“Kur ke të drejtë, mund t´ia lejosh vetes ta ruash durimin, kur nuk ke të drejtë, nuk mund t´ia lejosh vetes ta humbësh atë...” Gandi
Enveri organizoi kryengritje, ndihmoi në çlirimin e vendit, i shpalli disa heronj, disa tradhtarë dhe e zaptoi pushtetin përgjithmonë. Për të mbetur në pushtet ai prodhoi pa pra armiq. Kryeministri i sotshëm ishte anëtarë i zellshëm i asaj partie. Ai braktisi Partinë e Punës, luftoi për demokraci dhe si Enveri shpalli veten liberator deri në vdekje. Sali Berisha shpalli një numër të madh të popullit armik të demokracisë. Enveri shpallte popullin armik të komunizmit!
Enveri nuk hapte dosjet, dosjet nuk i hap as Sali Berisha. Enveri nuk lejonte të hapen kutitë, kutitë nuk mund të hapen as në kohën e Berishës! Për të mbetur në pushtet Enverit i duheshin armiq të brendshëm dhe të jashtëm. Sali Berishës i mjaftojnë armiqtë e brendshëm. Është më modest se Enveri, por më bujar se ai me armiqtë e vërtet dhe fqinjët! Enveri kërcënohej në komunizëm, kërcënohet edhe Sali Berisha në demokraci! Kjo në fakt nuk është demokraci por: “Ejani të luajmë demokraci. Ti humb, unë fitoj! Ky është rregulli! Unë e kam rrëzuar nga pushteti partinë time të parë, prandaj kam monopol mbi shtetin deri në vdekje! “
Edhe te Enveri kishte gjykata, që gjykonin sipas dëshirë së tij. Edhe sot në Shqipëri Gjykata Kushtetuese në vend se të vendosë për drejtësi, vendosë si i pëlqen Qeverisë. Kjo domethënë se Shqipëria nuk ka gjykatë të pavarur, sepse kjo gjykatë ka mundur ta zgjidhë çështjen e jo me vendimet e saj të papërgjegjshme ta polarizojë kombin! Ajo ka mundur dhe është dashur të imagjinojë se opozita nuk pajtohet! Është detyrë e saj dhe obligim të parashikojë gjendjen!
Mirëpo, kjo dëshmon se demokracisë shqiptare i mungojnë instrumentet demokratike për ta zgjidhur një çështje si duhet! Gjykatë më të madhe se sa vullneti i popullit nuk ekziston, askund në botë! Populli ndryshon rendet shoqërore, fshin gjykatat dhe dëbon qeveritë e padrejta. Ai është i gatshëm të bashkëpunojë me opozitën me një kusht: të mos kërkojë kurrë hapjen e kutive. As tash, as në vitin 2013, as në vitin 2017. Kur flet për opozitën duket se po flet për Byronë Politike. Enveri për të mbetur në pushtet, si edhe Tito, përkujtonin çlirimin e vendit nga nazizmi. Sali Berisha njëzet vjet më vonë përkujton rrëzimin e diktaturës dhe këtë meritë e merr vetëm për vete! Madje, sipas tij, komunizmi është pas dere dhe këtë rrezik mundet me sukses ta largojë vetëm ai!
Sipas tij, monopol mbi shtetin kanë vetëm ata, që para njëzet viteve u ngritën kundër Partisë së Punës! Nuk flitet kundër atyre që e meritojnë të akuzohen, por tani sulmohen të rinjtë si pinjoll të tyre, edhe pse këta nuk kanë bërë gjë të keqe. Në të drejtën zakonore të Ballkanit faji transferohet prej brezin brez! Jo në demokraci! Në demokraci çdo njëri përgjigjet për fajin e vet! Fajtorët e djeshëm ose janë në pension ose kanë vdekur. Ata nuk akuzohen, akuzohen të pafajshmit! Kjo është demokraci e re, e llojit të vet! Demokraci autoktone! Ballkanike!
Ai edhe pse nuk është dentist, donë t´i shkulë dhëmbët opozitës, jo me një goditje, por një nga një! Ec e vizito një vend, ku kryeministri u shkulë dhëmbët atyre që duhen të jenë të barabartë me të. Kryeministrit të mundshëm të shtetit, për shembull! Ec e shko aty ku kardiologu shkulë dhëmbë! Apo ndoshta opozita duhet të falënderohet që nuk ua shkulë zemrat! Ky fjalor, këto shprehje, këto mendime, këto deklarata, nëse përkthehen në Perëndim, atëherë është e mundur se edhe politikanët perëndimorë kanë frikë të vijnë në Shqipëri, edhe pse këta i kanë dhëmbët e siguruar. Për turistët të mos flasim. Kush do të pushonte në një vend ku kryeministri me darë i shkulë dhëmbët dhe nofullat opozitës, si Idi Amini! Nëse mendohet se policët duhet t´i bëjnë këto operacione pa anestezi, atëherë policia duhet ta refuzojë urdhrin sepse nesër mund të dënohet! (Sot u kthye një mik nga Shqipëria dhe u trishtova kur e pashë se i mungonte një dhëmbë para! Ia paska nisë, thash me vete!)
Anëtaret e Partisë Demokratike duhet të tregojnë pjekuri qytetare dhe të kërkojnë hapjen e kutive, për shkak të drejtësisë! Anëtarët e partisë demokratike duhet t´i dërgojnë një sinjal Evropës se nuk mund të keqpërdoren për disa karrige, por se janë popull që mbrojnë vlerat demokratike, qoftë edhe kundër partisë së vet! T´i tregojnë se janë të gatshëm të bëhen pjesë e Evropës së civilizuar! Ata duhet të kenë kuptuar se diçka nuk është në rregull me votat e qytetarëve. Ata duhet të solidarizohen me opozitën dhe luftojnë për ta mbrojtur demokracinë! Me këtë mbrojnë të drejtën e vet, demokracinë e vërtetë. Sot kundër sjelljeve të PD, nesër nëse ka nevojë kundër PS!
Anëtarët e Partisë Demokratike dhe votuesit e saj duhet të kuptojnë se marrëveshja detare ka prapavijë! Pse heshtin? Ata duhet të ngrihen tok me opozitën, sepse ai që toleron vjedhjen e detit dhe të votave sot, ai përforcon dhe legjitimon padrejtësinë nesër.Tani do të festohet muri i Berlinit. Muri shqiptar i Berlinit në Tiranë! E si mund të jetë muri i Berlinit mur shqiptar?! A ka te drejtë morale dikush të kremtojë rrëzimin e një rendi të padrejtë, duke bërë vet padrejtësi në rendin tjetër ku duhet bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe transparenca!? A ka të dejtë të protestojë dikush që dhunon proceset demokratike? A ka të drejtë të protestojë hajni i bankës kundër zbulimit të gjurmëve në një bankë? Sipas analogjisë, çdo hajn mund të revoltohet dhe të kërkojë mbajtjen e plaçkës! Sot, PD dhe partitë picërr rreth saj po luftojnë për ta mbajtur prenë! Ky është shembull tragjik!
A protestohet për moshapjen e kutive apo do të protestohet për ta zhytur vendin në një kaos qytetar?!
Natyrisht se mitingu i paraparë nuk i dedikohet rrëzimit të murit të Berlinit, as rrëzimit të komunizmit, por synohet ndërtimi i ri i murit shqiptar. Rënia e murit është festuar në Gjermani dhe nuk ka asnjë arsye të festohet rrëzimi tij në Shqipëri. Këtë duhet ta festojnë ish vendet e Paktit të Varshavës. Muri i Berlinit nuk e kishte ngulfatur lirinë në Shqipëri. Natyrisht se qëllimi është të maten forcat me opozitën: të manipulohet populli. Do të bëjnë gjithçka që numri të jetë sa më impozant dhe për qeveritarët do t´ishte e preferueshme atë ditë të ketë edhe ndonjë viktimë! Ndoshta e dinë edhe emrin e ndonjë kamikazi, që do të flijohet për karriget e qeverisë. Protestat e ardhshme të qeverisë tregojnë për politikën paranoike, infantile dhe politikën e inatit. Ato flasin edhe për ethet dhe dezorientimin e qeverisë. Kjo mund të dëshmohet me deklaratat e tyre!
Kryeministri sipas përvojës që ka, duhet të tregojë se sa ithtarë naiv do t´i sakrifikojë për të mbetur në pushtet me vota të paverifikuara. Sa njerëz do të dalin në protesta për të brohoritur se vjedhja në Shqipëri është normale, zakon, traditë dhe i lejohet edhe organeve qeveritare, administratës dhe atyre ekzekutive. Ata që dalin do të mbrojnë vjedhjen! Ata që dalin në mitingun e ardhshëm për ta festuar “murin shqiptar të Berlinit”, ata do të keqpërdoren për ekskomunikimin e opozitës. Aty ku nuk ka opozitë, ka diktaturë: klane dhe grupe të interesave!
Me murin e Berlinit nuk fitohet simpatia e Gjermanisë dhe Perëndimit. Simpatia e tyre fitohet me demokraci dhe nuk mund askujt t´i mbushet mendja se luftohet korrupsioni, mafia dhe abuzimet tjera në shoqëri, kur me këmbëngulje mbrohet vjedhja vetjake: pa analizuar dëmin dhe pasojat që mund të sjellë ky qëndrim. Ata e quajnë opozitën mafi. Nëse opozita qenka mafioze, ju jeni shteti, atëherë si keni toleruar qe mafia të rritet aq shumë. Nëse opozita qenka mafioze, pse atëherë pranohet bashkëpunimi me mafinë, nëse ajo nuk kërkon hapjen e kutive? Pse shteti shqiptar kërkon të bashkëpunojë ma mafinë?
Natyrisht pas këtyre deklaratave: mbi ringjalljen e Enverit, shkuljen e dhëmbëve, nofullat, edhe skeptikët me të mëdhenj nuk besojnë se votat janë numëruar drejt. Nuk fitohet simpatia e shqiptareve nëse vazhdimisht u përkujtohet komunizmin barbar i djeshëm, për të fshehur krimin mizor të sotëm! Nuk fitohet simpatia pas njëzete vjetëve duke rikujtuar gogolin komunist, ku kryeministri ishte anëtar kompatibël i partisë shtypëse. Zakonisht në vendet perëndimor politikan kur arrin t´i zbatojë idealet e veta, atëherë tërhiqet nga politika pa shkaktuar një dramë nacionale. Shpesh politikani ballkanik nuk largohet nga pozita ku është ngulur një herë, nëse nuk e shkul populli! Duket se nervoza kryeministrit është e papërmbajtshme sepse Edi Rama nuk ka qenë anëtar i Partisë së Punës, si ai. Sigurisht si udhëheqës të opozitës do ta kishte parapëlqyer Fatos Nanon, sepse ai është më i lëndueshëm!
Si t´i besohet këtij kryeministri kur ndaj kundërshtarit politik shqiptar, sillet me më pak mirëkuptim, se sa për nevojat e armatës serbe, apo për nevojat e shteti grek? Si t´i besohet kur sillet aq ulët, aq vrazhdë kundër më shumë se gjysmës së popullit?
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen