16.02.2013

Kështu foli Lulzim Basha/ Shekulli


(publikuar më 5 maj 2011, fshirë sepse nuk shfaqej si duhet)

Posedimi i shtatë pasaportave nuk është për qëllime të liga, por masë preventive. Preventive sepse shteti jonë nuk është akoma i qëndrueshëm dhe komunistët mund edhe ta shembin apo ta hedhin në ajër: me eksplodime! Siç hodhën Gërdecin maskarenjtë! Siç i vranë katër veta në protestë!
Disa qarqe reaksionare, qytetarë të dashur, dëshirojnë ta shohin pasaportën me shtatë numra apo shtatë pasaportat e mia. Për këtë nuk dua të flas shumë publikisht. Besoj se ju njihni mirë numrin shtatë dhe domethënien e tij. Sepse numri shtatë ka vlerë shumë më të madhe se sa 007. Është në interes shumë të madh nacional, të atdheut tonë të dashur të mos bëhet publike, thjesht sepse 007  domethënë dy herë hiç e një herë shtatë, kurse unë Lul Basha, me shtatët pasaporta, jam shtatë herë shtatë!
Qytetarë të dashur të Tiranës, ju me besim dhe vullnet të mirë: edhe në vendet tjera demokratike njerëzit posedojnë nga disa pasaporta. Guvernatori i “Cosa Nostra-s” ka gjithashtu disa pasaporta dhe nuk e kritikon njeri. Guvernatori i “Camorra-s” ka së paku tri pasaporta dhe kjo është në rregull. Guvernatori i “Ndragetës” në Kalabri ka së paku tri pasaporta. Siç mund të shihni nga këto fakte relevante, në vende me demokraci më të moçme se e jona, është krejtësisht normale.

Qytetarë shumë të dashur të Tiranës: nëse më votoni mua ju garantoj se në fillim do ta integroj jugun e Shqipërisë në BEE, edhe atë menjëherë pas zgjedhjeve. Ne jemi duke punuar me zell dhe intensivisht për t’ i mundësuar çdo qytetari të jugu t’ i marrë së paku dy pasaporta: një greke, një shqiptare. Duke marrë pasaportën greke, ata do të jenë sa çel e mbyllë sytë qytetarë të barabartë të Unionit Europian. Kjo flet për dëshirën time për ta përparuar vendin dhe të mos jem individi i vetëm me shumë pasaporta. Por edhe ju. Pra, qytetarë të dashur, unë mendoj, ju jeni. Unë nuk jam si Rene Dekarti egoist e të them: unë mendoj, pra jam, por, unë mendoj, ju jeni!
Pasi ta fusim jugun në Unionin Europian, qytetarë të ëmbël,  do të bëjmë çdo gjë për ta furnizuar edhe veriun me pasaporta italiane, menjëherë pas bërllokut dhe centralit atomik. Kështu veriu dhe jugu do të jenë pjesë të BE, ndërkaq, jemi marrë vesh që qendra, pra as jugu e as veriu, të mbeten në Konferencën Islamike, sepse kështu është më mirë për vendin tonë të dashur dhe të pandarë. Të pacopëzuar, qytetarë të dashur dhe besimplotë të Tiranës.

Qytetarë të dashur të Tiranës: siç dini ju, ne kemi një pjesë të detit Jon që dëmton atdheun tonë të bukur. Dhe, qytetarë të dashur, ajo pjesë e detit ka krijuar metastazë dhe ka përfshirë edhe territorin e jugut dhe prandaj, për ta mbajtur vendin me shëndet, ne po punojmë për amputimin e këtij tumori malinj. Ne kemi detyruar Greqinë të pranojë regjistrimin e popullsisë edhe në bazë fetare. Fundi i fundit, siç detyruam Italinë të sjellë tepricat në Shqipëri, sepse ne kemi interes...

Qytetarë të dashur dhe besimplotë të Tiranës, ju besimlehtë, ju qytetarë që nuk keni vështirësi të besoni: më votoni mua, ju lutem. Ju, tiranas të dashur, edhe ju që keni nostalgji për Enver Hoxhën, ju lutem më votoni mua, sepse udhëheqësi i Partisë time është formuar, ngritur, ngjeshur, skalitur, tunduar, tundur, latuar, farkuar, larë , krehur dhe veshur pikërisht nga xhaxhi juaj. Ne jemi e vetmja parti që kemi në krye pikërisht atë që ju dashuroni, që me mall e përkujtoni.
Ne kemi programin demokratik ashtu si e pëlqeni ju në Europë, por drejtuesin e partisë e kemi atë që na e fali, na e rriti dhe edukoi xhaxhi, prandaj, ju lutem, më votoni mua, sepse ne jemi edhe demokrat, por në krye jemi stalinist, ashtu si ju pëlqente juve dikur.  Ashtu si ju pëlqen juve sot!  
Duke më votuar mua, do të falënderoni vizionarin, xhaxhin që na dhuroi Partinë Demokratike, qytetarë të dashur. Nëse më votoni mua, atëherë do të falënderoni xhaxhin në mënyrë kolektive. Xhaxhi që na kishte përgatitur këtë befasi, xhaxhi që kishte paraparë ardhmërinë dhe kishte mbajtur të strukur, të fshehur në Partinë e Punës demokratin më të madh që ka lindur ky komb, që nga krijimi i rruzullit, shokun dhe zotin: Sali Berisha. Prandaj, meqenëse Enver Hoxha na bëri këtë dhuratë kaq të madhe, atëherë, duke më votuar mua, tregoni edhe mirënjohjen ndaj pinjollit të tij dhe xhaxhit personalisht.

Qytetarë të mirë dhe shumë të dashur të Tiranës: ne jemi e vetmja parti në Europë: Centaur Parti: deri në bel jemi stalinist, prej rripi e te poshtë jemi demokrat. Apo thënë më mirë, organet gjenitale i kemi demokratike dhe i fusim ku na pëlqen e kujt na pëlqen dhe mund të ngrenë krye sa herë të duan, por edhe këmbët qytetarë të dashur i kemi demokratike: ato mund të largohen sa herë të duam ne, jo kur të dojë reaksioni i jashtëm. Ja pse na nevojiten disa pasaporta qytetarë  ëmbëlak dhe besimplotë të Tiranës.
Qytetarë të dashur:  po i them edhe ca fjalë për disa akuza të pabaza. Ja e vërteta: unë kam blerë shtëpinë në Holandë në vitin 2014 nga pronari që kishte vdekur në vitin 2013. Kredinë për këtë shtëpi e kam marrë nga një bankë futuriste e Greqisë në vitin 2015. Në vitin 2012 e kam shitur shtëpinë në Danimarkë, që e pata blerë në Holandë dhe tash gjendet në Itali. Banka falimentoi në vitin 2010 në Gjermani, kjo është arsyeja pse nuk munda t’ i kthej lekët dhe mbetën tek unë, për fat të keq. Dhe, kjo është arsyeja pse unë (s)’i kam deklaruar  eurotë në kohën e Ramiz Alisë.
Qytetarë të dashur, nëse vërtet dëshironi Tirana të lulëzojë më herët, më mirë, më shpejt se sa deri më tani, jo duke respektuar stinët si në kohën e socialistëve, por edhe në dimër, atëherë më votoni mua ju lutem, sepse vetëm me mua mund të lulojë Tirana, temperatura, ambienti, kriminaliteti, korrupsioni,  madje do të zhduken kufijtë (falë pasaportave), madje do ta anulojmë edhe dimrin dhe vjeshtën, sepse nuk është rastësi që unë quhem Lulzim.
Nuk është rastësi që unë kandidohem në Tiranë. Nuk është rastësi që unë jam me disa pasaporta e nuk është rastësi që unë isha ministër, por këtë e dëshironte i Madhi dhe jam fati juaj!
Sa më i pasur të bëhem unë, aq më të lumtur do të jeni ju qytetarë të dashur, sepse unë do të mendoj, ju do të jeni! Unë do të pasurohem, ju do të keni! Këtë mos e harroni kurrë, ju lutem! Prandaj më votoni mua, të fitojë demokracia, përndryshe na detyroni të fitojmë!

Libra fizikë nga Lis Bukuroca te amazon dhe lulu. Te lulu mun të porositen edhe nga Ballkani.

Keine Kommentare: