Reflektim
Një grua që ka fjetur me dy ose tre burra, nuk quhet e zonja, por e përdalë.
Ai mburret; ajo shihet si fajtore.
Nëse burri është donzhuan, atëherë gruaja është fisnike. Nëse ai e bën aktin me një të përdalë, i përdalë është edhe ai.
E drejta morale nuk ka gjini.
Çdo vepër, çdo akt duhet të ketë peshën dhe pasojat e njëjta; për gruan dhe për burrin.
Mirëpo, burrat me kurvëri fisnikëroheshin, kurse gratë që ata përdornin quheshin amorale!
Sa herë lexoj vepra të grave të mëdha, mendoj me vete: kjo shoqëri mashkullore, me mijëra vjet, ka zhdukur mijëra gra gjeniale, nga frika e madhe e burrave dhe dëshira e tyre e pakontrolluar për t’i poseduar, për t’i zbutur si kafshë dhe për t’i përdorur si skllave: gratë dhe bijat e veta.
Derisa të nënshtrojmë në shtëpi, jashtë dhe brenda, do të vazhdojmë me skllavërim dhe vrasje. Gratë, shumica, kuptojnë jetën si mundësi për lumturi; ne burrat, kryesisht si shans për posedim dhe dominim.
Me më shumë gra në politikë, do të kishim më pak luftëra dhe shumë më pak gjenocide në botë…
Sepse burrat, për mijëra vjet, kishin më shumë fuqi për të bartur thesin në shpinë sesa aftësi për të zbuluar karrocën.
Gratë, megjithatë, me pak më shumë se një shekull arsim, arritën të ngjiten në maje. Rezultat logjik i lirisë.
I lirisë për të qenë vetvetja, dhe jo për t’u bërë ato që burrat mendojnë se duhet të jenë.
2.
Pa ndihmën e Shqipërisë, UÇK-ja nuk do të ishte armatosur. Mendoni sikur aty të kishte qenë Greqia. Pa diasporën shqiptare – jo vetëm kosovare – që kontribuonte me 3% dhe në fondin “Vendlindja thërret”, nuk do të financohej as qeveria në Gjermani, as Rugova në Kosovë, as arsimi, dhe as LPK-ja si themeluese e UÇK-së.
Kur qe e nevojshme, shqiptarët ndihmuan duke strehuar dhe përkrahur: në Shqipëri, Maqedoni, Luginë dhe në Malin e Zi.
Liria e të menduarit, kritika, brenga dhe kontributi nuk njohin kufij krahinorë apo politikë, ashtu siç nuk njihte kufij as ndihma e ofruar.
Shteti i Kosovës nuk është sukses vetëm i shqiptarëve të Kosovës, por i të gjithë shqiptarëve!
Mund ta rrënonit vetë, por e kemi ngritur së bashku!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen