. 

Gjatë jetës kishte ushtruar 12 profesione. Dy herë ka ndërruar religjionin dhe tri nënshtetësinë. Me disa fletarrestime kërkohej nga kisha, herë nga qeveritë e ndryshme europiane dhe iku për një kohë tek mbreti më iluminist i Prusisë Friedrich Wilhelm, ku mori edhe nënshtetësinë. Ai punoi si argat, mësues i muzikës, mësues privat nëpër shtëpi, romansier, filozof, dramaturg, shkrues i operave etj. Herë shkruante nota numerike të muzikës, herë libra filozofie, që tronditnin Europën, herë romane, pastaj opera, pjesë teatrale që me sukses u vunë në skenë. 

Në vitin 1756 shkroi një operë, që i pëlqeu shumë mbretit të Francës dhe ai i ofroi një pension Rousseaus. Edhe pse ishte skajshmërish i varfër, e refuzoi, me arsyetimin se dëshiron të jetë i lirë për të shprehur mendimin e vet edhe për mbretin. Ashtu si ishte në filozofi dhe fushat tjera, rebel ishte edhe në jetë dhe u përla  gati me të gjithë miqtë e vet: me Volatiren, me Diderot, me d‘ Alambert, Hume, te ky i fundit edhe qe fshehur, gjersa kërkohej. 

Me atë që mbeti gjithmonë ishte larësja e rrobave Theres le Vasseur, me të cilën u martua dhjetë vite para vdekjes. Me të kishte Rousseau pesë fëmijë, të cilët i dha si bir në shpirt apo në jetimore. Edhe pse kishte revolucionuar pedagogjinë me „Emil ose mbi edukatën.“ Ky ishte Rousseau. Nëna i kishte vdekur nëntë ditë pas lindjes. I ati e kishte braktisur kur ishte dhjetë vjeç. Kur miku i atëhershëm Voltaire e qorton për këtë paradoks, Rousseau u përgjigj shkurt e qartë, se ai si shkrimtar nuk fitonte mjaftueshëm dhe se nuk kishte kohë për të edukuar fëmijët, pikërisht sepse dinte se çfarë domethënë edukimi i fëmijëve dhe sa koha duhej kushtuar atyre. Gruaja e tij nuk kishte kohë, sepse punonte si larëse e rrobave për të fituar para për ata dy. Me mungesën e përhershme të parave, Rousseau ishte tej për tej mendimtar i lirë dhe i çuditshëm, që revolucionoi pedagogjinë, por nuk edukoi fëmijët e vet. Ai ishte rebel në revoltë të përhershme. Biografia tij tregon se ai dinte më së miri të jetë kundër çdo gjëje. Motoja „Liberté, égalité et fraternité“, „Liri, barazi dhe vëllazëri“ është natyrisht e Rousseuas. 

Në vitin 1755 Rousseau publikon (Ligjëratë për origjinën dhe themelet e pabarazisë mes njerëzve), „Discours sur l'origine et les fondements de l'inégalité parmi les hommes.“ Kjo sprovë është vazhdimësi e të parës me të cilën Rousseau fitoi. Me ketë ai mori pjesë në një konkurs të Akademisë së Dizhonit e cila pyeste:„Cili është burimi i pabarazisë në mes njerëzve dhe se a përligjet ajo me ligjet e natyrës“, „Quelle est la source de l’inégalité parmi les hommes, et si elle est autorisée par la loi naturelle?“) Shpërblimi i akademisë një medalje ari me vlerë sa tridhjetë revole, iu nda Abbé Talbert. 

Jean-Jacques Rousseau njihet si njëri nga filozofët më me ndikim të shekullit të 18, të periudhës së Iluminizmit Evropian. Ai u lind më 28 qershor 1712 në Gjenevë dhe vdiq në vitin 27 korrik 1778 në Ermonenville, afër Parisit. 

Përgatiti dhe përktheu Lis Bukuroca (ngërthen fragmente nga frëngjishtja, italishtja dhe gjermanishtja. Ato në gjermanisht janë nga dr. Walter Ziegeler, profesori i filozofisë.) 
**************************

Shkencëtarët zbuluan se leximi i librave zgjat jetën deri në dy vite. Nëse dëshironi  më shumë jetë dhe më shumë lumturi, ja librat:



Keine Kommentare: