28.02.2016

Hashimi nuk ka faj



Ishim kundër Serbisë dhe një ditë ia arritëm ta bindim botën të na ndihmojë dhe, u çliruam.
Më shumë se një dekadë, i dërgojmë botës një mesazh tjetër: ne jemi edhe kundër vetvetes!

Në ata grumbuj simptomash, që shkaktojnë një gjendje klinike, nuk mund të na ndihmohet nga jashtë. Nuk mund të na ndihmojë askush. Këtu mund të na ndihmojë vetëm pedagogjia moderne dhe psikologjia, pra vetëm arsimimi i vërtetë, jo improvizimi.

Në shkollë duhet të mësojmë ta duam veten si duhet, ta duam njëri tjetrin sa duhet, ta duam kushtetutën si atdheun dhe, ta respektojmë lirinë e individit. Individ është edhe çika, edhe gruaja, edhe fëmija. Kjo do të krijonte familje të shëndoshë, që lidhet me dashuri, jo si është një bashkësi interesi, që lidhet me interes. Familja e shëndoshë, prodhon një shoqëri me qëndrime të shëndosha dhe nuk mund të manipulohet.

Kur t'i kërkojmë gabimet tek vetja, do t'i gjejmë aty. Në fakt janë brenda nesh dhe atëherë do të niste përmirësimi. Derisa fajtorin kërkojmë jashtë vetes, do të mbetemi ata që jemi: të fundit në Europë në të gjitha fushat...

Nuk është faji i Hashimit, nuk është faji i deputetëve, është faji i familjes shqiptare. Familja shqiptare nuk edukon, por manipulon. Në shtëpi nuk mësohet sinqeriteti, dashuria, por diskriminimi, mashtrim, tradhtia. Elita jonë politike nuk është asgjë tjetër, pos rezultat i pedagogjisë kriminale në shtëpi. Rezultat i pedagogjisë rurale dhe mungesë legjendare e dijes në shtëpi...

Aty ku mund të rrihet gruaja, diskriminohet bija, aty ku i madhi dominon të voglin, ku i forti shtyp të mençurinë, nuk mund të pritet diçka më përparimtare, por përtypje idesh, riciklim bërlloku dhe shpërblim tradhtarësh, siç shpërblehen tash e 100 vite...

Një popull që ka fuqi të shtyp dhe diskriminojë gratë, më mirë nuk mundet, më mirë nuk din, më mirë nuk dëshiron...

Aq sa më lavir politikani shqiptar, aq më shumë ka shanse të fitojë. Nëse e akuzojnë për tradhti, shanset rriten për t'i zaptuar pozitat kryesore të vendit. Mos u brengosni, jemi popull në pubertet tash e 100 vite. Popujt e emancipuar rrëzojnë politikanin për gabime banale, tek ne, pas akuzës për tradhti, e bëjnë kryetar.
Pas akuzës për tradhti, Isa bëhet kryeministër. Në fakt nuk jemi as në pubertet, fazë infantile, shekullore është kjo...

Kur pati pushtet, ndërtoi një Kosovë alla turka, pasi u zgjodh kryetar, dhe kur nuk do të ketë pushtet, ja çfarë Kosove do të ndërtojë: " Besimin që ma dhatë do t’ua kthej për ndërtimin e Kosovës evropiane!" Thaçi.

Hashimi si kryetar, më pak ka fuqi për ta dëmtuar shtetin, por nëpërmjet shërbëtorëve të vet, do ta ruajë kontrollin në të gjitha nivelet shtetërore. Në 20 vitet e ardhshme, nuk do të ketë shtet ligjor, as gjykata të pavarura. Hashim Thaçi realizoi ëndrrën e fundit, edhe atë, me partinë e Ibrahim Rugovës. Putini, Erdogani dhe Hashimi, mund zgjedhin pozita sipas dëshirës...

"Do të jem përulësisht gjithmonë i juaji dhe në shërbimin tuaj! HTH."  Ky është mendimi i dytë më i çuditshëm që kam lexuar këtë vit. I pari ishte, shqiptarët janë më pro amerikanë se amerikanët, i dyti, Hashimi do të jetë në shërbim të popullit. Se do të jetë në shërbim të popullit, e përjetuam edhe tetë vitet e kaluara.

Nëse i zëvendësojmë të gjitha vendet udhëheqëse me gra, brenda 10 viteve kemi shtet të së drejtës dhe pranë BE-së, ose në BE. Me këta burra që kemi para vitit 2050 as që mund të merret me mend!

Letër burrave (I)

1 Kommentar:

Anonym hat gesagt…

Ke jashtëzakonisht shumë të drejtë! Problemi ynë kryesor është se nuk kemi respekt për askend, e aq më pak për atë që ka tru. Njerëzit e zgjuar i quajmë të marrë. Një familje ku çdo antar respektohet e duhet e quajmë të përdalë. Ne duam vetëm pushtet, secili nga ne. Dhe për ta arritë atë jemi të gatshëm të shtypim këdo... prandaj nuk është çudi që votojmë dhe vendosim në pozita shtypësit.