1.
Dhe një reflektim logjik: Nëse qëllimi është të mbrohet shteti dhe integriteti i tij, pse lejohet që në ato struktura të ndikohet nga Serbia? A nuk duhet institucionet e Kosovës të jenë të paprekura dhe të pavarura nga presionet e huaja?
2.
Në Ballkan, autokratët blejnë mirëkuptimin e Perëndimit me pasuritë e shtetit. Ata u japin atyre, ndërsa ata, në heshtje, legjitimojnë qeveri kriminale. Kjo qasje krijon një cikël ku korrupsioni dhe ndikimi i huaj ushqehen reciprokisht, duke e dobësuar sundimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve. Në fund, ajo që duket si stabilitet politik është thjesht një fasadë që mbulon mungesën e drejtësisë dhe transparencës.
3.
Në përditshmërinë tonë është bërë normale: çdo personalitet shqiptar që ka pasur merita për çlirimin, del dikush dhe e quan “udbash”; të rekrutuar nga shërbimi sekret serb. Madje, ta tregon edhe vitin dhe vendin.
Thua se liria nuk ishte rezultat i sakrificës sonë, por një dhuratë e ardhur nga Beogradi; se Serbia, përmes njerëzve të vet shqiptarë, na solli lirinë — për të na çliruar nga vetë Serbia.
Dhe kësaj etikete nuk i ka shpëtuar asnjë personalitet shqiptar. Po përmend vetëm dy: as Rugova, as Qosja. Ky është absurdi i ri politik. Armiku na paraqitet si shpëtimtar, ndërsa çlirimtari shpallet tradhtar.
Kjo është një formë e re pushtimi — jo me tanke, por me vlerësim; me shkatërrim të ri, me bindje të re. Ky është pushtim i dijes, i vetëdijes dhe manipulim i sedrës. Në fakt, këto rrëfime i prodhojnë vetë pasardhësit e strukturave të vjetra serbo-jugosllave, për të vazhduar luftën ndaj irredentizmit shqiptar. Atë që e patën nisur pas vitit 81, por tani kanë ndryshuar vetëm fjalorin.
Luftën kundër kombit e kanë obligim — sepse paguhen për të. Për krijimin e kaosit, hutisë dhe urrejtjes brenda kombit.
Pyetje: Nëse ata që e kanë shkatërruar drejtësinë vazhdojnë të mbeten të padënuar, a është e mundur që liria dhe integriteti i shtetit të mbijetojnë? Kush do ta mbrojë vlerën e lirisë kur ata që e rrënojnë janë të lirë, ndërsa ata që e deshën shpallen tradhtarë?
4.
Kur Albinin e kritikoni për mungesë koordinimi me Perëndimin, pse nuk e përgëzoni Vjosën për suksesin e saj në arenën ndërkombëtare?
Apo vlerësimi juaj shkon vetëm për ata që e përdorin buxhetin si grazhd të vetin?
Vetëm për ata që e luftojnë shtetin ligjor?
Me Albinin apo me Vjosën, shteti ligjor do të ndërtohet — problemi është si të përjashtohen prokurorët që mbrojnë interesa të kriminalitetit ose të Serbisë!?
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen