Kur
një njeri merr një armë në dorë dhe vret një tjetër, quhet
vrasës ose kriminel. Dënimi mund të jetë i përjetshëm, me
ekzekutim apo më shumë se 15 vite. Varet se në cilin vend të
botës ndodh krimi. Kur disa veta marrin armët në dorë dhe
vrasin disa civilistë, ushtarë apo policë, quhen grup i organizuar
terrorist. Ata mund edhe të vriten në vendngjarje ose të vendosë
gjykata për ta. Grupi terrorist zakonisht ka edhe një emërtim,
formulojnë kërkesa, kanë ideale, që u besojnë dhe përpiqen të
rrëzojnë një qeveri dhe krijojnë të veten.
Nëse ky grup ka
sukses, atëherë qeverinë e rrëzuar e arreston, e likuidon apo e dëbon
nga vendi. Nëse nuk mundet, atëherë ndodh e njëjta me ta, çfarë
kishin paraparë për kundërshtarin.
Në
të kaluarën, kur një fis i madh me shumë banorë kishte një njeri më
të zgjuar, më të fortë, më finok, që mendonte se duhej të
nënshtronin fisin tjetër, atëherë nisnin prodhimin e shpatave,
shtizave, thikave dhe armatosnin pjesën vitale të popullsisë dhe
sulmonin. Nuk e bënin ata nënshtrimin e fisit tjetër, nga dashuria
ndaj tyre, por nga lakmia. Populli nënshtruar rendimentet nga
bujqësia dhe pasuritë tjera që kishte, duhej t' i ndante me
pushtuesin. Pushtuesit nuk janë shoqata bamirëse. Fisi që kishte
nënshtruar fisin tjetër, për të shpërblyer ushtarët e vet,
urdhëronte dhunimin e grave dhe masakrimin në masë të të
rriturve dhe kështu ishin të sigurt, se për një periudhë,
dobësohet rezistenca. Për ta bërë këtë nuk nevojitej mençuri
e jashtëzakonshme, por një ide, një udhëheqës, shumë njerëz të
nënshtruar të aftë për të vrarë dhe për të vdekur; shumë
farkëtarë dhe natyrisht, prania e metaleve në atë vend apo në
vendin e pushtuar.
Me
kalimin e kohës fisi i nënshtruar pranon pushtetin e kriminelit, që
kishte vrarë, prerë koka në masë dhe dhunuar gra në masë, dhe
ky nuk kënaqet me tokat dhe njerëzit në pushtetin e tij, por
vazhdon me pushtime tjera dhe quan veten Perandori. Ashtu si edhe
hajni, që nuk ngopet me një vjedhje, lakmia nuk lejon edhe sunduesin të ndalet, sepse ai në fakt flijon jetën e të tjerëve
në emër të një ideje. Nëse krimineli i parë që vret një
njeri, quhej vrasës, kur merr formën shtetërore,
atëherë quhet pushtim, sepse legjitimohet me një strukturë
horizontale dhe vertikale, ushtarake dhe administrative
taksambledhëse. Me pushtimin zakonisht nuk përparon i pushtuari,
përndryshe ai do të quhej humanist, por përparon pushtuesi
duke asimiluar, duke marrë çdo gjë që gjen të përdorshme në vendet e pushtuara. Pallatet ndërtohen në qendër të pushtuesit,
armët prodhohen aty, por nga populli i robëruar merret çdo gjë me
vlerë, madje edhe fëmijët dhe njerëzit e dijshëm.
Nga
vrasja e të parit hidhet në pikëllim një familje, kur sulmon fisi
që dëshiron të shndërrohet në mbretëri, atëherë vuan një
popull kolektivisht. Për të fortin, me një përjashtim në këtë
botë, nuk ka ekzistuar dënim kolektiv. Dënimin kolektiv ka marrë
vetëm Gjermania dhe është më kritike ndaj të kaluarës së vet,
se sa kritikojnë ata që e kanë pësuar. Vrasje barbare janë bërë
që nga koha e perandorive të para në lashtësi dhe do të bëhen
edhe në të ardhmen, por shpirtligësinë e vet nuk kanë paguar
shumë prijës ushtarak dhe kanë vdekur me merita pse kanë vrarë,
pse kanë sakatuar, pse kanë dhunuar shumë gra dhe pse kanë prerë
shumë fëmijë. Tek popujt me ndërgjegje të ulët, ata sundimtarë
konsiderohen shëmbëlltyra nacionale dhe për plojat e tyre
përkujtohen me emër nëpër kazerma, universitete, shkolla dhe
rrugë.
Aq
sa më shumë që zgjat pushtimi, aq më shumë i robëruari kthehet me
kulturë dhe emancipim prapa, (sa
edhe diskriminimin brenda shtëpisë,
konsideron burrëri) sepse ai nuk ka
njerëz që mendojnë për veten, që shkruajnë për veten, por janë
në shërbim të shtypësit dhe ai tregohet zemërgjerë, kur i shtypuri bëhet më patriot se zaptuesi. Kjo është
mënyra më e sigurt për të depërtuar në majat e shtetit
pushtues. Ata edhe kur depërtojnë, punën e parë që bëjnë,
është mohimi i origjinës dhe sjellja me të vetët më keq, se sa
ishte sjellë pushtuesi. Ai nuk toleron rebelim në vendin e vet, por
e nënshtron, e zbut më keq se i huaji në fillim. Ai njeh popullin
e vet më mirë, njeh dobësitë e tij më mirë dhe ashpërsia e tij
është tmerrshme.
Tek
popujt që kanë kaluar një kohë të gjatë nën pushtim hedhja në
prehër të huaj, vazhdon edhe pasi të jenë çliruar. Në
psikologjinë e tyre u mungon tutori, babai nga i cili do të kishin
frikë, nga i cili do të dridheshin dhe ata nuk janë në gjendje ta
përjetojnë lirinë edhe pasi ta kenë fituar atë. Ata me lirinë e
fituar sillen më keq se kur u mungonte. Ata vazhdojnë me vjedhjen e
kombit të vet, ashtu si i kishte zhvatur pushtuesi. Ata sillen me
shtetin e vet, ashtu si ishte sjellë pushtuesi me synimet e tyre për
shtet. Në fakt aty simbolikisht mungon pushtuesi, por me ide dhe
praktikë është i pranishëm në të gjitha shtresat, në të
gjitha fushat. Ata edhe në paqe nuk kanë dinjitet, në fakt më
shumë sedër, ndërgjegje dhe virtyte tregojnë në kohën e
nënshtrimit, se në epokën e lirisë. Ata sillen si një vogëlush,
që ka humbur t'atin dhe me lot në sy kapet për këmbën e çdo
burri, që gjen pranë vetes duke piskatur:”babiiiii.”
Pra
nëse një njeri quhet vrasës pse vret një njeri, pushtim quhet kur
nga një grup shumë i madh i kriminelëve, duhet mbrojtur njeriu
shtëpinë e vet: lirinë e vet. Asnjë popull nuk ka nevojë të
pushtohet nga një popull i huaj. Pushtim domethënë prania e një
njeriu të armatosur në shtëpinë tonë, që me shantazh dhe
kërcënime, na detyron të sillemi, ashtu si i konvenon atij. Pra ai
futet në tokat e huaja, ndërton kazerma, rekruton polici apo
ushtarë dhe nisë zhdukjen e kulturës, që gjen aty dhe proklamon
të veten si mbikulturë, si qytetërim që për perspektivë, duhet
ndjekur. Zvarranikët janë të parët që i përshtaten dhe
konsiderohen skllevër të ndershëm. Vendasit e parë që depërtojnë
në atë pushtet, janë tradhtarët e parë që mburren me
pushtuesin. Në të vërtetë të gjitha ata që fitojnë poste tek
pushtuesi janë tradhtarë, sepse ata edhe pse kanë pozita, nuk
bëjnë asgjë të mirë për popullin e origjinës. Përjashtim mund
të bëjmë vetëm ata që kanë dhënë kontribut për popullin e
vet. Enver Hoxha na jep një shembull të madh se çfarë domethënë,
kur sundohesh nga vetvetja. Ishte diktator, ishte i ashpër, ka vrarë
shumë veta pa faj, por emancipoi Shqipërinë dhe arsimoi më shumë
se Perandoria Romake, më shumë se Bizanti dhe më shumë se
Perandoria Osmane, shkurt e shqip, më shumë se tre perandoritë e
huaja marrë së bashku. Ato e kishin lënë Shqipërinë edhe pa
shkolla fillore, Enveri la edhe Akademi, Universitete dhe një
sovranitet të sigurt.
Ka
njerëz që adhurojnë edhe një kriminel. Ka njerëz nostalgjik të
pushtimit romak, ka njerëz nostalgjik të pushtimit bizantin, ka
njerëz nostalgjik të pushtimin osman, ka njerëz nostalgjik të
pushtimit serb dhe ka njerëz nostalgjik të diktaturës, por për
fat të mirë, ka më shumë qytetarë, që jetojnë kohën e tashme
dhe nuk janë varur në ndonjë varëse të shekujve të kaluar, ku
përtypen idetë e periudhës së tretur duke shpresuar se do të
rikthehet ajo epokë, siç bën periferia sot. E kaluara nuk ka pasur
kurrë forcë në histori të kthehet dhe rrënojnë të tashmen, ajo
është përpjekur, siç bëri diktatura, por ka dështuar siç
dështon çdo sundim, që bazohet në pezullimin e lirisë,
dinjitetit të njeriut dhe barazisë në mes njerëzve dhe gjinive.
Perandoritë e shpërbëra në një parregullsi rastësore, nuk
rindërtohen kurrë, por zëvendësohen nga tjerat, prandaj patrioti
romak, patrioti bizantin, patrioti osman, patrioti jugosllav dhe
patrioti komunist, do të shohin ëndrra, do të analizojnë makthe,
do do të shqyrtojnë komplote, do të sjellin konkluzione, do të
adhurojnë dhe përkulen para pushtuesit të vet, por dëshirat e
tyre nuk do të përmbushen kurrë, sepse kalendari nuk zbythet.
Sidoqoftë, demokracia është rend human, që toleron periferinë e
traumatizuar të shpresojë se një ditë gërmadhat do të bëhen
kështjella dhe pallate.
E
kaluara nuk duhet të shërbejë pët ta rrënuar të tashmen, por
duhet të jetë mësim si jetohet me dinjitet.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen