26.07.2026

Dashuria nuk është e verbër


Dashuria nuk është e verbër. 

Ajo nuk verbon. 

Ajo ndriçon njeriun dhe i tregon cilin apo cilën e do.

Prandaj askush nuk e kërkon verbërinë, por shumica dashurinë! 


Padashuria është e verbër. 

Mungesa e dashurisë verbon, kurrë jo dashuria.

Por dashuria nuk është garancí e përjetshme. Ajo na jep mundësinë të duam, të dashurojmë, jo imunitetin ndaj gabimeve.


I verbëri nuk gjen njeri. 

I dashuruari ka gjetur një.


Dashuria nuk matet vetëm me kohëzgjatje, por edhe me thellësinë dhe gjurmët që lë në jetën tonë.


Dashuria nuk bën hetime e as analiza. 

Ajo dhuron veten, nuk kërkon. 

Ajo e shijon çastin ashtu siç është dhe dëshiron që ai të mbetet i tillë. 


Sepse dashuria është sintezë e nënvetëdijes sonë, që shfaqet e shpërndahet në vetëdije, herë gradualisht, herë si vetëtimë dhe na bën të ndërgjegjshëm se po biem apo se kemi rënë në dashuri. 

Ky është çasti i madh i ndriçimit.


Kur mbaron faza e ndriçimit, njeriu i zhgënjyer shpesh e fajëson dashurinë për t’iu shmangur përgjegjësisë. 

Atij apo asaj i pëlqen roli i viktimës. 


Nuk ka njeri të gabuar; ka vetëm sjellje, qëndrime dhe pritshmëri të gabuara. Kur dy njerëz nuk përputhen, problemi qëndron te pritshmëritë, jo te dashuria.


Dashuria përfundon kur përfundon dashuria. 


Nuk ka dashuri të gabuar; ka vetëm dashuri që zgjasin dhe dashuri që marrin fund. 


Të dyja janë të drejta, sepse të dyja e ndriçojnë njeriun. 


Njëra kur nis, tjetra kur përfundon. Sepse, e para ndriçon dashurinë, e dyta pritshmëritë dhe karakteret.


Dashuria që mbaron, i hap udhën dashurisë në ardhje!


As fillimi, as fundi nuk janë gabim. 

Janë shpresa, përjetime, mësime dhe përvoja të çmuara.

Ndriçim! Por kurrë jo verbëri!





Keine Kommentare: