07.01.2013

Thirrje z. Sali Berisha

për vlerësim objektiv të  Fan Nolit, Luigj Gurakuqit dhe Faik Konicës

I nderuar z. Sali Berisha, Kryeminstër i sotëm i Shqipërisë, në fjalën tuaj që mbajtët në përurimin e përmendores së Ahmet Zogut të I, ish Mbretit të Shqipërisë, ju i quajtët kundërshtarët e tij të vitit 1924, “nje grusht aventurierësh që organizuan kundër tij grushtin e shtetit”.
Ju duhet ta dini fort mirë se Fan S. Noli, Luigj Gurakuqi, Padre Gjergj Fishta, Stavro Vinjau, Shefqet Korca, Bajram Curri me shokë, që vepronin në atdhe dhe Faik Konica me shokë që vepronin në SHBA, etj, etj, të cilët në vitin 1924 ishin kundërshtarë të Ahmet Zogut e të Xhafer Ypit me shokë, nuk ishin aspak aventurierë, por atdhetarë idealistë që luftonin për evropianizimin e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar. Me shprehjen tuaj të pakontrolluar ju keni fyer idealistët më të mirë të kombit tonë dhe ndjenjat atdhetare të shumicës së popullit shqiptar. Ju ia keni bërë qefin vetëm armiqve të Shqipërisë, atyre që kanë hedhur dhe hedhin baltë mbi vlerat tona qytetare, politike, morale, atdhetare, kulturore, etj.
Ju duhet t'i kërkoni të falur publike popullit shqiptar për këtë fyerje të rëndë.
Vetë Ahmet Zogu, i cili ka merita për mëkëmbjen e shtetit shqiptar, nuk i quajti kurrë aventurierë këta kundërshtarë, por edhe pasi i mundi me ndihmën e qeverisë jugosllave, duke ua njohur meritat, u kërkoi bashkëpunim. Dhe ata që ishin gjallë pas mesit të vitit 1925 e mbështetën dhe ai i mbështeti. 
Figurat e politikanëve shqiptarë të të gjitha kohëve duhen parë me dritë hijet e tyre, dhe vitet 1923-1925 nuk janë vite të shkëlqimit të A. Zogut...
Ne që ju këshillojmë të kërkoni të falur për gabimin e bërë e duam objektivitetin shkencor dhe korrektesën politike më shumë, se ata që mbajnë gojën mbyllur, ose duartrokasin edhe kur gabohet rëndë.

Ilia S. Karanxha, studjues, Itali.
Lek Pervizi, i përndjekur, botues i rev. Kuq e Zi, Belgjikë.
Naser Aliu (Lis Bukuroca), analist, Gjermani.
Natasha Lako, poete, ish-deputete e PD-së në legjislaturën e parë.
Naum Prifti, shkrimtar, USA.
Pëllumb Kulla, shkrimtar, analist, USA.
Thanas L. Gjika, studjues, USA.
Vasil QESARI France Télévisions, Francë
Raimonda Moisiu, shkrimtare e publiciste SHBA

Keine Kommentare: