30.07.2011

Pse po na braktis Perëndimi? Gazeta Shekulli

Çka do të ndodhë pas vrasjes së policit kosovar? Asgjë! Qeveria mori një vendim pa u konsultuar me amerikanët dhe me ata që i konsideron si aleat. Problemi mirëpo qëndron diku tjetër: ata nuk na konsiderojnë më aleat si dikur. Kjo shihet, por nuk dëshiron të besohet. Kjo shihet edhe nga trajtimi i Serbisë. Më poshtë do të arsyetohet ky konstatim, ky mutacion, duke parë si perceptohet tani Kosova jashtë dhe motivet.

Perëndimi është duke u përpjekur të gjejnë një rrugë pa humbur nderin të dalë nga Kosova. Përpiqen ta bëjnë këtë sepse koston e lartë duhet ta arsyetojnë para tatimpaguesve dhe para atyre që nuk u pajtuan me intervenimin ushtarak. Çka do të bëjnë ata tani? Ata do të ngulim këmbë të qetësohet gjendja, të ulen gjakrat dhe të kthehemi në gjendjen e mëparshme. 

Forcat speciale të Kosovë u kthyen prapa me helikopter të NATO-s. Qeveria nuk duhet të dërgojë policët aty, ku nuk është e sigurt se do të mbeten. Ajo e bëri këtë aksion për të përmirësuar imazhin e vet, që dëmtoi me nënshkrimin e marrëveshjes, ku cenohej suvereniteti i Kosovës. Perëndimi nuk dëshiron konflikt të ri, as nuk do të na përkrahë ta çlirojmë veriun. Vet nuk mundemi ta bëjmë atë. Ne nuk kemi ushtri...

Pos deklaratave të ekuilibruara dhe rekomandimeve, nuk do të bëjnë gjë tjetër. Gjendja do të qetësohet. Hashimi do të arsyetohet. Pse? Perëndimi ka kuptuar shumë gjëra më mirë se sa na pëlqen neve t’ i besojmë. Kosova nuk është më ajo e pafajshmja, properëndimorja, ajo e virgjëra, që e propagandonte Rugova. 

Ka ndërruar pamja e saj, dukja. Kosova është tjetërsuar aq shumë sa edhe banorët e saj në Perëndim, kanë vështirësi të identifikohen apo të pajtohen me shfaqjet atje, me atdheun e vet. Imazhin që propagandoi Rugova në Perëndim, gati e kemi shkatërruar. Ai konsideronte mik të madh SHBA-të dhe Perëndimin. 

Thaçi drejtoi barkën kosovare drejt Detit të Zi. Ai bëri vëlla Erdoganin, të cilit akoma nuk iu dëgjua zëri për “vëllanë “ e vockël në gazep. Këtu shihet se vëllazëria e tyre kishte prapavija tjera dhe nuk ishte e sinqertë, as në dobi të Kosovës. Ai do të kthejë krenarinë osmane. Të bëhet faktor në Ballkan. Asgjë më pak. Ajo nuk mund ta ndihmojë Kosovën, ka Bullgarinë dhe Serbinë në mes, e as nuk ka fuqi t’ i ndihmojë palestinezët. Për ta qetësuar Turqinë, do të kujdeset Rusia. Mundësitë tjera janë përralla dhe potere turke.

Pse mund të thuhet se Perëndimi është largim e sipër? Kjo mund arsyetohet me sjelljet tona pas luftës. Në vitin 2004, pas djegies së kishave, nisi ndryshimi i madh i perceptimit të Kosovës jashtë. Këtu qe humbur ai virgjinitet i Kosovës të cilën e kishte besuar Perëndimi duke u mbështetur në veprimtarinë e Rugovës. Trajtoheshim gati me aq dhembshuri dhe empati si hebrenjtë. 

Kjo ndryshoi. Në një anë të krishterët mbronin shtetin tonë nga Serbia, në anën tjetër vandalistët shqiptarë digjnin kishat. Mjerimi dhe injoranca botëkuptuese e disa shqiptarëve qëndron në njësimin e Krishterimit me serbet. Pas kësaj ngjarje, nisi rehabilitimi i ngadalshëm, por i sigurt i Serbisë.

Amerika na solli nga mali në shtëpi, madje edhe na transferoi me avion në SHBA dhe sapo arritëm atje, ia nisëm përgatitjeve për të ushtruar terrorizëm ndaj atyre që na çliruan nga Serbia. Për fat të mirë, ata u arrestuan para se ta kryenin veprën. Kjo ngjarje tronditi skenën politike perëndimore. 

 Ata menduan se ishte një rast i izoluar dhe e kapërdinë këtë realitet të hidhur. Sidoqoftë, ata konstatuan se me popullin e Nënë Terezës dhe Rugovës, nuk ishte diçka në rregull apo se ky popull, paska edhe një fytyrë tjetër: njërën ku i ka punët pisk dhe tjetrën në paqe. Aq sa më shumë largoheshim nga lufta, aq më shumë faktorizohej radikalizmi fetar, saqë në fund edhe Thaçi, e pa të nevojshme të fotografohet duke u lutur. 

Kjo lutje nuk i solli asnjë njohje. Në gazetat perëndimore si dhe televizion, herë pas here shfaqen fotografi nga Kosova duke u falur në rrugë apo duke demonstruar për shami. Si pasojë, çdo qytetar në Perëndim, pyet veten: ku i kemi dërguar djemtë dhe pse? Pastaj doli imami i Prishtinës dhe tha: “Nënë Tereza gjendet në xhehenem, sepse nuk ka besuar Allahun...” 

Kur dëgjuan këtë deklaratë perëndimorët, e përkthyen ashtu siç kishte dashur ta thotë imami: “ “Nënë Tereza është ne ferr, por edhe ushtarët krishterë që na mbrojnë, vendin e kanë atje. Të gjithë krishterët e kanë vendin atje. Atje vendin e kanë 80% e banorëve të kësaj Toke!” Ky njeri mbeti përsëri imam. Me vrasjen e katër amerikanëve imazhi jonë mori vulën mbi letër, vepër dhe perceptim. 

Edhe pse ai ishte rritur në Gjemani, shteti i Kosovës është dashur t’ i dëmshpërblejë familjet e tyre. Skena politike perëndimore ishte në rezignacion dhe vështirësi për ta shpjeguar: na vranë aq ta që i shpëtuam dhe u falëm shtet! 

Nuk vranë serbet amerikanë, por shqiptarët! Në anën tjetër, në Luginë, Serbia toleron mësimin e religjionit në shkollat shqipe dhe nuk do t’ ishte e çuditshme, nëse dikujt i pëlqen më shumë demokracia serbe me miqësi të mëdha arabe, sesa demokracia amerikane me miqësi izraelite.

Gabimet tragjike të lartpërmendur mund të jenë faktorët kryesor, që kanë çuar në humbjen e simpatisë dhe në ngrirjen e konfliktit në veri si dhe trajtimin e Serbisë me dorëza. Ndihma që i jepet tani Kosovës, nuk bëhet nga dhembshuria dhe empatia, por për të dalë ata nga Kosova ballëlart. Rastet e lartpërmendur janë arsyet se pse Kosova dalëngadalë por sigurt, do të rrëshqasë nga dora amerikane në atë europiane ose turke.

Religjioni është e drejtë bazë e çdo njeriu, por ata që shndërrojnë religjion në ideologji politike, luftarake, nuk kanë vendin as në gazeta, as televizor e as në rrugë.

Si do të përfundojë? Thjesht do të qetësohet gjendja, Kosova nuk do të ketë kontroll atje dhe do te ngelet ashtu si ishte para vdekjes së policit shqiptar. Serbia paguan për t’ u krijuar ngjarje në Kosovë, që i shkojnë asaj në favor. 

Brenda pesë viteve, aq sa është paraparë të zgjasin bisedimet, Kosova do t’ i prodhojë edhe disa gabime të mëdha dhe një ditë do të kuptohet Serbia, insistimi i saj, do të mëshirohet dhe veriu do t’ i jepet. Serbia e pret këtë, e dinë këtë, ka njerëzit e vetë në Kosovë dhe një ditë do ta fitojë atë për të cilën angazhohet me shumë përkushtim dhe me shumë miliona. Për fat të keq, në Kosovë, ata që dëmtojnë imazhin e vendit,si radikalët fetar dhe kriminelët, posedojnë imunitet...

Rasti në Norvegji, vrasja e amerikanëve nga një shqiptar, tregojnë se religjioni duhet mbajtur larg nga shkollat, sepse ndikon në helmimin e të rinjve dhe kultivon urrejtjen ndërnjerzore! Europa ka si bazë humane shumëllojshmërinë, jo zhdukjen e diferencave. Vlerat universale njerëzore burojnë nga filozofët dhe nismën e kanë tek revolucioni francez. 

Jo nga librat fetarë. Urrejtjen fetare mund t’ i a lejojnë vetes iranianët, por jo shqiptarët e Europës. Ai shqiptar që është kundër SHBA-së dhe Perëndimit, ai shqiptar është në shërbim të Serbisë dhe paguhet prej saj.

Gazeta shekulli 30 komente

24.07.2011

Batakçiu i rendeve - gazeta Shekulli


Jam kundër regjistrimit të fesë së individit, sepse këtë e konsideroj çështje private. Njeriu nuk ka vetëm një besim fetar, por ka edhe plot besime tjera: i beson mikut, të dashurës, prindërve, madje edhe armikut... I beson edhe atij që nuk duhet besuar fare, për shembull: Sali Berishës. Ndoshta dikush është politeist, budist, gnostik, vetëm deist apo edhe satanist, por krejt këto, nuk i duhen Sali Berishës. 

Këto i nevojiten Greqisë. Fansat i besojnë këtij shoumeni edhe kur gënjen, edhe kur mashtron, edhe kur manipulon, edhe kur mban fjalime pranë varreve të atyre, që i largoi nga skena politike të gjallë, por i respekton të vdekur. I besojnë edhe kur flet kundër komunizmit, edhe pse ai është i vetmi në majë me përfitime të mëdha, pikërisht nga ky rend. Njeriu thjesht nuk duhet të pajtohet me atë ide, sepse ajo vjen nga Sali Berisha. Ashtu si nuk duhet pajtuar me idetë e Gadafit, Salehut, Kastros etj. Ashtu si nuk pajtoheshim me shitjen e detit që e konsideronte marrëveshje madhore. Ashtu si nuk pajtoheshim me piramidat që i quante përparim ekonomik, me vrasjen e shqiptarëve që e konsideronte detyrë madhore, me vjedhjen e më shumë se 200 milion eurove që e konsideron patriotizëm. Thjesht ashtu si nuk pajtoheshim me faljen e 400 mijë eurove serbeve të një fshati në Kosovë, që edhe sot mbështesin politikën antishqiptare...

Ky qëndrim nuk është paragjykues, por pasojë empirike, sepse kur një njeri prodhon aq shumë skandale - pa u harruar njëri, prodhon tjetrin- atëherë nuk duhet humbur kohë për t’i kuptuar synimet e tij, më saktë, obligimet e tij. Deri tani, ai ka sjellë shumë ide të prapa dhe nuk mund të ketë dyshim të bazuar se këtë herë e ka mirë.

Saliu duhej shtruar vetes këtë pyetje: nëse në jug të Shqipërisë ka edhe të varfër dhe nëse ata të varfër shpresojnë të marrin ndihma ekonomike apo pasaporta greke dhe nga nevoja deklarohen me mijëra si grek - edhe pse nuk dinë e nuk kanë ditur kurrë greqisht- si do të reagonte Greqia që deshi domosdoshmërish këtë regjistrim? Apo, si do të reagonte Saliu me një numër të tillë mbi tryezë? Rezultati i këtij regjistrimi do të tregojë se a do të kërkojë Greqia autonomi për grekët, respektivisht aneksimin e territorit duke e shkëmbyer me pajtimin për aderim të Shqipërisë në BEE?
Nëse nga ky regjistrim rezulton se pakica e shqiptarëve janë mysliman, çka do të bënte Saliu me Konferencën Islamike dhe si do ta përligjte ai praninë e shtetit laik shqiptar atje?

Nuk ishte i çuditshëm fjalimi i tij. Ishte vazhdimësi e diskursit të njohur salik. Më argëtuese është të shikohet një fjalim, një spektakël, një shou i Berishës, se sa “Kafeneja Jonë” apo “Përralla me tupana”. Ai shan dhe stigmatizon ata, që nuk mendojnë si ai, sepse ai kështu kupton demokracinë. Dikur shante vetëm gratë, tani ua krisi edhe burrave, të gjithëve, pa dallim gjinie dhe orientimi seksual.

T’ ia japim fjalën Kryeministrit dhe të shohin si i përshkruan njerëzit, që nuk pajtohen me të. “Këta vetë janë njerëz pa Zot. A mund t’i bëj unë me Zot ata? Jo! Ata të cilët shfrytëzojnë karriget e larta shtetërore, ata i përdhosin ato karrige”. Partia Demokratike duartrokiti në mënyrë frenetike! E lexuat mirë? Kush përdhos karriget shtetërore? Ata që shfrytëzojnë ato karrige! E kush gjendet në ato karrige? Saliu me të zgjedhurit e vet, që i përkulen BEE-së, por mendimet e tyre i quajnë pordha! Ai për herë të parë pranoi botërisht, se nuk mund t’ i bëjë njerëzit me Zot, edhe pse i ka hapur dyert dhe dritaret predikuesve të çdo lloji, edhe atë me një qëllim: t’ i bëjë shqiptarët me shumë Zotëra dhe t’ i përçajë deri në theqafje.

Ai nuk u ndalë aty, por vazhdoi me semantikë të njëjtë: “Regjistrimi i popullsisë nuk ka asnjë lidhje me klithmat mjerane të disa individëve që për interesa të tyre personale duan të vënë në pikëpyetje identitetin, besimin dhe thelbin e kësaj shoqërie.”

Nëse je kundër regjistrimit sipas kërkesës greke, atëherë je mjeran. Dhe ke përfitime vetjake! Çfarë përfitime? Të paguajnë revizionistët! Tradhtarët e jashtëm! Si të zhduket identiteti? Ai të zhduket nëse kundërshton regjistrimin sipas dëshirës greke! Anëtarët e PD-së e duartrokitën përsëri. Fol edhe një herë Sali, të lutem: “ Ata që përpiqen të derdhin lot për kërcënimin e identitetit të shqiptarëve, kanë fatkeqësinë të kenë lindur pa identitet.”, tha ai me plot seriozitet duke marrë një pozë prej shkencëtari. 

Se njeriu lindet me identitet, nuk ka guxuar ta pohojë asnjë sociolog, asnjë psikolog, asnjë neurolog e asnjë psikiatër, e asnjë bujk. E as etnologu dhe antropologu Claude Levi Strauss për shembull. Mirëpo, ithtarët e Sali Berishës, që e duartrokasin edhe kur flet, edhe kur kollitet, edhe kur fshinë hundët, e duartrokitën përsëri, në vend se t’i kafshojnë buzët. Në vend se të skuqen!

Fol Sali edhe një herë të lutem se na kënaqe: “ Ata kanë deficencë kongjenitale identiteti, por shoqëria nuk i pranon”, bërtiti ai përsëri me pozë intelektuali duke menduar se zbuloi fakte shkencore të reja dhe anëtarësia e PD-së e duartrokiti me plot krenari, në vend se të trishtohej. Ky tog fjalësh” deficencë kongjenitale” shqip domethënë se ata që janë kundër regjistrimit, ata kanë mungesë identiteti që nga lindja dhe nuk janë lindur me identitet shqiptar si do të kishte dëshiruar Greqia. Edhe ky është zbulim për një Çmim Budallallëku, e kundërta e Çmimit Nobel! “Dhe shoqëria nuk i pranon”. 

E kush është shoqëria? Shoqëria është Sali Berisha. Partia e din çka i duhet popullit dhe e din çka mendon populli, prandaj ajo nuk i pranon! Kjo mënyrë e të gjykuarit është e njohur për ne. Ai nuk mund të shkëputet nga baza. Partia Demokratike duartrokiti përsëri dhe derisa lexon këtë shkrim, ata janë në duartrokitje e sipër. Ata duartrokasin doktorin e shkencave të mjekësisë, i cili mendon dhe është i bindur se foshnja lindet me identitet kombëtar! Këtë njeri, me këtë dije, ne e kemi Kryeministër! Trishtim!

Se e voton populli, mund deri diku të arsyetohet. Populli nuk është një subjekt, por një masë me fuqi dhe aftësi perceptuese individuale të niveleve të ndryshme. Domethënë e votojnë edhe ata që nuk marrin vesh, por si e duron kryesia e PD-së një njeri të tillë në krye, kjo nuk mund të shpjegohet, kjo nuk mund të kuptohet, kjo nuk mund të arsyetohet.
Gazeta Shekulli, 24 gusht 11

15.07.2011

Tallava politika / gazeta Sot


Kosova po bisedon me Serbinë! Ky lajm do të tingëllonte bukur, sikur të ishte i sinqertë dhe sikur t’ ishin vërtetë negociata në mes dy vendeve sovrane. Kudo në botë negociatat janë më të mira, se sa përplasjet, mëritë dhe armiqësitë. E vërteta mirëpo është krejt ndryshe. Nuk po bisedon Kosova me Serbinë, por Serbia po bisedon me Kosovën. Ajo zgjodhi çastin kur duhet dhe pse duhet biseduar. 


Ajo po negocion me Kosovën pa ngadalësuar apo pezulluar propagandën kundër Kosovës. Pa kërkuar ndjesë. Pa pezulluar dhe anuluar strukturat paralele serbe në Kosovë. Pa kthyer mbi tre mijë të varrosur nëpër Serbi. Serbia po bisedon me Kosovën, furnizon Dick Martin me gënjeshtra mbi Kryeministrin e Kosovës, mbështet ndjekjen penale kundër Kryeministrit të Kosovës dhe jo vetëm që e detyron t’ i pranojë negociatat, edhe atë pas asnjë kusht elementar- si kërkimi i ndjesës për shembull- por edhe e detyron të pranojë edhe dëmtimin e sovranitetit të shtetit. Në cilin vend të botës ngrihet një padi ndaj Kryeministri fqinj dhe në anën tjetër, negociohet për “çështje teknike”?


Nga këto negociata po reflektohet edhe pozita e Thaçit. Dinjiteti i tij. Pesha e kryqit! Është ai vërtetë Kryeministër apo gjendet aty për t’ i zbatuar urdhrat që i jepen. Si Salehu, që realizon dëshirat greke. (Grekët nuk duhet të jenë shumicë në Kuvendin shqiptar për t’ i kaluar ligjet, që ju nevojiten.) Se qëllimi i Thaçit është vetëm mbijetesa politike, e tregoi edhe ankesa e tij tek ambasadori amerikan. Ai qenka ankuar kundër Salehut që flet shqip, duke kërkuar ndihmë: “Kosova nuk është krahinë e Shqipërisë”, i paska thënë patrioti jonë.


Është pranuar Kosova si shtet më vete apo është krahinë e kujtdo, por vetëm e vetes jo. A kanë mundur të ndiqen penalisht hebrenjtë nga gjermanët dhe nëse jo, pse mund të ndiqen penalisht shqiptarët? Cili komb në botë është ndjekur penalisht nga pushtuesi dhe nëse nuk gjendet në planetin tonë, pse shqiptarët mund të ndiqen me dëshirën e pushtuesit? Nëse Serbia konsideron Kosovën të veten dhe nuk njeh atë, pse ajo nuk paguan pensionet shqiptarëve dhe pse nuk ndjek penalisht ata që vranë dhe dogjën shtëpitë e popullit të saj? Pse ajo nuk dëmshpërblen qytetarët e vet?


Akuza ndaj Thaçit një ditë do të harrohet, krejt kjo propagandë po bëhet për të ushtruar trysni mbi të dhe nëpërmjet tij, të stigmatizohet Kosova, shqiptarët, sepse po të kishim një Kryeministër tjetër, atëherë, akuza nuk do të ngrihej kurrë. Nuk do t’ i interesonte as Carla del Ponte-s, as Martit e as Tadiçit. Sikur Thaçi të mos ishte Kryeministër, atëherë kjo akuzë nuk do ta dëmtonte shtetin e Kosovës, por vetëm Hashimin. Në Kosovë duhet hetuar ata që kanë vrarë shqiptarë pas lufte, po jo për të tjerët, që kanë qenë bashkëpunëtorë apo mbështetës të atij regjimi, që bombardoi NATO.


Serbia përpiqet të përmirësojë imazhin e vet në opinion botëror dhe të përligj veprat e Millosheviçit. Ajo nuk e bënë krejt këtë vetëm kundër nesh, por për t’ i treguar botës se Amerika gaboi dhe në rastin më të keq për të, synon ta barazojë krimin serb me atë shqiptar. Kjo është arsyeja pse Serbia nuk kërkon ndjesë. Kur ta arrijë këtë barazim, atëherë vetvetiu do të shtrohet pyetja: a nuk paska gabuar Perëndimi?! Por, Serbia nuk mjaftohet vetëm me kaq. Ky është vetëm fillimi. Ajo synon më tepër. Millosheviçi ishte kriminel, këtë e pranojnë vetëm jashtë, jo brenda. 


Njerëzit e Millosheviçit gjenden në të gjitha strukturat shtetërore, por, ata, tani duan ta dëshmojnë se kriminel është edhe Thaçi, me të cilin negociojnë. Në rastin më ideal, nëse kanë sukses si deri tani, për çka edhe angazhohen me pasion, Serbia do mundohet ta paraqesë veten si viktimë e Amerikanëve dhe anglezëve. Kur të arrihet kjo, atëherë ndarja e Kosovës do të jetë e paevitueshme. Atë që nuk arriti Millosheviçi me luftë, do ta realizojnë nacionalistët serb: Tadiçi dhe Jeremiçi me propagandë. Politika jonë në krahasim me të tyren duket diletante, infantile dhe e pa orientim të qartë. 


Me krijimin e vëllazërive të reja nga Thaçi drejt Lindjes, me dezertimin e tij politik, me durimin dhe motivimin e depërtimit të islamit politik, radikal në vend, vetëm sa ndihmohet politika serbe dhe ngadhënjimi i saj përfundimtar, rrjedhimisht anëtarësimi i saj në BEE. Kur të bindet edhe SHBA se Clinton gaboi - Serbia ka preferuar plan pesë vjeçar për bisedime, me shpresë se largohen Clintonët nga skena politike - atëherë si dëmshpërblim, Serbia do të bëhet anëtare e NATO-s dhe do të ndihmohet edhe ekonomikisht, edhe atë, me ndihmën e HashimThaçit, ish drejtorit politik të UÇK-së.


Përsëri më bekimin e Europës pranuam diskriminim. Kjo Europë, e cila mori pjesë në bombardimin e një regjimi fashist, pajtohen t’ i kthehen kopjet e arkivave të Kosovës. Serbia e Tadiçit demokrat, e konsideron të drejtë vjedhjen e arkivave nga fashisti Millosheviç dhe Europa pajtohet me sekuestrimin e origjinaleve. Kjo Europë, e cila mori pjesë në bombardimet e Serbisë, tani duket se pendohet dhe pajtohet me mosnjohjen e pasaportave të Kosovës. E pasaportave, që i njeh Europa vet. 


Kjo ishte ajo Europën, e cila i shkroi ligje Kosovës, ku gjuhë zyrtare shpallen edhe ato, që nuk fliten as nga për 2 qind e popullit, në anën tjetër, po me bekimin e kësaj Europe, në Maqedoni, vendosi që gjuha shqipe të mos jetë zyrtare, aty ku jetojnë më pak se 20% shqiptarë. Kjo Europë, e cila gjoja brengoset për të drejtat e romëve nëpër Ballkan dhe Europë, toleron asimilimin tërësor të shqiptarëve në Greqi. Gjermania për ruajtjen e kulturës së minoritet sllav me emrin sorb, paguan miliona euro në vit. Pse po ndodhin diskriminime të tilla? Pse jemi të varfër? Pse kemi politikanë delikuent e diletantë? Pse kemi politikanë maskarenj, që bëjnë tallava politikë?


Duke u bazuar në marrëveshjet e deritanishme, mund të mendohet se Ali Ahmeti, Hashim Thaçi dhe Sali Berisha mund të shantazhohen shumë lehtë, janë politikisht fragjil, kanë frikë dhe prandaj janë në duart e atyre që u japin urdhra, sepse në të kundërtën, do të përballeshin me drejtësinë. Ndryshe kjo nuk mund të shpjegohet. Aty mund të gjendet motivi pse përkrahet Salehu i Shqipërisë, Ahmeti i Maqedonisë dhe Hashimi i Kosovës. Edhe këta, pas përdorimit, do të hidhen si patate të nxehta nga duart, siç u hodhën Mubaraku, Gadafi dhe Saleh. Nëse mundësia e shantazhimit ndaj tyre nuk qëndron dhe ata janë vërtetë me integritet vetjak të pastër, atëherë këta njerëz, e duanë pushtetin më shumë se çdo gjë në botë. Atëherë mund të thuhen se janë karrieristë kronik, patologjik dhe nuk u intereson interesi kombëtar, por dobia vetjake.


Salehu jonë po përgatit Putinin e vet. Ai do të largohet nga skena politike vetëm pasi ta ketë ngritur një strukturë të sigurt, që nuk do ta ndiqte atë penalisht. Ai e din mirë se për vrasjen e katër vetave jashtë oborrit të Kryeministrisë, në demokraci të vërtetë, ndiqen penalisht edhe qeveritarët. Ai e din se në një demokraci të vërtetë, ndiqen penalisht edhe qeveritarë për Gërdecin, si dhe mijëra të vrarë si pasojë e piramidave. Mirëpo, një çerek miliardi euro të vjedhur nga autostrada, ndihmon atë të mbetet në pushtet dhe t’ i blejë të gjitha vendimet e gjykatave. Opozita duke iu kërcënuar Salehut me hetime, e trishton atë dhe pengon largimin e tij pa siguruar pasardhësin besnik. Pasardhësi, që do t’ i garantonte pensionim të qetë dhe harxhimin e milionave në qetësi dhe harmoni familjare. Duket se ai ka nisur largimin dhe po përgatit Lulëzimin si Putin të vetin. Sa më i fuqishëm të bëhet Lulëzimi, aq më shpejt do të largohet Salehu...


Thaçi me këto koncesione Serbisë, përpiqet të tregohet konstruktiv, duke dëmtuar shtetësinë e Kosovës dhe duke përforcuar pozitën e Tadiçit në Serbi. Me këtë qëndrim ndihmon integrimin e saj në BEE. Marrëveshja e tanishme tregon se presioni i Dick Martit dhe Tadiçit po tregojnë rezultatet e para. Thaçi dhe diletantja politike Edita Tahiri, do të bëjnë koncesione të reja dhe më të dhimbshme. Marrëveshja e parë ishte vetëm test për popullin e Kosovës. 


Jo vetëm kjo marrëveshje tani, por edhe tjerat do të spikasin fragjilitetin e Qeverisë së Kosovës, të cilin Thaçi e bën duke u përpjekur t’ i imponohet botës si i vetmi, që mund të sjellë një pajtim me Serbinë edhe atë, pa pasur frikë nga dëmi i shkaktuar, nga revolta, sepse sipas tij, meqë ka luftuar, posedon legjitimitetin dhe licencën për ta dëmtuar shtetin e Kosovës në paqe. Dashuria e djeshme, nuk justifikon qëndrimin e sotshëm. Gatishmëria për vetësakrifikim nevojitet në kohë lufte, por në kohë paqe, nevojitet vetësakrifikim dhe dija. Idealist në kohë lufte dhe paqe, jo idealist në luftë dhe materialist në paqe.


Greqia vjedh si askush në Europë dhe bën politikë nacionale dhe ofensive drejt jugut të Shqipërisë. Maqedonia me një milion maqedon, bën politikë nacionale dhe diskriminon shqiptarët. Serbia me tridhjetë për qind pakica, bën politike nacionale serbe. Kosova me pesë për qind pakica, bën politikë multietnike, internacionale. Shqipëria, gati e pa pakica, bën politikë internacionale. Skenës tonë politike i mungon sedra vetjake dhe kombëtare (amour-propre). Politikanët shqiptarë, politikanët kosovarë dhe ata shqiptarë në Maqedoni, bëjnë tallava politikë. Kjo është arsyeja pse ne nuk e kuptojmë dhe e vështrojmë në heshtje pa kundërshtime të mëdha…


14.07.11
u botua tek:
gazeta SOT; telegrafi.com, fjalaelire.com, kosovarimedia.com, zemrashqiptare.com tribunashqiptare.com, express.mk

Libra nga Lis Bukuroca:


Kuptimi i jetës  te amazon *

Kuptimi  jetës te lulu **


Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu


Letër burrave (II) te amazon

Letër burrave (II) te lulu


Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore

Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore


Shtatë parimet e dashurisë

Hijedritat e jetës

Die Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.