12.03.2024

Në lagjen time

1.
Në lagjen ku jam rritur (në Kumanovë) lartësia e mureve të oborrit tregonte për tutën e burrave dhe mungesën e vetëbesimit! Ata nuk i besonin grave të veta.

Sa metra ishte i lartë muri, aq metra nën dhé shtrihej sedra e fqinjit. Pa mur ishte vetëm xha Jetishi. Ai i besonte bashkëshortes së vet, dashurisë, jo murit, si shumica.

Më i larti ishte muri i Vizatimorit; mbi tri metra, ndoshta edhe katër. Postieri e shihte gazepin për ta hedhur një letër në oborr. Ai kërcente për ta hedhur brenda, por ajo i kthehej prapa. Ai murmuriste vet me vete dhe kërcente përsëri. Fqinjin tonë ne fëmijët e quanim Vizatimor, pastë ndjesë, sepse hundën e pat pasur të gjatë dhe të shtrembër, mu si ato si nëpër filma vizatimorë.


2.

Gruja e ka shti dreçin n’shishe* 


- Po gabon me besimin e madh për grat…

- Pse?

- Po gruja e ka shti dreçin nshishe

- E besojnë disa burra për t‘i dehumanizuar gratë…

- Jo, aj mendim asht i vertet… 

- Mendon se gruaja është më e mençur se djalli?

- Po, ma dreç ...

- A domethënë se nëna ime dhe e jotja ishin më dreq se dreqi?

- Jo, nanat tona, gratë po menoj…

- Po, a janë burra nënat tona?

- Jo, dashta me than se grat jan çasi, jo nanat…

- Bashkëshortet mendon?

- Po, bashkëshortet…

- Bukur shumë…

- Pse?

- Po edhe nënat tona qenkan ma dreq se dreqi…

- Jo, na tham se gratë…

- Dakord, por nënat tona janë bashkëshorte të etërve tanë dhe për ta janë krye-dreqër, apo jo?

- Jo nanat jan melaçe 

- E trajton babi yt nënën tënde si engjëllushe apo si grua?

- Jo, si grue…

- U kuptuam! 

- Çysh?

- Zakonisht burri që urren gruan dhe që nuk ka besim në vetvete, vuan nga komplekset e vogëlsisë dhe për ta ngritur veten më lartë, shtyp e zvogëlon bashkëshorten e vet. 

- Pse?

- Sepse nëse e konsideron engjëllushe, si nėnën e vet, nuk mund ta shajë, ta diskriminojë dhe ta rrahë bashkëshorten! Pra, për ta përligjur keqtrajtimin duhet t‘ia anulojë asaj tiparet njerëzore dhe ta shpallë krye-dreq ose kurvë: të lehtë, të luhatshme, të gatshme për seks, injorante etj., etj.

- Ah, tash ma tollovite krejt…

- Jo, ai mendim mizogjin është shpikje e një burri pa bole, i cili kërkonte motiv të përhershëm, të përgjithmonshëm për ta kontrolluar dhe shtypur gruan… Gruaja është mirëpo edhe motër, hallë, nënë, bijë etj., jo vetëm bashkëshorte. Kuptove tani?

- Menon se duna me ndryshue unë?

- Ti je vonuar tepër shumë! Shko e kërkoj falje në prani të fëmijëve! 

- Para fmive?

- Po, në gjunjë!

- Hahaha, e pse?

- Ua mëson fëmijëve tu pendimin dhe kërkimin  e ndjesës...

- O kukuk për mue…

- Nënën e fëmijëve tu trajtoje me më shumë dashuri e përkëdheli sesa nënën tënde! Me atë ke krijuar familje…

- E si mos t’muj?

- Nëse nuk mundesh, e humb bashkëshorten dhe domosdoshmërish edhe fëmijët!  Aq sa dashuri i dhuron nënës së fëmijëve tu, aq dashuri të falin fëmijët ty nesër.      Dhe, mos i flit kurrë keq për nënën. 

- Kurrë, hahah…

- Kurrë, hahah, mue mpëlçen me kritikue kur jan ata me neve…

- E di!

- Nga e di?

- Thamë më parë se burri me komplekse mundohet ta zvogëlojë dhe poshtërojë bashkëshorten. Ai mendon se kështu e rrit vetveten, por nuk e sheh se ai zvogëlohet vazhdimisht. Një ditë as fëmija nuk i lajmërohen. Diku 50% të gjeneve i kanë nga Ajo… Kur e shan atë, i shan edhe fëmijët tu njëkohësisht. Kuptove?

*Fjalë e “urtë” e “burrave”…

Keine Kommentare: