28.01.2012

Lëçitja- Gazeta Shekulli


Lëçitja bëhet dhe do të zbatohet pikë për pikë duke respektuar ligjin. Nuk do të ketë asnjë lëshim. Për shmangien nga rruga e drejtë, neni 475 parasheh se si duhet lëçitur prokuroja, hanëmja, Ina Rama dhe kryetari i shteti shqiptar, shkëlqesia e tij, sulltani, Bamir Topi. Lëçitja nuk bëhet vetëm pse kanë thyer rregullat e pleqnisë, por edhe pse zonja ka një mbiemër që ngjall neveri dhe është irritues në katund. I dyti mban një mbiemër, që duhet ndaluar me ligj. Ai mbiemër paraqet rrezik për paqen publike dhe e tmerron katundin. Lëçitja bëhet edhe për të faktuar se ligji funksion dhe se askush nuk do të kursehet, pa marrë parasysh se a janë ata jeniçerë, spahi, agallarë, pashallarë apo kadi. Neni 475 është konsumuar tërësisht dhe do të zbatohet me përpikëri dhe me seriozitetin më të madh të insanit.

Dënimet që jep Kanuja simbas mbrapshtinash:

1) e hekmja e armës prej të zot t’shpisë a bajraktarit me vojvodë e djelmni
2) gjoba me gja’ e pare
3) pashtraku
4) lëçitja prej kushrijve, katundit, fisit a bajrakut
5) djegia e shpisë dhe e premja e pemëve
6) e nxjerrmja prej bajraku me gjindët e shpisë, lanja e tokës djerr’ tri vjet
7) vrasa katundisht prej fisit a bajrakut

Mirëpo, shqyrtimi kryesor nuk do të bëhet tani për shkak të besës së madhe dhe do të shtyhet deri në zgjedhjen e sulltanit dhe kadiut të ri. Kadiu i ri do të shqyrtojë të gjitha pikat nga neni 475 në mënyrë më serioze dhe do të sjellë dënimin më të merituar. Për këtë keni garanci të plotë. Pika 1 dhe 4 janë në zbatim e sipër, si masa parandaluese. Pika 5 do të nisë të zbatohet në pjesën e dytë, sepse ata kanë ngrënë shumë molla, molla që i ka ndaluar Zoti personalisht. Kjo nuk mund të tolerohet, kjo nuk mund të anashkalohet dhe nuk mund të injorohet ashtu lehtë. Nga mollët ata kanë përfituar njohuri të reja, njohuri që do të dëmtojnë lirinë e tyre. Kjo nuk mund do mbetet e pa ndëshkuar, sepse Zoti mund të dënojë krejt katundin për mollët që kanë ngrënë këta dy heretikë. Së shpejti, mirëpo, do të shqyrtohet shumë seriozisht edhe pika 6. Me pikën 2 dhe 7 do të merret kadiu me përgjegjësinë më të plotë që ia imponon detyra e tij madhore.
Ndërkohë, do të përballet me lëçitjen Kreshtë Spahiu. Për fat të keq, edhe ky ka braktisur rrugën e drejtë dhe po punon në bashkimin e katundeve shqiptare. Ky fakt do të pezmatonte vëllezërit tanë grek dhe serb; kjo nuk do të lejohet as edhe në ëndërr. Të njëjta ligje, do të zbatohen edhe kundër “faqeziut” të pa identitet. Pleqnija do të mblidhet së shpejti.
Përveç kësaj, do të merret në shqyrtim edhe neni 600 për çnderim, kur ndera i merret burrit dhe kjo është përkufizuar mirë dhe qartë nën pikën 1 dhe ajo është konsumuar e tejkonsumuar: “Me i thanë kush se rren faqe burrave të mbledhun në kuvend…” Ata e kanë bërë këtë, nuk e mohojnë, prandaj as këtu nuk do të ketë dyshime se kadiu i ri do ta pranojë si vepër të kryer.
Nëse nenet 475 dhe 600 nuk janë të mjaftueshëm, atëherë në ndihmë do të merret edhe paragrafi 25 nga dekreti “Ad Extirpanda“ i Papës Inonçenti nga viti 1252 dhe aty thuhet qartë: “… errores suos expresse fateri, et accusare alios haereticos quos sciunt …“, pra “ t‘ i pranojnë shprehimisht gabimet e tyre dhe të akuzojnë heretik tjerë që njohin ata”. Sipas këtij paragrafi, ata nuk do të kenë të drejtë të mos pranojnë fajin. Ky paragraf është shumë interesant dhe shumë i rëndësishëm për t’i diktuar dhe ndjekur edhe heretikët e tjerë apo ndriçuar mbrapshtinat e tjera. Mos keni asnjë dyshim, çështja do të jetë tej për tej transparente, do të jetë maksimalisht e faktuar dhe do të përfundoj me nder të madh. Mirëpo, nëse edhe ky paragraf nuk kënaq drejtësinë, atëherë shumë seriozisht do të shqyrtohen edhe veprimtaria e tyre armiqësore në favor të agjenturave të jashtme, si: UDB, KGB dhe FBI. Ka shumë prova se ata janë agjentë të huaj dhe bashkëpunojnë me reaksionin e jashtëm; me revizionistët dhe me borgjezinë dekadente perëndimore. Për këto ekzistojnë edhe dokumente dhe incizime. Çdo gjë është e faktuar dhe do t’i dorëzohen kadiut të ri. Nuk ka asnjë dyshim se do të dënohen për blasfemi, sakrilegj dhe magji. Këta do të jenë heretikë e fundit në fisin tonë të mirë dhe të butë…

E viva el comandante Fidel !!!
Gazeta Shekulli


Keine Kommentare: