Në këtë ditë Forcat e Sigurisë së Kosovës, duhet të gjuajnë 78 herë me top për të kujtuar 78 ditët e fluturimit për shpëtimin tonë. Kjo është Ditë kur populli i falënderohet SHBA-ve dhe Perëndimit. Dhe, në mënyrë demonstrative tregon mirënjohjen. Natën duhet përgatitur darkë festive në shenjë falënderimi, duke ftuar miq për të përkujtuar 12 qershorin.
Kjo duhet të jetë Ditë e kujtimit të mynxyrës së përbashkët, kolektive. Dita e shpresës së madhe. Dita e ëndrrës së madhe, që u realizua pas shumë shekujve. Në këtë ditë duhet përkujtuar braktisjen e tendave në Shqipëri, në Maqedoni. Nisma e kthimit dhe rikthimit, të sedrës, të dinjitetit të nëpërkëmbur, të vlerës njerëzore. Ditë e kthimit nga eksodi dhe përfundimi i poshtërimit kolektiv.
Kjo ditë duhet të jetë Ditë e faljes dhe pajtimit në mes shqiptarëve dhe atyre që jetojnë në Kosovë. Në këtë ditë duhet të gatuhen ushqime nga qytetarët dhe të shiten nëpër tezga në qendra të çdo qyteti. Këtë ditë tregtarët duhet t’ i zbresin çmimet dhe të bëjnë oferta. Të gjitha vendet publike të stolisen dhe të duket atmosferë e plot festive. Ditë kur mbijetesa rimerr trajta njerëzore. Ditë kur jeta rifiton kuptimin. Në këtë Ditë, të rinjtë duhet të fejohen ose martohen. Kjo është Ditë e fatit të madh, shpresës së madhe dhe e ëndrrave, që përmbushen. Dita e madhe e dashurisë së Njeriut ndaj Njeriut. Dita e pasionit!
Arsyetim: në të vërtetë arsyetimi nuk duhet. Këtë e dinë mirë gati të gjithë shqiptarët. Por, ndonjë ka nevojë. Motivin dinë ata, që varrosën të afërmit. Ushtarët e UÇK-ës. Të dhunuarat. Invalidët e luftës. Ata që u burgosën. Ata që presin akoma të pagjeturit. Ata që u deportuan me tren drejt Bllacës dhe ata që dremitën maleve. Ata që u deportuan me autobus drejt Shqipërisë apo ata që u dëbuan në këmbë, me qerre apo me traktorë. Ata që u rrahën. Ata që kaluan muaj nëpër tenda. Fëmijët.
Pleqtë, gratë. Qindra mijëra mërgimtarë. Ata që i gjetën shtëpitë e tyre si rrënoja. Apo në djegie e sipër. Apo të shkrumbuara tërësisht. Apo duke u dalë fjollat e fundit të tymit. Ata që gjetën shtëpitë pa orendi. Ata që me ndihmën e jashtme rindërtuan shtëpitë. Ata që iu hodhën njëri tjetrit në përqafim, kur panë të gjallë njëri tjetrin.
Ata që u dëbuan fytyrëngrysur dhe që u kthyen fytyrëqeshur. Ata që pritën me lule ushtritë perëndimore...Pra, gati të gjithë e dinë, edhe ata që panë këtë mjerim vetëm në televizor, por, sidoqoftë, ndonjë ka nevojë të mësojë dallimin mes mikut dhe armikut. Ky përvjetor, duhet kremtuar për të treguar mirënjohjen e sinqertë. Ditë e vetëdijesimit. E falënderimit të madh.
Trajtat e miqësive: miqtë e vërtetë nuk gjenden lehtë, e shumë herë, jo kur duhet, e aq më pak të tillë, që harxhojnë miliarda për çlirimin e një kombi të vogël. Krijimi i miqësive ishte rrjedhojë e punës dhe angazhimit të madh dhe të drejtë. I lutjeve të mëdha, por, ajo miqësi, mund të humbet. Aleancat në mes popujve, që nuk kanë lidhje gjaku, feje e gjuhe, janë të brishta.
Miqtë, që kemi sot, nëse i humbim, do të dënojmë fëmijët tanë nesër. Ashtu si na dënuan neve të djeshmit me orientimin e tyre të gabuar. Ne, në mungesë të miqve, kemi shfuqizuar veten.” Dielli për shqiptarët lindet në Perëndim”, thoshte N. Frashëri. Këtë moto e vazhdoi dhe institucionalizoi Rugova. Sot po e rrënojmë në emër të një dalldie, pampers dhe erzac demokracie. Anarki e orientimit, ku patriotët denacionalizohen; kanë veshje, sjellje, bindje dhe synime të ndryshme. Shumë herë, në dëm të kombit.
Madje, edhe në majat e skenës politike dhe kulturore. Dhe, shqiptarët mbijetojnë nga puna në Perëndim, jo nga puna në Lindje. Shqiptari në rast rreziku ikën drejt Perëndimit dhe kurrë jo drejt Lindjes. Ne nuk mund të bëhemi armiq të perëndimit. Përbërja kombëtare nuk duron këtë: as gjeografia, as morfologjia, as historia, as origjina jonë. Ne nuk kemi pasur fuqi dhe mundësi ta ndërtojmë shtetin tonë aty ku jetojmë.
Ne kemi dështuar më shumë se të gjithë të tjerët në Ballkan. Fajet janë edhe tonat. Ato nuk duhet t’ i kërkojmë vetëm jashtë dhe të kotemi. Vetëm trimëria dhe vetësakrifikimi nuk mjaftojnë për të ndërtuar kulm mbi kokë:shtet.
Bindjet dhe shpjegimet asimetrike: shteti nuk meritohet. Pavarësia nuk meritohet. Këto dyja nuk janë lëndë të shkollës fillore, ku notohet populli i zellshëm. Shteti fitohet dhe mbahet vetëm falë orientimit të drejtë kombëtar. Në botë ka dhe kombe tjera që janë trima, por ata ende nuk kanë shtet.
Ka kombe, që kanë sakrifikuar si ne apo më shumë se ne, por nuk po “meritojnë” shtet. Pikërisht sepse shteti nuk fitohet me merita! Kufijtë janë dëshmi e forcës ushtarake dhe aleancave. Deri ku ka arritur pushka e një ushtrie, deri aty është krijuar shteti i tij. Apo deri ku janë pajtuar fuqitë e mëdha: në bazë të miqësisë dhe pozicionimit të kombeve. Jo në bazë të përkatësisë kombëtare, por falë aleancave. Kështu funksionon politika në mes popujve. Mundësitë tjera nuk ka ose janë vetëm koncepte të gabuara, të shtrembëruara, të teorive politike.
Në botë nuk ekziston një shtet babadimër, që peshon vuajtjet e kombeve dhe pastaj vjen dhe u falë atyre shtete. Pa miq të mëdhenj, popujt e vegjël nuk fitojnë kurrë. Jemi popull i lashtë, por nuk kemi vëllezër gjaku, as gjuhe. As kushërinj nga gjuha, as nga gjaku. Në Europë ose jetojmë me orientim europian ose ekzistenca jonë do të vështirësohet dhe varfërinë do ta kemi si fat. Investimet do të bëhen rreth nesh, jo tek ne.
Semantika e patriotizmit dhe paradoksi i idealeve: vëlla të madh na dhuroi historia vetëm një herë: SHBA-të. Vëllazëritë tjera, që shpallen pas çlirimit, para mikrofonave, para kamerave, nuk vëllazërojnë popujt, por fisin në shoqëritë tribale ose individin. Ato nuk obligojnë askënd, por vetëm shqiptuesin e atyre fjalëve. Ndoshta edhe porositësin e asaj vëllazërie. Aleanca lidhë popujt, vëllazëritë individët. Ato vëllazëri flasin për dezorientimin, dobësinë tonë politike dhe kacavarjen në pushtet. Flasin për të kundërtën, nga ajo që u fliste Rugova perëndimorëve. Ato vëllazëri tregojnë se ia paskemi hedhur Perëndimit!
Pas çlirimit u thamë atyre që na mbrojnë akoma, se jemi edhe aziatik. Para lufte jo, pas saj, në mënyrë plakative. Nëse vazhdojmë ta nxijmë veten akoma më shumë, nuk është çudi nëse shfaqet një etnolog, që na shpallë edhe pak afrikan. Hutinë tonë nacionale do ta paguajmë me mjerim dhe eksportim të fuqisë së lirë punëtore. Dikur nëpër Jugosllavi, sot e nesër nëpër Europë.
Çdo orientim antiamerikan, do të ketë ndikim në ekonominë, në mirëqenien tonë dhe në investimet e të huajve.
Çdo qëndrim antiamerikan do të jetë ndihmë e madhe në rehabilitimin e Serbisë nga barbaritë e saja. Me revoltën e vitit 2004, deri diku rehabilituam Serbinë dhe pasoi pezullimi i vizave, pa dorëzuar kriminelin e luftës.
Duke injoruar varret shqiptare nëpër Serbi. Duke injoruar arkivin e vjedhur. Duke injoruar apo duke përkrahur në heshtje administratën paralele serbe. Duke injoruar viktimën dhe duke përkëdhelur autorin e krimit. Deri në vitin 2004 perceptoheshin në Gjermani si viktima. Ushtarët krishterë janë në Kosovë për t’ na mbrojtur neve dhe, para syve të tyre, u dogjën edhe disa kisha! Dhuratë më të madhe, nuk ka mundur askush t’ i bëjë politikës serbe. Shqiptarët kurrë më parë nuk kanë djegur godina kulti.
Pse qemë të gatshëm ta bëjnë këtë, këtë duhet ta shpjegojë Qeveria e Kosovës. Dhe, të shpjegojë, çfarë dreqi po shalojnë e kalërojnë disa pjesëtarë të këtij kombi dhe pse gjithmonë vetëm në dobi të Serbisë. Pse ky asimilim i kodit? Nëse ndodhë edhe një akt barbar, atëherë, nuk është çudi nëse Amerika tërhiqet dhe braktisë Kosovën. Atëherë, në vend se ta kremtojmë Ditën e Çlirimit me falënderim të madh, mund të mbajmë zi për humbjen e shtetësisë apo copëtimin e vendit!
“Kush ta bëri more? Vetja! Vetja t’ i plastë sytë”, thotë populli.
Prapashtesë morfologjike: forca jonë rezistuese ishte Adem Demaçi, që na kishte frymëzuar për protesta. Rexhep Qosja me demaskimin e represionit serb si dhe Ukshin Hoti. Ne quheshim populli i Nënë Terezës në Perëndim. Populli i Kadaresë. Forca jonë europiane ishte Rugova, që një provincë, me aq banorë sa ka një lagje e Nju Jorkut, e Londrës apo e Parisit, e bëri të pranueshme në kancelaritë kryesore të botës.
Adem Jashari i tregoi Perëndimit për vendosmërinë dhe gaditshmërinë tonë. Qëndrimi stoik dhe i drejtë i UÇK-së. Enver Hadri në Belgjikë. Donika Gërvalla dhe Hafiz Gagica në Gjermani. Veton Surroi në CNN...Këta njerëz dhe shumë të tjerë, që nuk përmenden në këtë shkrim, me përkushtimin e tyre, secili në mënyrën e vet, me aftësitë e veta dhe orientimin e drejtë, ndikuan në krijimin e miqësive të reja, në ndërtimin e imazhit jashtë dhe na sollën këtu ku jemi sot: të lirë. Jo të lirë për të vrarë shqiptarë e shpëtimtarët tanë, por të lirë dhe të aftë për ta jetuar jetën.
Për ta ndërtuar të tashmen. Jo të lirë për ta rehabilituar Serbinë me akte mizore, por të lirë dhe zot në shtëpinë tonë, për herë të parë. Jo të lirë për të krijuar vëllazëri të rrejshme, karrieriste, - duke na mbrojtur kufijtë dhe shpinën amerikanët - por të lirë dhe të aftë për ta vazhduar dhe kultivuar miqësinë me ata që na ndihmuan në ditë të vështira, derisa ishim në male! Të lirë për aleanca të reja, por jo vëllazëri, sepse vëllai i madh ta ndryshon edhe historinë, edhe drejtimin.
Ai të përzihet edhe në punë të brendshme, sepse mendon se është vërtetë vëllai i madh. Jo të lirë për të ushtruar hakmarrje, por të lirë dhe të aftë për t’ u pajtuar me të gjithë. Edhe me fqinjët. Jo të lirë për t’ i zëvendësuar hajnat serb me hajna shqiptarë, por të lirë dhe të aftë për t’ i dëbuar edhe hajnat tanë dhe, për të ndërtuar shtetin duke paguar edhe tatimet ndershmërisht. (Aty ku nuk paguhen tatimet, nuk ka dashuri ndaj shtetit, ndaj atdheut: nuk ka rrugë të mira, as spitale me aparaturë, as shkolla moderne. Fundi fundit, as ushtri të armatosur si duhet.)
Mosmirënjohja dhe vrasja e çlirimtarit është pafytyrësia më e madhe në karakterin e lig njerëzor. Vrasja e atij që të shpëtoi jetën, duke rrezikuar të veten, është turpi, injoranca e pafund dhe mëkati më i tmerrshëm, që mund të bëjë krijesa e quajtur njeri.
Por, a ndjehen të sigurt sot amerikanët në Kosovë, derisa na mbrojnë nga Serbia? Nuk mund të besohet. Jo si më parë. Edhe një pyetje, që i mbetet njeriut në fyt dhe i zë frymën: pse ndonjë shqiptar është kundër Amerikës që na çliroi, e jo kundër Serbisë, që na dhunoi e pushtoi. Edhe këtë dukuri duhet ta hetojë dhe ndriçojë Qeveria e Kosovës, sepse është në pyetje dallimi më i thjeshtë, më banal në jetën e qenies njerëzore: dallimi në mes çlirimtarit dhe pushtuesit. Dallimi në mes atit dhe dreqit. Dallimi në mes nënës dhe shtrigës!
Dallimi në mes të bardhës dhe të zezës...Ja, u numëruan disa shkaqe, jo të gjitha: janë miliona shqiptarë të prekur dhe miliona motive, që na detyrojnë të përkulemi para së mirës dhe të kremtojmë “Thanksgiving Day”, sepse Zoti nuk na ka zgjedhur si gjykatës dhe rojtar të drejtësisë planetare, por ta duam veten dhe të kujdesemi vetëm për bythën tonë!
6 Kommentare:
Shkrimi juaj Lis si gjithmone mbeshtetet ne te verteten reale!
Te perkujtosh nje ngjarje historike,i jep vlere historise dhe kutures se nje vendi dhe kjo i takon autoriteteve vendase qe e kane ne dore ta shpallin kete dite si gjithe ditet e tjera kombetare me nderimet e duhura.
Ide shume e goditur, te perkujtosh ata qe e nisen te paret rrugen e lirise, studentet e 81, mrekullisht ide shume e bukur per tu bere realitet.Pergezime!
Përshëndetje zonja R, dhe të falenderoj për komentin: mund të shprehmi mendime, por të zbatojmë nuk mundemi gjë. Kur njerzit bëhen poltikan, vallëzojnë sipas një ritmi, që ne nuk e marrim vesh...
...
Ilir Dardani 21-03-2011, 10:55pm
Zakonisht duhet te komentohet artikulli, por kur lexon shkrime kaq mbreslenese nuk ke si t'i shmangesh mirenjohjes per autorin, Lis Bukurocen Tone te Madh.
Ky eshte shqiptari i kohes moderne i cili gjithnje te ben te urosh dhe lutesh qe te lindin sa me shume shqiptare te tille.
Shqiptari eshte munduar te jete mirenjohes, por fatkeqesisht shqiptari nuk ka ditur te jete i tille me vepra. Fjalet gjithmone humbasin ne egersine e eres dimerore, kurse vepra pothuaj nuk kemi.
Nuk kemi si t'i shprehim mirenjohje Amerikes dhe shteteve te Europes kur po luftojme te zhytur ne injorance kunder vlerave njerezore, kunder kultures sone dhe te Europes, kunder Zotit ne perkrahje te djallit.
Prandaj Shqiperise se Plote i duhen shume Lisa e Gazulle, ose do mjaftoheheshim edhe me gjysem te tille.
Atehere do jete rikthyer shqiptari, atehere do jemi perkrah miqve tane amerikane e europiane dhe jo zhulca shkretetirash qe nuk jane ne gjendje t'i japin as nje shpulle te lehte injorances se tyre.
Komente tek zemrashqiptare
Mirënjohje
Daniel Gàzulli 21-03-2011, 10:31pm
Mirënjohja, ky virtyt i paçmueshëm njerëzor, nuk asht një stoli, por një detyrim ndaj atyne që iu gjetën shqiptarëve në dit krejt afër kataklzimës kombtare. Një ditë e tillë, festë kombtare, ka simbolikën e saj. Por mirënjohja e vërtetë, e mirëfilltë, ndaj atyne që vunë në rrezik jetën e bijëve të tyne, pa folë për impenjimin e pallogaritshëm ekonomik, do të ishte përmbushja e andrrave të atdhetarëve: një liri me themel, e tillë që të presupuzojë të drejtën dhe mirëqenjen. Ç’ngjyra do të kishte ajo dittë simbolike, e shejtë, po, por e përlyeme në këtë rrugëtim dymbëdhjetëvjeçar nga kaq shëmtime, qoftë në plan kombtar, ashtu edhe nejrëzor e shoqnor. Besoj se edhe miqtë, ata që na ndihmuen e sakrifikuen bashkë me martirët tanë, do të ishin ma të gëzuem nëse mirënjohjen do të shprehnim në shpalosjen e shtetit të së drejtës e të demokracisë së vërtetë.
Mergimtari 23-03-2011, 04:05am
Leni , mo Lisin se asht legjende.filosof dhe analist i pabesueshem,shkrimet e tij me mahnisin.
Kam lexue shkrimin , "lindja ime" ,dicka speciale,dicka e pershkruar aq bukur, saqe ia kalon edhe Spases se ndjere,apo Ramiz Kelmendit apo edhe Kadarese.
Edhepse ,besoj se punon edhe vepron ne mergim ,ne Gjermani por shkrimet e tij jane studjuese dhe evidente - gje qe eshte e habitshme.
Neve sikur te kishim qene, te shkolluar ,qe ne 1878 ,dyshoj se serbet do na kishim bere ,keto qe na bene.
Po keto muhabete tia lame Lis Bukuroces , e ne te tjeret vetem te lexojme dhe te mesojme.
Pershendetje nga Mel.Aus.
Teme e qellume
Krist Gjinaj 22-03-2011, 02:54pm
I nderumi Lis !
Tema e jote dhe kerkesa janë plot me vend dhe e qellume.
Por, perderisa ne Kosovë asht nji qeveri dhe udheheqje islamike e antikombtare por ma shumë antiamerikan , kjo nuk ka mundsi të realizohet, sepse Tora-Bora shqiptare nuk i perfill kto.
Kjo qeveri që ka ne kry të vetit nji minister të kultures wehabiste, nji kryeminister e nji kryetar poashtu me primje islame , atehere për me e realizu planin e kerkesen tande me vend duhet me e ba nji hap shumë të madhë e edhe të gjatë për me u realizu kjo.
Une të uroj per temen e të pergzoj.
I madh dhe i fort si LISI...
alamet Zefi 22-03-2011, 11:00am
LIS,prej premshit e kam shkruajtun me dhjetra her,dhe e kam fshi po aq her ket shkrim,duke u munu me i gjet fjalet ma te bukura per te ju dhan nje kompliment per shkrimin!!
Dhe ma ne fun e pash se gjdo kompliment qe jua bej eshte i vogel dhe eshte nje hiq ne krahasim me shkrimin e juaj.
Dhe ne perfundim vedosa te ju them vetem-
ju FALEMINERES o LIS......
Bukur shume ke shkruar or Lis i larte....
Eduard M. Dilo 22-03-2011, 02:23am
Duhet ti jemi mirenjohes Amerikes qe shpetoi nga shfarosja masive popullin tone kosovar, autotkton ne trojet e veta qekurse esht krijuar bota. Shkrim i shkruar me ndjenje te larte dashurie e mirenjohje te pa kufi per kete dite qe ne vertet per ne esht e Shenjte e te Shtrenjte, ose: 'Dite e Falnderimeve"-si propozon Lis Bukuroca. Mbeshtes mendimin e Ilirit ku thote se " Shqiperise se Plote i duhen shume Lisa e Gazulle", duke plotesuar qe i duhen dhe Ilire e Ibrahim Rugove te tjere.
Ide e shkelqyeshme
Pal Ndrecaj 22-03-2011, 02:18am
I dashur Lis,
Ideja juaj per te shenuar ne kete menyre diten e çlirimit te Kosoves eshte shume interesante. Te pergezoj dhe te uroj gjitha te mirat!
Lis,kam 2 pyetje.
Lulzimi 22-03-2011, 12:05am
1.Ku do te mirren 78 Topa,kur Fsk-ja,nuk ka pushke,te mbushura me plumbe,por vetem per parada,apo ndoshta keto 78 topa do te huazohen nga forcat e Kforit.
2.Kjo dite e bekuar e 12 qeshorit 1999,nuk harrohet edhe me Okupimin e Veriut te Mitrovices me Ushtare Francez,nga marrveshja e Kumanoves,ku nuk ishte asnje perfaqesues i Uck-se.
Kjo Ide e juaj eshte e qelluar,por vetem atehere kur jemi ne gjendje te ruajm kufijte tane,me ushtare shqiptare,dhe JO me ushtare te Natos.
Jurist
Atdhetari 26-03-2011, 03:56pm
Zoti LIS BUKUROCA te falenderoj shum per kete shkrim dhe te vertet historike qe ka populli shqiptare, por ju jeni njeri shum i qmuar qe po gjeni kohe kaq mire me paraqitur dhe me shkruar anen Kombetare te ketij populli shqiptare.
Jam lexues shum i rregullt i shkrimeve tuja dhe jetofsh sa malet
Diten e mire.
!!!
alamet Zefi 24-03-2011, 05:30pm
Zotni i nderuari LIS,me te drejt e beni ket pytje,"A mund ta bejme ne nje feste te tille?", dhe ne njefar dore vini edhe te nje konstatim i dheimbshem po shume REAL,e ai eshte ky"Kemi humbur ekulibrin dhe pare ne teresi skenen tone, krijohet bindja se e paskemi cliruar vet Kosoven."
Gjdo popell ne bot ka te drejt per mite,dhe per HERONJ,ama une mendoj,qe ne skemi nevoj per heroj te rejshem!!
Neve kemi boll heroj te vertet edhe te kesaj lufte,sdua te i fry eres krahinore,te rafshit te dugagjinit apo te drenices apo te gollakut e ku ta di une se qfare,se me ju than te drejten jam i operuar nga keto ndamje qysh moti.
S'muj me e kuptu se si nje ven i vogel sa Kosove te ndahet ne aq nahi!!!Po nejse te i kthemi realitetit te hidhur te Kosoves.Ne shum raste per mendimin tim MARTIRET e luftes per interesa partijake dhe krahinore dojne te i bejne medoemos heroj!!!!!!!
Dhe keshtu ne ket gar te quditshma ku shtyhen se cili kryefshatar ka ba ma shum per fshatin e vet, arohen edhe vlerat e verteta.
Per mendimin tim herojt e luftes vdesin ne fushbetej,e jo neper shtepi,qfar s'don te thot se vdekja e te dyteve eshte ma e pavler se e te pareve.
Se shum mir dihet se si ka reaguar edhe NATO,mas masakres se Reqakut,te cilet per mendimin tim jan MARTIR te luftes se funit,dhe asesi se meritojn qe keta MARTIR te permenen vetem ne diten e masakres ndaj tyne!!
Keta dhe shum martir te tjer duhen permen gjdo dit,sikur se duhet permen gjdo dit edhe herojte tane,po asesi s'duhet haruar ndihmen qe na e beri bashksija nderkomtare me ne krye me MIKUN TON AMERIKEN.
Besoj dhe shpresoj se s'do te keqinterprtohen fjalt e mija,me ket shpres ju pershendes te gjithve e ne veqanti LISIN e madh..
Dhe per ne fun edhe nja dy reshta te komentit te Zotnis se nderuar LISIT.
"Ne çdo dite jemi duke humbur miq dhe kjo do të ndikojë qe të lihemi në harresë. Me çdo gabim tonin, rehabilitojme Serbine. Nuk kemi vetem nje qe gabon, por kemi dhjetera që merren me perbaltjen e ketij kombi... "
Kommentar veröffentlichen