30.01.2016

Matematika rurale, Perqasje

Për dështimin e Kosovës fajësuan Ermira Mehmetin. Matematika ishte rurale: na mungoi një votë dhe kjo ishte vetëm e saj! Kështu mund të mendojë njeriu me një IQ 70, sa të shimpanzesë.
Një njeri që tejkalon majmunin, duhet shtruar këto pyetje vetes: si është e mundur që mobilizuam paktin më të fortë ushtarak në botë të luftojë për ne, kurse sot na shohin gati si kundërshtar të tyre? Pse ajo Kosovë nuk fitoi me dhjetëra vota më shumë, por fitoi Serbia? Pse nuk po kuptojmë këto mesazhe aq të qarta?

Pse rrënuam imazhin ashtu si konvenon Serbisë dhe nuk ndërtuam ashtu si na siguron ardhmëri neve? Pse merituam të na trajtojnë si majmun në kopsht zoologjik me mbyllje hermetike të kufirit, edhe pse na shtrinë dorën në fundosje e sipër? Pse ka rënie të vazhdueshme në përkrahje? Pse pendohen sot, ata që bombarduan Serbinë dje dhe i kërkojnë ndjesë me qëndrime të sotshme pro serbe?
Pse dje na merrnin me avion na sillnin në Perëndim, sot nuk na lënë as t’ i afrohemi aeroportit?
Nuk është faji i zonjës Mehmeti. Faji gjendet në Prishtinë! Faji gjendet në Kosovë. Tek skena politike kosovare, që nuk njeh as interes nacional, as integritet nacional, as sedër nacionale, as imazh nacional dhe as dinjitet nacional.

Faji gjendet brenda PDK-ës dhe brenda LDK-ës. Kur t’ i kërkojmë fajtorët brenda nesh, do të dëshmojmë se tejkalojmë majmunin. Kërkimi apo gjetja e fajtorëve jashtë, është shfajësim i atyre politikanëve kosovarë me inteligjencë sa të shimpanzës!

Për ta shëruar një sëmundje, nuk duhet luftuar simptomat, por shkaqet. Kosova nuk përmirësohet duke gjetur fajtorë jashtë, por duke i luftuar brenda prodhuesit e shkaqeve. Kosova shtiret se është shtet, por brenda është më e shpartalluar se sa një kope delesh e sulmuar nga ujku. Partitë e mëdha në Kosovë janë klane mafioze, që nuk kanë dinjitet as brenda e as jashtë. Ato nuk kanë as konkurrencë të brendshme, por pakurrizorë të stërvitur nga komunizmi. Aq sa më i përkulshëm anëtari, aq më lartë ngjitet.

Mos u dëshpëroni, më mirë me këta njerëz që kemi, nuk mund të bëhet. Nëse hiqen vizat, mund të ikni, këtë pret edhe qeveria, kjo është arsyeja pse krekoset me pezullim vizash. Nuk ju deshi Jugosllavia, nuk ju deshi Serbia, pse të ju duan ata që ndërtuan një Kosovë sipas oreksit serb? Është pritshmëri e tepruar apo jo?

Keni edhe një mundësi tjetër për të dëshmuar se doni atdheun: të rrëzoni Mustafën në LDK dhe Thaçin në PDK. Kjo mund të ndodhë në shoqëri moderne, jo aty ku mendësia tribale krijon klane, që quhen parti dhe ku janë ushtruar, fyrerëve të partisë, t’ u përkulen si despotëve në shtëpi.

Rendi demokratik është i suksesshëm dhe ndërtohet shtet ligjor, në atë shoqëri ku në familje ka barazi dhe çmohet dinjiteti i njeriut. Aty krijohen individ të lirë me kërkesa për drejtësi. Në shoqëri fisnore, kryeplaku i fisit është më i mirë, se i fiseve tjera, jo pse din, por është metodë gjykimi në shoqëri tribale, që alarmohet me sisët e Rita Orës, por jo me bythën e vet lakuriqe. Shoqëria fisnore nuk njeh autonomi private dhe nuk gjen kurrë fajtorin brenda fisit, por gjithmonë e kërkon dhe gjen jashtë tribus, si tani në Maqedoni, tek Ermira Mehmeti!!!

Fajet janë edhe të shiltes dhe divanit, që durojnë përrallat tona, duke renditur veten në viktimë të përhershme dhe duke kërkuar dhe gjetur fajtorë herë në Lindje herë në Perëndim, por jo tek mosveprimi jonë.

Demokracia dhe shteti ligjor funksionojnë aty ku luftohet pabarazia dhe diskriminimi në shtëpi; aty krijohen njerëz me dinjitet dhe sedër, që kërkojnë nesër drejtësi dhe barazi jashtë.
Liria na erdhi nga qielli, mirëqenia vjen nga djersa, dija nga mësimi.

Mësimi dhe djersa kërkojnë përkushtim, jo shpjegime dhe arsyetime. Ngrihu kundër padrejtësisë në shtëpi dhe vrapo për ta fituar drejtësinë jashtë. Djersa dhe dija nuk falen, ato janë kuptimi i jetës. Jeta nuk ka kuptim, por kuptim është në gjendje t’ i japë vetëm njeriu që mëson dhe vepron.


Keine Kommentare: