12.03.2016

Si përmirësohet bota?

Nuk përmirësohet bota duke i ndryshuar tjerët apo tjetrin me dhunë. Bota ndryshon, kur pranohen të tjerët ashtu si janë. Me ndryshimin tim, nis përmirësimi i botës pikë së pari në rrethin tim.
Ndryshim me dhunë, domethënë shumëzim i vetvetes. Dhe, zhdukja e një origjinali. Çdo njeri është i papërsëritshëm dhe i vetmi origjinal, por derisa nuk u nënshtrohet atyre, që duan ta ndryshojnë me dhunë. I ndryshuari me dhunë është kopje e dhunuesit. Dhunuesi është asgjësues i origjinalit. Ky dhunues mund të jetë shteti, ose patriarku.

Shteti diktatorial, ose pushtuesi, përpiqeni jo vetëm të zhdukin ide të reja, por edhe fantazitë. I tillë është edhe despoti në familjen patriarkale. Ajo që mund të përligjet, kur e bën pushtuesi, ose policia, nuk mund të justifikohet kurrë, kur ato metoda, përdor patriarku në shtëpi.
Prind i mirë është vetëm ai, që nuk kopjon metodat e policisë komuniste. Policia komuniste mund edhe të kuptohet. Ajo nuk ka as lidhje familjare, as farefisnore me viktimën, por kurrë prindi. Zbulimet e fundit shkencore dëshmojnë se fëmijët e rrahur dhe keqtrajtuar, janë më pak intelegjent, se ata të rritur me dashuri dhe bëhen xheloz, se u është rrënuar sedra.
Fëmijët e rritur nën trysni të vazhdueshme, stërviten të gënjejnë, sepse si fëmijë, vetëm rrena i ka shpëtuar nga ndëshkimi.

Dashuria dhe respekti vjen nga parajsa, rrahja nga ferri! Familja duhet të jetë qendra e parajsës, jo e ferrit. Ai që i anulon fëmijës lirinë për ta jetuar jetën sipas dëshirës dhe kohës së vet, ai është vrasës i jetës së fëmijës dhe pengues i përmirësimit të botës.
Pra përmirësimi botës bëhet vetëm duke ndryshuar veten për të pranuar lirinë e tjetrit. Qëndrimi kundërt, sot është perversion, dje quhej dashuri dhe kujdestari. Ata thonin se rrahja kishte origjinën nga parajsa. Kështu besonte edhe policia e Millosheviqit, që përpiqej për ta penguar përmirësimin e botës...

Një prind madhështinë e vet dëshmon me dashurinë dhe respektin ndaj gruas dhe fëmijës. Një shtet, me respektin dhe shërbimin e qytetarëve.

Festuam Ditën e Mësuesit dhe festuam vendin e fundit
Sipas PISAS arsimi shqip ka vendin e fundit në Europë. Në vitin 2013 pas nesh ishte vetëm Argjentina, Tunizia, Jordania, Kolumbia, Katari, Indonezia dhe Peru. Patën marrë pjesë nxënës nga 63 vende.

Të festosh vendin e dytë dhe të tretë, mund të kuptohet, por të kremtosh dhe hapareshesh me vendin e fundit në Europë, nuk është ndoshta turp, por devijim mendor. Madje, edhe të falënderohen me lule.
Ata që po mburren me detyrën e shenjtë, mburren edhe me rezultatin e shenjtë: domethënë, prodhimin e injorancës dhe mundimin e nxënësve. Për të fituar injorancë, nuk duhet shkolla.

Bota përmirësohet edhe duke festuar suksese, por jo dështime totale, në vija të holla dhe të trasha…

Prandaj vitin e ardhshëm, le të festojnë ditën e pastruesit të shkollës...

Pse gratë? Ato synojnë për të lënë gjurmë dhe vepra pas vete, kurse burrat, digjen, shkrihen dhe zvarriten për lekë!

Më shumë urtësi jete te:

Keine Kommentare: