21.03.2011

Dita e Falënderimit të madh, gazeta Dielli

Propozim për “Thanksgiving”: përvjetori i mirënjohjes dhe ruajtja e kujtimit duhet të kremtohet më 12 qershor të çdo viti. Kuvendi i Kosovës duhet ta shpallë ditë festive. Kremtimi duhet të nisë me një procesion, që më vonë shndërrohet në një marsh festiv. Në fillim në heshtje për të nderuar të rënët, shoqëruar me intonimin e himnit të SHBA-ve dhe të Kosovës. Procesioni duhet të niset nga mensa e studentëve në Prishtinë, ku patën shpërthyer protestat e mëdha kundër diskriminimit të madh jugosllav. 

Në radhën e parë ushtarët e UÇK-ës me flamujt shqiptarë, amerikan dhe anglez, pas tyre flamujt francez, gjerman dhe italian. Pasojnë flamujt e NATO-s dhe vendeve tjera, që morën pjesë në çlirimin e Kosovës. Turma duhet të kalojë pranë Fakultetit Filologjik dhe të ndalet në Ulpianë, rreth monumentit të ish-presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton. Aty duhet mbajtur një ligjëratë falënderuese. Pastaj marshi duhet të vazhdojë drejt qendrës dhe të ndalet para Kuvendit të Kosovës, ku studentët në vitin 1981, shpallën Kosovën Republikë. Përveç flamujve në këtë marsh duhet të barten edhe fotografitë e shqiptarëve, që me emrin dhe veprën e tyre ndritën imazhin tonë jashtë: Nënën Tereza, Ibrahim Rugova dhe Ismail Kadare. 

Një komision mund të vendosë të shtojë edhe fotografi tjera, por jo nëse janë aktiv në politikë. Nga heronjtë e jashtëm duhet të jenë domosdoshmërish këta: Joseph J. DioGuardi, Tom Lantos, Eliot Engel, Stan Dragoti, Richard Holbrooke, Bill Clinton, Tony Blair, Madelin Albright, Wesley Clark, William Walker, Jamie Shea, Bernard Couchener dhe George Bush. Mund t’ i shtohen edhe tjerë, që me veprën e tyre ndihmuan çlirimin tonë.

Në këtë ditë Forcat e Sigurisë së Kosovës, duhet të gjuajnë 78 herë me top për të kujtuar 78 ditët e fluturimit për shpëtimin tonë. Kjo është Ditë kur populli i falënderohet SHBA-ve dhe Perëndimit. Dhe, në mënyrë demonstrative tregon mirënjohjen. Natën duhet përgatitur darkë festive në shenjë falënderimi, duke ftuar miq për të përkujtuar 12 qershorin.

Kjo duhet të jetë Ditë e kujtimit të mynxyrës së përbashkët, kolektive. Dita e shpresës së madhe. Dita e ëndrrës së madhe, që u realizua pas shumë shekujve. Në këtë ditë duhet përkujtuar braktisjen e tendave në Shqipëri, në Maqedoni. Nisma e kthimit dhe rikthimit, të sedrës, të dinjitetit të nëpërkëmbur, të vlerës njerëzore. Ditë e kthimit nga eksodi dhe përfundimi i poshtërimit kolektiv. 

Kjo ditë duhet të jetë Ditë e faljes dhe pajtimit në mes shqiptarëve dhe atyre që jetojnë në Kosovë. Në këtë ditë duhet të gatuhen ushqime nga qytetarët dhe të shiten nëpër tezga në qendra të çdo qyteti. Këtë ditë tregtarët duhet t’ i zbresin çmimet dhe të bëjnë oferta. Të gjitha vendet publike të stolisen dhe të duket atmosferë e plot festive. Ditë kur mbijetesa rimerr trajta njerëzore. Ditë kur jeta rifiton kuptimin. Në këtë Ditë, të rinjtë duhet të fejohen ose martohen. Kjo është Ditë e fatit të madh, shpresës së madhe dhe e ëndrrave, që përmbushen. Dita e madhe e dashurisë së Njeriut ndaj Njeriut. Dita e pasionit!

Arsyetim: në të vërtetë arsyetimi nuk duhet. Këtë e dinë mirë gati të gjithë shqiptarët. Por, ndonjë ka nevojë. Motivin dinë ata, që varrosën të afërmit. Ushtarët e UÇK-ës. Të dhunuarat. Invalidët e luftës. Ata që u burgosën. Ata që presin akoma të pagjeturit. Ata që u deportuan me tren drejt Bllacës dhe ata që dremitën maleve. Ata që u deportuan me autobus drejt Shqipërisë apo ata që u dëbuan në këmbë, me qerre apo me traktorë. Ata që u rrahën. Ata që kaluan muaj nëpër tenda. Fëmijët. 

Pleqtë, gratë. Qindra mijëra mërgimtarë. Ata që i gjetën shtëpitë e tyre si rrënoja. Apo në djegie e sipër. Apo të shkrumbuara tërësisht. Apo duke u dalë fjollat e fundit të tymit. Ata që gjetën shtëpitë pa orendi. Ata që me ndihmën e jashtme rindërtuan shtëpitë. Ata që iu hodhën njëri tjetrit në përqafim, kur panë të gjallë njëri tjetrin. 

Ata që u dëbuan fytyrëngrysur dhe që u kthyen fytyrëqeshur. Ata që pritën me lule ushtritë perëndimore...Pra, gati të gjithë e dinë, edhe ata që panë këtë mjerim vetëm në televizor, por, sidoqoftë, ndonjë ka nevojë të mësojë dallimin mes mikut dhe armikut. Ky përvjetor, duhet kremtuar për të treguar mirënjohjen e sinqertë. Ditë e vetëdijesimit. E falënderimit të madh.

Trajtat e miqësive: miqtë e vërtetë nuk gjenden lehtë, e shumë herë, jo kur duhet, e aq më pak të tillë, që harxhojnë miliarda për çlirimin e një kombi të vogël. Krijimi i miqësive ishte rrjedhojë e punës dhe angazhimit të madh dhe të drejtë. I lutjeve të mëdha, por, ajo miqësi, mund të humbet. Aleancat në mes popujve, që nuk kanë lidhje gjaku, feje e gjuhe, janë të brishta.

Miqtë, që kemi sot, nëse i humbim, do të dënojmë fëmijët tanë nesër. Ashtu si na dënuan neve të djeshmit me orientimin e tyre të gabuar. Ne, në mungesë të miqve, kemi shfuqizuar veten.” Dielli për shqiptarët lindet në Perëndim”, thoshte N. Frashëri. Këtë moto e vazhdoi dhe institucionalizoi Rugova. Sot po e rrënojmë në emër të një dalldie, pampers dhe erzac demokracie. Anarki e orientimit, ku patriotët denacionalizohen; kanë veshje, sjellje, bindje dhe synime të ndryshme. Shumë herë, në dëm të kombit. 

Madje, edhe në majat e skenës politike dhe kulturore. Dhe, shqiptarët mbijetojnë nga puna në Perëndim, jo nga puna në Lindje. Shqiptari në rast rreziku ikën drejt Perëndimit dhe kurrë jo drejt Lindjes. Ne nuk mund të bëhemi armiq të perëndimit. Përbërja kombëtare nuk duron këtë: as gjeografia, as morfologjia, as historia, as origjina jonë. Ne nuk kemi pasur fuqi dhe mundësi ta ndërtojmë shtetin tonë aty ku jetojmë. 

Ne kemi dështuar më shumë se të gjithë të tjerët në Ballkan. Fajet janë edhe tonat. Ato nuk duhet t’ i kërkojmë vetëm jashtë dhe të kotemi. Vetëm trimëria dhe vetësakrifikimi nuk mjaftojnë për të ndërtuar kulm mbi kokë:shtet.

Bindjet dhe shpjegimet asimetrike: shteti nuk meritohet. Pavarësia nuk meritohet. Këto dyja nuk janë lëndë të shkollës fillore, ku notohet populli i zellshëm. Shteti fitohet dhe mbahet vetëm falë orientimit të drejtë kombëtar. Në botë ka dhe kombe tjera që janë trima, por ata ende nuk kanë shtet. 

Ka kombe, që kanë sakrifikuar si ne apo më shumë se ne, por nuk po “meritojnë” shtet. Pikërisht sepse shteti nuk fitohet me merita! Kufijtë janë dëshmi e forcës ushtarake dhe aleancave. Deri ku ka arritur pushka e një ushtrie, deri aty është krijuar shteti i tij. Apo deri ku janë pajtuar fuqitë e mëdha: në bazë të miqësisë dhe pozicionimit të kombeve. Jo në bazë të përkatësisë kombëtare, por falë aleancave. Kështu funksionon politika në mes popujve. Mundësitë tjera nuk ka ose janë vetëm koncepte të gabuara, të shtrembëruara, të teorive politike.

Në botë nuk ekziston një shtet babadimër, që peshon vuajtjet e kombeve dhe pastaj vjen dhe u falë atyre shtete. Pa miq të mëdhenj, popujt e vegjël nuk fitojnë kurrë. Jemi popull i lashtë, por nuk kemi vëllezër gjaku, as gjuhe. As kushërinj nga gjuha, as nga gjaku. Në Europë ose jetojmë me orientim europian ose ekzistenca jonë do të vështirësohet dhe varfërinë do ta kemi si fat. Investimet do të bëhen rreth nesh, jo tek ne.

Semantika e patriotizmit dhe paradoksi i idealeve: vëlla të madh na dhuroi historia vetëm një herë: SHBA-të. Vëllazëritë tjera, që shpallen pas çlirimit, para mikrofonave, para kamerave, nuk vëllazërojnë popujt, por fisin në shoqëritë tribale ose individin. Ato nuk obligojnë askënd, por vetëm shqiptuesin e atyre fjalëve. Ndoshta edhe porositësin e asaj vëllazërie. Aleanca lidhë popujt, vëllazëritë individët. Ato vëllazëri flasin për dezorientimin, dobësinë tonë politike dhe kacavarjen në pushtet. Flasin për të kundërtën, nga ajo që u fliste Rugova perëndimorëve. Ato vëllazëri tregojnë se ia paskemi hedhur Perëndimit! 

Pas çlirimit u thamë atyre që na mbrojnë akoma, se jemi edhe aziatik. Para lufte jo, pas saj, në mënyrë plakative. Nëse vazhdojmë ta nxijmë veten akoma më shumë, nuk është çudi nëse shfaqet një etnolog, që na shpallë edhe pak afrikan. Hutinë tonë nacionale do ta paguajmë me mjerim dhe eksportim të fuqisë së lirë punëtore. Dikur nëpër Jugosllavi, sot e nesër nëpër Europë. 

Çdo orientim antiamerikan, do të ketë ndikim në ekonominë, në mirëqenien tonë dhe në investimet e të huajve. 
Çdo qëndrim antiamerikan do të jetë ndihmë e madhe në rehabilitimin e Serbisë nga barbaritë e saja. Me revoltën e vitit 2004, deri diku rehabilituam Serbinë dhe pasoi pezullimi i vizave, pa dorëzuar kriminelin e luftës.

Duke injoruar varret shqiptare nëpër Serbi. Duke injoruar arkivin e vjedhur. Duke injoruar apo duke përkrahur në heshtje administratën paralele serbe. Duke injoruar viktimën dhe duke përkëdhelur autorin e krimit. Deri në vitin 2004 perceptoheshin në Gjermani si viktima. Ushtarët krishterë janë në Kosovë për t’ na mbrojtur neve dhe, para syve të tyre, u dogjën edhe disa kisha! Dhuratë më të madhe, nuk ka mundur askush t’ i bëjë politikës serbe. Shqiptarët kurrë më parë nuk kanë djegur godina kulti. 

Pse qemë të gatshëm ta bëjnë këtë, këtë duhet ta shpjegojë Qeveria e Kosovës. Dhe, të shpjegojë, çfarë dreqi po shalojnë e kalërojnë disa pjesëtarë të këtij kombi dhe pse gjithmonë vetëm në dobi të Serbisë. Pse ky asimilim i kodit? Nëse ndodhë edhe një akt barbar, atëherë, nuk është çudi nëse Amerika tërhiqet dhe braktisë Kosovën. Atëherë, në vend se ta kremtojmë Ditën e Çlirimit me falënderim të madh, mund të mbajmë zi për humbjen e shtetësisë apo copëtimin e vendit!

“Kush ta bëri more? Vetja! Vetja t’ i plastë sytë”, thotë populli.

Prapashtesë morfologjike: forca jonë rezistuese ishte Adem Demaçi, që na kishte frymëzuar për protesta. Rexhep Qosja me demaskimin e represionit serb si dhe Ukshin Hoti. Ne quheshim populli i Nënë Terezës në Perëndim. Populli i Kadaresë. Forca jonë europiane ishte Rugova, që një provincë, me aq banorë sa ka një lagje e Nju Jorkut, e Londrës apo e Parisit, e bëri të pranueshme në kancelaritë kryesore të botës. 

Adem Jashari i tregoi Perëndimit për vendosmërinë dhe gaditshmërinë tonë. Qëndrimi stoik dhe lufta e drejtë i UÇK-së. Enver Hadri në Belgjikë. Donika Gërvalla dhe Hafiz Gagica në Gjermani. Veton Surroi në CNN...Këta njerëz dhe shumë të tjerë, që nuk përmenden në këtë shkrim, me përkushtimin e tyre, secili në mënyrën e vet, me aftësitë e veta dhe orientimin e drejtë, ndikuan në krijimin e miqësive të reja, në ndërtimin e imazhit jashtë dhe na sollën këtu ku jemi sot: të lirë. Jo të lirë për të vrarë shqiptarë e shpëtimtarët tanë, por të lirë dhe të aftë për ta jetuar jetën. 

Për ta ndërtuar të tashmen. Jo të lirë për ta rehabilituar Serbinë me akte mizore, por të lirë dhe zot në shtëpinë tonë, për herë të parë. Jo të lirë për të krijuar vëllazëri të rrejshme, karrieriste, - duke na mbrojtur kufijtë dhe shpinën amerikanët - por të lirë dhe të aftë për ta vazhduar dhe kultivuar miqësinë me ata që na ndihmuan në ditë të vështira, derisa ishim në male! Të lirë për aleanca të reja, por jo vëllazëri, sepse vëllai i madh ta ndryshon edhe historinë, edhe drejtimin. 

Ai të përzihet edhe në punë të brendshme, sepse mendon se është vërtetë vëllai i madh. Jo të lirë për të ushtruar hakmarrje, por të lirë dhe të aftë për t’ u pajtuar me të gjithë. Edhe me fqinjët. Jo të lirë për t’ i zëvendësuar hajnat serb me hajna shqiptarë, por të lirë dhe të aftë për t’ i dëbuar edhe hajnat tanë dhe, për të ndërtuar shtetin duke paguar edhe tatimet ndershmërisht. (Aty ku nuk paguhen tatimet, nuk ka dashuri ndaj shtetit, ndaj atdheut: nuk ka rrugë të mira, as spitale me aparaturë, as shkolla moderne. Fundi fundit, as ushtri të armatosur si duhet.)

Mosmirënjohja dhe vrasja e çlirimtarit është pafytyrësia më e madhe në karakterin e lig njerëzor. Vrasja e atij që të shpëtoi jetën, duke rrezikuar të veten, është turpi, injoranca e pafund dhe mëkati më i tmerrshëm, që mund të bëjë krijesa e quajtur njeri.

Por, a ndjehen të sigurt sot amerikanët në Kosovë, derisa na mbrojnë nga Serbia? Nuk mund të besohet. Jo si më parë. Edhe një pyetje, që i mbetet njeriut në fyt dhe i zë frymën: pse ndonjë shqiptar është kundër Amerikës që na çliroi, e jo kundër Serbisë, që na dhunoi e pushtoi. Edhe këtë dukuri duhet ta hetojë dhe ndriçojë Qeveria e Kosovës, sepse është në pyetje dallimi më i thjeshtë, më banal në jetën e qenies njerëzore: dallimi në mes çlirimtarit dhe pushtuesit. Dallimi në mes atit dhe dreqit. Dallimi në mes nënës dhe shtrigës! 

Dallimi në mes të bardhës dhe të zezës...Ja, u numëruan disa shkaqe, jo të gjitha: janë miliona shqiptarë të prekur dhe miliona motive, që na detyrojnë të përkulemi para së mirës dhe të kremtojmë “Thanksgiving Day”, sepse Zoti nuk na ka zgjedhur si gjykatës dhe rojtar të drejtësisë planetare, por ta duam veten dhe të kujdesemi vetëm për bythën tonë!


Libra nga Lis Bukuroca:


Kuptimi i jetës  te amazon *

Kuptimi  jetës te lulu **


Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu


Letër burrave (II) te amazon

Letër burrave (II) te lulu


Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore

Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore


Shtatë parimet e dashurisë

Hijedritat e jetës

Die Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.

04.03.2011

Saliada, Java


Saliadë domethënë olimpiadë tragjikomike, politike, që zgjatë me dekada, në të cilën populli është spektator i hutuar, i molisur dhe i plogësht. Kur Kaligulës i kishin munguar kafshët e buta për t’u hedhur bishave të egra në arenë, kishte urdhëruar t’ u hidhen kriminelët e dënuar. Dhe i kishin hedhur. Sali Berisha pikë së pari i vret njerëzit e pafajshëm dhe pastaj i dënon duke i gjykuar si banditë pa shqyrtim dhe vendim gjyqësor. Pra ai i shpall kriminel pas vdekjes. Kaligula i shpallte kriminel në bazë të ligjeve romake dhe vendimit gjyqësor. I joni i shpall vet. Pa vepër penale. Jo nga karrigia e gjyqtarit, por e kryeministrit.
Para 2055 vjetëve, saktësisht më 15 mars 44 para Krishtit, ushtrohet atentati kundër Julius Gaius Caesar. Pas luftës qytetare e pasoi atë Augustus. “Imperatori”, nga vjen edhe fjala shqipe perandor, përveç sundimit, pushtimit të tokave të reja, kishte për detyrë emërimin e guvernatorëve të provincave, organizmin e lojërave (në saliadë quhen koncerte dhe menjë herë pas vrasjeve organizohet argëtimi) dhe të shpallë ligje. Garda pretoriane ishte aty për të mbrojtur perandorin nga zemërimi dhe protestat e popullit. Dhe, çdo perandor romak e shpërblente apo paguante rregullisht, pa vonesë. Pas Augustit vjen Tiberius. Këtë e pason Kaligula: Gaius Caesar Augsutus Germanicus. Emrin Kaligula e mori nga një çizme, që bartnin ushtarët romak thotë Taciti.
Muajt e parë Kaligula ishte i mirë dhe shpërndau dhurata në popull dhe shpërbleu gardën pretoriane për kalimin e pushtetit në mënyrë të favorshme për të.
Si i ri kishte vuajtur nga epilepsia, gjashtë muaj pas ardhjes në fron, sëmuret nga një stërlodhje nervoze. Sipas Suetonit, ai nuk flinte më shumë se tri orë në ditë. Ishte adhurues i madh i vrapimeve me qerre kuajsh. (Në saliadë noti është sport i preferueshëm dhe ka për qëllim dërgimin e mesazheve për shëndetin e despotit dhe pezmatimin e tribunëve). Gjatë lojërave që organizonte perandori, populli kishte duartrokitur skuadrën që nuk e donte Kaligula dhe ai i dëshpëruar kishte bërtitur: “ Ah, sikur ta kishte populli i Romës vetëm një qafë!” Edhe Saliu do t’ ishte gëzuar sikur protestuesit të kishin pasur vetëm një trup!
Me sundimin e keq, gradualisht humbi të gjithë miqtë. Ishte shumë pervers dhe vuante nga çrregullime mendore dhe kjo për shkak të sëmundjeve të mëparshme. Kalin e trajtonte më mirë se senatorët, ushqimin ia shërbenin në enë të praruara dhe kishte dashur t’ i jap edhe titull senator. Si Saliu Çiljetën e bukur. Më 24 janar 41 pas Krishti vritet Kaligula. Të njëjtën ditë vritet edhe shoqja e tij Caesonia dhe vajza Drusilla. Më vonë, në vitin 193 pas Krishtit bëhet perandor Septimus Severus. Ky i jep bijve të vet këtë këshillë për të sunduar mirë: “ Jini të bashkuar me njëri tjetrin, jepni ushtarëve lekë dhe të gjithë të tjerët dënoni me përbuzje!” Saliu respekton dhe njeh pikërisht këtë udhëzim. Shpërbleu gardën dhe përbuzë të tjerët, edhe gratë e tyre. Madje i shau, si nuk ka sharë as Kaligula. Severus pati dy djem: njëri ishte Mark Aureli (Caracalla), tjetri Publius Septimius Geta. Ashu si i mësoi i ati të sillen me të tjerët, ashtu u sollën ata edhe në mes vete dhe në fund, Aureli urdhëroi apo vrau vëllanë e vet. Edhe i joni është në gjendje të vrasë vëllanë politik. Mbani mend: Nëse në Gjermani një kancelar do të kishte treguar urrejtje patologjike ndaj grave si Sali Berisha dhe t’ i kishte sharë si ai, do ta kishin rrëzuar gratë me protesta. Jo pse ato kanë më shumë forcë se burrat, por sepse kancelari nuk kishte pasur fytyrë të pretendojë mbetjen në pushtet.

Prapavështrim
Pas gjakderdhjes së vitit 1997, Saliu, në një vend normal, me një shtet ligjor, nuk do të kishte pasur shanse më në politikë: ai do të ishte akuzuar për vrasjen e më së paku të 2000 vetave, shkatërrimin e ekonomisë kombëtare, tradhti të lart ndaj atdheut dhe për rrënimin e shtetit. Kjo nuk ndodhi dhe ai pas gjakut dhe varrimit të 2000 vetave, doli i përforcuar si konti i Transilvanisë: Drakula. Tani edhe pas vrasjeve të fundit, ai del përsëri i përforcuar dhe organizon koncerte. Pra, sikur të kishim pasur gjyqësi të pavarur dhe demokraci të vërtetë, sot Saliu do ta shihte dritën nga grillat dhe askush nuk do të merrej me të. Mirëpo, ja ku e kemi, po sundon dhe ka nevojë për gjak dhe noton mirë. Pasi shantazhi ndaj prokurores ishte i pasuksesshëm, shantazhi ndaj gjykatës pati sukses dhe u liruan vrasësit. Ata janë liruar nga shteti, por nuk mund të lirohen kurrë nga ndërgjegjja e vet dhe nuk do t’ ia falin kurrë vetes se kanë vrarë katër shqiptarë të pafajshëm dhe se kanë lënë fëmijë bonjak në gjendje të mjerë ekonomike. Për atë me të cilën Saliu mburret sot, ata do të vuajnë tërë jetën, sepse njeriu është një qenie sociale.

Partitë private
Njeriu thërret disa njerëz të besueshëm dhe formon një grup. Ky grup mund të mbetet i vogël dhe të merret me kriminalitet të organizuar, si drogë për shembull apo grupi rritet dhe themeluesit afron rreth vetes njerëzit që i nënshtrohen, jo të dijshmit, por ata që dëshmojnë se nuk kanë kurriz. Shkaku i rënies së komunizmit ishte pikërisht ky model. Saliu ndërtoi parti për vete dhe këtë do ta mbajë deri sa të jetë gjallë. Ai partinë e tij e trajton si kope private, e cila është aty për ta lumturuar dhe kënaqur atë. Aq sa më shumë mplaket, aq më shumë e injoron partinë e vet dhe sundon sipas tekeve të veta. Kështu vepron edhe Thaçi, edhe Ali Ahmeti. Këta deri në vdekje do t’ i kenë partitë e veta private dhe nuk do të zëvendësohen kurrë. Madje, Haradinaj, edhe në burg rezulton si kryetar i partisë së tij .
Ligjet e gravitacionit do ta tërheqin edhe Saliun, sepse i ka plotësuar të gjitha kushtet e rënies së lirë, por rënia do të jetë shumë e dhimbshme dhe e befasishme. Ligjet e gravitacioni do t’ i tërheqë edhe të tjerët, në pyetje është vetëm vetëdijesimi i popullit me demokraci.

Gadafi dhe Saliu
Njohësit në një debat të televizionit gjerman “ARD” e quajtën Gadafin shizoid. Shizoid dmth, shpirtërisht i ndarë, personalitet me çrregullime shpirtërore me preferencë të madhe për fantastifikime. Këta persona kanë një aftësi shumë të reduktuar për të treguar emocione dhe gëzim. Duken shumë serioz. Sëmundja shoqërohet me një braktisje të kontakteve sociale, afektive dhe miqësore. Megjithëkëtë, a mund të thuhet se Gadafi dhe Saliu janë të ngjashëm? Jo! Gadafi bëri një “revolucion” pa gjak dhe zaptoi pushtetin pa vrarë njerëz. Libia është shteti më i pasur dhe më i zhvilluar në Afrikë. Gadafi është despot dhe mbron karrigen si Berisha, por vetëm ky episod nuk i bën përsëri të ngjashëm, sepse Gadafi nuk ka vrarë 2000 libian, nuk ka tentuar ta shesë një pjesë të territorit. Ngjashmëri ka se që të dy kanë përkrahur terrorizmin ndërkombëtar. Saliu terrorizmin serb. Ai, atë arab. Apo që të dy kanë shitur armë për përfitime personale, por përsëri nuk janë të ngjashëm, sepse është padrejtësi Saliu të quhet si Gadafi, por tani, Gadafi, duke bombarduar popullin, do t’ i vrasë ndoshta 2000 libian, siç bëri Saliu në vitin 1997 dhe vetëm atëherë Gadafi, duke prodhuar Gërdece, bëhet si Saliu. Nëse i jepet mundësia do t’ ia kalojë Saliut dhe vetëm pasi ta ketë bërë këtë, mund të thuhet se Saliu është si Gadafi. Tani për tani konstatimi i drejtë do t’ ishte ky: Gadafi prej ditës në ditë po bëhet si Saliu. Tani mund të parashikohet edhe ardhmëria e tij. Ai do të vdesë në mars 2011 ose do të transferohet në Hagë. Edhe ardhmëria e Partisë Demokratike mund të parashikohet: ajo do të shpartallohet nga implozioni, nga shpërthimi i brendshëm. Edhe një fakt nga debati në televizionin gjerman: një orientalist tha se në Perandorinë Osmane çdo i treti banorë ishte spiun...
Karl Theodor zu Guttenberg
Ministri i Mbrojtjes në Gjermani dhe dorëheqje për plagjiaturë. Kjo tregon se skena politike gjermane duron vetëm njerëz të padamkosur. Ai duhet të mishërojë shembullin e njeriut të mirë, jo maskarain që jeton nga populli. Edhe pse në popull shumë i dashur, atë e rrëzoi elita gjermane, intelektualët, doktorët me peticione dhe kërkesa të përditshme. Ata ishin të prekur në sedër dhe nuk mund të krenoheshin me disertacionet e tyre, kur një tjetër e ka fituar titullin me vjedhje. Me tolerimin e atij titulli, që iu anulua, dëmtohej shkenca në Gjermani. Janë bërë 80 kallëzime në polici dhe shumica janë për të drejtën e autorit. Copyright. Megjithëkëtë, populli e donë përsëri në politikë, sepse e bënte punën mirë. Në Kosovë Haradinaj është në burg, por kryetar i partisë. Ndaj Thaçit do të bëhen hetime, por është kryeministër. Saliu vret njerëz, mbetet kryeministër. Gjuha e Ali Ahmetit nuk është zyrtare nëse jetojnë më pak se 20% shqiptarë dhe ai është guvernator! Njerëz që kemi në Qeveri dhe jetën që jetojmë. Jetë më e mirë nga këta nuk mund të pretendohet. Ata i kanë hallet e veta, jo të popullit. Ata kanë probleme me ligjin dhe ne kërkojmë shtet ligjor prej tyre!
Gjersa Çerçili po rruhej gruaja i tregoi se ai i kishte humbur zgjedhjet, edhe pse kishte shpëtuar vendin nga fashizmi dhe kishte dhënë një kontribut të madh për çlirimin e Europës: Çerçili i tha këtë gruas: “ Asgjë e keqe, unë kam luftuar për ta pasur të drejtën edhe për të humbur.” Te ne është luftuar për ta shndërruar shtetin në pronë private. Në tërë hapësirën shqiptare. Mendimin e Çerçilit e citoi Roberto Benigni në festivalin e San Remos për 150 vjetorin e bashkimit të Italisë dhe shtoi edhe këtë: “Idealistët për bashkimin vendit hyrën në politikë të pasur dhe e braktisën atë të varfër.” Tek ne hyrën duke mos pasur as xhirollogari në bankë, sot kanë miliona! Faji nuk është vetëm i tyre, por edhe i elitës intelektuale shqiptare, që privatizimin e shtetit e sheh si gjë normale dhe kështu ndihmon në uzurpimin e tij. Ata që kanë luftuar për demokraci, ata që kanë rrezikuar jetën për çlirimin e vendit meritojnë respekt dhe pensione të mira, por jo shtetin si dhuratë...

04.03.11

Libra nga Lis Bukuroca


Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de  ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.  

Gjenden edhe te libraria më e madhe në SHBA  Barnes and nobles dhe mund të porositet, përveç online, në 630 libraritë e tyre.  Shikoni ju lutem se ku ju konvenon çmimi më tepër. Unë mund të vendos vetëm për çmimin te lulu, jo te botuesit tjerë.

Kuptimi i jetës  te amazon *, Kuptimi  jetës te lulu **, Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu, Letër burrave (II) te amazon, Letër burrave (II) te lulu

Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore, Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore, Shtatë parimet e dashurisëHijedritat e jetësDie Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.