1.Të jesh europian
domethënë ta respektosh ligjin, që ka aprovuar Kuvendi yt, nga njerëz të
zgjedhur nga kombi yt dhe të jetosh konform kushtetutës
2. Të jesh europian
domethënë ta denoncosh thyerjen e ligjit dhe dëmtimin e shtetit
4. Të jesh europian
domethënë të turpërohesh pse ke thyer ligjin e vendit tënd
5. Të jesh europian
domethënë të mos ndihesh kompetent për vetëgjyqësi, por t’i drejtohesh
administratës shtetërore, që paguhet për rendin publik
6.Të jesh europian
domethënë ta denoncosh njeriun, që pasurohet në mënyrë kundërligjore, për ta
penguar pasurimin e padrejtë, pushtetin e tij në të ardhmen dhe depërtimin e krimit
edhe në administratë shtetërore
7.Të jesh europian
domethënë policinë ta perceptosh si mike, si kujdestare në dobi të vendit
8. Të jesh europian
domethënë të kujdesesh për të mos dëmtuar imazhin e shtetit, ta duash me
xhelozi, sepse aty dëmtohet kombi
9.Të jesh europian
domethënë të mos i ndalosh Askujt, Asgjë që ia garanton kushtetuta: aq më pak
motrës, bashkëshortes, fëmijës apo të panjohurit
10.Të jesh europian
domethënë të tundesh para semaforit të kuq rreth orës dy të mëngjesit, sapo ke
dalë nga diskoteka i dehur dhe të presësh llambën e gjelbër, edhe pse nuk kalon
asnjë makinë
11.Të jesh europian
domethënë t’ i luftosh abuzimet brenda shtetit dhe ta ruash atë si pronën
tënde. Shteti i keq shpërfytyron dhe dhunon atdheun
12.Të jesh europian
domethënë ta respektosh sferën private të njeriut, autonominë e tij, pa dallim
gjinie
13. Të jesh europian
domethënë ta respektosh dinjitetin e njeriut, pa dallim gjinie
14. Të jesh europian
domethënë t‘i gëzohesh lindjes së fëmijës pa çarë kokën për gjininë
15. Të jesh europian
domethënë të mos vrasësh embrionet femërore
16.Të jesh europian
domethënë t’ i gëzohesh rënies në dashuri të bijës apo motrës, po ashtu si i
gëzohesh rënies në dashuri, të djalit apo vëllait
17. Të jesh europian
domethënë të gëzohesh për martesën e bijës, ose motrës; të hedhish valle, ashtu
si kërcen për martesën e djalit apo vëllait
18. Të jesh europian
domethënë të mos e konsiderosh veten tutor të bijës, motrës apo bashkëshortes
19.Të jesh europian
domethënë dashurinë ta konsiderosh ndjenjë fisnike, që i duhet njeriut për ta
ruajtur jetën dhe krijuar ekuilibrin shpirtëror. Dashuria nuk është turp. Ajo
nuk është sëmundje. Ajo është domosdoshmëri dhe shfaqe e natyrshme tek njerzit
e shëndoshë
20.Të jesh europian
domethënë t‘ i gjendesh fëmijës pranë kur ka brenga dashurie
21.
Të jesh europian
domethënë të mos martohesh në shtëpinë e prindërve, por në banesën apo shtëpinë
tënde
22. Të jesh europian
domethënë ta ndash trashëgiminë në mënyrë të barabartë në mes bijave dhe bijve
- Të jesh europian domethënë të mos ndërhysh në dashuri, aq më pak në
martesë dhe zgjedhjen e partneres/it; as tek bija, as tek motra, as tek
vëllai, as tek biri. Çdo njeri jeton një herë dhe duhet të jetojë me atë
që i pëlqen atij, jo me atë që u pëlqen tjerëve. Dashuria nuk mësohet, ajo
lindet në mes dy njerëzve të lirë
- Të jesh europian domethënë të arrihet mëvetësia, si nga prindërit,
ashtu edhe nga shteti
- Të jesh europian domethënë të mos i përzihesh fëmijëve në jetë pas
moshës madhore
- Të jesh europian domethënë ta denoncosh dhunën kundër grave dhe
fëmijëve: kundër atit apo burrit. Dhunuesi nuk e ka vendin në shtëpi, ai
ka vendin në burg
- Të jesh europian domethënë ta perceptosh gjininë femërore si njeri, si gjithë të tjerët: pa paragjykime
- Të jesh europian domethënë në klasën e gjashtë të mësosh edukatën
seksuale, pastaj në të nëntën dhe kështu evitohen shtatzënitë e hershem
apo sëmundjet infektive seksuale. Nga dija nuk dëmtohet njeriu, njeriu
dëmtohet nga injoranca
- Të jesh europian domethënë ta marrish seriozisht kujdestarinë,
rritjen, edukimin dhe moslënien e fëmijëve pa profesion
- Të jesh europian domethënë të të vijë turp nëse jeton nga lekët e fëmijëve apo të shtetit: të ruash lekë për fëmijët, për ardhmërinë e tyre, për t’ i lehtësuar hyrjen në jetë duke ndihmuar materialisht startin e tyre dhe duke respektuar individualitetin e tyre
- Të jesh europian domethënë të mos përpiqesh t‘ i realizosh ëndrrat tua
nëpërmjet fëmijës. Fëmija ka ëndrrat e veta
- Të jesh europian domethënë të gëzohen gruaja dhe fëmijët kur kthehesh
në shtëpi. Nëse nuk e bëjnë, aty nuk ka pasur dashuri, por dominim dhe
traumatizime si defekte më të mëdha në ecurinë edukative. Shtëpia është
vendi i dashurisë, jo kazermë
- Të jesh europian domethënë të të vijë turp nëse gjatë një jete, nuk ke
kursyer lekë për varrimin dhe këto shpenzime, duhet t’ i marrë përsipër
arka shtetërore apo fëmijët
- Të jesh europian domethënë ta parapaguash edhe vendvarrimin, edhe arkivolin, edhe gurin para se të kesh vdekur. Vdekjes nuk i ka shpëtuar Ajnshtajni, e nuk i shpëton as Ti
- Të jesh europian domethënë të mos urresh asnjë fqinj, por të kujdesesh
me punë për ta treguar dashurinë ndaj shtetit tënd, nëpërmjet tij, ndaj
atdheut
- Të jesh europian domethënë të mos mburresh me veprat heroike gjatë
historisë, por me kontributin tënd, sot. Veprat historike janë çështje të
historianëve.
- Të jesh europian domethënë ta ndihmosh gruan në punët e shtëpisë, edhe
nëse nuk është e punësuar:” Unë të dua”, i thuhet asaj edhe duke e
ndihmuar: duke larë pjatat apo përgatitur gjellën, duke pastruar shtëpinë,
natyrisht nëse nuk konsiderohet ditën nënë, natën grua, ose nëse nuk konsiderohet
skllave ditën, skllave natën
- Të jesh europian domethënë në pleqëri të strehohesh në shtëpinë e
pleqve apo fëmijët të kujdesen për prindërit, pa i dhënë vetes të drejta
që nusja e djalit, të shndërrohet në infermiere personale të vjehrrit apo
vjehrrës. Ata nuk duhen në mes vete, ata respektohen
- Të jesh europian domethënë të respektosh jetën e tjetrit pa u
përpjekur për t’ i ndryshuar
orientimin seksual
- Të jesh europian domethënë ta pranosh homoseksualizmin si shfaqje e
rëndomtë dhe të mos mëtosh të bëhesh padron i jetës së huaj. Homoseksualizmi
është dukuri normale në planetin Tokë.
- Të jesh europian domethënë të jesh i përpiktë, i saktë
- Të jesh europian domethënë të jesh i sinqertë dhe racional dhe
pragmatik
- Të jesh europian domethënë të punosh ngadalë, por mirë
- Të jesh europian domethënë jo të jesh viktimë e jetës, por autor i saj
- Të jesh europian domethënë të ndëshkosh me vota politikanët, që
dëmtojnë imazhin e shtetit: ai përfaqëson popullin dhe mund të mos çmohet
jashtë, nëpërmjet tij, lindin paragjykime edhe kundër kombit
- Të jesh europian domethënë ta rrëzosh kryetarin/kryeministrin sapo
nisë zaptimin e shtetit me zvarranik apo abuzon me detyrën
- Të jesh europian domethënë të punësosh njerëz kompetent dhe të aftë
për detyrën
- Të jesh europian domethënë të denoncosh diplomat e blera dhe titujt e
doktoraturave për të evituar drejtimin e saj nga mediokritetet dhe dëmin
në shoqëri
- Të jesh europian domethënë të jesh racional edhe në zënka, pa të
shkuar mendja tek dhuna fizike për imponimin e ideve, pa të shkuar mendja
në vrasje nderi
- Të jesh europian domethënë ta ndërtosh shtetin e së drejtës, që bazohet në ligje, shtetin racional në shërbim të qytetarit
Mund të vazhdohet me numërime tjera, por këto janë ato që
kapen lehtësisht në Gjermani dhe shquhen edhe në vendet tjera perëndimore...Urrejtja
ndaj kombit fqinj, nuk është tregues i patriotizmit, nuk është ndjenjë
europiane më, por tregues sesa ka
pushtuar trurin tonë dhe sa komandohemi prej urrejtjes së fqinjit. Sa na kanë
depersonalizuar ata. Urrejtja dhe hakmarrja dëmtojnë shpirtërisht poseduesin e
tyre. Vijimisht, nuk duhet urrejtur asnjë komb për rreth, por duhet urrejtur
politikanët e paaftë në pushtet. Zgjidhja gjendet tek rrëzimi i tyre.
Sepse Europa ishte një vizion i humanistëve. Sepse Europa
ishte një ëndërr e filozofëve. Sepse ajo po bëhet realitet nga politikanët; ajo
është rezultat, që bazohet në arritjet
racionale filozofike, humaniste, shkencore dhe empirike. Europa është rend i vlerave. Ajo bazohet kryekëput në
racionalen dhe kjo mundëson bashkimin e kombeve divergjent nën një kulm të
përbashkët. Vetëm vlerat universale kanë fuqinë për t‘ i bashkuar popujt e
ndryshëm, në një mendësi të përbashkët, kushtetuese. Këtë nuk ka mundur ta bëjë
asnjë ideologji pa vrasje, nënshtrim dhe skllavërim. Sepse Europa është
mirëkuptimi. Sepse Europa është e kundërta e urrejtjes. Sepse Europa është
lumturia dhe mirëqenia e individit, rrjedhimisht e popujve. Sepse Europa është
paqe në mes popujve të ndryshëm. Ajo është emancipuese e popujve.
Sepse ajo
është më shumë se iluminizmi italian, më shumë se iluminizmi francez, më shumë
se „Aufklärung-u”
gjerman dhe më shumë se “Enlightenment” anglez. Europa është më shumë se
gjitha ato lëvizje iluministe të popujve, sepse i bashkon të gjitha ato dhe
bëhet sintezë e tyre dhe është artikulim i dijetarëve më të mëdhenj me qëllime
humaniste, iluministe, universale. Idetë e tyre, përthyhen në Kushtetutën e
saj. Duke u nisur nga Berkli, Kanti, Volteri, Xhanone, Darvini, deri tek Habermas
e shumë të tjerë, brenda dhe pas tyre. Sepse për herë të parë në historinë
europiane shtetet dorëzojnë vullnetarisht sovranitetin e tyre në Bruksel dhe
vullnetarisht asgjësojnë kufijtë dhe
vullnetarisht pranojnë monedhën e njëjtë.
Europa është projekti më i madh i
paqes, që është bërë në mënyrë vullnetare në Tokë dhe atë, pa i mohuar dikujt
të drejtën për ta injoruar. Pa detyruar njeri t‘ i besojë vlerave të saja dhe
pa i mbyllur derën vendeve që dëshirojnë dhe besojnë në vlerat e saja. Projekti
Europë është Rilindja e Madhe Europiane,
është shekulli i dritave europiane, është iluminizmi i kombeve
europiane, që
bazohet në arsye e shëndoshë, në zhvillimin filozofik, psikologjik,
sociologjik, e antropologjik. Sepse Europa bazohet në të arriturat shkencore
dhe është në lëvizje të vazhdueshme. Europa nuk është dogmë, por pasqyrë e
vlerave universale, racionale. Europa është fisnikëri sepse bazohet në idealin
e madh njerëzor: në lirinë e individit pa dallim gjinie, origjine, ngjyre dhe
besimi.
Sepse lumturia e njeriut varet nga hapësira dhe doza e lirisë, nga
mirëqenia dhe nga mundësia për të qenë arkitekt i jetës. Sepse Europa është
kontinent përgjithësisht i njerëzve të lumtur, me liri dhe barazi të plota.
Sepse Europa hyjnizon lirinë dhe dinjitetin e njeriut. Sepse Europa është
ëndrra e popujve për të jetuar në paqe pa vrarë njëri tjetrin, duke punuar me
njërin tjetrin, duke përfituar nga njëri tjetri, duke u solidarizuar me njëri
tjetrin, edhe atë, jo individët, por shtetet dhe nëpërmjet tyre, popujt. Europa
ecën para sepse Kushtetuta e saj është emancipuesja më e madhe e këtij
kontinenti dhe popujve divergjent, me rrezatim të madh edhe jashtë vetes.
Ajo u
garanton popujve paqe dhe liri dhe mbrojtje, rrjedhimisht synon lumturinë e
individit. Dhe, krejt këta vagonë europian, tërhiqen nga lokomotiva gjermane, e
shëndoshë dhe e lubrifikuar mirë; nga kombi i poetëve dhe filozofëve dhe
shkrimtarëve të mëdhenj, të cilin e shkrumboi fashizmi duke e shndërruar në
gërmadhë tok me Europën, por ky popull, si sfinks, 15 vite pas luftës, u bë
ekonomikisht më i fuqishëm se disa vende që e kishin pushtuar dhe copëtuar. Në
vitin 1960 festoi mrekullinë
ekonomike. Edhe atë, vetëm me punë dhe parime të qarta humane. Pasojë e
asaj traume, është sot Europa paqësore. Kjo është Europa. Merre ose lëre. Përqafoje,
ose hidhe. Ajo nuk dëshpërohet. Ajo nuk
ta mohon të drejtën për t‘ i rënë mohut,
për ta injoruar vlerën e saj, për ta sharë e qortuar e kundërshtuar. Ajo
mund të gërvishet, por jo të pengohet drejt cakut. Sepse është tepër e madhe, tepër
zemërgjerë dhe shumë e fuqishme...
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen