28.01.2011

Pacienti Kryeministër - SHEKULLI, gazeta Express


Le t‘ i ofrohet pozita e presidentit të shtetit deri në vdekje, nëse e dëshiron edhe dy dekada pas vdekjes, natyrisht si i balsamosur. Aty do të ketë më pak pushtet për ta dëmtuar shtetin dhe ekonominë kombëtare, respektivisht popullin. Le t’ i ofrohet paga e dyfishtë, një rrogë e dyfishtë dëmton shumë më pak buxhetin se sa mënyra se si administron ai shtetin. Le t’ u falen edhe anëtarëve të familjes nga 5 milion Euro, 20 apo 30 milion euro për fisin e tij do të dëmtonin më pak ekonominë, buxhetin e vendit, se sa prania e tij në Kryeministri. Le të lavdërohet çdo ditë për punën e mirë që ka bërë, për shkatërrimin e partisë se vet, Partisë së Punës, lëvdatat qetësojnë njerëzit me personalitet të shpartalluar dhe u bëjnë të qartë se kanë kryer detyrën e tyre deri në përkryerje dhe se nuk kanë më çka të shtojnë.
Ta falënderojmë çdo ditë, ta lavdërojmë çdo ditë, për oratorinë, për fjalorin e bukur dhe për gjykimin vizionar, këto dëmtojnë më pak vendin, edhe pse të rreme, por ai ka nevojë të dëgjojë dhe i beson përrallave të tilla. Le t’ i garantohet amnistia për të gjitha veprat e tija kundërligjore, sepse ai nuk largohet nga frika nga një ndjekje penale, siç ka frikë edhe miku i tij Berlusconi.
Një amnisti e tillë do ta dëmtonte drejtësinë shqiptare, por do ta rimëkëmbte vendin dhe detyrë e pasardhësve duhet të jetë: krijimi i kulturës demokratike në vend dhe të niset nga e para. Dhe, ndoshta populli shqiptar ka potencial ta ndërtojë një parti të vërtetë demokratike pa stalinist në krye të saj. Amin!
Me revoltë dhe duke treguar me gisht gabimet e tija, ai nuk tërhiqet. Aq sa më shumë ai kritikohet, aq më shumë beson se ka edhe detyra tjera që din dhe duhet t’ i bëjë vetëm ai. Për të cilat është autorizuar vetëm ai. Po si duhet larguar Kryeministri me fjalor dhe rezonim rrugaçi? Për ta gjetur vërtetë një zgjidhje valide dhe të qëndrueshme pa shkaktuar viktima dhe pa traumatizuar popullin duhet një neuropsikiatër, një psikiatër dhe një psikolog. Duke u konsultuar me ta, mund të gjendet diçka me vlerë, sepse ai nuk duhet trajtuar si një njeri normal, por si politikan pacient, i cili ka nevojë pikë së pari për sedativ, për medikamente qetësuese.
Nëse psikologu e bind se mendja e tij len shumë për të dëshiruar dhe se qartë vërehet një disonancë konjiktive, atëherë psikiatri mund t’ i shkruajë ca barna, natyrisht pas një konsultimi edhe me neuropsikiatrin. Pasi të jetë qetësuar pacienti Kryeministër, atëherë psikologu duhet t’ ia mbushin mendjen se askush nuk i sulet forcërisht karriges së tij, se askush nuk do të përdorë dhunën kundër tij dhe se është në pyetje vetëm perceptimi irreal i tij. Pasi neuropsikiatri të konstatojë se ai vuan nga de-mens, me një dëmtim tepër të madh të mendjes konjiktive dhe emocionale, atëherë mund t’ i shkruhen edhe disa medikamente tjera, që i nevojiten. Edhe këto harxhime le t’i marrë përsipër buxheti i shtetit, sepse pacienti mund të pezmatohet, të alarmohet dhe t’ i kërcënohet popullit dhe shfaqet përsëri me gjeneral për ta trishtuar dhe disiplinuar popullin shqiptar.
Nëse ekipi i specialistëve nuk mund ta shërojë, atëherë mund të shkohet në Maqedoni dhe Kosovë për ndonjë ilaç. Atje mund të gjenden plaka që mund t’ i fryjnë apo edhe ndonjë plak tjetër që merret me ekzorcizëm. Por, qysh në fillim duhet përjashtuar mundësinë se e kanë marrë mësysh apo se vuan nga syri i keq. Kjo mund të përjashtohet sepse sedra e tij ka shumë flluska dhe ka shumë simptome të sëmundjes kronike. Ai kontrollohet nga nëndija apo mendja reaktive. Plakës apo ekzorcistit t’ i jepen për shqyrtim edhe videosekuencat nga Kuvendi. Kjo mund të ndihmojë në diagnostifikimin dhe shërimin më të shpejt.

Shqipëria ka në krye të vendit një pacient. Për fat të keq pacienti nuk është në spital, por është në Kryeministri. Spitalet më të mëdha psikiatrike në Shqipëri sot janë Kryeministria dhe Kuvendi. Për fat të keq askush nuk po ia bën të qartë dhe ai vet nuk është në gjendje ta kuptojë se Kuvendi nuk është nevojtore dhe se populli shqiptar nuk është kope. Për fat të keq askush nuk po ia bën të qartë dhe ai vet nuk është në gjendje ta kuptojë se prokurorja e bukur, nuk është në shërbim të partisë së tij, por të drejtësisë. Për fat. Xixëllonja e parë e shtetit ligjor. Si duket neve vetëm gratë na e zbardhin fytyrën, që e nxijnë burrat pa pra. Për fat të keq ai nuk kupton se opozita nuk është vetëm për zbukurimin e demokracisë, por ajo që është e autorizuar ta marrë edhe drejtimin e shtetit. Kudo në demokraci është normale të synohet pushteti nga opozita, jo mirëpo në Shqipëri, edhe në Serbi në kohën e Millosheviçit nuk ishte normale.
Nuk jam as psikiatër, as neuropsikiatër, por nga dhjetëra raste që kam pasur rastin të jem si përkthyes në psikiatri në fillim për boshnjak, pastaj për serb, maqedon, pastaj edhe për shqiptar dhe italian mund të konkludoj se kryeministri jonë ka nevojë të shtrihet në spital dhe të mjekohet së paku tre muaj deri sa të rifitojë kontaktin me botën reale. Kur e shoh duke folur, më rikujton skena të përjetuara në psikiatri. Medet! Mozomakeq! Seç na nxiu fytyrën!
Kam takuar njerëz që bënin pyetje për veten dhe pyesni kokulur me flokë të shpupurishura: “kush jam unë?”. Kishin humbur emrin, mbiemrin dhe identitetin. Tjetri mendonte se Krishti e kishte autorizuar të shërojë njerëz dhe vjedh çelësin dhe i hap derën një pacienti që kishte dashur ta vrasë gruan, sepse ky ishte i bindur se e kishte shëruar gjatë drekës, kurse policia e kërkonte nëpër qytet me gjashtë makina. Tjetri na shante nënën mua dhe psikiatrit dhe na qeshej në fytyrë dhe pastaj na kërkonte ndjesë duke qarë, mirëpo, këta njerëz, me dëme të mëdha në të gjykuar nga skizofrenia, nuk ishin jashtë, ata konsideroheshin të rrezikshëm për SHOQËRINË dhe gjendeshin në spital, të shtrirë në psikiatri. Shumë prej tyre, pas vendimit të gjyqtarit, mbylleshin në një dhomë të spitalit për shërim. Te ne dallimi është shumë i madh, te ne pacienti është Kryeministër i vendit. Në krye të shtetit dhe pranë kamerave na shanë nënën, na fyen dinjitetin dhe e shndërron Kuvendin në shtëpi publike. Dje dëmtonte imazhin tonë mafia, sot shkatërron imazhin dhe dinjitetin ai që duhet ta mbrojë atë. Për çka edhe paguhet!

Millosheviçi nga pozita organizonte protesta kundër opozitës. Kështu deshi edhe pacienti jonë. Saliu është një kompozicioni i çoroditur i shumë personaliteteve negative në historinë e njerëzimit dhe është shumë i rrezikshëm dhe për ta mbrojtur karrigen është në gjendje t’ ia fusë zjarrin Shqipërisë! Dhe ta shkrumbojë. Ai ngryset si Stalini, kërcënohet si Enveri, shanë si Kaligula dhe krekoset si Millosheviçi. Gjyshja ime, ndjesë pastë, thoshte: “O zot, jep mend ku nuk ka!”
Me Saliun njeriu nuk mund të hidhërohet, ai ka problemet e veta, por njeriu habitet dhe mbetet gojëhapur me anëtarësinë e Partisë Demokratike, që duron stalinistin e fundit në Shqipëri në krye të një partie që shtiret se është demokratike. Ajo parti është demokratike, aq sa ishte demokratike Republika Demokratike Gjermane! Opozita duhet të ndryshojë mënyrën e rezistencës dhe të marrë mësime nga rugovizmi. Kjo është mënyra vetme për t’ i luftuar despotët me sukses, edhe atë pa humbur njerëz. Vrasje e tre vetave, nuk ka qenë e rastit, nuk është kryer pa urdhër dhe kishte vetëm një qëllim: t’ u tregojë shqiptarëve se çka është në gjendje të bëjë pacienti nëse i rrezikohet karrigia. Kur shikohet duke sharë e duke u kërcënuar, njeriu mendon se paska ikur nga spitali apo ia paska hapur derën dikush që mendonte se ishte autorizuar nga Krishti...
Tre veta u vranë për t’ i dërguar një mesazh pa ekuivoke atyre që protestojnë kundër pacientit! Këtë e ka bërë sepse ishte i bindur se prokuroja nuk do të bënte hetime. Mjaftonte t’ i telefonohej, si në kohën e xhaxhit, kështu besonte nxënësi dhe mjeku i xhaxhit. Dhe, këtu gaboi. Për fat të mirë prokuroria në Shqipëri ka nisur të ushtrojë detyrën ashtu si duhet dhe jo ashtu si priste pacienti prej saj: mirënjohje dhe përkulje, mbylljen e syve para krimit shtetëror...
Pati disa artikuj pozitiv mbi Shqipërinë për turizmin shqiptar, madje Hamburger Abendblatt e quajti Shqipërinë si vendi më mikpritës ne Europën Juglindore ( pra popullin shqiptar, jo politikanët e këtij populli) mirëpo këtë vit, në vend se të rritet numri i turistëve, ai do të bjerë ndjeshëm. Për këtë duhet falënderuar pacientin që refuzon kurimin!

22.01.2011

Idiokracia-gazeta Express


Në Ballkan demokracia identifikohet deri diku me median e “lirë” dhe me mbajtjen e zgjedhjeve, të cilat shpesh i ngjajnë një cirku primitiv. Në fushat dhe shtresa tjera nuk vërehet demokracia, por herë dominon idiokracia, herë kleptokracia. Diku njëra është më e theksuar, diku tjetra, por me një konvergjencë të sigurt politike apo me një simbiozë marramendëse, trishtuese. Mund të konstatohet se Ballkani qeveriset nga idiokrat me aftësi të veçanta kelptokratike. Shkelja e ligjit me qëllim pasurimi jashtë strukturave politike, quhet kriminalitet. Shkelja e ligjit për të pasuruar veten, nga ata qe vet i votojnë ligjet, quhet kleptokraci.
Idiokracia nuk ka të bëjë asgjë me demokracinë. Në idiokraci përvidhen amatorët politik dhe ata udhëheqin shtetin. Administrata idiokratike qeveriset nga disa idiokratë të profiluar dhe ata nuk tolerojnë t’ i ofrohen pushtetit njerëz më të aftë se ata vet. Karakteristik e idiokracisë është se ata njohin mirë njëri tjetrin, i lidh interesi i përbashkët apo farefisi dhe aty shquhen qartë struktura tribale në sistem. Sa herë të akuzohet njëri, kryeidiokrati e merr në mbrojtje, sepse lëkunden interesat e përbashkëta. Aty edhe i akuzuari shndërrohet në dëshmitar të vetvetes dhe nuk vlen: “Nemo testis in propria causa“!, askush nuk mund të jetë dëshmitar në çështje të vet. Në Ballkan, po!
Rrjeti i tyre është i paprekshëm dhe gati i pazëvendësueshëm. Me metodat idiokratike janë udhëhequr në mes tjerash shtetet komuniste, fashizmi dhe komunizmi. Perandorinë Osmane të mos e përmendim fare, sepse ishte garantuese e ecjes prapa, jo e ngeljes në vend, por ecjes prapa edhe atë për disa shekuj. Ajo, me sistemin idiokratik, arriti në Ballkan t’i pengojë dhe t´injorojë gjitha lëvizjet progresive, që u lindën në Europë, madje t’ u ndalojë popujve dhe alfabetin...Ballkanit i ka munguar iluminizmi, i ka munguar Revolucioni Francez dhe mendimtarët francez, anglez e gjerman që qenë parapërgatitës të qytetërimit perëndimor. Ballkanit i ka munguar edhe Rilindja e vërtetë. I ka munguar Montesquieus dhe idea për ndarjen e pushtetit në mes legjislatives, ekzekutives dhe pushtetit gjyqësor. I kanë munguar idetë e Rousseau për pasurimin e pa drejtë si shkak të revoltës. I ka munguar Voltaire, Denis Diderot dhe shumë eruditë tjerë..

Rendi idiokratik ekziston kryesisht në Ballkan dhe në disa vende të Azisë dhe Afrikës. Idiokraci domethënë “sundimi i budallenjve” apo imbecilët në pushtet. Ashtu si komunizmi që hipte klasën punëtore në pushtet, idiokracia shtyn drejt pushtetit budallenjtë: mediokritetet, matrapazët, psikopatët, kleptokratët, zvarranikët, ata që kanë blerë diploma, palaçot, dallkaukët, kopukët dhe maskarenjtë. Nëse dikujt i mungon njëra nga këto fjalë përcaktuese, shanse në fushën politike në Ballkan nuk ka dhe nuk do të ketë!

Punën e parë që bën idiokracia është dëbimi dhe ekskomunikimi i ekspertëve apo të atyre me mençuri më të mëdha se soji i tyre. Ata arrijnë nga politika të shndërrojnë një çmendinë, kabaretë, skenë dalldie, moralisht aq të prishur, të pështirë, që të kallë krupën, sa të mençurit, të moralshmit i vjen turp të merret me politikë dhe largohet, madje edhe emigron, për t’ i ikur myshkut dhe talljes që i kanoset nga imbecilët politik. ( Ashtu si gruaja e ndershme që ka trup të merret me prostitucion, ashtu edhe njeriu i moralshëm turpërohet në Ballkan të merret me politikë)
Idiokracia është forma më primitive e rendit shoqëror. Në idiokraci ka vazhdimisht përpjekje për ta kontrolluar shtypin dhe mendimin e lirë, sepse ajo nuk duron konkurrencë, ashtu si edhe kriminaliteti i saj, nuk duron opozitë.
Idiokratët edhe këshilltarët e vet shumë herë i marrin nga kjo shtresë, njerëz që dinë më pak se ata vet. Sepse vetëm idiokrati besnik, përkrah kryeidiokratin dhe i siguron mbijetesën.

Simptomat kryesore të idiokracisë janë korrupsioni stabil apo në rritje dhe kriminaliteti, që nuk mund të çrrënjoset kurrë. Këto dy anomali nuk mund të zhduken sepse vijë kufizuese dhe ndarëse në mes politikës dhe dy shfaqjeve aberrative të fundit ose nuk ekzistojnë ose janë fluide, të rrjedhshme dhe jetojnë në një fuzion permanent. Në përqafim konstant.
Karakteristikë shquese e idiokracisë është edhe blerja e diplomave të fakultetit, titujve shkencor dhe krijimi i një klase, elite budallenjsh intelektual, që nuk dinë as ta flasin e as ta shkruajnë gjuhen e vet amtare. Fatkeqësia qëndron në faktin se edhe në fakultete ka shumë idiokrat me tituj dr., që nuk janë në gjendje jo të shkruajnë libra siç e kanë për detyrë, por as të hartojnë një artikull si duhet.
Sot, idiokraci funksionale dhe shumë stabile kemi: në Greqi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, Bosnje... Në këto shtete njerëzit e mençur gati janë përjashtuar nga pushteti. Në njërin vend më shumë, në tjetrin më pak.

Në idiokraci vidhet shteti. Administrata nuk ekziston për të shërbyer qytetarin, por për të pasuruar veten. Çdo qytetar që kthehet nga Kosova në Gjermani tregon për peripecitë e tija, për qindra madje edhe mijëra euro për disa dokumente apo për shumën që pagoi për një vizitë të mjerë mjekësore ndoshta te një mjek që ka doktoruar me plagjiaturë. Shqiptarët që financuan pavarësimin e vendit, vidhen sot nga administrata kosovare, ashtu si plaçkiteshin dje nga administrata e Millosheviçit.

Për pagesa ankohen edhe maqedonët, serbet, malazezët, grekët, boshnjakët etj. Idiokratët nuk sillen ashtu si janë, por ashtu si dëshirojnë t’ i shohin të tjerët. Ata e dinë se si duhet të jetë njeriu i moralshëm, prandaj luajnë rolin e njeriut të ndershëm. Ata nuk flasin atë që duhet, por atë që mendon se dëshiron ta dëgjojë populli. Dhe, meqenëse niveli arsimor i popullit në vende idiokratike është shumë inferior në krahasim me vendet e zhvilluara- përndryshe idiokracia nuk do te kishte shans- ai popull përsëri voton idiokratin sepse idiokrati flet ashtu si e kupton më së miri masa, pra komunikon me logjikën dhe nivelin e shtresave më të ulëta.
Populli vëren se idiokracia nuk i sjell mirëqenie, mirëpo emancipimi është i dobët dhe prandaj nuk ka kundërshtim relevant. Popujt në idiokraci dinë se pushteti vjedh, për këtë flasin kudo, ai din se krimi nuk lufton krimin, por është i bindur se alternativë tjetër nuk ka dhe ia nis vjedhjes edhe ai. Aty ku mundet! Ku mundet nuk paguan ndershmërisht tatimet, sepse ai është i vetëdijshëm se njerëzit e mirë, ka vite që janë dëbuar nga skena dhe janë anonimizuar deri në harresë apo stigmatizim. Atje i moralshmi konsiderohet i pamoralshëm, kurse i pamoralshmi vlerësohet si kujdestar i normave morale!

Nuk është aq tragjike ekzistenca e idiokracisë, ajo ka ekzistuar gjithmonë dhe siç shihet do të jetë e pranishme edhe në këtë shekull e pas tij, por shqetësuese është dija dhe përvoja empirike se idiokracinë nuk e rrëzon kurrë vota e lirë e qytetarit, por revolta apo diçka e ngjashme. Arsyeja është e thjeshtë. Rrjeti i tyre është aq dendur i tjerrë, strukturat janë aq stabile, sa, ose duhet të dëbohen kolektivisht ose mbetjet e tyre ringjallin përsëri idiokracinë dhe tok me të edhe kleptokracinë dhe zellin për hakmarrje. Në shtetet e reja që dolën nga ish-Jugosllavia kemi ringjalljen e idiokracisë, në Shqipëri gjithashtu. Ringjalljen e idiokracisë sot e përjetojmë në Ballkan, ku me pak dallime ndërtojnë të gjithë një idiokraci dhe kleptokraci të pashembullt në Europë.
Në kohë lufte patriotizëm është të luftohet, të ndihmohet, por edhe të mos pengohet çlirimi. Në kohë paqeje patriotizëm është pagimi i tatimeve (nëse dëshirojmë spitale dhe rrugë moderne. Shkolla dhe universitete moderne). Në kohë paqeje shenjë e patriotizmit është edhe dorëheqja dhe mosdëmtimi i vendit me imazhin e keq që ka një politikan. Në Perëndim jepet dorëheqje edhe për skandale të vogla, në Ballkan kundër dikujt mund të procedohet, të bëhen hetime dhe ai të qeverisë. Pse? Sepse Ballkani po sjell ligje, që nuk dalin si nevojë e nivelit dhe vetëdijesimit të tyre, por si imponim i një civilizimi të lartë, që ata nuk e kuptojnë, që ata nuk e njohin, me të cilin ata nuk pajtohen, nuk identifikohen, por e votojnë për shkak të vështirësive ekonomike dhe prandaj shkelësit e ligjit nuk janë vetëm njerëzit e rëndomtë pse nuk pajtohet me kulturën e re, që u imponohet, por atje ligji shkelet pikë së pari nga ata që e votojnë: deputetët dhe qeveritarët. Edhe nga ata që duhet ta zbatojnë:nëpunësit dhe gjykatat. Mu ata që nuk duhet. Ata që duhet të jenë shëmbëlltyrë e drejtësisë. Nëse në Ankara protestohet kundër homoseksualëve, këtë potere, do ta përjetojmë në të gjitha qendrat tjera ballkanike...Pushtuesi iku, por shkolla e tij mbeti!

Shikuar objektivisht dhe duke parë thellësinë e rrënjëve të idiokratëve, shtresimin e tyre, shtrirjen e tyre horizontale dhe vertikale, mund të pohohet se me rendin idiokratik në Ballkan do të jetohet më së paku edhe tri apo katër dekada. Në ndonjë vend më pak, në ndonjë edhe më shumë! Garantues i mbijetese së tyre janë lidhjet fisnore të qëndrueshme, korrupsioni dhe mosdistancimi serioz i pushteti nga kriminaliteti!
Kur në Gjermani punësohet dikush, caktohet një komision nga tre veta për të zgjedhur kandidatin më të mirë. Në Ballkan kandidati zgjidhet nëpërmjet telefonave apo para se të shqyrtohen aplikacionet. Mu ashtu si dihet edhe fituesi para zgjedhjeve!
Nëse popujt e Ballkanit shpresojnë se me këtë elitë politike mund të përmirësohet gjendja e tyre e vështirë ekonomike, atëherë ata duhet edhe të besojnë se ekziston babadimri, se ardhmëria e njerëzve me fakte shkencore mund të lexohet vetëm nga filxhani i kafesë dhe se shamanët kanë zbuluar teorinë e relativitetit!

Nëse dëshironi të lexoni më shumë nga Lis Bukuroca, atëherë këtu mund të porosisni:Letër burrave, tregime dhe sprova,  romanin, Ngjyrat e dashurisë  me Kanunin Erotik, ose përmbledhjen me poezi: Hijedritat e jetës.