01.12.2025

Kush kë duhet të votojë? Bota sot

Atdhe për shqiptarët është edhe Lugina, edhe Maqedonia, edhe Çamëria, por ato nuk janë shtetet tona. Shtet ligjor quhet vetëm ai vend ku ligji zbatohet dhe drejtësia nuk është thjesht formalitet. E as dekorim publik, që paguan institucionet e drejtësisë për ta shembur vetë drejtësinë.

Shteti i drejtë është atdhe; i padrejti është njerk-atdhe. 


Ky i fundit nuk dallon nga shtetet e tjera ku jetojnë shqiptarët: është vetëm lëshues pasaportash, një nxitës për t’u larguar, një ndihmues për të mërguar: një administratë për t’i zvogëluar e dobësuar shtetet shqiptare.

Atdheu nuk është vetëm vendi ku lind njeriu, por ai ku mund të jetosh i lirë, i barabartë dhe ku ke ardhmëri, jo ku ke vetëm të kaluar.


Prandaj, nëse e do Kosovën pa shtet të vërtetë, si ngrehinë formale ku drejtësia nuk lufton padrejtësinë, votoji ata që e kanë vjedhur, që e kanë nëpërkëmbur ligjin dhe që e kanë shndërruar drejtësinë në garantuese të pandëshkueshmërisë: duke i shërbyer oligarkëve dhe njerëzve të pasur e të pasuruar padrejtësisht. Disa ish-komandantëve dhe disa liderëve të korruptuar.


Ata që kanë luftuar dikur, atëherë ishin patriotë. Dikur. Prandaj populli i shpërbleu me pozita për kontributin. Për guximin. Për rrezikimin e jetës.


Po pas luftës?

Nëse e kanë dëmtuar shtetin, atëherë sot janë armiq të tij. 

Sepse vjedhjen e ndalon ligji, dhe hajnia nuk mund të justifikohet me të kaluarën. 


Ligji nuk parasheh asnjë licencë zhvatjeje; përndryshe do të duhej një ligj i ri, ku shkruan: neni kaq e kaq ndalon vjedhjen e shtetit nga qytetarët e rëndomtë, por sot ia lejon vetëm atij që ka kontribuar dje.


Sipas traditës sonë fisnore, patrioti i djeshëm mund të jetë krimineli i sotëm. Dhe, nuk bën të kritikohet. Kjo është paradoksale. Ilegale. 


Megjithatë, veprat e sotme vlejnë po aq sa kontributi i djeshëm. Nëse meriton shpërblime për të kaluarën, mirënjohje, për të sotmen meriton, dënim, burgun. Kodi Penal nuk parasheh përjashtime, siç e bën Prokuroria. 


Prandaj, ai Kod ose duhet të abrogohet, ose të ndryshohet, në mënyrë që askush të mos mund të quhet njëkohësisht atdhetar dhe hajn. Duhet të përkufizohet qartë me ligj se komandantëve dhe liderëve politikë u lejohet të bëhen milionerë. Kështu mbeten vetëm atdhetarë. Vetëm heronj. 


Por, nëse një komandant paska të drejtë të pasurohet padrejtësisht vetëm pse ka sakrifikuar dje, atëherë çfarë të drejte ka familja Jashari, e cila sakrifikoi gjithçka? 


Kësaj pyetje duhet t’i përgjigjen ata komandantë e politikanë që janë pasuruar padrejtësisht dhe ata që e kanë pagëzuar lirinë me emrin e tyre. 


Nëse je veteran i rremë, s’të mbetet tjetër veçse t’i votosh ata që miratojnë ligje për t’i shkelur vetë. 


Nëse je pasuruar duke vjedhur, prapë duhet t’i votosh ata që shkelin ligjin, sepse ata të mbrojnë ty, ashtu siç prokuroria i mbron ata. 


Pra, dilema është e qartë dhe ka vetëm dy mundësi:

Ose voton padrejtësinë, për të ruajtur padrejtësinë tënde, 

ose voton drejtësinë, për ngritjen e shtetit, por aty mund të rrezikosh pasuritë që i ke fituar duke shkelur ligjet e shtetit tënd. Me vjedhje! Me korrupsion. Me ryshfete.


Ti ia ke rrënuar atdheut shtetin, shtyllat që e mbajnë vertikalisht, e ke shndërruar gati në Luginë, 

por në televizion shet pallavra patriotike, sikur je i brengosur për shtetin, kur pikërisht ti e ke vjedhur. Pikërisht ti je pasuruar duke vepruar kundër ligjit. 


Dje me zjarr luftoje për arrestimin e komandantëve, sot je kundër. Jo pse i do vërtet ata; madje vetë ke ndihmuar në arrestimin e tyre. Por nga frika se po rrezikohet plaçka jote.


Nëse dikush paguhet për kontributin në luftë, nuk meriton shpërblim tjetër. Ai paguhet muaj për muaj. Kjo është mirënjohje. Ky është dëmshpërblim. 


Pse nuk meriton? 


Sepse, nëse ti e paguan bukën, ajo nuk është më e bukëpjekësit, por e jotja. 

Bukëpjekësi nuk mund të mburret pse e ka gatuar; mburresh ti që e ke blerë, përndryshe do të shfaqej edhe bujku që ka kultivuar grurin. 


Shkurt e qartë: popullit që të paguan nuk mund t’i krekosesh se liria paska emrin tënd. Sepse ai e kujton mirë se si u çlirua dhe pse hyri NATO. Sepse ai e di mirë se prej tij financohesh, muaj për muaj. Tërë jetën.


Kështu është edhe kontributi në luftë: ka kontribuar familja Jashari, por ajo as nuk e ka vjedhur, as nuk e vjedh Kosovën, shtetin për të cilin u masakruan. 


Tani, cili është atdhetar, ti që je bërë milioner duke e vjedhur Kosovën, apo ajo familje që ka sakrifikuar çdo gjë, si askush? Sa i ke dhuruar asaj familje?


Përfundim: Aty ku kontributi i dikurshëm përdoret për të legalizuar vjedhjen e shtetit, atëherë më e pakta që duhet bërë është, ndryshimi i Kodit Penal dhe shtimi i nenit 01: 


„Personaliteteve me kontribut në çlirimin e atdheut dhe liderëve politikë, u lejohet çdo gjë. Ata qëndrojnë mbi Kodin Penal!“ Ky mendim do të mjaftonte për t’i dekriminalizuar.


Kështu, nuk do të kemi as korrupsion, as tenderë, as privatizime kundërligjore dhe ligji do të respektohet nga oligarkët dhe elita. Një Sallamadi–sistem modern, sepse vjedhja do të bëhej normale. Fisnike. Si kur e patën pushtetin. Aty e tuje, mund të mbyllen prokuroritë dhe gjykatat se nuk duhen më. Paratë që kursehen, të investohen nëpër shkolla e spitale…


Imazhi me Copilot





Keine Kommentare: