Ata që dikur dështuan me krijimin e kombit jugosllav janë ngritur peshë dhe mundohen të krijojnë kombin kosovar. Si i pari ( kombi jugosllav ) si i dyti ( kombi kosovar ) kishte dhe ka për qëllim dobësimin e faktorit shqiptar dhe shpërbërjen e tij.Ndoshta të gjithë fqinjët në Ballkan janë ithtar te kësaj ideje, te një kombi të ri. Sllavet kanë traditë në këtë drejtim: ata ranë te flenë si diçka tjetër dhe u zgjuan si : maqedon, malazez, boshnjak, serb etj.! Te ata madje religjioni ka ndikuar në krijimin dhe përkufizimin e kombit! Te ne jo! Kemi tri fe, por jemi një komb! Te ata katoliku është kroat, myslimani boshnjak, ortodoksi serb... etj.
Maqedonët (me ndihmën e Titos) krijuan kombin e tyre sepse ndjeheshin të rrezikuar nga Serbia dhe Bullgaria, dhe, as elita maqedone, as populli nuk dëshironin të quhen bullgar ose serb të jugut, e as nuk ishim të gatshëm për asimilim. Thënë drejt masat rurale maqedone nuk e dinin vet se çka ishin! Madje një komb i ri i konvenonte edhe Komitetit Qendror! Dhe populli nuk kundërshtoi emërtimin e ri, por e përqafoi atë! Pra, për t' u krijuar një komb i ri, nevojiten së paku dy vullnete ekstreme për shkëputje dhe diferencim. Njëri vullnet duhet të dalë nga elita kombëtare, tjetri nga populli. Mund të ndikojnë edhe synimet asimiluese apo paternalizmi, por Shqipëria nuk është sjellë kurrë si tutore ndaj shqiptarëve jashtë kufirit. Ajo ka vuajtur për ne, ne për ata!
Ne nuk kemi arsye të turpërohemi që jemi shqiptar. Ne nuk kemi shtypur askënd dhe ne nuk kemi njollosur ndërgjegjen kolektive, prandaj nuk kemi arsye për dezertim emocional kombëtar! Nëse serbet nuk ndryshojnë emrin e kombit aq të damkosur, nuk di pse ne duhet ta bëjmë këtë!?
Ekzistuan dy shtete gjermane gjysmë shekulli dhe nuk dolën ide për krijimin e dy kombeve, ekzistojnë edhe dy Koré, por mbetën një komb.
Fqinjët tanë përreth kane një makineri të tërë që merret me asimilimin e pakicave, kurse te ne dalin njerëz që përpiqen ta zvogëlojnë numrin tonë!
Të tjerët asimilojnë dhe shtojnë numrin e tyre, kurse ne dëshirojmë te bëhemi diçka në mënyrë artificiale dhe kështu ta reduktojmë vetveten! Po në dobi të kujt është kjo? Në dobi të kujt është krijimi i kombit të ri? Tonin natyrisht se jo! Derisa nuk dilet me ide të tilla nga akademitë tona, nga partitë politike dhe nga masa, unë nuk shoh arsye për brengosje, sepse nuk di kush hodhi gurin i pari, dhe ajo që është me rëndësi, duhet ditur origjina e nismëtarit: motive e tija dhe lidhshmëritë e tija dhe në shërbim të kujt vepron ai!
Për kombet pak është me rëndësi se çka flasin njerëzit rrugës, por është koherente, ndërlidhësi dhe deri diku motivuese kur flasin elitat. Inteligjencia jonë nuk përqafon ide të tilla. Amin!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen