Shqipërinë e kanë braktisur për shkaqe ekonomike mbi një milion qytetarë. Kjo domethënë se brenda vendit jetojnë pak më shumë se dy milionë shqiptarë. Së paku ky shtet posedon një numër gati të saktë të mërgatës. Numri më i madh është vendosur në shtetet fqinje: Greqi dhe Itali, pasojnë vendet perëndimore në Evropë, si dhe në kontinentin e largët, në SHBA dhe Kanada.
Shteti shqiptar as nuk ka mundësi ekonomike, as dëshirë, as nuk e ka plan të bëjë ndonjë hap për t´i kthyer këta njerëz. Jashtë vendit nuk gjenden vetëm ata që kërkojnë punë të rëndomta, por edhe shkrimtare e shkrimtarë, profesorë nëpër universitete perëndimore, gazetarë, kameramanë, sportiste e sportist, këngëtare e këngëtar, artiste e artistë, poete e poet dhe politikane e politikan. Këta emra apo më mirë këta emra e mbiemra, që i lexojmë sot, pas disa dekadave do të shuhen dhe fëmijët e tyre do të asimilohen, mu siç janë asimiluar edhe ata, që patën ikur në fillim të shekullit të kaluar.
Shumë emra të mëdhenj, me të cilët ne mburremi sot, nuk kanë lënë pasardhës shqiptarë si vetja; jo se jo për nga fama profesionale apo angazhimi kombëtar, por as nga vetëdija kombëtare. Për këtë dukuri ka mirëpo një shpjegim shkencor: thuhet se fëmija diku rreth tridhjetë për qind të edukatës e merr nga familja, diku mbi tridhjetë nga shkolla dhe mbi tridhjetë nga shoqëria.
Nga kjo mund të konstatohet se fëmijët tanë mbeten diku 30 % shqiptarë, nëse martesat janë të përziera, atëherë teoretikisht kjo përqindje përgjysmohet. Kjo përqindje tkurret akoma më shumë, kur të martohen fëmijët e mërgimtarëve të sotëm. Më së largu në brezin e tretë, shkrirja në kombin tjetër përmbyllet.
Arsyeja logjike: në vendet e huaja nuk prodhohen shqiptarët, por shqiptarët asimilohen! Këtë duhet ta ketë të qartë klasa politike në Shqipëri.
Sipas mbiemrit, edhe pas disa dekadave, mund t´i zbulojmë, por ata nuk do të ndihen shqiptarë, siç nuk e ndiejnë veten ata në Turqi apo shqiptarë e lashtë në Greqi. Shteti shqiptarë nuk brengoset për shkollimin e tyre. Shkollimi dhe hapjet e shkollave bëhen në baza vullnetare dhe janë fakultative dhe u nënshtrohen tekave të njerëzve të ndryshëm! Shteti shqiptar detyrën më të madhe, që i ka caktuar vetes është: anulimin e vizave brenda BEE-së.
Pasi t´i ketë plotësuar këto kushte, nuk do të ketë vetëm lëvizje të lirë, por edhe një lehtësim për dyndje të re: bashkëngjitja familjeve, martesat, punësimi etj. Politikanët tanë atje, këtë ndodhi nuk e perceptojnë si alarmuese, por si progres. Ata me emigrimin ndihen të lehtësuar, sepse kështu zvogëlojnë papunësinë. Kur shteti shqiptar të vetëdijesohet dhe të provojë kthimin e njerëzve të vet, atëherë do të kthehet ndonjë pensionistë, por pa fëmijë.
Fëmijët atdhe do ta konsiderojnë vendlindjen e tyre: Greqinë, Italinë, Gjermaninë respektivisht vendin ku jetojnë, vendin ku linden dhe vendin ku rriten! Nëse përfundon kështu, në horizont nuk shihet asgjë që mund ta evitojë këtë ecuri, atëherë shumë shpejt mund ta dimë numrin përfundimtar të shqiptarëve, që do të mbeten brenda dhe ky numër do të jetë nën dy milion! Shqipëria do të bëhet më e vogël se Maqedonia e sotme.
Dikur braktisëm vendin nga trysnia e pushtuesve, më vonë ikëm nga komunizmi, sot braktisim vendin nga qeveritarët e paaftë që i kemi. Kur shteti nuk është i aftë t´i mbajë njerëzit brenda, është e njëllojtë si kur prindi nuk mund t´i ushqejë dhe mbajë fëmijët në shtëpi. Prindi mund të arsyetohet, jo pushtetarët. Ata paguhen për t´i ndryshuar rrethanat.
Standardi i jetës nuk ndryshon, qeveritarët rrahin gjoks. Në fakt ata kanë ndryshuar gjendjen e vet materiale, por sundojnë e nuk qeverisën një popull, i cili ka probleme permanente për ta mbyllur muajin pa borxhe. Ata nuk luftojnë në mënyrë efektive as korrupsionin, as kriminalitetin si dy parakushte, që mund të sjellin investitorë. Zakonisht qeveritë e korruptuara, nuk mund ta luftojnë as korrupsionin, as krimin, si qelizat kanceroze që nuk luftojnë vetveten!
Dallimi në mes diktaturës me karakter të fortë dhe demokracisë pa karakter është ky: Elita komuniste vdiq apo gjallon e varfër, mendonte se kishte zbuluar çelësin e universit dhe bazohej në ideale. Populli ishte i varfër, në mënyrë modeste jetonin edhe ata.
Ata jetuan shumë më keq se sa elita e sotme. Ata nuk u lanë fëmijëve të tyre pasuri përrallore, siç do t´u lënë sot politikanët e rinj. Flisnin për popullin dhe në emër të popullit dhe jetonin edhe vet me iluzione. Sot edhe këta flasin për popullin dhe në emër të tij, por nuk janë idealistë, por materialist tej për tej. Sot, këta, ëndrra i shesin qytetarëve të vet dhe përfitojnë mirë për shitjen e shpresave, ndërkohë praktikisht pasurohen vet!
Elita demokratike ka siguruar jetën, jo aq sa zgjat një jetë njeriu, por me kursimet, qoftë vetjake, qoftë të të bijve, ka lekë të jetojë edhe pesëqind vjet. Mirëpo, meqenëse nuk mund të jetojnë si profetët e Biblës, atëherë do të vdesin si milionerë dhe pasuria e tyre do të shquhet edhe në arkivole, edhe në gurët e varreve!
Shteti i Kosovës është shtet kosovar, sepse me kushtetutë nuk është përkufizuar si shtet shqiptar. Ky shtet nuk dinë sa qytetarë ka jashtë vendit. Dikur pat dëbuar shqiptarët Serbia e kralit, pastaj Serbia komuniste, sot nuk çanë kokën për shqiptarët qeveria kosovare, që drejtohet nga patriotët e djeshëm! Shtet i vërtetë nuk mund të konsiderohet akoma, sepse nuk përmbush dy parime kryesore: kufijtë e vet nuk i kontrollon dhe mungon kombi shtet formues, sepse deklarohet si shtet i qytetarëve akoma pa përfunduar ndërtimin!
Ky shtet ka mërgatë të madhe në Zvicër, në Gjermani, Belgjikë dhe vende tjera. Kosova shumë herë krenohet me ndonjë emër, që depërton në skenën perëndimore. Këto do të jenë krenaritë e fundit, sepse në mërgim nuk krijohen shqiptarët, por asimilohen! Kosova e dinë mirë se çka ndodhur me shqiptarët në Turqi! Miliona shqiptarë janë shkrirë në turq.
Nëpër disa shtete ka edhe shkolla, ku kuadri arsimor nuk është i specializuar dhe kompetent për detyrën që ushtron. Ka pasur arsimtarë dhe me shkolla të mesme, sepse kishin lidhje të forta me ministra të dikurshëm, ka pasur edhe njerëz që janë dërguar dhe filtruar pas 81, ka pasur dhe ka njerëz të profileve të ndryshme, por jo përkatëse. Ministria e Arsimit në Kosovë nuk ka informata për kuadrin dhe nuk ka ndikim. Shteti i Kosovës nuk interesohet për kuadrin dhe specializimin e tyre, as nuk posedon informata për ta.
Kosova nuk ka fuqi ekonomike t´i kthejë brenda qytetarët e vet, as nuk punon ta krijojë këtë fuqi dhe as nuk e ka në plan apo ndërmend ta bëjë këtë. Madje, edhe gëzohet kur qytetarët dalin jashtë, kështu në dy dekadat e ardhshme rriten hyrjet materiale dhe pastaj pushojnë për gjithmonë! Tok me njerëzit!
Në Zvicër shqiptarët në arsim janë të organizuar më mirë, në Gjermani ka arsimtarë shqiptarë, që nuk e zotërojnë gjuhën shqipe dhe gjuhën e tyre të nanës, ua mësojnë fëmijëve. Nëse një arsimtar i anglishtes nuk e zotëron anglishten dhe u mëson nxënësve një dialekt të saj, do të alarmoheshin prindërit. Kur arsimtari i shqipes nuk e zotëron gjuhën letrare, e marrin si gjë krejtësisht normale. Madje, në gjuhën e tyre, disa arsimtarë nuk i kanë 36 germa, por 34 apo posedojnë edhe disa zanore hundore, që nuk ekzistojnë në gjuhën letrare shqipe. ( Me pak ushtrime fonetike dhe pasion, ato mund të tejkalohen, kur ka vullnet!)
As ky shtet nuk lufton korrupsion me përkushtim, as krimin dhe detyrë kryesor i ka caktuar vetes integrimin e serbeve dhe injorimin e shqiptarëve. Mirëpo, ky shtet, e ka pranuar botërisht se nuk din e as nuk mundet të ndërtojë shtet të së drejtës dhe prandaj ka ftuar Eulexin! Ky shtet edhe disa vite do të ketë alibi.
Edhe ky vend, si i pari, është në zbrazje e sipër. Tridhjetë mijë të rinj çdo vit paraqiten në tregun e punës, me mijëra, çdo vit ilegalisht braktisin vendin. Lexohen diku 25 mijë gazeta në ditë dhe kjo tregon shumë për gjendjen ekonomike të vendit. Shqiptarët nga ky vend, ku miklohen për çdo ditë serbët, për kafshatën e gojës, kanë arritur edhe në Haiti. Numri i emigrantëve nuk dihet, por mund të thuhet se diku pesëqind deri në shtatëqind mijë jetojnë jashtë shtetit.
Pas disa dekadave disa mijëra kthehen si pensionistë dhe fëmijët mbeten. Nëse ai numër mund të merret si i saktë, atëherë domethënë se në Kosovë jetojnë diku një milion e treqind mijë apo në rastin ideal një milion e pesëqind mijë qytetarë. Nëse janë dhjetë për qind pakica, atëherë ky numër zbret edhe një herë dhe Kosova dalëngadalë, por sigurt nga numri i banorëve shqiptarë do t´i afrohet Malit të Zi.
Fëmijët do të asimilohen jashtë vendit, sepse asimilimi i vërtetë ndodh fillimisht në të gjykuar, pastaj edhe në gjuhë. Deri tani shteti i Kosovës ka dëshmuar se nuk din të luftojë as korrupsionin e as krimin. Lajme të mira nuk dëgjohen.
Në kohën e kralit serb numri i shqiptarëve zvogëlohej, në kohën e Rankoviçit numri i shqiptarëve zvogëlohej, në kohën e Milosheviçit numri i shqiptarëve zvogëlohej. Numri i shqiptarëve brenda zvogëlohet edhe në kohën e politikanëve shqiptarë. Shqiptarët jetojnë keq, si në kohën e pushtuesve të djeshëm, madje shqiptarët në kohën e Titos, kryesisht në vitet e shtatëdhjeta jetonin më mirë se në kohën e politikanëve shqiptarë. Këtë, mirëpo, publikisht nuk ka guxim ta përmend askush! Privatisht dëgjohet shpesh!
Duket se u ndryshua vetëm kombësia e materialistëve, dje sllav, sot shqiptarë! Dje pasuroheshin serbet në kurriz të shqiptarëve, sot pasurohen disa shqiptarë në kurriz të shqiptarëve!
Në Maqedoni shqiptarët luftuan për barazi. Lufta shërbeu për të fituar një diskriminim të ri, me vulë evropiane, 20 për qind barazi. Si edhe në dy shtetet e para, u krijua një elitë e re e cila sundon shqiptarët tok me maqedonët: ajo diskriminon shqiptarët tok me maqedonasit, dëbon shqiptarët tok me maqedonët. Vështirë të gjenden maqedonas në emigracion, shqiptarët e Maqedonisë mund të takohen kudo.
Maqedonët do t´i imponojnë fëmijëve shqiptarë mësimin e gjuhës maqedone nga klasa e parë. Ky vendim nuk mund të merret pa politikan shqiptarë! Maqedonishtja flitet në një gjatësi prej 100 kilometrave, shqipja flitet në tërë Ballkanin, mirëpo fëmijët e maqedonëve nuk duhet ta mësojnë shqipen.
Si edhe në dy shtetet e para, fati i shqiptarëve edhe këtu është mërgimi dhe natyrisht edhe këtu do të bjerë numri dhe një ditë do të mbeten, aq sa ka sot në Luginën e Preshevës. Shqiptari në Maqedoni, në tokën e vet, trajtohet si i huaj edhe pse në Qeveri ka shqiptarë. Ekzaltimin më të madh që përjetuan, nuk ishte punësimi dhe përmirësimi i jetës, por heqja e vizave për BEE: lehtësimi i imigrimit! I shpartallimit të familjeve shqiptare!
Lugina e Preshevës është rasti tragjik i injorimit nga shtetet shqiptare. Presheva me mbi 30 mijë banorë nuk ka spital dhe shqiptarët ose vdesin në shtëpi ose në spitalin e Vranjës, ku duhet vazhdimisht të paguajnë mjekët serb, edhe pse janë të siguruar. Në spitalin serb duhet t´i fusin infermiereve dhe mjekëve qindra euro në xhep, ata që nuk kanë, keqtrajtohen. Spital nuk ka as në Bujanoc.
Për Medvegjën të mos flasim. Kompetencat e Bashkisë së Preshevës janë reduktuar aq shumë, sa ajo duket si një bashkësi lokale. Patenta e shoferit duhet të bëhet në Vranjë, rreth dyzetedy kilometra larg. Gjykata gjendet në Vranjë. Shumë kërkesa duhet të bëhen atje dhe vendimet merren atje, ndërkaq në Kosovë krijohen komuna edhe për fshatrat serbe.
Edhe ky truall shqiptar është në zbrazje e sipër dhe pas disa dekadave, do të ketë aq banorë, sa ka Vatikani sot, diku 370 veta! Kudo në Ballkan në shekullin XXI diskriminohen shqiptarët: Qeveria shqiptare vallëzon sipas daulles greke, Qeveria kosovare vallëzon sipas ansamblit perëndimor, politikanët tjerë shqiptarë në Ballkan kërcejnë sipas interesave të veta! Sido që të jetë, gjendja ekonomike e shqiptarëve nuk përmirësohet.
Dallimi mes dëbimit të Millosheviçit, pamundësisë, neglizhencës dhe indiferencës së klasës politike shqiptare qëndron në këtë fakt: Millosheviçi ua merrte edhe dokumentet personale dhe i dëbonte kolektivisht. Qeveritarët shqiptarë lëshojnë dokumente në shqip dhe zvogëlimi i kombit bëhet individualisht. Ata këtë e vështrojnë si fat dhe nuk lodhen, edhe nëse kombi përgjysmohet.
Rezultati, mirëpo, është i njëjtë: me kral apo pa kral, me Rankoviç apo pa Rankovic, me Tito apo pa Tito, me Enver apo pa Enver, me qeveri demokratike në Shqipëri apo pa të, me Millosheviç apo pa Millosheviçin, me politikanë shqiptar apo serb në Kosovë, me shqiptarë në qeverinë maqedone apo pa shqiptarë, me parti politike shqiptare në Serbi apo pa to, me politikanë shqiptar në Mal të Zi apo pa ta, shqiptarët kanë fatin e njëjtë: varfërinë ose emigrimin! Përgjysmimin e familjeve dhe vuajtjen nga mungesa e kontakteve sociale.
Çdo shtet tjetër në Evropë do të alarmohej, kur sheh se populli dhe inteligjencia po lëshon vendin. Çdo shtet tjetër në Evropë do të alarmohej kur vëren se kombi gati në përmasa të mëdha po braktis vendin, mirëpo nuk brengosen qeveritarët shqiptarë.
Nëse nuk dinë se çka duhet të bëjnë për ta mbajtur kombin brenda, e si ta mbajnë, nëse nuk kanë fuqi dhe dituri për ta ndryshuar gjendjen ekonomike, nëse nuk kanë ide e aftësi, atëherë puna më e madhe patriotike, që mund të bëjnë në dobi të kombit, natyrisht nëse e duan kombin e vet siç çirren, do t´ishte të tërhiqen nga politika dhe t´i lënë vendin idealistëve, atyre që nuk pasurohen vet, por që mundohen ta çojnë vendin para!
Nuk mund të pranohet gjendja faktike dhe nuk duhet pajtuar me këtë se shqiptari ka vetëm dy alternativa: varfëri ose emigrim! Ka ardhur koha të luftohet për të tretën: jeta me dinjitet në atdhe! Qeveritarët e sotëm e kanë dëshmuar se nuk dinë ta bëjnë!
Natyrisht se nuk është kënaqësi, as mburrje të jesh politikan në vendet me probleme të mëdha ekonomike, por një mund, një mundim, që kërkon angazhim e sakrificë, transparencë, seriozitet e empati!
Gjendja e vështirë mund të kapërcehet vetëm me idealist, jo me materialist!Të shkruash një artikull mbi sjelljet e papërgjegjshme të politikanëve shqiptarë, domethënë ta hedhësh veten në depresion dhe sapo ta mbarosh shkrimin, të kridhesh në vaj.
Ne kemi shkrimtarë me famë botërore, por politikan të vegjël, shumë të potershëm. Ne kemi humanist me famë botërore, por politikan picërr, shamataxhi. Ne patëm trima të fortë dhe kemi politikan shumë të dobët. Ne kemi qeveritarë të pasur dhe popull të varfër! Kemi shkencëtarë të njohur edhe në botë, por politikan që lum ato shtete që nuk i kanë! Lum ato shtete që nuk i kanë politikanët tanë!
Nëse ju në atdhe keni akoma iluzione dhe nëpër statistika numëroni shqiptarët jashtë, harrojeni këtë! Pas disa dekadave do të ketë gjerman me origjinë shqiptare, francez e italian me origjinë shqiptare, grek, suedez, holandez, haitian, amerikan e kanadeze me origjinë shqiptare, por ata as nuk do të flasin shqip, as nuk do ta ndiejnë veten shqiptarë! Skena e sotme politike do të futet në histori me dy fakte të mëdha: për lirinë dhe barazinë e kufizuar dhe zvogëlimin e pakufizuar të kombit!
Konkluzion: Planet e Çubrilloviçit nuk mundi t´i realizojë Serbia, do t´i përfundojnë me sukses mosefikasiteti, padituria dhe plogështia e klasës politike shqiptare!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen