29.01.2013

Histeria nacionaliste, Gazeta Dita


Është fakt se patriotët themeluan një ushtri dhe ranë dëshmorë, por gjithashtu është fakt se u nënshkrua një deklaratë për përfundimin e luftës pa asnjë kusht për përmirësimin e gjendjes shqiptare. Ata sigurisht kanë pasur pretendime të tilla, por mungoi mbështetja. Nëse vështrohet sot gjendja, atëherë mund të konstatohet kjo: mijëra shqiptarë braktisën Luginën. Struktura e popullsisë ndryshon çdo ditë dhe po kolonizohet me serb. Edhe këto janë fakte.

Është fakt se Lugina është tokë shqiptare, por gjithashtu është fakt se gjendet nën sovranitetin serb. Këtë e dimë të gjithë. Dimë edhe këtë: Perëndimi nuk pranon ndryshimin e kufijve. Nuk pajtohet me ndryshimin e kufijve të Kosovës, nuk pajtohet me ndryshimin e kufijve të Serbisë e gjetiu në Ballkan, edhe pse nacionalistët e Ballkanit, do të  kënaqeshim duke u kënaqur me luftë kundër njëri tjetrit: ne duke dashur të rifitojmë sedrën kombëtare dhe territoriale, nacionalistët fqinj duke na kërcënuar se na kanë marrë pak dhe se do t’ ishin në gjendje të na copëtonin akoma më shumë. 

Ne nuk mundëm t’ i kthejmë ata në Karpate, ata nuk mundën të na dëbojnë të gjithëve dhe nga kjo gjendje faktike, duhet të  mësojmë dialektikën dhe gjuhën e ardhmërisë: ashtu si u detyruan ta mësojnë francezët dhe gjermanët.

Është fakt se Kosova përpiqet të integrojë serbet po “aq mirë”, sa edhe Serbia shqiptarët në jug. Edhe në Kosovë po kërkojmë bashkëpunëtorë, që sa për sy e faqe shfaqen si patriot serb, por që praktikisht mbrojnë interesat kosovare. Edhe Kosova po kërkon serb të ndershëm, që kanë një ” viç” në fund të mbiemrit, por ata duke pasur përkrahjen materiale të Serbisë, nuk ndjejnë nevojë të shndërrohen në patriot vetëm ekspresiv apo në zvarranikë.

Kryetari i Preshevës pat premtuar edhe dorëheqjen në rast se hiqet lapidari, por politikani shqiptar vullnetarisht nuk braktisë karrigen. Kjo është traditë shekullore, kombëtare. Ata iu bashkëngjitën idesë së imponuar për të treguar se janë me popullin, por  për ta mbrojtur, nuk bënë asgjë. As ata që kishin financuar dhe ideuar atë pllakë memoriale. Ka mundur të provohet mbrojtja në mënyrë paqësore, por politikanët e Luginës, nuk patën guxim ta thërrasin popullin, edhe pse për përfitime vetjake, kanë lejuar ngritjen.

Çdo politikan që tregohet më nacionalist, shpreson të fitojë. Po luhet dhe po tallen me ndjenjat shqiptare: njëri thotë “nuk e japim Luginën”, tjetri “nuk e japim Çamërinë”, tjetri “do të bashkohemi” dhe pas dy rreshtave shton, “në Europë”, kurse nacionalistët serb, “nuk e japim Kosovën”, po fakti: Kosova është aq e Serbisë, sa Lugina e Kosovës. Lugina aq e Kosovës, sa Çamëria e Shqipërisë. Deklaratat e tyre janë emocionale, e jo racionale siç i ka hije një shteti modern dhe u shërbejnë përforcimit të pozitave. Politikanët tanë kalërojnë kalin hamshor dhe po irritojnë botën duke vepruar si dikur politikanët serb. Me “albanofobi” dhe “vandalizem” ata acaruan, ndezën dhe cytën shqiptarët. 

As në Luginë, as në Kosovë, as në Shqipëri, nuk brengosej njeri për të gjallët atje, por në Ballkanin e çoroditur, po dhunoheshin të vdekurit;  njëra palë dëshmorët shqiptarë, pala jonë nga lëndimi i sedrës, varret serbe. Mu ashtu si i konvenonte Serbisë. Qeveria serbe, si edhe në kohën e Millosheviçit, mburrej. Kjo krekosje meskine dhe primitive, shqetësonte shqiptarët dhe serbet e përjetonin si fitore ndaj faktorit shqiptar në Ballkan dhe, si të braktisur nga miqtë. Asaj mburrësie të ulët, iu përgjigjëm ashtu si nuk duhej dhe u infektuam nga sëmundja e tyre për të bërë vepra të poshtra e barbare si ato serbe. Për akte të tilla mbështetja u gjet tek ligjëratat e liderëve tanë. Perëndimi nuk na ndihmoi pse ishim si serbët, por pse dëshmuam qytetërim më të lartë. Këtë duhet ta kenë parasysh politikanët shqiptarë dhe të mos manipulojnë emocionet e popullit dhe ta shndërrojnë në popull barbar, që nesër të turpërohet nga veprat e veta.

Politikanët shqiptarë në Luginë presin që patatet e nxehta, t’ i nxjerr dikush nga zjarri, tjetri t‘ i qërojë dhe ata t’i hanë. Serbia mund të akuzohet për qindra vepra, për dhjetëra duhet paditur në Gjykatën e Strasburgut apo të Hagës: për vrasje, për dëbim masiv dhe pastrim etnik, për diskriminim në të gjitha fushat jetësore, por politika jonë, nuk merret me problemet reale të Luginës, ajo merret me shpjegimin e të kaluarës, me pleduaje kronistësh. Dhe, veprat tona, lexohen në gazetat perëndimore dhe nuk duhet hamendur për të kuptuar se çka mendon një qytetar i Perëndimit, kur lexon shprehjen e mllefit në “oborrin e paqes”, siç i quajnë në gjermanisht varret.

Ata nuk merren me krijimin e vendeve të punës, nuk merren me hapjen e akusherisë për ta mbrojtur dinjitetin e grave shqiptare, ata nuk brengosen për ndërtimin e një spital si nevojë e domosdoshme, ata nuk merren me ndërtimin e infrastrukturës rrugore, ata nuk lodhen për ngritjen e një universiteti, nuk merren me lehtësimin e kalimit të kufirit Preshevë-Kumanovë, Preshevë-Gjilan, por ata çdo ditë shkojnë në zyrat e veta dhe zbatojnë ligje serbe. Politikanët që gjoja pezmatohen për monumente, por nuk dinë të protestojnë kundër keqtrajtimit të grave, të të sëmurëve nëpër spitalet e Nishit dhe të Vrajës, nuk meritojnë mbështetje dhe vota, sepse ata nuk kuptojnë dhe nuk perceptojnë dhe nuk kapin me shqisa, as me mendje, se ku dhe si preket dinjiteti i njeriut. Ku nisë diskriminimi dhe ku përfundon poshtërimi.

Që nga 1912 qeveritarët serb, nuk kanë ardhur në Preshevë për të pirë çaj rusi, por për të uruar ushtarët apo xhandarët e vet dhe për t’i protokolluar  mjerimet që shkaktonin. Me urrejtje vetëm sa dëmtojmë veten dhe provokojmë nacionalizmin tjetër. Perëndimi po trajton Serbinë, ashtu siç kuron psikiatri një paranoid. Durim dhe medikamente qetësuese. Po përpiqet t’ i kthejë nga qielli, ku i kishte katapultuar Millosheviçi. 

Ata po kundërshtojnë, por një ditë do të detyrohen të aterrojnë, ose nga brenda, ose nga jashtë. Politikanët e Luginës shprehimisht deklarohen si patriot, por praktikisht nuk kanë organizuar asnjë protestë kundër programit qeveritar serb për ta varfëruar Luginën deri në shpërngulje masive. Politikanët shqiptarë sillen si statist. Ata vetëm flasin për numra dhe eksod, por nuk e ndjejnë veten kompetent për ta ndalur këtë. Këta protokollist i nevojiten Serbisë, sepse në fakt, me praninë e tyre në politikën serbe, i dëshmojnë botës se janë integruar dhe të barabartë, se i kemi të gjitha të drejtat, por ja që kemi një mosmarrëveshje të vogël për një monument.

“Skllavi nuk do të çlirohet, por ëndërron të bëhet skllavopronar”, e lexuar

Problemi i Luginës nxjerr në pah një vazhdë shqiptare: kemi një shtresë të zjarrtë, që është në gjendje të vdesë për atdhe, por menjëherë shfaqet grupi tjetër, finok, arrivist, që din të vdesë vetëm për karrige dhe për t’ u pasuruar vet. Edhe  në kohën romake kemi pasur perandorë, por ata nuk janë mësuar prej tyre si të çlirohemi ne, por si të bëhen pjesë e pushtetit romak për t’ i nënshtruar ilirët në mënyrë më të përkryer. 

Kemi pasur edhe vezirë në Perandorinë Osmane, por ata kanë shuar kryengritjet tona më ashpër dhe më shpejt se osmanët. Në të vërtet elitat tona kanë vazhduar të sillen si paraardhësit e tyre dhe janë bërë pjesë apo kopje e pushtetit dhunues. Kemi Berishën në Shqipëri që sillet si Enveri, nëse i rrezikohet karrigia. Mund të bëni çka të doni, me rëndësi mos t’ i suleni karriges së tij. Kemi hajninë dhe korrupsionin dhe nepotizmin dhe kriminalitetin në Kosovë, si në kohën e Serbisë. Lugina diskriminohet me shqiptarë në politikë, më tragjikisht dhe me efekte të mëdha, se sa do të na kishin bërë vet serbet. Kështu është edhe në Maqedoni. 

Me një fjalë, ata që na qeverisin, nuk duan që ne vërtetë të jemi qytetarë të lirë dhe të barabartë, por luftojnë për akomodimin e vet. Para syve të tyre, Lugina po zbrazet. Ata mbajnë procesverbale. Dhe, përgjithësisht, politikanët tanë na shtypin, na vjedhin, na diskriminojnë, na keqtrajtojnë, na rrahin, na mashtrojnë, na gënjejnë, na vrasin si pushtuesit e djeshëm dhe të sotshëm, sepse këta njohin plagët tona dhe dinë si rrëzohemi dhe si mashtrohemi dhe si qetësohemi dhe si hidhemi në dremitje apo kllapi dhjetëvjeçare.

Kosova nuk brengoset për Luginën, si dje Shqipëria që nuk ishte e interesuar për Kosovën. Ajo flet për Mitrovicën thua se nuk ekziston Lugina. Politikanët shqiptarë nuk i merr vesh njeri, ata tjerrin lesh, që nuk mund ta përdorë askush.  Shqipëria dhe Kosova kanë kryeministra, ministra dhe ambasadorë. Ata kanë mundur ta alarmojnë botën për gjendjen e mjerë në Luginë. 

Nuk e kanë bërë dhe vështirë se mund ta bëjnë, sepse Perëndimi është i zhgënjyer me ta dhe nuk i fton as për takime formale. Zëri nuk iu dëgjua as vëllait të Berishës e Hashimit, Erdoanit të Turqisë. Kjo dihej dhe nuk pritej. Ai nuk u shfaq në Ballkan për të ndihmuar shqiptarët, por për ta rritur ndikimin e  vet. Mirëpo ja që veprimtarët e Preshevës ditkan pak më shumë se sa imagjinon njeriu nga larg dhe i drejtohen Strasburgut për monumentin:

Ata nuk ngrenë akuzë në Strasburg për vrasjen e shqiptarëve
Ata nuk ngrenë akuzë  në Strasburg për dëbimin e shqiptarëve
Ata nuk ngrenë akuzë  për mosfinancimin dhe pengimin e akusherisë për gratë shqiptare
Ata nuk ngrenë akuzë  për mosfinancimin dhe pengimin e ndërtimit të një spitali për shqiptarët, klinikë për fëmijë
Ata nuk ngrenë akuzë kundër Serbisë për moshapjen e një universiteti në Luginë
Ata nuk ngrenë akuzë për degradimin e komunës në bashkësi lokale pa kompetenca
Ata nuk ngrenë akuzë në Strasburgu kundër programit serb për varfërimin e Luginës
Ata nuk ngrenë akuzë kundër diskriminimit me program shtetëror
Ata nuk ngrenë akuzë në Strasburg kundër kolonizimit të Luginës
Ata nuk ngrenë akuzë për vështirësitë kufitare në mes Kosovës dhe Maqedonisë
Ata nuk ngrenë akuzë për provimin e patentës që duhet ta bëjnë 30 kilometra larg, në Vrajë
Ata nuk merren me këto probleme të vockla, por vetëm më çështje të mëdha. Çdo pushtues do ta kishte dëshiruar një elitë të tillë politike, si ajo shqiptare në Luginë, si ajo shqiptare në Maqedoni, që firmosi diskriminimin e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe.

Po kjo gjendje e nderë në Luginë a ka zgjidhje? Po, ka. Serbia nuk është demokratizuar akoma sa duhet, por është aq demokratike sa të tolerojë kryengritje paqësore: politikanët shqiptarë mund të grumbullojnë njëqind vullnetarë, që bëjnë grevë urie në qendër të qytetit dhe të kërkohet barazia sipas ligjeve europiane. Brenda atyre njëqind vetave, të shtrihen edhe ata, nëse janë në shërbim të popullit, nëse mendojnë se duhet t’ i japin llogari elektoratit, që i ka votuar. 

Dy kryetarë të komunave shqiptare, një deputet i Skupshtinës serbe në grevë urie, me njëqind patriot shqiptarë, lajm plot bujë. Ky vetëmohim, do të ndiqej nga shtypi botëror dhe Serbia do të detyrohej ta ndryshojë programin e saj shtetëror diskriminues. Perëndimi kupton këtë gjuhë, por jo të nacionalizmit dhe të rrahjes së gjoksit kur nuk ke forcë. Po nëse bota e injoron dhe lejon vdekjen e 103 shqiptarëve, a ka edhe rrugëdalje tjetër? 

Po, ka. Na mbetet kjo që  kemi. Do të vazhdohet me eksodin si deri tani dhe do t’ i bashkëngjiten familjeve edhe dhjetëra mijëra të mbetur, në: Belgjikë, Zvicër, Gjermani, Norvegji, Itali, Suedi, Danimarkë, Kanada dhe SHBA. Dhe, pas dy dekadave, politikanët e atjeshëm do të pensionohen dhe nuk u nevojitet më popull votues dhe nuk do të ketë. Pasi të ndryshojë struktura e popullsisë, atëherë do të quhet “Srpska Dolina” (Lugina Serbe). 

Nëse heshtet si deri tani, Serbia mund të bëhet pjesë e BE-së duke diskriminuar shqiptarët si në kohën e Millosheviçit. Kjo nuk duhet lejuar. Për ta fituar lirinë Kosova, pat paguar çmim të lartë çdo shqiptar i saj dhe ka lënguar çdo shqiptarë në botë. Për ta fituar barazinë Lugina, nuk duhet luftë dhe urrejtje, por  pikë së pari gatishmëri për vetëmohim. Kështu fitohet empatia e botës përparimtare, mirëpo meqenëse politikanët e Preshevës nuk rrezikojnë karriget e tyre, atëherë do të vazhdohet me protokollimin e humbjeve...

Histeria nacionaliste, gazeta Dita

Keine Kommentare: