30.12.2025

Injoranca nuk arsyetohet me viktimizëm, Bota Sot

Në vitin 2015 e votuat Gjykatën Speciale; në vitin 2025 protestuat kundër saj. U deshën dhjetë vjet që të kuptonit çfarë kishit bërë. E njëjta histori edhe me Asociacionin.

Refuzuat kandidaten për kryetare, refuzuat Qeverinë me Kurtin, refuzuat Qeverinë me Konjufcën për zgjedhje në mars. Sot thoni se Kurti i zvarriti zgjedhjet me qëllim.

Shtyrjen për dhjetor e quani “strategji” të tij, por duke refuzuar çdo ofertë dhe duke bllokuar çdo nismë, dhjetorin e prodhuat vetë.

Sipas jush, fajtori është gjithmonë Albin Kurti. Ai qenka subjekti i vetëm (politik), ndërsa ju thjesht objekte: pa vullnet, pa gjykim dhe pa aftësi për të marrë vendime. Pra, Kurti qenka fajtor pse ju nuk dini, ose pse ai di më shumë se të gjithë ju së bashku.

Ju mosveprimin tuaj do ta kuptoni në vitin 2035, sipas traditës, dhe do të protestoni kundër vetvetes. Gabime të tilla bëhen kur interesi vetjak vihet mbi atë shtetëror. Si zakonisht. Ju i keni bërë. Ju i bëtë.

Në vend që të merrni përgjegjësi, kërkoni mirëkuptim dhe mëshirë për gabimet që i keni bërë vetë. Mesazhi juaj real është ky: “Mos na akuzoni. Nuk dimë sa di Albin Kurti. Ne duam, por nuk mundemi.” Pra, pafajësi përmes paditurisë.

Diaspora, që dje ju votonte juve, qenka e mirë vetëm kur voton siç dëshironi ju. Por dijeni: nëse Kurti bëhet si ju, mërgata nuk do ta votonte kurrë më.

Ju nuk keni nevojë për arsyetime të reja.
Ju keni nevojë për njerëz të rinj.

Për njerëz më të drejtë se Albin Kurti, më të ditur se ai, më të përkushtuar se ai dhe origjinalë si ai: me profil, personalitet dhe karizëm të veten. Domethënë, një njeri që e do më shumë Kosovën sesa vetveten.

Çdo ditë përpiqeni ta bindni popullin se jeni viktima kronike, duke mohuar përgjegjësinë personale dhe duke kërkuar fajtorë jashtë vetes.

Kështu nuk reformohet një parti dhe kështu nuk fitohet; kështu vetëm shpërbëhet partia.

Shkurt: po e ktheni injorancën në justifikim. Injoranca nuk është faj, por nuk mund të jetë as alibi. Humbja e zgjedhjeve ka gjithmonë fajtor dhe zakonisht ai është më afër sesa mendoni: në krye të partisë, në deklaratat tuaja, brenda jush. Në kryesi.

Ju nuk silleni vetëm si viktima, por shfaqni tipare të narcizmit vulnerabël: ndiheni të keqkuptuar, të viktimizuar dhe prej kësaj prisni simpati, trajtim të veçantë dhe vota. Shkurt e shqip, doni të dukeni “gjynah”.

Kështu nuk bëhet politikë, kështu nuk fitohen zgjedhjet; kështu refuzohet faji dhe reformimi, rrjedhimisht edhe fitorja.

Mësoni nga futbolli: kur trajneri nuk është i mirë, zgjidhet tjetri. Ju keni lojtarë të mirë, por trajnerin e keni të dashuruar në vetveten, jo në skuadër.

Dhe mos harroni: ushtarët e Skënderbeut nuk i njohim, por e dimë kokën e tyre. Ju ushtarët i keni, por koka ju mungon. VV i ka të dyja.

Ngushëllime dhe urime. Ngushëllime për humbjen, urime për humbjen e vogël. Keni merituar t’i bashkoheni Ramushit. LDK e krijuan intelektualët më të mëdhenj që pat Kosova, po e varrosin biznesmenët milionerë.

Sidoqoftë, Albin Kurti duhet të tregojë mirënjohje dhe t’i falënderohet Lumir Abdixhikut, Lutfi Hazirit, Hikmete Bajramit, Doarsa Kicës dhe Kujtim Shalës. Ishin fantastikë.


Keine Kommentare: