15.03.2024

Pse djali bëhet xheloz?

Një përpjekje e vogël për të shpjeguar një çrregullim të madh

Albani është më i bukur se ti. 

Arbani është më i fortë se ti. 

Coli është më i gjatë se ti. 

Beni është më i mirë se ti. 

Taulanti është më i zoti se ti. 

Iliri është më i zellshëm se ti. 

Goni është më i pastër se ti.

Ti je  duduk. Ti je ndyracak. Ti nuk di asgjë! Ti je tutkun. Ti je derr. Ti je qyp. Ti je idiot. Ti je kastravec. Ti je pis. Ti je gomar. Ti je qen. Ti i je si nëna jote.  Si daja. Ti je pjellë e keqe etj. etj.


Paragjykime, zvogëlime dhe poshtërime me fjalë të ndryshme, të cilat di t’i zbulojë vetëm ai që nuk e ka kuptuar kurrë as edukatën e drejtë, as dashurinë ndaj fëmijës. Ky njeri është patriarku: kokëfortë, i ashpër, i pakompromis, trim i madh në shtëpi, i bindur se di tepër shumë dhe nuk guxon të jetojë si dëshiron vetë, por vetëm si e pret rrethi social prej tij.


Kështu, ai baba, duke besuar se me krahasime ia shton dëshirën djalit, ia dëmton dhe shkatërron sedrën, vetëresepktin dhe nesër ai, do të bëjë çdo gjë të mundur të mos bëhet si ndihet vetë, por do të përpiqet të jetë, të sillet, të veprojë si i pëlqen patriarkut. Sepse ai vetëm si të nënshtruar e pranon dhe e shpërblen.


Nëse djali në moshën madhore vazhdon me bindjet e imponuara me dhunë fizike e verbale, ai do të ekzekutojë vetveten shpirtërisht.


Si kopje, ai nuk do të shquhet kurrë dhe do të mbetet i asgjësuar dhe i anonimizuar në turmën e heshtur. Ai do të përtypë vepra dhe mendime të huaja, por nuk do të sjellë të vetat, sepse nuk do të ketë guxim të jetë vetvetja. Ai do të mundohet me jetën e vet ta kënaq të atin, jo vetveten.


Ai madje publikisht deklaron krenar: “Unë nuk ia prishi babës!” Buri 45 vjeçar! Babai ia ka mësuar dyfytyrësinë si moral! Si vlerë. Si virtyt. Jo dialogun e shëndoshë e të barabartë mes dy njerëzve. Ai sheh djalin e vet nga lartë, djali e vështron atë nga poshtë, nga gjuri i tij.


Ai e di se sa herë të mohojë vetveten, do të pasojë lavdërimi, domethënë shpërblimi. Këtu kuptohet pse në kulturat fisnore politikanët janë kryesisht zvarranikë dhe u nënshtrohen me kënaqësi të fuqishmëve. Pse? Sepse ata presin shpërblimin, komplimentin, që nuk ua ka falur patriarku kur e meritonte. Pas çdo nënshtrimi, presin t’i rrahin supeve dhe tuçkave


Djali që rritet në aso rrethana, i plotëson pothuajse të gjitha parakushtet për t’u bërë xheloz kronik, të vuajë nga kompleksi i vogëlsisë, por edhe të jetë smirëzi. Të gjitha ato sharje, ato përbuzje, ato poshtërime, nesër do t’i përjetojë si diagnoza të sakta, natyrisht nëse nuk pavarësohet, nëse nuk distancohet nga imponimet e dhunshme. 


Ai edhe si i rritur nuk do ta dojë vetveten. Ai do ta urrejë vetveten: ai do të besojë se është i keq, do të besojë se është i dobët, do të besojë se nuk di asgjë mirë, do të besojë se është pak apo fare burrë, pak apo fare i fuqishëm etj. 


Në atë gjendje, sa herë të jetë në prani të burrave tjerë me të dashurën apo me bashkëshorten, do të ndihet i rrezikuar, i kërcënuar dhe do të bëhet shumë lehtë i acarueshëm dhe shpirtërisht mblidhet truç. Domethënë zvogëlohet, siç ka mësuar në shtëpi. 


Ai do të mundohet të kontrollojë edhe shikimin e bashkëshortes, por edhe vështrime e burrave tjerë, sepse ai është bindur se gati çdo burrë, është më i mirë sesa ai: më i pasur, më i bukur dhe më i fuqishëm. Atë siguri ia kanë injektuar në shtëpi, si vaksinë. Për ta mënjanuar atë, duhet terapi apo vullnet i madh. Edhe ndihma e së dashurës apo bashkëshortes. Si mund ta shpëtojë e dashura? Duke ia mbushur mendjen se ajo e do atë mu ashtu si është!


Ai është stërvitur ta vështrojë vetveten me sy të huaj, jo me të vetët. Qëndrimet negative ndaj vetvetes i janë shndërruar në bindje fikse në nëndije dhe ka vështirësi t’i kontrollojë, ose t’i parandalojë. Ato bindje i janë ngulitur në nëndije, kur ai nuk kishte gati aspak vetëdije. Ai është viktimë. Si edhe i ati i tij. 


Për t’ia kthyer drejtpeshimin, duket punuar në sedrën e tij. Duhet t’i mbushet mendja se është i bukur, se është i mirë dhe se ti e do vetëm atë. Me kohë, i largohet gradualisht ajo xhelozi që dëmton një çift, ose që mund të shpijë në ndarje.


Fajet nuk i ka patriarku pse nuk dinte më shumë, por fajet i ka ai që ruan tutje atë pikëvështrim jo të vetin për vetveten! Njeriu i lumtur me vetveten rrezaton dashuri, siguri dhe lumturi jashtë. Nuk tkurret. As nuk krekoset. Nuk kërcënon. Nuk bërtet.


Sharja, kërcënimi, poshtërimi janë dhunë verbale që dëmtojnë si dhuna fizike. 

Ato janë sjellje toksike, që në një familje normale, funksionale, nuk mund të ekzistojnë. 


Ps.

Fëmija duhet të mbështet në zhvillimin e tij: t’i jepet zemër dhe t’i mësohet të menduarit, jo të besuarit, të hulumtuarit. Dyshimi, jo nënshtrimi; sjellja e drejtë me lirinë e vet dhe të huajën. Jo të respektojë sipas moshës e organeve gjenitale, por të nderojë dinjitetin e njeriut.


Poshtërimet, dominimet dhe krahasimet me të tjerët mund ta dëmtojnë shumë dhe tërë jetën do të luftojë me smirën dhe xhelozinë. Jashtë do të gjendet gjithmonë dikush, që do të jetë në një fushë më i aftë sesa ai. Prindërit duhet të kenë shumë kujdes në mënyrën sesi komunikojnë me fëmijët e tyre dhe të përqendrohen në zhvillimin e një vetëdijeje të shëndetshme: me vetëbesimin, vetërespekt dhe sedër. 

Pa e prishur me lëvdata të tepruara, përndryshe ndërtohet narcisi i ardhshëm!


Fëmija nuk duhet të mësohet të trajtojë vetveten si armik!

Fëmija nuk duhet të mësohet për të menduar në mënyrë negative. 

Fëmija nuk duhet të mësohet për ta dëmtuar shëndetin psikik.


Fëmija duhet të mësoje se Njeriu ka dinjitet dhe se ai nuk duhet t’i cenohet askujt. Në familje nis ndërtimi i shoqërisë së shëndetshme. Nuk kam asnjë dyshim se kësaj përsiatje mund t’i shtohen edhe shumë faktorë e dukuri tjera, por unë po e përfundoj këtu me mendimin e psikologut Pierre Daco-së nga libri i tij “Les prodigieuses victoires de la psychologie”:


 “Për t’ u bërë floktar mësojmë tri vjet, për prind, asnjë ditë.” Pasojat shihen…


Keine Kommentare: