14.06.2026

Fashistët nuk kanë protestuar kurrë për drejtësi

(Reflektim mbi monologun e Edi Ramës në podcastin “Flasim”)


T'i quash fashistë protestuesit paqësorë nuk është vetëm shpifje ndaj tyre; është edhe banalizim i fashizmit. Fashizmi nuk ishte një protestë paqësore për shtetin ligjor, por një ideologji dhune, shtypjeje dhe nënshtrimi të popujve të tjerë.

Në Gjermani, banalizimi, justifikimi ose relativizimi i krimeve naziste mund të përbëjë edhe vepër penale, sepse krijon p
ërshtypjen e rreme se fashizmi ka qenë më pak kriminal sesa ishte në të vërtetë.

Prandaj, cilësimi i i tyre si fashistë jo vetëm që shtrembëron realitetin, por relativizon natyrën e vërtetë të fashizmit. Fashistët nuk ishin paqësorë si rinia shqiptare që proteston; ata ishin kundërshtarë të lirisë, pluralizmit dhe shtetit të së drejtës.

Protestuesit nuk janë hajvanë. 

Hajvanët nuk e luftojnë korrupsionin dhe shtetin e korruptuar. Ata e pranojnë atë si fat. Hajvanët nuk revoltohen; ata nënshtrohen vullnetarisht.


Protestuesit nuk janë kundër investimeve, por kundër marrëveshjeve të paqarta dhe përdorimit të pasurisë publike për të blerë mbështetje politike jashtë vendit. 

Shqipëria, shteti, është i qytetarëve, jo i kryeministrit.


Protestuesit nuk janë kundër Trumpit dhe as kundër vajzës së tij, por kundër kriminalizimit të shtetit, nepotizmit dhe korrupsionit epidemik.

Protestuesit nuk e dëmtojnë turizmin; përkundrazi, kanë rritur simpatinë ndaj Shqipërisë jashtë vendit. Një kryeministër në rend demokratik nuk flet si një sekretar i Partisë së Punës, pa fakte dhe me propagandë. Protestat nuk zhvillohen nëpër plazhe apo hotele, por në sheshet e qyteteve.


Protestuesit nuk janë kundër integrimit europian; përkundrazi, e përshpejtojnë atë, sepse kërkojnë shtet ligjor, si kërkon BE  dhe jo shtet të padrejtë oligarkësh. Si nuk e do Europa.


Protestuesit janë kundër atyre që pengojnë shtetin ligjor dhe hetimet, duke i fshehur të dyshuarit pas imunitetit politik. Nëse dëshiron pak qetësi, hiq imunitetin e Ballukut dhe trego se je në anën e shtetit ligjor.

Bëje hapin e parë.

Mos i fyej protestuesit, sepse ata janë po aq të denjë sa edhe ata që më 21 janar 2011 u pushkatuan duke protestuar për ty. Kundër Berishës.

Edhe Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, si edhe gjashtë të tjerë që u plagosën, protestuan për shtet ligjor. Nëse ata ishin qytetarë që kërkonin drejtësi atëherë, si mund të quhen sot "fashistë" ata që protestojnë për të njëjtat parime?

Është vetëm çështje kohe derisa të sillesh si Berisha, sepse narcizmi i tejtheksuar nuk të lejon të shohësh realitetin dhe të ndiesh shkallën e zemërimit qytetar. Aty është grumbulluar zemërata e të gjitha padrejtësive, e të gjithave,  që populli deri më tani i ka duruar në heshtje, duke parapëlqyer emigrimin në vend të revoltës.


Tani ndryshoi gjithçka. Erdhi çasti i fundit. Familjet janë shpartalluar. Turizmi po rritet, por Shqipëria po zvogëlohet.

Në favor të kujt është një Shqipëri e zbrazur, që gjallërohet vetëm gjatë verës? Kujt i duhet një vend me hotele plot e shkolla bosh, me turistë gjithnjë e më të pasur e me shqiptarë gjithnjë e më pak e më të varfër?

Partia Socialiste nuk festoi 35-vjetorin e themelimit, por 35-vjetorin e ndryshimit të emrit nga PPSH në PS. Sot ajo, në vepër, është e djathtë. E majta gjendet te PD-ja, e cila udhëhiqet nga një ish-anëtar i PPSH-së. Xhaxhi Sali!

Kryeministër, 

harroje Makiavelin dhe kthehu te Mark Aureli, para se të përfundosh si një Kaligulë apo Neron i çoroditur. Simptomat e një mundësie të tillë po shfaqen çdo ditë e më shumë.

Për fat të keq, të Shqipërisë dhe tëndin.

Keine Kommentare: