Tani për tani vetëm ai është në gjendje ta kthejë dinjitetin e shqiptarëve dhe ndalojë krijimin e kombit të ri respektivisht copëtimin dhe fragmentarizmin e shqiptarëve. Ai mund të kthejë sovranitetin dhe të shfuqizojë strukturat paralele serbe nëpër Kosovë.
Ai mund ta heqë koren e rreshkët dhe të trashë të korrupsionit dhe kriminalitetit, që e nxjerrin Kosovën vazhdimisht në faqet e para të gazetave. Ai mund t’ i pastrojë universitetet shqiptare, ku ka profesorë, që dinë më pak se një fillorist në Perëndim. Ai mund t’ i largojë nga puna doktorët me doktoratura të rrejshme, me plagjiate. Ai nuk ka frikë ta ripërtërijë Kosovën.
Ai mund të hetojë shitjen e diplomave nëpër universitete...Me një fjalë: ai mund të krijojë shtet ligjor, të mundësojë shanse të reja, të ftojë investitorë madje edhe të nisë kthimin e diasporës. Elita e sotshme ka dy projekte: pasurimin e vet dhe anulimin e vizave për të lehtësuar emigrimin, kthimin ajo nuk e ka në fjalorin e vet!
Rizgjedhja e elitës së njëjtë krijon struktura dhe rrejt, që me dekada nuk do të ndërrohen. Në Europë pas LDB nuk janë votuar me dekada ata që luftuan fashizmin, por ata që dinin ta rindërtojnë vendin dhe zhvillojnë ekonominë.
Pjekuri politike tregon një popull kur dënon dhe nuk voton personalitetet e njëjta, kryesisht jo ata, që nuk ndryshojnë jetën e qytetarëve. Qeveria e sotshme ka përmbushur detyrat e veta historike. Ajo nuk dinë më shumë. Ata nuk duhet të ngarkohen me punë, që nuk dinë t’ i bëjnë si duhet. Ata po e mësojnë politikën duke qeverisur! Ata po bëjnë praktikum në politikë duke u përkulur! Atyre duhet t’ u jepen dekorata dhe pensione të mira. Kështu mund ta ndihmojnë më shumë Kosovën se sa duke ecur zvarrë.
Botës nuk i duhen dy shtete shqiptare. Kombi shqiptarë nuk i duhen ambasada dyfishe sepse kjo dëmton ekonominë kombëtare. Kosova duhet ta marrë Lekun në përdorim, jo Euron. Kjo do të ndikonte edhe në çmime dhe do ta ndihmonte ekonominë dhe rriste investimet.
Kosova nuk ka flamur të vetin. Nuk ka himn të vetin. Nuk ka monedhë të veten. Kosova nuk administron tërë territorin. Kosova sot është një shtet vasal, madje edhe shtet i copëtuar. Kosovës nuk i nevojiten njohje të reja, por bashkimi me Shqipërinë dhe ky bashkim do të evitonte edhe shumë probleme tjera si dhe synimet konstante të Serbisë për ta destabilizuar atë.
Bashkimi do të krijonte një ekuilibër në Ballkan dhe do të ndihmonte edhe Serbinë, edhe Greqinë, sepse ato një herë e përgjithmonë do t’ i ktheheshin vetes, e jo planeve të vjetra dhe shantazheve kundër shqiptarëve.
Miqtë e Kosovës nuk janë më ata që përpiqen për njohje të reja, por ata që luftojnë për bashkimin e dy shteteve. Kombi shqiptar nuk ka bërë gjenocid kurrë ndaj fqinjëve dhe nuk ka pushtuar troje të huaja. Kombi shqiptar nuk mund të dënohet përjetësisht. Dinjiteti i shqiptarëve mund të kthehet vetëm kur realizohet ky bashkim. Ne nuk mund të sillemi si fajtor, edhe kur nuk kemi faj.
Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do t’ u siguronte shqiptarëve tjerë jashtë kufirit barazi dhe trajtim njerëzor, jo siç është sot ku shtetësia, punësimi apo mjekimi varen nga përkatësia kombëtare. Bota nuk ka pse të trishtohet nga bashkimi i 5 milion shqiptarëve, siç nuk u tmerrua t’ i bashkojë 80 milion gjerman. Nesër nuk do të ketë frikë ta bashkojë as Korenë. Nuk ka asnjë arsye të mbajmë gjallë një kukull shtet me një elitë e cila pos të lutet, nuk dinë të bëjë diçka tjetër. Ato kukulla nuk i nevojiten as Perëndimit, e aq më pak Kosovës!
Kërkesa e parë për ndihmë duhet t’ i drejtohet Izraelit. Në çaste më të vështira i ndihmuam ata, që kërkuan shpëtim në shtëpinë tonë dhe jemi i vetmi komb, ku kishte më shumë hebrenj pas lufte, se sa para lufte. Për këtë jemi krenar. Në atë kohë Nediçi i Serbisë krenohej me eliminimin e tyre.
Izraeli nuk ka njohur deri tani Kosovën, por kjo nuk është bërë për shkaqe taktike, për të mos penguar njohjen nga vendet myslimane. Pra ndihma për projekt duhet kërkuar pikë së pari nga Izraeli, për zbatim nga SHBA, lobimi duhet kërkuar nga Gjermania dhe Italia, madje edhe nga Greqia. Izraelin dhe SHBA i detyron miqësia jonë e sinqertë dhe respekti që kemi ndaj tyre.
Tre vendet e fundit duhet t’ i detyrojë ndërgjegjja e tyre: ne sot jemi të shpërndarë nëpër shtetet e tyre, për të mbijetuar, ata dikur erdhën nëpër shtëpitë tona pa viza: pa leje, jo si miq, por të armatosur deri në dhëmbë. Erdhën dhe na vranë nëpër shtëpitë tona, oborret tanë dhe na shkaktuan mjerim. Erdhën me pushkë, tanke, avion dhe topa, sa herë deshën. Prej nesh sot kërkojnë viza...Atyre vendeve do t’ u bashkëngjiten Anglia dhe Franca dhe vendet tjera proamerikane...Bashkimi i dy shteteve shqiptare duhet të bëhet para anëtarësimit në BEE.
Kosova nuk po ndërtohet sipas dëshirës së 95%, por sipas dëshirës së 5 %. Ideatorë e këtij denigrimin nuk kanë pasur parasysh se populli nuk do të bartë gjithmonë një përbuzje të tillë. Çdo ligj në Kosovë matet me reagimin e një pakice prej 5 për qind. Kjo nuk është demokratike. Kjo nuk është demokraci. Këtë e din edhe suflerët tanë! Nëse një pakicë e tillë, pesë për qind mund të rrëzojë shtete, atëherë asnjë shtet nuk do të mbetet në këmbë! Faktorizimi i një minoriteti kaq të vogël, nesër mund t’ i shkaktojë Europës probleme.
Elita e sotshme është e zotuar të ndërtojë komb të ri. Këtë e dëshmon flamuri. Këtë e tregon himni. Këtë e dëshmon politika e përditshme.
Lëvizja “Vetëvendosja” me kandidatët e rinj, intelektual të shquar, me pasionin politik, ka qëllime fisnike para vete dhe këto mund t’ i realizojë vetëm ajo. Të tjerët nuk kanë ide, por përtypin idetë e huaja. Kosova duhet ta braktisë mendësinë tribale dhe të mos votojë njerëz për merita në të kaluarën. Populli nuk jeton dje, por sot. Meritat e djeshme janë vepra historike, për libra, por nuk mund njeriu të shpërblehet sot, për meritat e djeshme. Njeriu paguhet për punën e sotshme. Nëse Kosova rivoton këtë elitë të pasuruar në kurriz të popullit të varfër, atëherë po rikrijojmë: Fadil Hoxhën, Ali Shukrinë, Sinan Hasanin e Rrahman Morinën!
Kosova nuk ka nevojë për riciklime sepse ka një alternativë e cila do t’ ia kthente dinjitetin e nëpërkëmbur. Kushtetuta e Ahtisarit në mënyrë demokratike, me shumicë, duhet të abrogohet, anulohet dhe Kuvendi i Kosovës, nëse është Kuvend i një vendi demokratik, duhet të shpallë bashkimin me Shqipërinë. Kosova nuk do të humbte më energji për njohje të reja e as për ambasada nëpër botë, sepse këto nuk mund t’ i financojë...
Albin Kurti e ka dëshmuar se ka ide për të ardhmen. Elita e sotshme e ka dëshmuar se është harxhuar mendërisht dhe nëse nuk i vijnë ide në pjatë, nga jashtë, ajo merret me pasurimin vetjak dhe të klaneve të veta...Elita e viteve të 90 po shfronëson veten. Albin Kurti është institucion, që nuk mund të manipulohet, nuk mund t' i bëhet presion, nuk mund të korruptohet!
Të tjerët duket se kanë përfunduar misionin e tyre. Radhën e kanë ata që nuk lejojnë t' u imponohen ndjenja inferioriteti. Albin Kurti ka një vizion, elita e tashme ka histori, dikur punoi për vendin, tani punon për veten dhe sa herë zihen me presh në dorë, deliktin e përligjin me meritat e kaluara, thua se populli jeton dje, e jo sot! Thua se merita e djeshme arsyeton apriori të drejtën e kleptomanisë sot!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen